Lajme Shqip Saturday, 09 November 2013 15:06

Zia ka pllakosur familjen e Luan Hatollit. Pas vdekjes së kryefamiljarit edhe tre djemtë e tij humbën jetën në një nga galeritë e fshatit Beragozhd në Pogradec. Nëna e tyre, Zineta, tregon se si i ka rritur tre djemtë jetimë, ndërkohë që tani dera e shtëpisë është mbyllur.

“Nga varfëria u nisën. Ne jemi të varfër dhe nuk kemi asgjë. I kam rritur jetimë. Bashkëshorti më vdiq kur djali i madh ishte 11 vjeç. Që atëherë, ne nuk e morëm më veten. Djemtë endeshin për punë ku të mundeshin, pasi nuk kishim asnjë të ardhur tjetër,” tregon ajo për gazetën Panorama.

“Unë nuk kam as punë, as pension. Marr vetëm një ndihmë ekonomike nga komuna 20 mijë lekë të vjetra. Ç’mund të bësh me kaq para? Kjo varfëri m’i detyroi djemtë të futeshin atje”. Ajo thotë se asnjëri nga djemtë e saj nuk ishte i martuar. Zineta tregon edhe si e humbi të shoqin.

“Ne si familje kemi pësuar një tjetër tragjedi 15 vite më parë. Im shoq quhejLuan Hamolli. Edhe ai punonte dikur me drutë, ngarkonte mjete të rënda me trupa. Por një prej tyre e zuri poshtë dhe ai na la përgjithnjë. Kam vuajtur shumë me këta djem për t’i rritur, pasi nuk kam mbushur vitet e pensionit. Jam 47 vjeçe, mos më shiko se dukem 60 e kusur. Jam e re, por vuajtjet më ranë mbi shpinë dhe më kanë shtuar thinjat e rrudhat”.