Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 19:10

Familjarët e 2 vëllezërve Melsi dhe Elvis Çollaku, të cilët u vranë pak ditë më parë në kufirin shqiptaro-grek, kundërshtojnë konkluzionet e ekspertëve se në trupat e pajetë të dy djemve nuk janë konstatuar shenja dhune. Me fotot e dy viktimave dhe me pankarta ne duar, ata protestuan sot, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës. Ata kërkojnë ekspertizë të thelluar mjeko-ligjore. Duke i konsideruar shpifje deklaratat e policisë greke, ata bëjnë bashkëfajtorë me ta edhe policinë shqiptare, që sipas tyre pranoi në heshtje versionin e vrasjes së dy vëllezërve. “Policia jonë s’kundërshtoi shpifjet e policisë greke. Tahiri është kriminel, ai hodhi baltë mbi të vdekurit”- shprehen familjarët, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, shkruan shekulli.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 8 dhjetor, ku dy vëllezërit Çollaku mbetën të vrarë në afërsi të liqenit të Prespës së vogël, pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke. Nga ngjarja mbeti i vrarë dhe një polic grek. Pak ditë më parë, dy nga familjarët e viktimave iu drejtuan Italisë për një ekspertizë më të specializuar mjeko-ligjore., me pretendimin se Policia e Korçës ka manipuluar dhe fshehur të vërtetën.  “Do marrim ekspertë të huaj për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e Korçës e manipuloi dhe e fshehu të vërtetën e ngjarjes”, -kanë deklaruar familjarët e dy vëllezërve Çollaku, pak ditë më parë. Ata shprehen të bindur se Melsi dhe Elvis Çollaku janë torturuar nga policia greke, përpara se të qëlloheshin për vdekje. Familjarët e viktimave deklaruan gjithashtu se janë të gatshëm të bëjnë zhvarrosjen e trupave, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. Gjithashtu, ata paralajmërojnë se nëse ngjarja nuk zbardhet, atëherë çështjen do ta çojnë deri në Gjykatën e Hagës. 

 
Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:40

Shkarkohen nga detyra 19 shefa sektorësh, seksionesh dhe oficerë policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave shkarkimet u bënë pasi emërimet e tyre janë bërë jashtë kritereve të Ligjit për Policinë e Shtetit, transmeton Shqiptarja. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se i shkarkuar është edhe shefi i Komisariatit të Policisë së Librazhdit, Agim Harizaj. Ndërkaq ditën e sotme është prezantuar edhe shefi i ri i këtij komisariati, Gramoz Dafku.

Nga burime të policisë është bërë e ditur se të shkarkuar janë edhe Erjon Ismaili, shef i Antidrogës, shefi i sektorit të Rendit në Drejtorinë e Policisë, Dhimitër Gjika, shefi i Policimit në komunitet, Ndriçim Matraxhiu, shefi i sektorit të Antikorrupsionit, Fitim Musaj, shefi i Sektorit të qarkullimit rrugor, Avdi Alucaj.

I shkarkuar është edhe shefi i Seksionit të rendit në Komisariatin e Policisë Elbasan, Reshit Moli. I shkarkuar është edhe specialisti i Sallës operative në Drejtorinë e Policisë Elbasan, Et’hem Kripshi. Ndërkaq nuk dihen emrat e të shkarkuarve të tjerë. Burime nga policisë, pritet të lirohet nga detyra edhe shefi i Komisariati Peqin Flamur Molla dhe ai i Gramshit, Sokol Noka. Ndërkaq, që nuk janë bërë të ditur emrat e atyre që do të zëvendësojnë  ata.

 
Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 15:06

Tiranë- Tregtarët në uzinën “Dinamo” në kryeqytet janë përplasur sot me Policinë Bashkiake, e cila ka ndërhyrë për prishjen e një konstruksioni metalik brenda këtij tregu, i konsideruar si i paligjshëm nga ana e Bashkisë. Tregtarët kundërshtojnë prishjen e objektit, duke pretenduar se investimet e bëra në këtë treg janë të ligjshme. 

“S’i hyhet në Europë, duke na nxjerrë ne dhe të na hedhin në rrugë. Ne jemi me leje me licenca, jemi tregtarë të rregullt të këtij tregu. Kur ishin votimet thanë bëjeni, pastaj thonë është pa leje. Vetë thonë bëjeni, thonë hiqeni nuk merret vesh.”- shprehet një tregtare. 

Nga ana tjetër, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha deklaroi se tregtarët kanë kryer ndërtime në mënyrë të paligjshme, me prendimimin se po riparojnë strukturën e objektit. Zoti Hoxha u shpreh i vendosur se policia bashkiake do të ndërhyjë sot për prishjen e këtij konstruksioni. 

“Po ndërhyjmë për të bllokuar këtë ndërtim të paligjshëm. Kemi hasur në rezistencë, kemi kërkuar ndihmën e policisë së shtetit, e cila është e distancuar dhe nuk po na përkrah. Për bërjen e këtyre punimeve, asnjë prej këtyre tregtarëve nuk ka bërë aplikimin për leje. Këtë duhet ta bëjnë drejtuesit e tregut, askush nuk e ka bërë. Kanë marrë një rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë për riparimin e kësaj strukture, por tregtarët nuk po e riparojnë, por kanë shtuar volumin”- deklaroi Hoxha. 

Situata është tensionuar së tepërmi, kur policia bashkiake ka nisur punën për prishjen e konstruksionit metalik, ndërsa tregtarët kanë ndërhyrë duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë. 

Në tregun tek Uzina “Dinamo” ka mbërritur rreth orës 15:00 zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla i cili ka ndërprerë aksionin e Policisë së Tiranës për prishjen e objektit, për të gjetur një konsensus mes drejtuesve të Policisë Bashkiake dhe tregtarëve. Zoti Sulla dhe kreu i INUK të Bashkisë Florenc Hoxha po bisedojnë jashtë kamerave për mundësinë e një marrëveshjeje. 

Kjo nuk është hera e parë që Policia Bashkiake përplaset me tregtarët e këtij tregu. Pak javë më parë Bashkia vendosi zhvendosjen e këtij tregu në hyrje të autostradës, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Por tregtarët e kundërshtuan këtë vendim, duke bllokuar rrugën kryesore në afërsi të tregut. /BW/