Lajme Shqip Saturday, 09 June 2012 13:16

Mitrovicë – Zëdhënësja e EULEX-it Irina Gudeleviç ka deklaruar sot se Slobodan Vuçinçit, i dyshuar për vrasjen e policit të Kosovës Enver Zymberi, me kërkesë të gjykatësit ndërkombëtar e vendor, i është caktuar burgim njëmujor.

Gudeleviç ka thënë se të dyshimtin e ka marr në pyetje gjykatësi hetues i EULEX-it. Slobodan Vuçiniç është arrestuar para dy ditësh në Mitrovicë bashkë me babanë Blagoje i cili më pas qe liruar. 

Policia është në kërkim të Ratomir Bozhoviçit, Radovan Radiqir, Milovan Vlashkoviqit,  Dushan Jovanoviqit dhe Ratomir Kasaloviqit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 20:37

Beograd – Në pjesën jugore të Mitrovicës policia e EULEX-it ka arrestuar sot  Bllagoja Vuçiniçin, babanë e Sllobodan Vuçiniçit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e pjesëtarit të njësisë speciale ROSU të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, njoftoi televizioni publik serb RTS. Sipas këtij televizioni, Bllagoje Vuçiniç është arrestuar gjatë paradites së sotme.  

Për Sllobodan Vuçiniçin është shpallur flet-arresti i Interpolit. Heroi i Kosovës, Enver Zymberi është vrarë më 26 korrik jo larg pikëkalimit kufitar në Bërnjak.  

Në anën tjetër misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në një komunikatë për medie thekson se hetuesit e Task Forcës së EULEX-it në Mitrovicë e kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit e kërkuar në lidhje me vrasjen e policit të PK-së, Enver Zymberi. Arrestimi u bë sot në mëngjes në Mitrovicë. Ky person është njëri nga gjashtë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare në tetor 2011. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 10:32

Prishtinë-Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), deklaron se ka bërë progres në hetimin e vrasjes së anëtarit të njësisë speciale, ROSU, Enver Zymberi.

Shefi i Zyrës për informim në EULEX, Nicholas Hawton, ka konfirmuar për të përditshmen “Zëri” se përpos që tashmë janë mbledhur të gjitha dëshmitë e mundshme për këtë rast, ata tashmë e kanë identifikuar edhe vendndodhjen e gjashtë personave, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Enver Zymberi. 

Hawton nuk tha nëse ata janë në Kosovë, apo diku jashtë saj, por se tashmë dihet zyrtarisht se për gjashtë të dyshuarit janë lëshuar edhe njoftimet ndërkombëtare për kërkimin e tyre.

“Të gjashtë personat janë në arrati, ndërsa informacioni në dispozicion sa i përket vendndodhjes së tyre, nuk mund t’i bëhet e ditur publikut për shkak të arsyeve operative”, ka deklaruar Hawton. 

Enver Zymberi u vrarë më 26 korrik, gjatë përpjekjeve të Njësisë ROSU dhe asaj për ndwrhyrje të shpejtë për të marrë nën kontroll pikën e kalimit kufitar 31 apo Bërnjakun.

Hetimi për këtë çështje, zyrtarisht quhet i përbashkët mes Task Forcës Mitrovica të EULEX-it, Njësisë së Policisë së Kosovës për Krime Serioze dhe Njësisë së Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Këto njësi koordinohen nga një ekip i përzier hetuesish që përfshijnë prokurorin vendor të Qarkut dhe një prokuror të EULEX-it.

Nicholas Hawton, ndonëse njofton se momentalisht nuk ka hetime të nisura ndaj personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të dyshuarit, nuk e hedh poshtë mundësinë që numri i të dyshuarve apo bashkëpunëtorëve të rritet.

EULEX me kohë e ka bërë të ditur se situata në veri e ka bërë të pamundshme në raste të caktuara të arrijë kapjen apo qoftë edhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Përpjekjet e EULEX-it, edhe në marrjen e dëshmive apo fakteve në terren, në veri, i ka pasur me vështirësi, për shkak të reagimeve të organizuara të serbëve. 

Përpos që disa herë ekipet e këtij misioni dhe KFOR-it nuk janë lejuar të qarkullojnë lirshëm në veri, më 1 nëntor të këtij viti, serbët e kanë pamundësuar edhe qarkullimin e lirë të komandantit të KFOR-it, Erhard Drews dhe zëvendësshefit të EULEX-it, Andrew Sparks.

Të dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë janë ndaluar pikërisht në afërsi të vendit, ku ka ndodhur vrasja e policit Zymberi, afër barrikadës së vendosur në Zupçë.

 
Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 19:42

Prishtinë – Ish-përfaqësuesi i OKB-së, për Bosnje-Hercegovinën ka adresuar kritika të ashpra ndaj Serbisë, por edhe ndaj Evropës që, ka thënë ai, po e toleron atë, rreth ngjarjeve në veri të Kosovës.

“Serbia përpiqet të dëmtojë pavarësinë e Kosovës dhe i krijon pengesa vetes në rrugën drejt BE-së”. Kështu është shprehur Christian Schwarz-Schilling.

“Me këtë unë mendoj, se Evropa vet nuk po gjen një gjuhë të qartë kundrejt Serbisë. Nisur nga shmangia e pesë kombeve në Evropë, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Evropa ngurron dhe veçanërisht ministrja e Jashtme, duke mos gjetur një gjuhë të qartë. Kjo pasi një qëndrim i qartë duhet të mbështetet nga të gjitha kombet”, thekson ai.

Christian Schwarz-Schilling ka përsëritur qëndrimin e tij ndaj ndaj komisionit të BE-së, për mosshprehjen e gjykimit të qartë pas publikimit të dokumentit të Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me çështjen e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 13:00

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme shprehu me anë të një deklarate për shtyp, keqardhjen për humbjen e jetës së një polici si dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga dhuna e ushtruar ditët e fundit në veri të Republikës së Kosovës.

“Republika e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet pavarësinë e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së njohur ndërkombëtarisht nga 77 shtete, si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan’, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Sipas saj, “është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të “Strategjisë për Veriun” të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës.

“Zgjidhja e problemeve të mbetura mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duhet bërë nëpërmjet procesit të dialogut dhe është thelbësore që konkluzionet e arritura mes tyre, me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci ndërkombëtare”, përfundon deklarata e MPJ.