Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 09:04

Arsen Venger ka pranuar se “arti i simulimit” është sjellë nga lojtarët e huaj në Angli, por gjithashtu se vendasit janë përshtatur shumë shpejt me të.

Mesfushori i Mançester Junajtid, Eshli Jang, është në qendër të polemikave në Angli pasi ka fituar penallti në ndeshjet kundër QPR dhe Aston Vila duke “fluturuar” pas një kontakti minimal me mbrojtësit kundërshtarë për të sjellë përsëri në plan të parë temën e simulimeve.

“Po, lojtarët e huaj sollën simulimet në Angli, po më duhet të them se futbollistët anglezë i mësojnë gjërat e reja shumë shpejt. Lojtarët e huaj kanë sjellë gjëra të mira dhe të këqija. Në Angli respektoheshin dy gjëra: e para që shkelmoheshe mirë dhe e dyta që nuk rrëzoheshe kot”.

“Një gjë tjetër që admiroja në Angli ishte se lojtarët nuk mblidheshin rreth gjyqtarit për të kërkuar karton të verdhë për kundërshtarin. Këto gjëra nuk ndodhnin kur unë erdha këtu në Angli”.

Ai mendon se ka një zgjidhje mjaft praktike për këtë problem që ka dalë në skenë kohët e fundit. “Unë sugjeroj që të ketë një pezullim automatik prej 3 ndeshjesh për çdo lojtar që simulon dhe mashtron gjyqtarin. Jam i sigurt që futbollistët nuk do ta bëjnë më një gjë të tillë nëse dënohen me tre ndeshje pezullim”, tha trajneri i Arsenalit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 18:45

Eshli Jang është kthyer në personazhin kryesor të Mançester Juanjtid gjatë këtyre javëve pasi për të dytën herë radhazi ka fituar një penallti të dyshimtë për të ndihmuar skuadrën e tij drejt një fitoreje. Këtë radhë, ai fitoi penalltinë për golin e parë të shënuar nga Uejn Runi në fitoren 4-0 ndaj Aston Vilës po hedhja e tij në zonë ka bërë bujë dhe është shoqëruar me komente të ashpra nga shumë futbollistë të kampionatit anglez që e cilësojnë atë si një mashtrues. 

Ky episod i minutës së 6-të errësoi disi një fitore të bukur të Mançester Junajtid në një ndeshje po aq të bukur me raste nga të dy palët. Pas penalltisë së transformuar nga Runi, për të parë golin e dytë u desh të pritej minuta e 44-t kur një pasim i Evra u devijua në rrjetë nga Uellbek. Runi plotësoi dygolëshin personal në minutën e 73-të pas një pasimi të Valencias,ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjes u vendos falë golit të Nani në minutën e 93-të.

Si rrjedhojë, Mançester Junajtid ka kthyer në 5 pikë diferencën me Mançester Sitin, duke vazhduar të jetë në një pozicion mëse të favorshëm për fitoren e kampionatit kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në përfundimin e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 18:44

Karlos Tevez është kthyer më vendimtar se kurrë duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje bindëse 6-1 në transfertë kundër Noruiç, surprizës së këtij sezoni në Angli. Sulmuesi argjentinas ka shënuar 3 gola në ndeshjen ku u kthye mes titullarëve, duke treguar se mund të japë ende një kontribut të rëndësishëm për ekipin e Mançinit. 

Përveç paraqitjes së jashtëzakonshme të Tevez, është për t’u vlerësuar edhe paraqitja e Serxho Agueros që shënoi dy gola spektakolarë, ndërsa goli i 6-të u shënua nga Xhonson. Falë këtij rezultati, Siti ka çuar në vetëm dy pikë diferencën me Mançester Junajtid, në pritje të ndeshjes që këta të fundit luajnë nesër.

Ndërkohë, dy skuadrat që luftojnë për mbijetesë, QPR dhe Bllekbërn, janë mundur respektivisht në fushat e Uest Bromuiç dhe Suonsi. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Noruiç-Mançester Siti              1-6

51′ Surman / 18′, 73′, 80′  Tevez, 27′, 75′ Aguero, 90′ Xhonson

Sandërlend-Ulvërhempton       0-0

Suonsi-Bllekbërn                         3-0

37′, 63′ Sigurdson, 43′ Dajer

Uest Bromuiç-QPR                       1-0

Renditja

Mançester Junajted 79, Mançester Siti 77, Arsenal 64, Totenhem 59, Njukasëll 59, Çelsi 57, Everton 47, Liverpul 46, Noruiç 43, Fullhem 43, Sandërlend 43, Stouk 42, Suonsi 42, Uest Bromuiç 42, Aston Vila 35, QPR 31, Bolton 29, Bllekbërn 28, Uigan 28, Ulvërhempton 23.