Lajme Shqip Saturday, 26 January 2013 11:58

Prishtinë – Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë kaluar të enjten Portën numër 1 të kufirit Kosovë-Serbi dhe kanë hyrë qindra metra në brendi të territorit  kosovar. Dëshmitarë të rastit i kanë thënë gazetës se ata kanë qëndruar për disa orë në territorin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ky njësit elitë i policisë serbe ka qëndruar në territorin e Kosovës, në fshatin Rudar, që gjendet afër Mitrovicës, një grup biznesmenësh serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale dhe kanë kërcënuar se do të rrënojnë Portën 1, për shkak të marrëveshjes së dy kryeministrave që të paguhen taksa doganore edhe për mallrat që hyjnë nga portat kufitare që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë.

Porta kufitare numër 1, deri para aranzhimit të fundit të pajtuar mes kryeministrave, ka qenë e vendosur në Jarinjë, por për shkak të marrëveshjes është zhvendosur afër portës serbe në fshatin Rudnicë. Megjithatë, sipas dëshmitarëve, të enjten, xhandarmëria pos që ka kaluar portën kosovare, ku kanë qenë të vendosur zyrtarë të institucioneve të Kosovës, ata kanë hyrë thellë në territorin kosovar me justifikimin se po marrin masa që të mbrojnë portën kufitare dhe zyrtarët që kanë qenë aty.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 11:44

Prishtinë – Në veriun e Kosovës të banuar me serbë veprojnë së paku 21 grupe të organizuara, të cilat autoritetet shtetërore i dinë për struktura vandaliste e kriminale, shkruan sot :Koha Ditore” në vazhdimin dytë dhe të fundit rreth pranisë së formacioneve militante politike e fetare serbe. Formacioni më i organizuar është lëvizja popullore serbe “SNP 1398”.

Një burim i gazetës i afërt me strukturat e sigurisë së Kosovës, i ka treguar “Kohës Ditore” në kushte anonimiteti për të gjitha grupet aktive që funksionojnë në veri. Gjashtë sosh i ka përshkruar në detaje. Ka treguar se kush i drejton ato, kë kanë në përbërje dhe ku e kanë selinë.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë një ditë më parë ka marrë vendim për të mos ndaluar veprimtarinë e organizatës “SNP 1398”, aktivitetet e së cilës përbëjnë problem edhe për vetë fqinjin verior të Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 12:01

Prishtinë – Zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) nuk do t`i mundësojë Qeverisë së Kosovës që pikëkalimet problematike me Serbinë, 1 dhe 31, në veri të Kosovës, t`i bëjë të funksionojnë në mënyrë të njëjtë si edhe katër pikëkalimet tjera me Serbinë.

Marrëveshja do të nisë të zbatohet para 10 dhjetorit, kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, do të takohen sërish.

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë i kanë thënë gazetës se Kosova do të vazhdojë që në këto dy pikëkalime të mbajë vetëm nga një zyrtar policor, një zyrtar nga doganat dhe një nga agjencia hidrosanitare. Pjesa tjetër e stafit do të vazhdojë të jetë nga EULEX-i, ashtu siç është edhe tash.

Në këtë mënyrë, sipas të njëjtave burime, do të jetë lehtë e zbatueshme edhe pengesa e vetme që kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vendosur për zbatimin e marrëveshjes së integruar të kufirit të arritur mes Kosovës e Serbisë, para gati një viti, në fillim të vitit të kaluar.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 01:43

Kosovë – Një studim i gazetarëve të B92 për përdorimin e mjeteve të shtetit serb në Kosovë, nxjerr në pah shumë gjera interesante. Si vijnë mjetet nga Serbia, si blihen shtëpitë e shqiptarëve në veri dhe shumë e shumë gjera tjera.

Sipas studimeve, miliona euro përdoren nga Serbia në Kosovë, të cilat në emër të ndihmës për serbët pa strehë, keqpërdoren nga politikanët lokalë, transmeton B92. Emisioni ”Insajder” B92 i shpalos të gjitha, që nga Nebojsha Çoviqi, ish-kryetar i Këshillit Koordinues për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e deri te shqiptari Idriz Shijaku, i cili ishte i përfshirë si ndërmjetësues për të bind shqiptarët të shesin shtëpitë në pjesën veriore të Kosovës.

Idriz Shijaku, ndër të tjera për gazetarët e B92 thotë: Myslimanët (boshnjakët) i kam bindur më lehtë për t’i shitur shtëpitë e tyre, ndërsa me shqiptarët kam pasur problem. Unë është dashur që të shes edhe shtëpinë time në mënyrë që t’i bind shqiptarët e tjerë si të veprojnë”. Idriz Shijaku, i cili ishte ndërmejtësues mes shqiptarëve shitës dhe shtetit serb si blerës, merrte 3% të çmimit si komision.

Në lidhje me këtë skandal, priten arrestime në Serbi. Ish-koordinatori për Kosovën dhe nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Nebojsha Çoviq, pritet të arrestohet për shpërdorim të fondeve, raportojnë mediat e Beogradit. Këto paralajmërime ai i konsideron kërcënime, pas të cilave fshihen ata që kanë vjedhur para në Kosovë.Siç shkruan “Kurir” i Beogradit, Çoviq që para një viti hetohej për shpërdorim të 459 milionë dinarëve të dedikuar për ndërtimin e shtëpive të serbëve në Mitrovicë.

Portali LajmeShqip.com ka publikuar disa materiale ekskluzive mbi investimet e Qeverisë së Serbisë për blerjen e trojeve dhe banesave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

1) Në datën 20 Dhjetor 2011, LajmeShqip.com publikoi skandalin në të cilin, shqiptaro-turko-boshnjaku Idriz Shijaku në bashkëpunim me ish-kreun e  Serbisë për Kosovën Nebojsha Çoviç, u kanë premtuar shqiptarëve, ku ai ( Idriz Shijaku) punonte  në ish gjykatën e Zubin Potokut që njëkohësishtë ka qënë gjykatë paralele e Serbisë dhe UNMIK-ut dhe gjatë nënshkrimit të kontratave të blerjes i thoshte shqiptarëve që “nënshkruani që i keni marrë paratë e më pas, Qeveria e Serbisë do t’iu paguajë”. Shumë qytetarë  i kanë nënshkruar kontratat se gjoja i kanë marr paratë dhe sot e asaj dite, shtëpitë e tyre shfrytëzohen nga serbet, por paratë nuk erdhën kurrë. Publikimin e plotë të lajmit mund ta lexoni këtu.

2) Në 24 dhjetor 2011, LajmeShqip.com publikoi ekskluzivisht, dokumenta konfidenciale të Natos mbi përfshirjen e politikanin serb Nebojsha Çoviç në bashkëpunim me liderin e ‘demokratëve’ të Voisllav Koshtunicës për Kosovën, si dhe një nga udhëheqësit më radikal të serbëve të veriut Marko Jakshiç, gjithashtu në bashkpunim me kapo-bandën, të të ashtuquajturin lider i serbëve të veriut, Milan Ivanoviç, kanë keqpërdorur fondin mbi 6 milion euro nga investimet e Qeverisë së Serbisë për blerjen e trojeve, shtëpive dhe banesave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Publikimin e plotë mund ta lexoni këtu.

3)Në 8 nëntor 2011, LajmeShqip.com publikoi ekskluzivisht, dokumenta konfidenciale të Natos mbi kriminelin që kontrollon veriun e Kosovës, Milan Ivanoviç. Në materialin konfidencial të NATO-s, përkrah postit publik quhet “kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës Veriore dhe Kryetar i Këshillit Nacional Serb”. Publikimin e plotë të lajmit mund ta lexoni këtu. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 15:42

Prishtinë – Idetë për ndarje dhe shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë sa vijnë e shtohen në prag të dialogut të paralajmëruar në nivele të larta politike mes dyja qeverive.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq ka përsëritur këto ditë, atë që ai e cilëson si mendim të tij individual, se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

Kurse në Prishtinë, ka mendime që prekja e kufijve dhe tërësisë territoriale do të duhej të ishte reciproke, duke aluduar në shkëmbimin e territoreve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri për një kohë më të gjatë ka lansuar idenë e tij që Kosova dhe Serbia të ridefinojnë kufirin.

Ideja e tij aludon në kufirin mes dyja vendeve që ka ekzistuar deri në vitin 1956. Sipas kësaj ideje, Kosova do të merrte brenda kufijve të saj komunat jugore të Serbisë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, kurse Serbisë do t’i ktheheshin Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut.

“Definimi i kufirit i zgjidh problemet tjera. Përmes një dialogu politik, të natyrshëm dhe pranueshëm për të dyja palët duhet të zgjidhet problemi i shqiptarëve në lindje të Kosovës (jug të Serbisë) dhe ai i serbëve në veri të Kosovës duke e vendosur parimin e kufirit të vitit 1956, atëherë kur reforma agrare në ish-Jugosllavi apo kur politika serbomadhe e fshehur në petkun e komunizmit ka bërë ndryshimet të territoreve për shkak të ndryshimit demografik në Kosovë”, thotë Haziri.

Ndërkohë, pozicioni i Serbisë në prag të dialogut të ardhshëm me Kosovën, aktualisht po prezantohet me dy e më shumë alternativa.

Përderisa kryeministri Daiçiq prezanton pikëpamje personale për ndarje të Kosovës, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin thotë se ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me bisedimet, nivelin dhe temat që do të trajtohen.

“Mos prisni nga ne, pasi që nuk është as praktikë diplomatike që të dalim me dokumente dhe qëndrime përfundimtare, përderisa pala tjetër nuk është deklaruar se a i dëshiron në fakt bisedimet politike”, thekson Vulin.

“Tash për tash ne kemi gatishmërinë për bisedime teknike dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Dhe, në momentin kur pala tjetër të deklarohet për bisedime politike si edhe bashkësia ndërkombëtare, të njëjtin moment do ta keni edhe përgjigjen e Serbisë”, thotë Vulin.

Në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri thotë se Serbia po përgatitet që të hyjë në dialog me Kosovën me zgjedhje opsionale duke ofruar qoftë alternativën e ndarjes së veriut apo statusin special për atë pjesë.

Të dyja zgjidhjet, sipas tij do ta defunksionalizonin shtetin e Kosovës, andaj ai mendon se edhe pala kosovare duhet të ketë një plan B para se të hyjë në procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë.

“Tani kemi ardhur në një kohë kur edhe Kosova duhet të bëj zgjedhje opsionale dhe duhet të ketë panin B. Fundja unë besoj që një dialog politik në këtë kohë që jemi i zgjidh problemet dhe me një marrëveshje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë rreth territoreve mund të përballohen vështirësitë kryesore që kemi me Serbinë. Nuk mund të ketë normalizim dhe pajtim me Serbinë pa i zgjidhur problemet e hapura që lidhen edhe me territorin edhe me luftën e fundit në Kosovë”, thotë Haziri.

Deputeti Haziri mendon se faktori politik në Kosovë fillimisht duhet të ulet dhe gjejë një konsensus të brendshëm politik në lidhje me planin B në këto bisedime dhe në kohën më të përshtatshme të hyjë në bisedimet me Serbinë për të diskutuar për çështjet dhe temat e hapura.

Sidoqoftë, opsionet për ndarje, shkëmbim territoresh apo ridefinim të kufijve në Ballkan, nga faktori ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë konsideruar të mbyllura.

Por, këto tema janë trajtuar në vazhdimësi nga politikanë të ndryshëm për shkak të problemeve dhe vatrave të hapura të krizave që janë të pranishme në shumë vende të rajonit dhe efekteve zinxhirore që prodhojnë secila prej tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 13:57

Prishtinë –  Me hymnin shtetëror, Policia e Kosovës hapi manifestimin solemn me rastin e shënimit të 13 vjetorit të themelimit. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se shtatori jo vetëm që shënon themelimin e institucionit më të besueshëm në vend, Policisë së Kosovës, por brenda pak ditësh do të shënoj edhe fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.  

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, duke folur me entuziazëm për stafin që dikur i takonte, tha se përvjetorët e Policisë së Kosovës, i japin nderë dhe krenari.

Policia e Kosovës është një vend multientik, i hapur dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e venidt, tha kryeministri Hashim Thaci.  

E drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni tha se deri më sot policia gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar angazhimin e saj në mbrojte të qytetarëve të Kosovës. 

Në 13 vjetorin e themelimit, u përkujtuan 14 oficerë që dhanë jetën në mbrojtje të qytetarëve. Po sot, në ambientet e administratës së Policisë së Kosovës, u bë zbulimi i lapidarit të policit të ndjerë, Enver Zymberaj i cila dha jetën në korrik të vitit të kaluar gjatë një operacioni që kishin ndërmarr policia e Kosovës, për zbatimin e ligjit në veri të vendit.

Policia e Kosovës është themeluar me 7 shtator 1999, me gjithsej 176 oficerë. Sot ajo numëron 7300 pjestar të saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 16:42

Washington (PLOTESUAR  21 GUSHT, 20:00)- Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, pas fjalës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë marr fjalën edhe përfaqësuesit e tjerë të Këshillit të Sigurimit. Me këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, kanë kërkuar shuarjen e strukturave ilegale në veri të Kosovës, ndërkohë Rusia ka shpreh shqetësimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Kosovës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rosemary DiCarlo ka theksuar edhe një herë mbështetjen e saj për Kosovën. Ajo ka mbështet fuqishëm progresin në Kosovë, duke thënë që strukturat serbe në veri nuk kanë kurrfarë leje në Kosovë, dhe se ato është dashur të hiqen shumë herët, bazuar në Rezolutën 1244.

DiCarlo theksoi se SHBA-të, mbështesin dialogun që do të jetë në të mirë të integrimit evropian për të dyja vendet. Gjithashtu ajo përshëndeti përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, duke thënë se më këtë dëshmohet për aftësinë e Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mirëpret progresin e arritur në Kosovë, ndërkohë duke folur për situatën në veri, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen për çështjet e mbetura.

“Mbretëria e Bashkuara mbetet e përkushtuar dhe falënderon EULEX-in për angazhimin në atë pjesë, ndërkohë përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve janë të papranueshme për Mbretërinë e Bashkuar. Pritet përkushtim i të dyja palëve për të hequr strukturat paralele në veri dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës të përcaktojë strategjinë për veriun dhe mirëpresim hapjen e Zyrës Administrative në veri nga ana e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesi i Gjermanisë ka kërkuar shuarjen e strukturave ilegale.

Ndërkohë përfaqësuesi i Rusisë ka thënë se Rezoluta 1244 duhet të mbetet bazë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin me vendimin e Këshillit të Sigurimit për themelimin e Zyrës Administrative në veri. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Washington (PLOTESUAR  21 GUSHT, 17:10)- Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nisi sot diskutimin për situatën në Kosovë, ndërsa raporti tremujor për gjendjen në vend u paraqit para anëtarëve të këshillit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka kërkuar publikisht të mos njihet pavarësia e Kosovës. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës se ka penguar zhvillimin e diskutimeve mes dy vendeve, ndërsa ka thënë se në jug e veri të Kosovës popullata serbe diskriminohet e vritet. “Ka kërcënime të komunitetit serb, qoftë në jug dhe veri të Kosovës. Nuk kanë tolerancë ndaj besimit tonë fetar, incidente me kishat tona. Ka heshtje të institucioneve nga ana tjetër”, tha Daçiç.

Daçiç ka kërkuar një zgjidhje politike dhe gjithëpërfshirëse për cështjen e Kosovës.
“Dialogu duhet të vazhdojë, por kjo nuk varet nga ne, cështjet e mbetura të pazgjedhura nuk duhet të anashkalohen. Beogradi nuk mund të qendrojë duke dhënë dhe Prishtina duke marrë. Duhet zgjidhje gjithpërfshirëse për të gjitha palët, për sa i përket statusit të Kosovës.

Ai përmendi më tej cështjen e trafikut të organeve, duke akuzuar UCK-në se ka kryer trafik organesh në territorin e Kosovës, në dëm të popullatës serbe, sic përmendi ai.
Ndër të tjera Daçiç tha se “Prishtina e anashkalon juridiksionin e Këshilli të Sigurimit”.

Thaci: Statusi i Kosovës u zgjidh më 17 shkurt 2008
Kryeministri kosovar Hashim Thaci gjatë fjalës së tij reagoi duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit serb Ivica Dacic që fliste për Kosovën me status të pazgjidhur dhe si krahinë e Serbisë. Thaci deklaroi se pavarësia e Kosovës është zgjidhur me 17 shkurt të vitit 2008.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur me 17 shkurt 2008 një herë e përgjithmonë. Është fakt që nga shkurti i vitit 2008 Kosova ka forcuar institucionet. Jam i nderuar t’ju informoj për procesin e fundit për ti dhënë fund mbikqyerjes së pavarësisë . 5 vite më parë shpallën pavarësinë. Miratimi dhe zbatim i Kushtetutës, decentralizimi i Komunave, krijimi i 6 komunave me përbërje serbe dhe zgjedhja e deputetëve serb janë shembuj të transformimit dhe demokratizmit të vendit. Esenciale kanë qënë të dejtat e minoriteteve. E gjithë korniza ligjore garanton të drejta të barabarta për grupet etnike në Kosovë”,- theksoi Thaci.

Thaci duke theksuar rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ka ripërsëritur qëndrimin e qëverisë që ai drejton për mosprekjen e shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.  “Serbia refuzon marrëveshjen për bahkëpunimin rajonal. Besueshmëria e këtij dialogu teknik është ne rrezik dhe i bëjëmë thirje që të pranojmë ato që kemi rënë dakort. Mungesa e dialogut është problem për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit. Përderisa ne jemi të përkushtuar ne shtetësinë dhe integritetin territorial nuk do e diskutojmë kurrë. Besojmë se dy kombet të mos mbeten peng”,- deklaroi Thaci.

Duke iu referuar cështjes së veriut të vendit, Thaci nënvizoi se tashmë është gati zyra administrative që do të operojë në këtë pjesë të vendit, pasi sic tha ai ‘ Kosova është kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve”,- duke shtuar se qeveria e Kosovës ka plan të integrojë këtë pjesë. (LajmeShqip.com)

***************************************

Prishtinë – Këshilli i Sigurimit  i OKB, nën udhëheqjen e Francës presidente e radhës, sapo ka nisur një seancë për shqyrtimin e raportit periodik për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, rreth të cilit vendet anëtare do të reflektojnë qëndrimet e tyre për zhvillimet tremujore.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq po marrin pjesë në seancë, e cila po mbahet pas një vizite në korrikun e kësaj vere të Ban Ki-moon në Kosovë dhe Serbi, ku ka takuar autoritetet më të larta të dy vendeve.

Raporti i Ban Ki-moon u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktivë në tejkalimin e dallimeve dhe të vëjnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik.

Fillimisht po flet shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif. Seanca e KS të OKB po transmetohet drejtpërdrejtë nga Televizioni i Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 20:51

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, tha se Beogradi i ka dërguar notë proteste komunitetit ndërkombëtar, pasi, sipas tij, “KFOR-i bllokon rrugët alternative në veri të Kosovës”.

“Nuk është hap i mençur që KFOR-i të shfrytëzojë dorëzimin e kompetencave në Qeverinë e Serbisë, sepse në Beograd ekzistojnë adresa për bisedime”, tha Vulin për mediat serbe.

Sipas tij, KFOR-i, me bllokimin e rrugëve për kamionë më të rëndë se tre tonë, “është në rrezik serioz për të humbur legjitimitetin dhe besimin te serbët e Kosovës dhe për të rrezikuar ekzistencën e tyre”.

“Bllokimi i rrugëve alternative do të çojë në mungesa të mallrave dhe në pamundësi të furnizimit me ushqime dhe ilaçe”, theksoi Vulin.

“Me bllokimin e rrugëve alternative, KFOR-i ka tejkaluar mandatin e tij”, tha Vulin, për të shtuar se “komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë se kujdeset për paqe, ashtu siç ka treguar Serbia”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 08:10

Mitrovicë  (PLOTESUAR 14:00)- Zëdhënësi i KFOR-it colonel Dan Harvey konfirmon vendosjen e pikave të kontrollit në këto rrugë. “KFOR-i konfirmon vazhdimin e mbajtjes së pikës së përkohshme kontrollit për veturat në rrugën alternative në afërsi të DOG 46, në mënyrë që të kontribuojë për mjedisin e qetë dhe të sigurt.

Qarkullimi i pasagjerëve me vetura dhe autobusë po zhvillohet në këtë pjesë pa vështirësi. Kamionët me mallra komerciale me peshë mbi 3.5 tonë sidoqoftë janë ndaluar të qarkullojnë” thotë Harvej.

Ndërkohë Zyrtarë të policisë së Kosovës, ndërkaq, këtë veprim e konsiderojnë hap pozitiv. Zëdhënësi i policisë Baki Kelani thotë se me këtë veprim ndalohet kontrabandimi me mallra. Edhe pse nuk janë të përfshirë drejtpërdrejtë në këto aksione, Kelani thotë forcat e policisë kanë bashkëpunim shumë të mirë me pjesëtarët e KFOR-it. Zyrtarë të EULEX thanë se ky mision nuk jështë i përfshirë në aksionin për vendosjen e kontrollit në rrugët alternative në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkohë sipas mediave serbe, autoritetet ilegale komunale në Leposaviq vlerësojnë se aksionet e KFOR-it janë kundërpërgjigje ndaj bllokadës së serbëve, javën e kaluar, në mes të Jarinjës dhe Rudnices përgjatë magjistrales së Ibrit. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Mitrovice – Pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it kanë bllokuar rrugën alternative nga Rashka në drejtim të Kosovës dhe kanë ndaluar lëvizjen e kamionëve me mallra komerciale që bartnin mbi tre tonelata, ndërkohë që lëvizja automjeteve të tjera nuk jane penguar.

Një anëtar i të ashtuquajturit Këshill komunal i Leposavicit, Bojan Jakovljevic, ka thënë se me këtë veprim KFOR-i është vënë drejtpërdrejtë në anën e Prishtinës.

“Kemi kërkuar lëvizjen e lirë të kamionëve me të cilët transportohen mallrat për punëtoritë tregtare në veri, ku tashmë ka mungesë”, ka thënë Jakovljevic për televizionin lokal Most, transmeton Telegrafi.

Ai ka përkujtuar edhe “vullnetin e shprehur të qytetarëve serbë përmes referendumit” se nuk i pranojnë institucionet e Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 July 2012 17:04

Prishtinë – Me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë përkujtimore nën patronazhin e kryeministrit Hashim Thaqi, që u mbajt sot në orën 16:00 në sallën e kuqe të pallatit të rinisë dhe sporteve në Prishtinë u shënua njëvjetori i rënies së Heroit të Kosovës  Enver Zymberi.

Një delegacion i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme i prirë nga ministri Bajram Rexhepi dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni ka vizituar sot familjen e Enver Zymberit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë.

Pas vizitës delegacioni ka vazhduar në drejtim të varrezave të fshatit Dubovc, ku janë vënë kurora pranë varrit të Heroit të Kosovës Enver Zymberi.

Ngjarja tjetër e radhës me rastin e shënimit të përvjetorit të rënies së Enver Zymberit ishte  vendosja e gurëthemelit të lapidarit të tij në hapësirën e objektit të ri të administratës së PK-së, nga ana e ministrit Rexhepi dhe drejtorit të PK-së, Shpend Maxhuni. 

Edhe në Akademinë përkujtimore u çmua lartë shëmbëlltyra dhe përkushtimi i Heroit të Kosovës Enver Zymberi.

Bajram Rexhepi tha se Enver Zymberi ra në krye të detyrës së shenjtë të zbatuesit të ligjit, në betejë për të ruajtur rendin kushtetues dhe për të zbatuar ligjin në tërë territorin e vendit.

“Shëmbëlltyra njerëzore e Enver Zymberit – Heroit të Kosovës, dhe përkushtimi i tij profesional për përmbushjen e detyrës do të kujtohen me mburrje dhe nderim përgjithmonë, si shembull i sakrificës, nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe stabilitetin e të cilëve Enveri me vetëdije të lartë shtetërore dhe gatishmëri të patrembur flijoi jetën e tij”, theksoi ndër të tjera ministri Rexhepi.

Shpend Maxhuni, ndërkaq, tha se Enveri do të kujtohet për të mos vdekur kurrë si një njeri me vlera dhe virtyte të larta.

“Ideali dhe figura e Enver Zymberit – Hero i Kosovës, kurrë nuk do të vdesin sepse ai la pas vete mbi 7 mijë vëllezër dhe motra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të idealeve dhe amanetit të tij. Puna dhe vepra e tij atë e kanë bërë të pavdekshëm në kujtimet e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe më gjerë, duke qenë shembull i sakrificës për ideale”, tha Maxhuni në Akademinë përkujtimore.(LajmeShqip.com)