Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 18:43

Mançester Siti ka shkurtuar në tre pikë diferencën me Mançester Junajtid pasi fitoi 2-0 ndaj Ulvërhempton, ndërsa kryesuesit e kampionatin anglez u ndalën në shtëpi 4-4 nga Evertoni në një ndeshje të pabesueshme. 

Dy golat e Serxho Aguero dhe Samir Nasri vulosën fitoren e thjeshtë të skuadrës së Mançinit, duke dënuar përfundimisht ekipin kundërshtar me rënien nga kategoria. Për më tepër, Siti ka mundësi reale të marrë titullin, pasi në rast se arrin të fitojë në derbin e datës 30 prill, do të marrë kryesimin e kampionatin pasi ka një golavarazh më të mirë se skuadra e Ferguson.

Më herët, Junajtid kryesonte 4-2 kur kishin mbetur vetëm 7 minuta lojë, por dy golat e Evertonit bënë që ndeshja të mbyllej me rezultatin e pabesueshëm 4-4 që ka argëtuar, por nuk ka kënaqur tifozët e pranishëm në “Old Traford”.

Ndërkohë, Roi Hodgson është hakmarrë kundër Liverpulit duke mundur 1-0 ish-skuadrën e tij në drejtimin e Uest Bromuiç, që nuk fitonte në “Anfilld” që nga viti 1967. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Mançester Junajtid-Everton   4-4

41′, 69′ Runi, 57′ Uellbek, 61′ Nani / 34′, 83′ Jelaviç, 67′ Fellaini, 85′ Pienar

Liverpul-Uest Bromuiç            0-1

75′ Odemuingie

Ulvërhempton-Mançester Siti  0-2

27′ Aguero, 73′ Nasri

Mançester Junajted 83, Mançester Siti 80, Arsenal 65, Njukasëll 62, Totenhem 59, Çelsi 58, Everton 48, Liverpul 46, Fullhem 46, Uest Bromuiç 45, Sandërlend 44, Noruiç 43, Suonsi 43, Stouk 42, Aston Vila 36, Uigan 34, QPR 34, Bllekbërn 31, Bolton 30, Ulvërhempton 23.

 
Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 11:40

Roberto Mançini ka akuzuar gjyqtarët e kampionatit anglez se po ndihmojnë Mançester Junajtid në luftën për titullin kampion. Trajneri i Mançester Siti është acaruar pasi ka parë se gjyqtarët kanë dhënë tre penallti të dyshimta radhazi në favor të “djajve të kuq”.

“Rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë, në disa raste janë të ndryshme. Kjo është një situatë që nuk më pëlqen, pasi rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë, për ne, për Junajtid, për Uest Bromuiç. Çdo skuadër duhet të luajë me 11 lojtarë. Personi i veshur me të zeza që rri në fushë nuk duhet të ketë një fanellë blu, apo të kuqe, apo të bardhë”.

Fullhem iu mohua një penallti e qartë në minutat e fundit të ndeshjes së tyre në “Old Traford” kur Mançester Junajtid kryesonte vetëm 1-0. Më pas, Eshli Jang fitoi 2 penallti teatrale në suksesin 2-0 ndaj QPR dhe 4-0 ndaj Aston Vila.

“Çdokush mund të bëjë gabime, por jo si këto. Titulli ka ikur. Ai është shumë i vështirë, sidomos pas disa situatave të çuditshme në 3-4 javët e fundit”, tha Mançini, duke kujtuar se si këto situata janë gjithmonë në favor të kundërshtarëve të Mançester Sitit.

Karlos Tevez u ndëshkua për simulim në ndeshjen kundër Noruiç, po në fakt duhej dhënë një penallti në favor të tij. “Gjyqtari bëri një gabim pasi duhej të jepte karton të kuq dhe 5 ndeshje pezullim për Karlos! Kur isha në Itali, mendoja se këtu ishin gjyqtarët më të mirë. Por opinioni im ka ndryshuar”. (LajmeShqip.com)