Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 17:51

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një kërkesë të Partisë Socialiste për pezullimin e veprimit të ligjit që parashikon prishjen e Piramidës në Tiranë, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Gjykata vendosi rrëzimin e kësaj kërkese , pasi nuk ishte e bazuar sipas saj në ligj. Kushtetuesja nisi sot shqyrtimin e padisë së Partisë Socialiste për shfqizimin e ligjit për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

PS kërkoi shpalljen e ligjit si antikushtetues pasi sipas saj me anë të këtij ligji dhunohen kompetencat e pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban, ndërkohë që ligji ka mangësi pasi nuk parashikon faturën financiare të projektit.

Një tjetër argument I socialistëve ishte fakti se Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e cila ndodhet në ndërtesën e Piramidës, në këtë ligj i është hequr statusi i saj si monument kulture. Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një padi të ngjashme të bërë nga Bashkia e Tiranës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 18:40

Zbardhet vendimi i Gjyk. Kushtetuese që rrëzonte kërkesën e Bashkisë së Tiranës, firmosur në atë kohë nga Edi Rama si kryetar për antikushtetueshmërine e vendimit të Kuvendit për ndërtimin e kompleskit të ri parlamentar.

Më hollësisht Bashkia e Tiranës kishte pretenduar në Gjykatën Kushtetuese se me këtë vendim Kuvendi ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor duke kërkuar, shfuqizimin dhe pezullimin e zbatimit të vendimit, i cili sipas tyre kishte për qëllim shembjen e Piramidës.

Bashkia kishte identifikuar si shkak kryesor të mosmarrëveshjes, ushtrimin e kompetencave të organeve të qeverisjes vendore  në fushën e planifikimit, menaxhimit urban dhe kontrollit mbi territorin, nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Por në kundërpërgjigje të saj Kuvendi theksoi gjatë shyrtimit të çështjes se kërkesa e Bashkisë është pa objekt, për arsye se nuk jemi në kushtet e një mosmarrëveshjeje kompetencash. Kjo pasi vendimi është në kuadrin e idesë dhe jo të procedurave realizuese.

Fjala“ndërtim”, sipas juristeve te Kuvendit, nuk është përdorur në kuptimin e drejtpërdrejtë praktik të saj, pasi ne vendim nuk shprehet për prishjen e ndonjë godine, por vetëm prezanton objektivin dhe qëllimin e Kuvendit për të ngritur një kompleks të ri parlamentar.

Kuvendi, gjihtashtu, e quajti të pambështetur kërkesën për pezullim, pasi nuk jemi në kushtet e cenimit të interesave shtetërore, shoqërore ose individuale, per më tepër, nuk rezulton të ketë asnjë shembje godine, ndërtim apo fillim punimesh pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”

Pasi ka degjuar palet Gjykata Kushtetuese sqaron se mosmarrëveshja e kompetencës është kur kemi një konflikt midis dy ligjeve dhe jo midis një ligji dhe një vendimi të Kuvendit. Sipas saj vendimi artikulon vetëm vullnetin e Kuvendit për fillimin e procedurës së ndërtimit të Kompleksit të ri Parlamentar dhe nuk është akt tipik nënligjor.

Po ashtu Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim, për arsye të mungesës së argumenteve bindëse për cënimin e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi.

Ky vendim, si nismë e Parlamentit, parashikon miratimin më pas të një ligji të veçantë, për sa i përket procedurës që do të ndiqet për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Perfundimisht Gjykata Kushtetuese shprehet se Kuvendi nuk ndërhyn në kompetencat e Bashkisë së Tiranës, dhe pretendimet e subjektit kërkues për cenim të neneve te Kushtetutës, janë haptazi të bazuara.  Per keto arsye thuhet ne vendimin e zbardhur se gjykata me shumice votash vendosi rrezimin e kerkeses se Bashkise se Tiranes.

 
Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 10:30

Tiranë – Presidenti Topi nuk e ka firmosur dekret-ligjin për shembjen e Piramidës, në qendër të Tiranës dhe për ngritjen e Kompleksit të Ri Parlamentar.

Ndërkohë që ka kaluar afati 20-ditor që ligji duhet të procedohej në Parlament, firma e presidentit në dekretimin e tij nuk është vënë.

Ligji për rregullat dhe procedurat për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar kaloi para tre javësh në parlament me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme.

Që prej këtij momenti kreu i shtetit është vënë përballë kërkesave të shoqatave të cilat ishin kundër ngritjes së komplesit parlamentar në vendin ku aktualsiht është Piramida.

Ka pasur një debat të gjerë publik në Tiranë kundër shembjes së Piramidës. Kundër këtij vendimi është depozituar në presidencë një peticion i firmosur nga 6100 qytetarë dhe me gjasë kjo ka bërë që presidenti Topi të mos përfshihet në këtë debat të hapur, duke e lënë në heshtje dekretimin e këtij ligji.

 
Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 09:15

Tiranë – Nuk jam nevojshmërisht për shembjen e Piramidës, por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit”, ka thënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryebashkiaku i ri i Tiranës, Lulzim Basha.

Duke iu referuar çështjes së Piramidës, Basha tha se ka në tryezën e tij peticionin e qytetarëve që shprehen kundër prishjes së kësaj godine, por parlamenti ka kaluar ligjin dhe bashkia do t’i përmbahet zbatimit të tij.

Kryebashkiaku Basha tha se “Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari dhe ka marrë në dorëzim një peticion nga një numër qytetarësh, të cilët besojnë se Piramida nuk duhet të shëmbet. Unë kam thënë gjatë fushatës se nuk jam nevojshmërisht për shembjen e e Piramidës, por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të Tiranës. Diskutimi ka lëvizur që nga ai moment sepse parlamenti ka kalur ligjin dhe Bashkia, si çdo institucion i këtij vendi, i përmbahet shtetit ligjor. Por, ajo që mund t’ju them është përsëri se ne do të shërbejmë me devotshmëri, duke dëgjuar zërin e çdo qytetari e në këtë kuadër çdo çështje që ka të bëjë me interesin qytetar”.

Në lidhje me pozicionimin e Bashkisë larg konflikteve politike, kryebashkiaku Basha pohoi se nuk parashikohen spastrime politike të nëpunësve të Bashkisë së Tiranës.

“Nuk do të ketë asnjë spastrim politik, nuk do të ketë asnjë element të sjelljes që do të vazhdojë kulturën e konfliktit politik. Në prioritetin tim parësor, që është nxjerrja e bashkisë jashtë konfliktit politik, unë nënkuptoj dhe ritheksoj nevojën për të punuar së bashku me të gjithë kapacitetet e mundshme këtu në administratë, por edhe në qytet. E në këtë kuadër, përsëris ftesën, veçanërisht për minorancën në Këshill, PS dhe aleatët e saj, që të punojmë së bashku në Këshill, por po kështu, përsëris ftesën për të gjithë ata, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht se nga vijnë idetë, qoftë dhe nga PS, që të bashkëpunojmë”, tha Basha.

Ndër prioritetet e bashkisë, Basha përmendi organizimin e menjëhershëm urbanistik të Tiranës, ndërhyrjet urbane, ngritja e strukturave të posaçme të mbrojtjes së konsumatorit, një prioritet i shpallur tashmë e për të cilin po hidhen hapa konkret me të cilat opinioni do të njihet edhe në javët e ardhshme.

 
Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 12:51

Tiranë – Kompleksi i Ri Parlamentar i Shqipërisë, i paraparë të ndërtohet në vend të objektit Piramida, në Tiranë, ka ngjallur reagime të ashpra te kryeqytetasit.

Në mbrëmjen e sotme është paraparë tubim i madh i shumë qytetarëve tiranas, në mesin e të cilëve edhe intelektualë e arkitektë të shumtë, njerëz të kulturës dhe organizata joqeveritare, për ta kundërshtuar vendimin për rrënimin e Piramidës, e shndërruar në vitet e fundit në Qendër Ndërkombëtare të Kulturës.

Ky aktivitet kundërshtues nuk është organizuar nga asnjë parti politike, por nga vetë qytetarët.

Tubimi i madh nis në orën 19:30 dhe nga aty do të dalë një peticion kundër rrënimit të Piramidës dhe zëvendësimit të saj me ndonjë objekt tjetër.

Kuvendi Shqipërisë ka miratuar ditë më parë vendimin për shembjen Piramidës dhe ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar, por kanë qenë të menjëhershme reagimet qytetare kundër këtij vendimi.

Piramida është një prej objekteve më të veçanta të arkitekturës tiranase të gjysëmshekullit të fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:58

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten me 72 votat e deputetëve të mazhorancës projekt-ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.

Sipas relacionit shoqërues, p/ligji përcakton bazën ligjore të ndërtimit të kësaj vepre, si dhe është një procedurë në vijim e konkursit ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri prestigjoze ndërkombëtare, ideja fituese e kompleksit të ri parlamentar, si një projekt madhor me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

P/ligji, i miratuar në mungesë të deputetëve të opozitës, përcakton të drejtat, detyrimet, afatet dhe procedurat për institucionet që përfshihen në ndërtimin dhe finalizimin e projektit të ndërtimit të kompleksit.

Ai parashikon, gjithashtu, që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.

Sipas p/ligjit, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:06

Tiranë – Kuvendi po shqyrton të enjten në seancë plenare p/ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.

Vendimi për ngritjen e Kompleksit të ri Parlamentar në Shqipëri, duke e rrënuar Kompleksin Piramida, duket se do të jetë përplasja e radhës midis qeverisë dhe opozitës.

Sipas relacionit të paraqitur në parlament nga komisioni i Ligjeve, p/ligji përcakton bazën ligjore të ndërtimit të kësaj vepre, si dhe është një procedurë në vijim e konkursit ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri prestigjoze ndërkombëtare, ideja fituese e kompleksit të ri parlamentar, si një projekt madhor me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

P/ligji, i përbërë nga 9 nene, përcakton të drejtat, detyrimet, afatet dhe procedurat për institucionet që përfshihen në ndërtimin dhe finalizimin e projektit të ndërtimit të kompleksit.

Gjatë diskutimit në parim të p/ligjit, nismë e 38 deputetëve të Partisë Demokratike, relatori i tij, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se kompleksi parlamentar do të ndërtohet me paratë publike, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik.

“Vendi ynë, është i vetmi në rajon që nuk ka një Kuvend dhe e ka të ndarë atë në dy ndërtesa. Kjo është arsyeja pse do të duhet të ndërtojmë Kuvendin, i cili do të jetë i shqiptarëve, ku do të mbizotërojë psikoza e demokracisë së këtij shteti”, theksoi Alibeaj.

P/ligji parashikon që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.

Sipas tij, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).

Vendimi për ngritjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë është kundërshtuar dhe nga Bashkia e Tiranës, e cila e ankimoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Por, kjo e fundit, në një seancë në muajin qershor, rrëzoi pretendimin e Bashkisë së Tiranës për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”.

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.

 
Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 14:27

Tiranë – Gjykata Kushtetuese rrëzoi të premten kërkesë-padinë e Bashkisë Tiranë për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”. Me anë të kësaj padie bashkia kërkonte “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushtetit qendror, i përfaqësuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjes vendore, i përfaqësuar nga Bashkia e Tiranës, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit.

Ndërkohë, më 24 mars një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fitues të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.

Kompleksi i ri parlamentar, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare, do të përurohet në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet aty ku sot ndodhet Piramida.