Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 13:37

Tiranë- Ngjarjet e ndodhura në Përmet kanë sjellë jo vetëm reagimin e qeverisë së Greqisë, por edhe të qyteteve të veçanta të shtetit fqinj. Kështu, qyteti i Konicës, që është në kufi me Përmetin, ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve të binajkëzimit për Bashkinë e Përmetit.

A1 Report bën me dije se ditën e djeshme i është dërguar një letër zyrtare, kryebashkiakut përmetar, nga homologu i tij i Konicës në Greqi, Panagiotis Gargalas, ku shprehet shqetësimi për ngjarjet e ndodhura në Përmet me Kishën Ortodokse.
“Ortodoksëve u është privuar e drejta themelore për të pasur një objekt të tyre ku të organizojnë ceremonitë e ndryshme fetare. Nëse ju i nderuari zoti Jaçe, keni ndihmuar së bashku me stafin tuaj bashkiak, në qetësimin e situatës së atjeshme mes besimtarëve ortodoks dhe kishës nga njëra anë dhe nga ana tjetër organeve shtetërore që morën nën administrim Kishën e Shenjtë, bashkëpunimi ynë ndërmjet dy qyteteve tona binjake, do të vijojë të jetë i shkëlqyer, por nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë ne si bashki, do të kërkojmë një tjetër mënyrë për të zgjidhur këtë problem dhe raportet tona binjakëzuese” thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar zyrtarisht nga kryabashkiaku i Konicas Panagiotis Gargalas, në adresë të kryebashkiakut të Përmetit, Gilberto Jaçe, shkruan tema.
Kryebashkiaku i Përmetit ka konfirmuar se ka marrë një letër të tillë, ku i kërkohet llogari.
“Kryetari i Bashkisë së Konicës Panagiotis Gargalas, më ka dërguar një imejl ku lihet shumë qartë të kuptohet se raportet mes dy bashkive që janë binjake me njëra-tjetrën, do të rishikohen nëse bashkia e Përmetit, është e përfshirë direkt në konfliktin në fjalë dhe nëse vetë unë apo dhe stafi im kemi kontribuar për qetësimin e situatës apo të qëndronim indiferent, kjo për kryebashkiakun grek, do të ishte pozitive” sqaron për A1 Report, zoti Jaçe.
Ai u shpreh se do t’i dërgojë një përgjigje homologut të tij të Konicës, për t’i shprehur faktin se askush nuk mund të dalë kundër vendimeve të gjykatës.

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 13:28

Tiranë – Konsulli i përgjitshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi, është shprehur se ndërhyrja për largimin e Kishës Ortodokse nga Pallati i Kulturës në Përmet, ka qenë e papërshtatshme. Komenti i tij është bërë pas një takimi që ka pasur me kryebashkiakun e Përmetit, Gilberto Jaçe.

“Kisha Autoqefale Shqiptare nuk ka varësi nga askush. Vendimet e saj duhet të respektohen. Mënyra, koha dhe vendi i ndërhyrjes në Pallatin e Kulturës ishte jo i përshtatshëm”, ka thënë konsulli grek gjatë takimit me kryebashkiakun e Përmetit, raporton tema.
“Greqia është i vetmi shtet që ka përkrahur Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe do vazhdojmë të mbështesë Shqipërinë. Jemi dy popuj miq, kemi qenë dhe do jemi për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare e ndërajonale”, ka vijuar më tej konsulli grek.

 
Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 14:14

Athinë – Edhe në Parlamentin grek është shtruar çështja e ngjarjeve në Përmet, pasi deputeti i partisë “Demokracia e Re”, Nikitas Kaklamanis i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare, lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”.

Në fjalën e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi për të gjithë grekët”.

Ai ka përmendur veçanërisht, “përdhosjen e relikeve të shenjta, Ungjillit, Grailit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe njerëzit”.

Duke vijuar deputeti i djathtë grek pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit”, ka shtuar ai.

Më pas Kaklamanis i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

*Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni?

*A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën.

Ky zhvillim ndodh paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek, Jorgos Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, për çështjen në fjalë dhe me të njëjtën përmbajtje. /BW/