Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 20:51

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, tha se Beogradi i ka dërguar notë proteste komunitetit ndërkombëtar, pasi, sipas tij, “KFOR-i bllokon rrugët alternative në veri të Kosovës”.

“Nuk është hap i mençur që KFOR-i të shfrytëzojë dorëzimin e kompetencave në Qeverinë e Serbisë, sepse në Beograd ekzistojnë adresa për bisedime”, tha Vulin për mediat serbe.

Sipas tij, KFOR-i, me bllokimin e rrugëve për kamionë më të rëndë se tre tonë, “është në rrezik serioz për të humbur legjitimitetin dhe besimin te serbët e Kosovës dhe për të rrezikuar ekzistencën e tyre”.

“Bllokimi i rrugëve alternative do të çojë në mungesa të mallrave dhe në pamundësi të furnizimit me ushqime dhe ilaçe”, theksoi Vulin.

“Me bllokimin e rrugëve alternative, KFOR-i ka tejkaluar mandatin e tij”, tha Vulin, për të shtuar se “komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë se kujdeset për paqe, ashtu siç ka treguar Serbia”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 12:45

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur aksionet e KFOR-it për mbylljen e rrugëve ilegale në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar që këto aksione të vazhdojnë në mënyrë që të vendoset rregulli dhe të pamundësohet kontrabanda.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha të hënën në takimin e Komitetit për Siguri, ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, se vendosmëria e KFOR-i ditëve të fundit ka dhënë rezultate pozitive.

“Strukturat e sigurisë nuk duhet të dorëzohen para kriminelëve dhe grupeve ekstremiste që duan kaos dhe pasiguri”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë dy javëve të fundit situata ka qenë më e qetë, për çka duhet të falënderohen në radhë të parë strukturat e sigurisë. Tha se këto struktura duhet të vazhdojnë aksionet për vendosjen e normalitetit në gjithë veriun.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në dy javët e fundit ka pasur disa incidente të vogla që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Përmendi sulmin me armë zjarri ndaj policisë në Lagjen e Boshnjakëve, mandej protestën e qytetarëve serbë kundër konfiskimit të targave të vjetra. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 June 2012 00:10

Prishtinë (PLOTESUAR 10:00) – Ushtarët e KFOR-it kanë hequr një barrikadë të re të serbëve, në rrugën që çon në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Disa orë pasi banorët lokalë kanë vendosur drunj, anëtarët gjermanë të KFOR-it kanë bllokuar urën në Zveçan dhe kanë larguar të gjitha pengesat nga rruga. Qytetarët nuk kanë shfaqur rezistencë dhe operacioni ka kaluar në mënyrë të qetë, raportojnë mediat serbe. Ai pason aksionin e së shtunës, kur misioni paqeruajtës ka mbyllur fizikisht një vendkalim ilegal kufitar në afërsi të Bërnjakut.

Ky operacion ka nxitur reagimin e serbëve lokalë, por edhe të Qeverisë në Beograd, e cila ka fajësuar KFOR-in për rritje të tensioneve në veri. Që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, banorët serbë të veriut kanë penguar vazhdimisht lëvizjen e lirë, duke vendosur barrikada në rrugë. (LajmeShqip.com)

*****************************************

Mitrovicë- Barrikadat e reja u vendosën në shenjë proteste për shkak të mbylljes së drejtimeve rrugore alternative nga ana e KFOR-it. Barrikadat janë vendosur sipas sistemit zik- zak, ndërsa ato përbëhen nga drunj, tulla të mëdha betoni dhe materiale të tjera. 

Serbët theksuan se qëllimi i bllokimit të ri është që gjithashtu të pamundësohet lëvizja e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht policisë, doganierëve dhe autoriteteve ndërkombëtare. 

Burime të KFOR kanë raportuar se në Rudarë janë vërejtur turma të serbëve që kanë qëndruar pranë barrikadave dhe kanë vëzhguar lëvizjen e makinave.  Barrikadat e reja janë vendosur në lokacionet ku ishin barrikadat e tërhequra 15 ditë më parë nga ana e trupave të KFOR-it, ku pati përleshje midis serbëve dhe trupave ndërkombëtare. 

Trupat ndërkombëtare të KFOR-it të shtunën në mëngjes bllokuan rrugët alternative në zonën e veriut të Kosovës që shfrytëzoheshin nga serbët për kalime midis Kosovës dhe Serbisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 June 2012 10:18

Prishtinë (PLOTESUAR 14:15)- KFOR-i njoftoi se ka përfunduar me sukses operacionin e nisur sot në mëngjes, duke e mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16, në afërsi të Bërnjakut, në veri të Kosovës. “Ky operacion është kryer në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke i parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thekson zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR në një komunikatë për media, pas mesditës.

Bëhet e ditur se përpjekjet e KFOR-it aktualisht janë të fokusuara në angazhimin në dialog me përfaqësuesit e banorëve lokalë, gjersa në të njëjtën kohë apelon që çdo protestë të mbetet e qetë dhe paqësore pa penguar lirinë e lëvizjes. “Mbyllja e rrugës alternative lejon trupat e KFOR-it të përqendrohen në kryerjen e detyrave thelbësore për misionin e tyre kryesor për të kontribuuar për një ambient të qetë dhe të sigurt. Për më tepër, KFOR-i lufton frikësimin e papranueshëm të banorëve lokalë, të cilëve iu është bërë presion financiar kundër shfrytëzimit të vendkalimit të autorizuar, përdorimi i të cilit tani ka arritur normalizimin e situatës për ta”, thekson komunikata.

Sipas mediave serbe, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur gjatë këtyre përpjekjeve për ta penguar KFOR-in. Plagët thuhet se janë të lehta dhe se ata janë lëshuar në shtëpi pas ndihmës së parë që kanë marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok.

Në anën tjetër, në komunikatën e KFOR-it thuhet se kjo forcë nuk mund t’i konfirmojë raportimet që flasin për lëndimet e njerëzve, në momentin kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër tre (3) plumba gome, në mënyrë që të mos i lënë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it. “Mirëpo, mund të deklarojmë që situata e përgjithshme mbetet e qetë”, vijon komunikata. (LajmeShqip.com)

************************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 13:15)- Aksioni i KFOR-it për të mbyllur fizikisht vendkalimet e paautorizuara në afërsi të vendkalimit kufitar Bërnjak, ka hasur në kundërshtimin e popullatës lokale serbe.

Strukturat paralele të pushtetit kanë lëshuar sirenat, duke ftuar popullatën të dalë në kundërshtim të aksionit të forcave paqeruajtëse. Sipas mediave serbe, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur gjatë përpjekjeve për ta penguar KFOR-in.

Plagët thuhet se janë të lehta dhe se ata janë lëshuar në shtëpi pas ndihmës së parë që kanë marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok. Forca e KFOR-it ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve dhe ka bërë kordonin e disa zonave për shkaqe sigurie.

“Ky aktivitet bëhet në mbështetje të operacioneve që kanë të bëjnë me mbylljen fizike të pikave të paautorizuara kufitare”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës të NATO-s. (LajmeShqip.com)

*************************************************

Prishtinë -KFOR-i nisi sot në mëngjes një operacion për të mbyllur vendkalimet e paautorizuara në afërsi të Bërnjakut. “Ky operacion është duke u kryer, në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. 

Që nga ora 05:30 e mëngjesit, KFOR-i ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve dhe ka bërë kordonin e disa zonave për shkaqe sigurie. Pas përfundimit të operacionit, KFOR-i njofton se pikat e kontrollit të automjeteve do të largohen dhe kordonet përreth zonave të siguruara do të hiqen. Në vazhdën e këtij operacioni deri tani nuk është raportuar asnjë incident.

Ky vendkalim i paautorizuar së shpejti do të jetë i pakalueshëm për shkak të barrierës fizike të vendosur nga KFOR-i, thuhet në komunikatë ku theksohet se operacioni është në pajtueshmëri të plotë me kornizën e misionit paqeruajtës të NATO-s. (LajmeShqip.com)