Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 13:21

Tiranë- Një konflikt mes kreut të Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Altin Goxhaj dhe gazetarit Vladimir Thano ka degjeneruar deri në përleshje fizike mes tyre. Ata janë shoqëruar në polici dhe për gjatë gjithë kohës së qëndrimit aty, izolimi i Goxhajt është konsideruar politik.. Burimet policore bëjnë të ditur se Goxhaj dhe Thano janë shoqëruar në komisariatin nr 3, ndërsa Goxhaj ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë. Ky akt sipas burimeve është kryer pasi mes dy palëve është shuar sherri dhe kanë menduar ta zgjidhin vetë dhe jo nëpërmjet policisë. Avokati mbrojtës i Goxhajt, Isuf Shehu, pretendon se nuk është lejuar të takojë klientin e tij, ndërsa në komisariat kanë mbërritur edhe dy ekspertë të Avokatit të Popullit. Në komisariatin Numër 3 ishin edhe disa deputetë të Partisë Demokratike. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi e konsideroi politik shoqërimin e avokatit Altin Goxhaj në polici, pasi ai njihet si një ndër zërat më kritik të qeverisë Rama. “Erdhëm pasi u shqetësuam për arrestimin e një prej zërave më kritik të qeverisë Rama. Folëm me Goxhajn, ka patur një konflikt banal. Arrestimi është politik. Nuk lejojmë shtetin policor të Ramës”, ka thënë mbrëmë për mediat Bumçi. Më pas Goxhaj ka lënë ambientet e komisariatit dhe ka vazhduar të akuzojë policinë për shoqërim me ngjyra politike./shekulli/