Lajme Shqip Sunday, 19 May 2013 19:42

Arsenali është skuadra e katërt angleze që do të luajë në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve, pasi siguroi vendin e katërt në kampionat në javën e fundit të tij, me fitoren 1-0 në fushën e Njukasëll. Për ekipin e Venger, kjo është pjesëmarrja për vitin e 16-të radhazi në elitën e futbollit evropian, ndërsa arriti të kalojë me 1 pikë në renditje Totenhemin, të cilit nuk i mjaftoi mrekullia e radhë se Garet Beil për të siguruar pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm evropian.

Ka qenë një gol i Koshçielni që ka vendosur sfidën e luajtur ndaj Njukasëll, për t’i dhënë suksesin 1-0, por që i mjaftonte ekipit të Venger për të siguruar vendin e katërt. Me pjesëmarrjen në Evropë, falë kontratave me sponsorët dhe të drejtës televizive, Arsenali përfiton rreth 25 milion paund, të cilat do të jenë një shtesë e rëndësishme në shumën prej 50 milion puand që klubi ka vënë në dispozicion për merkaton.

Ndërkohë, në ndeshjen kundër Sandërlend, Totenhem ka përjetuar një sfidë shumë të tensionuar, ku ka parë t’i mohohen 3 penallti të dukshme. Megjithatë, Garet Beil ka shënuar një tjetër supergol, për t’i dhënë suksesin ekipit të tij në minutat e fundit. Por kjo nuk mjaftoi që Totenhem të siguronte një vend në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm dhe do të duhet të kënaqet përsëri me pjesëmarrjen në Europa League.

Ndeshja më spektakolare e javës së fundit të kampionatit anglez ka qenë ajo e lamtumirës së Aleks Ferguson në takimin e tij të 1500-të në bankinën e Mançester Junajtid. Fatmirësisht për lojtarët e “djajve të kuq”, kjo ishte ndeshja e fundit e skocezit në drejtimin e skuadrës, pasi në të kundërt ata do të duhej të duronin për një kohë të gjatë shpërthimet e tij, sepse shpërdoruan një avantazh 5-2 ndaj Uest Bromuiç vendas, që arriti të barazonte rezultatin në 5-5. (LajmeShqip.com)

Premier League

Java 38 / Rezultatet

Çelsi-Everton               2-1

7’ Mata, 76’ Torres / 14’ Neismith

Liverpul-QPR               1-0

23’ Kutinjo

Mançester Siti-Noruiç  2-3

30’, 59’ Roduell / 26’ Pilkington, 54’ Holt, 65’ Houson

Njukasëll-Arsenal         0-1

52’ Koshçielni

Sauthempton-Stouk      1-1

57’ Lambert / 47’ Krauç

Suonsi-Fullhem 0-3

22’ Kaçanikliç, 78’ Berbatov, 90’ Emanuelson

Totenhem-Sandërlend   1-0

89’ Beil

Uest Bromuiç-Mançester Junajtid         5-5

40’ Morrison, 50’, 81’, 86’ Lukaku, 82’ Mulumbu / 6’ Kagaua, 9’ (ag) Olson, 30’ Butner, 53’ Van Persi, 63’ Hernandez

Uest Hem-Riding          4-2

23’, 79’, 87’ Nolan, 34’ Vaz Te, / 53’ MekKliri, 55’ Le Fondre

Uigan-Aston Vila          2-2

20’ Bois, 45’ (ag) Beikër / 5’ Bent, 60’ Vlar

Klasifikimi: Mançester Junajtid 89 pikë, Mançester Siti 78, Çelsi 75, Arsenal 73, Totenhem 72, Everton 63, Liverpul 61, Uest Bromuiç 49, Suonsi 46, Uest Hem 46, Noruiç 44, Fullhem 43, Stouk 42, Sauthempton 41, Aston Vila 41, Njukasëll 41, Sandërlend 39, Uigan 36, Riding 28, QPR 25.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 09:14

Vetëm 4 ditë pasi Uigani hyri në histori duke fituar Kupën FA, ky klub shkroi emrin në librin e rekordeve vetëm 4 ditë më vonë, si i pari që arrin të bjerë nga kategoria në të njëjtin sezon që fitoi turneun më të vjetër futbollistik në botë. 

Gjithçka erdhi si pasojë e ndeshjes së mbrëmshme ndaj Arsenalit, që duhej fituar me çdo kush për të evituar rënien matematike. Nëse pjesa e parë u mbyll me barazim 1-1 pas golave të Podolski për “topçinjtë” dhe Malonei për Uigan, pjesa e dytë ishte shkatërrimtare për këta të fundit. Uollkot, Podolski dhe Ramsi shënuan 3 gola të tjerë për t’i dhënë suksesin 4-1 Arsenalit dhe për të dekretuar rënien e Uiganit një kategori më poshtë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 19:44

Aleks Ferguson ka përshëndetur tifozët e Mançester Junajtid në atë që ka qenë ndeshja e tij e fundit në stadiumin “Old Traford” në drejtimin e skuadrës, pas suksesit 2-1 ndaj Suonsit. Në një ditë emocionuese ku të gjithë tifozët e “djajve të kuq” kanë përshëndetur trajnerin më të suksesshëm britanik, skuadra ka bërë punën e vet duke marrë këtë fitore dhe më pas duke i dhënë nderin skocezit të ngrente lart trofeun e titullit kampion.

“Faleminderit të gjithëve, ka qenë eksperienca më fantastike e jetës time. Kam qenë shumë me fat që të drejtoj lojtarët më të mirë të këtij vendi. Të gjitha ata kanë përfaqësuar këtë klub në mënyrën e duhur. I lumtë të gjithë lojtarëve”, ishin fjalët e Ferguson që mbajti një fjalim të shkurtër emocional në fund të takimit.

“Tani do të jem në gjendje të kënaqem duke i parë, jo të vuaj me to. Dua t’ju kujtoj se kur unë kaloja periudha të vështira, ky klub më mbështeti. Detyra juaj është t’i qëndroni përkrah trajnerit të ri. Dua të bëj një përshëndetje për Pol Skols që tërhiqet sot, ai është një nga lojtarët më të mëdhenj që ky klub ka pasur apo do të ketë. Do të uroja gjithashtu një kthim sa më të shpejtë për Darren Fleçer. I uroj lojtarëve çdo sukses të mundshëm në të ardhmen. Mos u dorëzoni kurrë. Nga e gjithë familja Ferguson, me 11 nipat e mbesat që gjenden këtu, faleminderit të gjithëve”, ishte fjalimi që Ferguson mbajti para turmës para se të ngrente lart trofeun e titullit të 20-të të klubit.

Përsa i përket ndeshjeve të tjera të kësaj jave, Totenhem ka qëndruar në garë për një vend në Ligën e Kampioneve duke mundur 2-1 Stouk dhe tashmë duke kaluar trysninë te Arsenali. “Topçinjtë” kanë një ndeshje të vështirë në mesjavë ndaj Uiganit, që fitoi Kupën FA, por që do të bjerë nga kategoria nëse nuk mund skuadrën e Venger në ndeshjen e prapambetur të javës së 37-të.

Premier League

Java 37 /Rezultatet

Stouk-Totenhem                       1-2

3’ N’Zonzi / 20’ Dempsi, 83’ Adebajor

Everton-Uest Hem                    2-0

6’, 60’ Mirajas

Fullhem-Liverpul                       1-3

33’ Berbatov / 36’, 63’, 85’ Starrixh

Noruiç-Uest Bromuiç                4-0

25’ Snodgras, 62’ Holt, 65’ (ag) MekOuli, 90’ Houson

QPR-Njukasëll                          1-2

11’ (p) Remi / 18’ (p) Ben Arfa, 35’ Gufran

Sandërlend-Sauthempton         1-1

68’ Bardsli / 76’ Pançion

Mançester Junajtid-Suonsi        2-1

39’ Hernandez, 87’ Ferdinand / 49’ Miçu

Klasifikimi: Mançester Junajtid 88 pikë, Mançester Siti 75, Çelsi 72, Totenhem 69, Arsenal 67, Everton 63, Liverpul 58, Uest Bromuiç 48, Suonsi 46, Uest Hem 43, Stouk 41, Noruiç 41, Njukasëll 41, Sauthempton 40, Fullhem 40, Aston Vila 40, Sandërlend 39, Uigan 35, Riding 28, QPR 25.

 
Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 16:57

Frenk Lampard ka qenë heroi i ndeshjes së parë të kësaj jave në kampionatin anglez, pasi ka arritur të barazojë e pastaj kalojë legjendën e Çelsit, Bobi Tambling me dy golat e tij në suksesin 2-1 ndaj Aston Vilës. 

Suksesi jashtë fushe ka qenë shumë i rëndësishëm për skuadrën e Benitez që thuajse ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, ndërsa në mesjavë luan në finalen e Europa League duke u munduar të marrë një trofe ndërkombëtar.

Tashmë Lampard regjistron 203 gola të shënuar me Çelsin, në atë që pritet të jetë një nga ndeshjet e fundit të karrierës së tij me klubin londinez, për të kaluar Tambling që kishte shënuar 202 gola për këtë klub.

Pasi futbollisti shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes, për më tepër në minutën e 88-të të takimit, disa tifozë festuan aq shumë sa hynë edhe në fushën e lojës, pasi tashmë Lampard është një legjendë e mirëfilltë për klubin.

“Ky gol do të thotë gjithçka për mua, është e mrekullueshme. I jam mirënjohës secilit prej shokëve të skuadrës të cilët më kanë mbështetur dhe shpesh kanë qenë ata që më kanë dhuruar golat që kam shënuar. Falënderoj edhe tifozët, që kanë qenë përkrah meje për një kohë të gjatë dhe me shumë mundësi kanë qenë po aq të shqetësuar sa unë derisa arrita këtë rekord. Në shenjë respekti nuk festova kur barazova rekordin e Tambling, por kur e theva atë nuk mund t’i rezistoja gëzimit”, shpjegoi Lampard, goli i parë i të cilit me fanellën e Çelsit ka ardhur në vitin 2002 ndaj Bolton. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 May 2013 22:54

Çelsi dhe Totenhem kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2 mes tyre në derbin e ndezur të Londrës, ku dy skuadrat luanin shanset për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Por në fund, të dy palët janë kënaqur me nga një pikë që ka lënë gjithçka hapur, edhe pse Totenhemi rrezikon më shumë të mbetet jashtë zonës së Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht është në vendin e pestë. 

Ndeshja ka folur më shumë për Çelsin, që ka dominuar që në minutat e para dhe ka gjetur golin e avantazhit me Oskar pas zhvillimit të një goditje nga këndi. Por më pas ishte Adebajor që në mënyrë të papritur vendosi barazinë, pikërisht në momentin më të mirë të Çelsit.

Gjithsesi, skuadra e Benitez luftoi më shumë, duke kërkuar me ngulm që të gjente dhe golin dhe ia arriti qëllimit kur në minutën e 39-të, Ramires u shfaq në zonë duke mposhtur Loris me një goditje të saktë.

Pjesa e dytë foli krejtësisht për Çelsin, me Totenhemin që nuk bëri thuajse asnjë gjuajtje në portë dhe dukej se do të largohej me një tjetër humbje nga “Stemford Brixh” duke i dhënë lamtumirën ëndrrave për Ligën e Kampioneve. Por një kombinim Adebajor-Sigurdson, me islandezin që dërgon topin në rrjetë kur mbeteshin dhe 10 minuta lojë, bëri që skuadra e Vijas Boas të mbetej në garë pas barazimit 2-2, edhe pse është në vendin e pestë dhe ndjek Arsenalin, një skuadër që ka një kalendar mëse të favorshëm në dy javët e mbetura.

Ndërkohë, Çelsit i mjafton të fitojë ndeshjen e fundjavës ndaj Aston Vilës për të siguruar përfundimisht edhe matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve me një vend mes katër skuadrave të para. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 19:11

Çelsi ka marrë një rezultat shumë të rëndësishëm në ndeshjen e javës së 36-të të kampionatit anglez, duke fituar me rezultatin 1-0 në fushën e kampionëve të saposhpallur të Anglisë, Mançester Junajtid. Falë këtyre tri pikëve, skuadra e Benitez është kthyer përsëri në vendin e tretë në renditjen e kampionatit, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Ndonëse përballë njëra-tjetrës ishin dy ndër skuadrat më të suksesshme të viteve të fundit në Angli, spektakli në fushë nuk ka qenë ai i pritshmi, pasi dy ekipet kanë rrezikuar pak, apo aspak, në portat kundërshtare. Mançesteri nuk ka dashur të lodhej kot përballë londinezëve, duke parë se nuk luftonte për asgjë, ndërsa blutë kanë krijuar më shumë volum loje, por pa gjuajtje në potë.

Gjithsesi, për të marrë tri pikët e shumëkërkuara është dashur të pritej minuta e 87-të të takimit kur Huan Mata me një gjuajtje tokazi ka arritur të dërgojë topin në rrjetë duke shënuar golin e vetëm të sfidës. Me këto tri pikë, Çelsi ka kaluar Totenhemin, skuadër ndaj të cilës do të luajë në derbin e mesjavës dhe që do të jetë vendimtar për të caktuar se cila skuadër do të shkojë në Ligën e Kampioneve, pa harruar se në garë është edhe Arsenali.

Ndërkohë, takimi tjetër i të dielës, ai derbi mes Liverpulit dhe Evertonit, ka përfunduar në barazim pa gola. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 18:45

Garet Beil ka vazhduar të jetë personi më vendimtar për skuadrën e tij në këtë sezon, pasi me golin e shënuar kundër Sauthempton në minutat e fundit, i ka dhënë 3 pikët skuadrës së Totenhem që mbetet në garë për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Lojtari uellsian nuk u shfaq shumë në formë gjatë takimit kundër ish-skuadrës së tij, por ka rezultuar vendimtar me gjuajtjen e tij të vetme në portë, në minutën e 86-të të takimit, duke realizuar një gol spektakolar.

Në ndeshjet e tjera të luajtura sot, bie në sy fitorja 3-2 e Uigan në fushën e Uest Bromuiç, duke mbajtur gjithçka të hapur në luftën për mbijetesë në Angli në javët e fundit të kampionatit. (LajmeShqip.com)

Premier League

Java 36 / Rezultatet

Fullhem-Riding                       2-4

70’, 77’ Ruiz / 12’ (p) 62’ Robson-Kanu, 75’ Le Fondre, 83’ Karaçan

Noruiç-Aston Vila                    1-2

74’ Holt / 55’, 89’ Agbonlahor

Suonsi-Mançester Siti            0-0

Totenhem-Sauthempton        1-0

86’ Beil

Uest Bromuiç-Uigan               2-3

28’ Long, 50’ MekOulei / 39’ Kone, 58’ MekArtur, 80’ MekManaman

Uest Hem-Njukasëll                0-0

Klasifikimi: Mançester Junajtid 85 pikë; Mançester Siti 72; Çelsi 65; Totenhem 65; Arsenal 64; Everton 59; Liverpul 54; Uest Bromuiç 48; Sonsi 43, Uest Hem 43; Fullhem 40, Stouk 40; Aston Vila 40; Sauthempton 39; Noruiç 38, Njukasëll 38; Sandërlend 37; Uigan 35; Riding 28, QPR 25.

 
Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 19:49

Robin Van Persi ka bërë një kthim triumfal në “Emirates Stadium”, atë që ka qenë shtëpia e tij për 8 vite me radhë, ndërsa ka qenë protagonisti i barazimit 1-1 mes Arsenalit vendas dhe Mançester Junajtid.

Ylli i “djajve të kuq” ka fituar dhe më pas transformuar saktësisht një penallti në minutën e 44-t të sfidës për të garantuar barazimin 1-1, pasi vendasit kishin kaluar që në fillimin e ndeshjes në avantazh me Uollkot.  Holandezi ka qenë mjaft i emocionuar për këtë kthim para ish-tifozëve të tij, pasi në momentin kur Mançester Juanjtid ka mbërritur në stadium, forca e zakonit e ka çuar atë drejt dhomave të zhveshjeve të ekipit vendas, për të kuptuar më pas mes buzëqeshjeve të punonjësve të stadiumit se tashmë nuk ishte më aq i “mirëpritur” në këtë impiant dhe u kthye kokulur drejt dhomave të miqve.

Barazimi lë Arsenalin në vendin e katërt në renditje, pozicion që rrezikohet nga Totenhem, pasi skuadra e drejtuar nga Andre Vijas Boas ka luajtur një ndeshje më pak.

Vendin e tretë e mban përkohësisht Çelsi, që ka fituar 2-0 ndaj Suonsit falë një prove të jashtëzakonshme të Frenk Lampard. Mesfushori hyri në fushë si zëvendësues pas dëmtimit të Ramires, por dha pasimin për golin e avantazhit të Oskar si dhe shënoi vetë golin e dytë nga pika e bardhë e penalltisë. (LajmeShqip.com)

Premier League

Java 35 / Rezultatet

Riding-QPR                                 0-0

Çelsi-Suonsi                                2-0

44’ Oskar, 45’ (p) Lampard

Arsenal-Mançester Junajtid        1-1

2’ Uollkot / 44’ (p) Van Persi

 
Lajme Shqip Saturday, 27 April 2013 21:12

Totenhemi ka bërë një tjetër hap të gabuar në përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Londinezët e drejtuar nga Andre Vijas Boas nuk kanë arritur të marrin më shumë se një barazim 2-2 ndaj Uigan dhe kësisoj kanë mbetur në vendin e 5-të në renditjen e kampionatit. 

Goli i shpejtë i Beil që në minutën e 9-të la më kot të shpresohej për një sukses të Totenhem, pasi vendasit e Uigan, një prej skuadrave që rrezikojnë të bien nga kategoria, luftuan për çdo top duke arritur të kthejnë me forcë rezultatin në favor të tyre falë golave të Bois e MekManaman. Megjithatë, Totenhemi mbërriti të merrte të paktën një pikë pasi Bois devijoi në portën e tij një krosim të Aron Lenon në minutën e 89-të, duke bërë që ndeshja të mbyllej në barazim.

Skuadrave që luftojnë për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm i është bashkuar përsëri Evrtoni, falë suksesit 1-0 ndaj Fullhem, ndërsa rezultati më i bujshëm i ditës është padyshim fitorja 6-0 e Liverpulit në fushën e Njukasëll. Skuadra e Brendan Roxhers nuk lufton thuajse për asgjë në këtë sezon, por ka treguar me disa paraqitje të kohëve të fundit se ka shpresa që në vitin e ardhshëm të kthehet mes protagonistëve në kampionatin anglez të futbollit. (LajmeShqip.com)

Premier League

Java 35 / Rezultatet

Mançester Siti-Uest Hem             2-1

28’ Aguero, 83’ Jaja Ture / 90’ Keroll

Everton-Fullhem                           1-0

16’ Pienar

Sauthempton-Uest Bromuiç         0-3

6’ Fortun, 67’ Lukaku, 77’ Long

Stouk-Noruiç                                 1-0

46’ Adam

Uigan-Totenhem                           2-2

11’ Bois, 49’ MekManaman / 9’ Beil, 89’ (ag) Bois

Njukasëll-Liverpul                          0-6

3’ Ager, 17’, 76’ Henderson, 54’, 60’ Starrixh, 74’ Borini

 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 23:04

Mançester Junajtid ka festuar sot fitoren e titullit të 20-të kampion në historinë e këtij klubi, falë njeriut simbol të këtij sezoni, Robin Van Persi. Sulmuesi holandez shënoi të tre golat në suksesin 3-0 ndaj Aston Vilës, duke justifikuar për të disatën herë sforcon ekonomike që bënë “djajtë e kuq” në fillim të këtij sezoni kur e morën nga Arsenali. 

Holandezi ka qenë i jashtëzakonshëm në takimin e sotëm, duke shënuar 3 golat e tij brenda 33 minutave, ku sidomos goli i dytë ishte një perlë për nga ekzekutimi i një gjuajtje fluturimthi. Më pas, Mançester Junajtid ka mbrojtur me rregull këtë avantazh të thellë, duke festuar në fund një trofe të jashtëzakonshëm.

Tani në planin individual, Van Persit i mbetet të fitojë edhe “Këpucën e Artë” në Angli, pasi është një gol para Suarez në renditjen e golashënuesve më të mirë, si dhe është edhe favorit kryesor për të fituar çmimin “Lojtari i Vitit”.

Ndërkohë, Mançester Junajtid në 4 javët e mbetura do të mundohet të marrë maksimumin e pikëve, në tentativën për të thyer barrierën rekord të 95 pikëve të vendosur nga Çelsi i Zhoze Murinjos në vitin 2005. (LajmeShqip.com)