Lajme Shqip Monday, 14 October 2013 10:17

Vizita e sotme në Tiranë e ministrit të Jashtëm dhe zv/kryeministrit grek, Evangelos Venizelos, merr vëmendje të veçantë jo vetëm për plotësimin e “treshes” së vendeve fqinje me të cilat kryeministri Rama deklaroi se kemi marrëdhënie strategjike: Por edhe sepse pjesë e delegacionit grek është edhe deputeti i PASOK-ut Pirro Dhima. Peshëngritësi i nivelit botëror i lindur dhe rritur në Shqipëri, viziton kështu për herë të parë atdheun e vjetër zyrtarisht dhe në nivel delegacionesh qeveritare. Axhenda e Venizelos përfshin takime me Presidentin Nishani, më pas me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai do të takojë edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe atë të PBDNJ, Vangjel Dule. Venizelos do të vizitojë gjithashtu edhe selinë e Kishës Ortodokse, ku do të takojë Kryepeshkopin Janullatos.

Vizita e Venizelos në Shqipëri zhvillohet disa ditë para asaj të Presidentit grek, Karolos Papulias, i cili do të mbërrijë në Tiranë më 4 dhe 5 nëntor. Vizita bëhet edhe në kuadrin e Presidencës së BE-së, që Greqia do ta marrë në janar të vitit 2014. Sipas medias greke, në takime do të trajtohen çështje dypalëshe si procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Ujërave detare, etj.