Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 19:01

Mançester Junajtid është ngjitur përsëri në kreun e renditjes së kampionatit anglez të futbollit pasi ka mundur me rezultatin 2-0 Uest Bromuiç, ndërsa Mançester Siti pësoi një humbje surprizë 1-0 përballë uellsianëve të Suonsi. 

Siti kësisoj hoqi dorë nga kreu i renditjes për herë të parë që nga muaji tetor, pasi Ljuk Mur shënoi në minutat e fundit të ndeshjes, duke ndaluar një tjetër ekip elitar në Stadiumin “Liberti” të skuadrës modeste të Suonsi, surpriza e vërtetë e këtij sezoni në Angli. Zëvendësuesi Mur kishte qenë në fushë vetëm disa minuta para se t’i jepej mundësia që të kalonte portierin Hart në minutën e 83-të të sfidës, pasi ktheu në portë një harkim të bukur të Rutlexh. Vendasit mund të kishin shënuar më përpara, por Skot Sinkler humbi një 11 metërsh që në minutën e 7 të ndeshjes, ndërsa për Sitin kanë peshuar shumë gabimet para porte të Baloteli e Aguero.

Ndërkohë, Uejn Runi u bë heroi i Mançester Junajtid duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje për të mundur 2-0 Uest Bromuiç. Sulmuesi i përfaqësueses angleze çoi në 26 numrin e golave të shënuar në këtë sezon, ndërsa partnerët e tij të sulmit, Jang e Hernandez, nuk arritën të transformonin në gol rastet që iu shfaqën. Tani “djajtë e kuq” të Aleks Ferguson kanë një pikë avantazh përballë ekipit që drejtohet nga Roberto Mançini. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 20:29

Çelsi është bashkuar në vendin e katërt me Arsenalin në kuotën e 49 pikëve, pasi goli i Didier Drogba në pjesën e dytë të ndeshjes, i 100-i në Premier League për sulmuesin, i dha suksesin 1-0 ndaj Stouk në “Stemford Brixh”. 

Blutë, të cilët luanin ndeshjen e tyre të parë në kampionat që pas shkarkimit të Andre Vijas-Boas dhe caktimit të Roberto Di Mateo si trajner i përkohshëm, kanë patur shumë rase për të shënuar që në pjesën e parë, ndërsa Terri dhe Ivanoviç goditën shtyllën. Për t’u theksuar është se pavarësisht deklaratave për vazhdim të projektit të AVB, Di Mateo ka ulur në stol Torres dhe i ka besuar përsëri “veteranëve”, të cilët janë kundërpërgjigjur duke siguruar këtë sukses të rëndësishëm.

Sandërlend është ngjitur në vendin e 8-të në renditje pas fitores 1-0 ndaj Liverpulit. Niklas Bendtner shënoi golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 56-të, duke dërguar topin në rrjetë nga një distancë e afërt pasi ai kishte goditur dy herë shtyllën. Humbja e lë Liverpulin 10 pikë larg skuadrës së vendit të katërt dhe praktikisht shuan shanset e kësaj skuadre për të luajtur në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, Totenhem tashmë rrezikon seriozisht vendin e tretë, pasi është mundur me rezultatin 1-0 nga Everton. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga blerja e merkatos së janarit, Nikica Jelaviç në minutën e 22-të të takimit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Bolton-QPR                            2-1

Aston Vila-Fullhem               1-0

Çelsi-Stouk                             1-0

Sandërlend-Liverpul             1-0

Ulvërhempton-Bllekbërn     0-2

Everton-Totenhem               1-0

Renditja

Mançester Siti 66, Mançester Junajtid 64, Totenhem 53, Arsenal 49, Çelsi 49, Njukasëll 44, Liverpul 39, Sandërlend 37, Everton 37, Fullhem 36, Stouk 36, Uest Bromuiç 35, Noruiç 35, Aston Vila 33, Suonsi 33, Bllekbërn 25, Bolton 23, QPR 22, Ulvërhempton 22, Uigan 20.