Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 10:50

Aleks Ferguson është i bindur se gjërat do të kishin shkuar më ndryshe nëse skuadra e tij do të kishte përdorur më shumë aftësitë e Robin Van Persit në takimin e humbur me rezultatin 1-0 përballë Everton.

Van Persi u aktivizua si zëvendësues në minutat e fundit të ndeshjes, por nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshëm para portës kundërshtare dhe nuk arriti të bënte asnjë gjuajtje në kuadrat.

“Luajtëm shumë rrotull tij, por nuk krijuam hapësira depërtimi. Me Robin në skuadër, duhet të shfrytëzosh aftësitë e tij në lojën kundër qendërmbrojtësve aty ku ai ndjehet më i fortë, por ne nuk i krijuam këto mundësi. Me pak fjalë, nuk e përdorëm sa duhej”, tha trajneri i Mançester Junajtid.

Trajneri ka deklaruar se humbja nuk erdhi për shkak të problemeve në mbrojtje ku mungonin për shkak dëmtimi Xhons, Smalling, Ferdinand dhe Evans, ndërsa mesfushori Kerrik luajti si qendërmbrojtës dhe Valencia si mbrojtës i djathtë. Ai përgëzoi De Gean që kishte evituar gola të tjerë në këtë ndeshje aspak normale për skuadrën e tij.

“Ne ishim skuadra më e mirë në fushë por ata bënë 8 gjuajtje në portë dhe De Gea ishte shumë i zoti në detyrën e tij. Kishim mbajtje topi dhe raste të cilat nuk i finalizuam, kjo ishte e vetmja diferencë. Në një ditë tjetër, ne do ta kishim fituar këtë ndeshje”, tha trajneri i skuadrës që këtë sezon pretendon të shpallet përsëri kampione në Angli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 22:22

Robin Van Persi nuk ka arritur t’i gëzohet ndeshjes së tij të parë me fanellën e Mançester Junajtid, pasi sulmuesi holandez debutoi me humbje me skuadrën e tij të re. Lojtari që u aktivizua si zëvendësues në takimin përballë Everton, nuk mundi të ndihmonte ekipin e tij që u largua nga fusha kundërshtare me humbjen 1-0. 

Everton u shfaq më në formë se skuadra e Ferguson dhe vuri disa herë në vështirësi portierin De Gea, ndërsa shtylla shpëtoi portën e “djajve të kuq” nga një gjuajtje e Fellaini. Një goditje e Osman u ndal nga traversa në fillimin e pjesës së dytë, por ishte Fellaini që më në fund arriti të prishte barazpeshën me golin e tij me kokë në minutën e 57-të.

Ferguson vendosi të aktivizonte Van Persin, për ta vënë përkrah Runit, por sulmuesi holandez nuk u shfaq asnjëherë në gjendje për të rrezikuar në portën kundërshtare, duke e filluar si mos më keq eksperiencën e tij të re.

Kjo humbje mund të sjellë lëvizje në radhët e Mançester Junajtid, që bëhet gati për një tjetër përforcim, pasi kërkon të marrë pikërisht nga Evertoni mbrojtësin Leiton Beins, një nga më të mirët në fushë në takimin e sotëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 10:50

Serxho Aguero do të kthehet të luajë përsëri brenda disa javësh, pasi një skanim në gjurin e tij të djathtë ka zbuluar se dëmtimi i marrë nuk ishte aq serioz sa mendohej. Futbollisti ndrydhi gjurin ë djathtë gjatë fitores 3-2 kundër Sauthempton, ndërsa mendohej se do të mungonte për shumë kohë dhe do të detyronte klubin të ndërhynte në merkato për të gjetur një futbollist me karakteristikat e tij. Por lojtari ka qetësuar të gjithë nëpërmjet mesazheve të publikuara në Twitter.

“Testet e para që u bënë, treguan se nuk ka një dëmtim të ndjeshëm, por gjithsesi mbetet një goditje e fortë për gurin tim. Nesër (sot), mjekët do të vlerësojnë kohën që do të më duhet për riaftësimin. Ju falënderoj të gjithëve për shqetësimin që keni treguar, por ju lajmëroj se do të riaftësohem më shpejt se sa mendohej”, tha futbollisti duke hedhur postë hipotezën se ai di të qëndronte për 6 muaj jashtë fushave të lojës.

Edhe trajneri Mançini ka pranuar se për momentin, të gjithë ishin në pritje të asaj që do të vendosej nga stafi mjekësor për futbollistin argjentinas, që ishte një nga lojtarët kryesorë në fitoren e titullit kampion në Angli në edicionin e kaluar.

“Na duhet të presim dhe të shohim çfarë thonë mjekët. Ndonëse unë mendoj se nuk është diçka shumë serioze, mbetet përsëri shqetësimi për futbollistin. Kemi qenë shumë të pafat me këtë dëmtim të Agueros, pasi gjuri është delikat dhe mund të shkaktojë probleme. Ndoshta ai do të jetë jashtë një javë, 3 apo 4. Na mbetet vetëm të presim atë që do të na thonë mjekët”, konfirmoi trajneri italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 18:52

Kampionët e Mançester Sitit u desh të realizonin një përmbysje për të siguruar suksesin e parë në ndeshjen hapëse të kampionatit për ta, duke mundur Sauthemptonin me rezultatin 3-2, pas një takimi shumë emocionues. 

Siti e mbylli pjesën e parë në avantazh, falë një goli të Karlos Tevez pak minuta para pushimit, ndonëse argjentinasi duhet të falënderojë edhe vijërojtësin, pasi gjatë aksionit ishte në pozicion jashtë loje.

Por Sauthempton bëri çudinë duke shënuar dy herë me anë të zëvendësuesve, ku fillimisht ishte Riki Lambert që barazoi rezultatin dhe pastaj Stiv Deivis shënoi golin e avantazhit 2-1 për miqtë.

Megjithatë, ata nuk arritën ta ruanin këtë avantazh pasi fillimisht Edin Xheko, e më pas Samir Nasri, arritën të ktheni përsëri rezultatin në favorin e skuadrës së tyre duke e nisur sezonin me një fitore 3-2.

Në ndeshjen tjetër të së dielës, Eden Hazad ka treguar se çfarë është në gjendje të bëjë duke ndihmuar Çelsin të merrte një sukses të rëndësishëm 2-0 në transfertë ndaj Uigan.

Mesfushori belg ideoi golin e parë në minutën e 2-të të ndeshjes, të shënuar nga Ivanoviç, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë arriti të fitonte një penallti që u transformua saktësisht nga Frenk Lampard. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 18:17

Kampionati anglez i futbollit ka filluar me surpriza të mëdha, pasi që në ndeshjen e parë, një nga skuadrat që pretendon të hyjë në zonën e Ligës së Kampioneve, Liverpuli, është mundur keqazi në fushën e Uest Bromuiç. 

Të kuqtë e Brendan Roxhers dominuan fillimin e takimit dhe kishin raste për të shënuar me Luis Suarez por vendasit kaluan të parët në avantazh në fundin e pjesës së parë me anë të Zoltan Gera. Mbrojtësi Ager u ndëshkua me karton të kuq pasi bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Long në zonën e tij në fillimin e pjesës së dytë, por sulmuesi i Uest Bromuiç gaboi nga pika e bardhë përballa Reina. Një tjetër penallti e fituar nga Long pak minuta më vonë, u transformua saktësisht nga Odemuingi, ndërsa rezultati përfundimtar 3-0 u firmos nga Lukaku në minutën e 78-të të takimit.

Edhe Arsenali nuk i ka bërë një fillim të mbarë kampionatit, në ndeshjen e parë zyrtare pa Robin Van Persin. Ndonëse ekipi i Venger dominoi në ndeshjen ndaj Sandërlend, nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe takimi u mbyll me rrjeta të paprekura.

Një fillim i vrullshëm ka qenë ai i Suonsi, që ka shkatërruar QPR me rezultatin 5-0 në fushën e kësaj të fundit. Një rezultat i bujshëm 5-0 ishte edhe fitorja e Fullhem ndaj Noruiç, duke treguar se këtë vit kjo skuadër do të luftojë për objektiva më prestigjiozë se thjesht mbijetesa. (LajmeShqip.com)

Premier League

Java 1

Rezultatet

Arsenal-Sandërlend      0-0

Fullhem-Noruiç               5-0

27’ Daf, 42’, 54’, Petriç, 66’ Kaçanikliç, 87’ (p) Siduell

QPR-Suonsi                      0-5

8’, 53’ Miçu, 63’, 71’ Daier, 81’ Sinkler

Riding-Stouk                     1-1

90’ (p) Le Fondre / 34’ Kaitli

Uest Bromuiç-Liverpul  3-0

43’ Gera, 64’ (p) Odemuingi, 78’ Lukaku

Uest Hem-Aston Vila     1-0

40’ Nolan

Njukasëll-Totenhem       2-1

55’ Ba, 80’ (p) Ben Arfa / 76’ Defo