12
 
Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 23:39

 

Pierre Pean, gazetar hulumtues francezë, ka publikuar librin “Lufta e “drejtë” për një shtet mafioz.

Ai dha një intervistë për mediat në Serbi rreth përmbajtjës së këtij libri.

“Shërbimi inteligjent, duke vepruar në mënyrë të fshehtë nga Ushtria e Francës, ka trajnuar anëtarë të UÇK-së, por duhet thënë se inteligjenca ushtarake, ishte e orientuar pro Serbisë”, shkruan Pean në librin e tij, “Kosova – lufta e “drejtë” për një shtet mafioz”, ka thënë Pean për mediat në Serbi raporton portali reporteri.net.

Shërbimi i inteligjencës, sipas tij, ishte përgjegjës për Hashim Thaçin dhe kishte punuar për trajnimin e bashkëpunëtorëve të tij.

“Në të njëjtën kohë, stafi i Ushtrisë, nuk ishte në të njëjtën linjë. Ata sikurse ka ndodhur tradicionalisht, ishin në anën e serbëve, gjë të cilën e dëshmoi edhe me respektimin e përpiktë të marrëveshjes së Kumanovës dhe implementimin neutral të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara”, thotë Pean. 
Në librin e tij, ai përmend edhe dallimet mes francezëve dhe anglo-saksonëve në luftën e Kosovës. Ai thotë se francezët dhe britanikët, për këtë edhe kanë shkëmbyer të shtëna me armë mes vete. Kjo sipas tij ka ndodhur se këto dy palë kanë pasur konflikt në interpretimin dhe implementimin e Rezolutës 1244. 
“Në interpretimin Anglo-Sakson”, kur ushtarët e UÇK-së vrisnin, kjo interpretohej si hakmarrje, dhe mund të falej. Por krejt kritere tjera u përdorën për serbët. Pra Anglo-Saksonët, u sollën krejtësisht ndryshe nga francezët”
“Koloneli Logar, komandant i forcave speciale franceze, në atë kohë, u detyrua të kërcënojë se është i gatshëm të hap zjarr në forcat speciale britanike. Ju mund të imagjinoni, se ata ishin në prag të një incident shumë serioz “, thotë gazetari francez. 
Kur flet për konfliktin mes KFOR-it francez dhe ushtarëve të UÇK-së, Pean thotë se ushtarët francez implementuan rrugën neutrale të Rezolutës 1244, gjë të cilën nuk e bënë të tjerët. Në Deçan ai thotë se u vranë 10 deri në 15 ushtarë të UÇK-së nga ana e forcave franceze, ndërsa në pjesët nuk vepronin ushtarët Anglo-Sakson nuk u vras asnjë. 
“Pra, francezët implementuan në mënyrë të përpiktë Rezolutën 1244, ndërsa Anglo-Saksonët, implementimin e rezolutës që nga fillimi e bënë në mënyrë të paragjykuar, në kontekst për pavarësinë e ardhshme të Kosovës, e cila nuk thuhej me asnjë fjalë në Rezolutë”, thotë ai. 
Kur pyetet për politikën e shtetit të Francës në vitin 1999, Pean potencon se presidenti i atëhershëm i Francës, Jacques Chirac tentoi deri në fund që të pengojë bombardimin e Jugosllavisë, por ai donte që të fuqizonte rolin e Francës në NATO, dhe me ngulje këmbë edhe më tutje, do të mund të ofendonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Kosova, sipas tij, ishte një shembull i mirë se si politika franceze u përkul ndaj asaj Anglo-Saksone, që është Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

 

(reporteri.net).

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 14:21

Ky i fundit është akuzuar rëndë nga bashkëpartiaku i tij, Petroviq, lideri i partisë së pavarur serbe (SLS),  për tradhti ndaj serbëve, ndaj institucioneve të Kosovës, për komplote dhe për pengesë ndaj proceseve pozitive të vendit.

Në ndërkohë që, Rashiq thotë se Petroviq nuk komunikon me gjysmën e liderëve serbë të Kosovës, ka përçarë politikanët serbë mes vete, ka pamundësuar integrimin e serbëve të veriut në institucione të Kosovës, ka punuar për interesa të veta e aspak për komunitetin serb dhe sot vazhdon të jetë njeriu kyç i bllokimit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Sipas tij, kjo qasje e Petroviqit ka bërë që gjysma e deputetëve pjesë e grupit parlamentar të Kosovës të largohen nga SLS, dhe të formojnë grupin parlamentar të ri të quajtur “E ardhmja e përbashkët”, në krye të së cilit është vetë ministri Rashiq.

Të gjitha këto ndryshime, kanë bërë që vetë Petroviq të kërkojë nga kryeministri Thaçi, shkarkimin e Nenad Rashiqit nga posti i ministrit. Jo më mirë kanë mbetur edhe deputetët që kanë lëshuar SLS-së, të cilët po ballafaqohen me presione e kërcënime. Kjo përçarje ka bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare.

Siç ka mësuar “Zëri”, edhe vetë kryeministri Thaçi mban krahun e Petroviqit, kjo për shkak të së kaluarës së përbashkët që kanë pasur në procese të ndryshme që ka kaluar Kosova.

Zëvendëskryeministri Petroviq nuk ka pranuar të flasë për “Zërin”, por i cituar nga RTK, ai thotë se tashmë ka kërkuar nga kryeministri Thaçi largimin e ministrit Rashiq.

“Në mbledhjen e fundi të partisë njëzëri është miratuar vendimi për largimin e Rashiqit nga ky subjekt. Ne sot ia kemi dërguar një shkresë kryeministrit dhe presim që ditët e ardhshme të kemi një emër të ri për pozitën e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Petroviq, i cili ndër tjerash ka mohuar se SLS është përçarë.

Por, Rashiq beson se përkundër presioneve të Petroviqit, iniciativa e grupit të ri serb do të ketë sukses. Ai tregon se në kundërshtim me statusin e partisë, Petroviq e ka larguar atë nga mbledhja e partisë javën e kaluar.

“Jo vetëm mua, por Petroviq po përdor variante të ndryshme si presione dhe kërcënime edhe ndaj deputetëve që kanë lëshuar SLS-në”, tha ai.
Sidoqoftë, sipas tij, interesi i kësaj iniciative nuk është që të prishet Qeveria Thaçi, por përkundrazi që të ndihmojë këtë qeveri të ecë përpara në proceset që gjendet, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.

“‘E ardhmja e Përbashkët’ ka për qëllim që të punojë në interes të komunitetit serb, ndërkohë që Petroviq ka punuar që liderët serbë në qendër të Kosovës të mos flasin mes vete, që serbët e veriut t’u frikësohen institucioneve të Kosovës, që zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi të mos nisë me shumë dëme e probleme tjera”, tha Rashiq.

Ai shtoi se ditët në vijim do të kërkojë takim me kryeministrin Thaçi dhe siç tha ai, mundësia që të kërkojë një koalicion të ri mbetet e hapur.
“Ne nuk duam prishje të Qeverisë, përkundrazi ne mbesim pjesë e kësaj Qeverie e politikave të saj, por mundësia që të ketë ndryshime pozitash mbetet e hapur”, tha Rashiq.

Këto përplasje kanë bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Ambasada e SHBA-ve në Kosovë. Gazeta ka kuptuar se Ambasada Amerikane anon kah politikat e Nenad Rashiqit, megjithëse ajo nuk është e pajtimit që në këtë kohë, në këtë moment të ketë ndryshime në qeverisjen Thaçi.
“Prioriteti i bashkësisë ndërkombëtare për momentin është nisja e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ata nuk duan që të humbet kohë tani me procese të brendshme të koalicionit qeverisës, dhe të humbet koncentrimi karshi marrëveshjes”, tha një zyrtar ndërkombëtar.

Ndryshe emrat e katër deputetëve që janë larguar nga SLS janë: Biserka Kostiç, Goran Marinkoviq, Boban Todoroviq dhe Milivoje Stojanoviq.

Këtij grupi të ri, fillimisht me katër deputetë të SLS-së, i është bashkangjitur edhe një deputet nga lista e bashkuar serbe (JSL), një nga Partia Demokratike Serbe (PG) dhe një nga komuniteti Ashkali, duke e çuar numrin në 7 deputetë. Ndërsa grupi parlamentar i SLS-së, ka mbetur me 6 deputetë, prej tyre katër të SLS-së, një nga JSL dhe një goran.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 14:24

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se Qeveria që ai drejton është e përkushtuar të zhvillojë edhe burime të ripërtëritshme të energjisë përveq ndërtimit të kapaciteteve energjetike nga linjiti. 
“Kjo politikë do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik, kursimin e energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji dhe në mbrojtjen e mjedisit”, deklaroi Thaçi në hapjën e punimeve të “Konferencës së Donatorëve për Energji të Qëndrueshme në Kosovë”. 
Qeveria e Kosovës synon që nëpërmjet kësaj konference të sigurojë mbështetjen për projektet në fushën e energjisë me fokus burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efiçiencën e energjisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj deklaroi se Kosova do ti kalojë normat e kërkuara prej 20% të energjisë së ripërtëritshme.
“Kosova do ti plotësojë 25 % të nevojave me energji efiçiente”, tha ministri, duke shtuar se kjo do të arrihet përmes bimoasës, energjisë solare përkatësisht diellore dhe të erës”, deklaroi Beqaj.

 
Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 13:30

Prishtinë – Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në takimin e fundit me gazetarë për këtë vit, u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve të Kosovës lidhur me skandalin e përgjimeve telefonike.

Mirëpo, Grabovci nuk i kërkoi falje edhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

“Mua më vjen keq dhe u kërkoj falje gjithë qytetarëve të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të shkaktoj shqetësim të qytetarëve. Kam bërë përpjekje gjithnjë që të jem në shërbim të një jete më të mirë dhe një stabiliteti relaksimit të jetës së qytetarëve. Unë të gjithë qytetarëve u kërkoj falje për shqetësimin më të vogël, me cilindo veprim që kam bërë. Ndërsa bashkëpunimi im me përfaqësuesit e institucioneve ka qenë korrekt, është korrekt dhe do të jetë korrekt”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka folur fjalë të mira edhe për raportet e tij dhe bashkëpunimin e mirë që e ka me Kadri Veselin.

Emërimi i koordinatorit Blerim Shala në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, sipas disa zërave thuhet se paraqet shkelje kushtetuese. I pyetur se a do të përkrah ndonjë iniciativë që kjo të shkoj në Gjykatë Kushtetuese, ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese është ajo e cila bënë vlerësimin, interpretimin dhe respekton vendimet e institucioneve tona, duke mos dhënë e përkrahjen.

Kohë më parë, ai kishte akuzuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj kërcënim, zhvatje dhe kandrabandim në veri të vendit, ndërsa sot janë të gatshëm të hynë në koalicion me partinë e tij.

Por Grabovci edhe për këtë ka pasur një shpjegim, duke thënë se PDK është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë spektrin politik.

“Prandaj këtë iniciativën e AAK-së ne e kemi vlerësuar e kemi mbështet dhe do ta mbështesim dhe jemi gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjithë spektrin politik për interesat e qytetarëve, gjithsesi edhe me shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Një qëndrim i Grupit Parlamentar të PDK-së si duket ka ndryshuar kur është fjala për mandatin e EULEX-it. Përderisa kohë më parë kanë deklaruar se do të kërkojnë rishikimin e mandatit të këtij misioni, kur ka qenë rasti Limaj, një gjë të tillë nuk e ka thënë edhe sot, duke thënë se kjo çështje do të analizohet dhe do të merren hapat më tutje.

“Ne jemi shumë të matur për fjalën tonë publike që e themi në rrethanat që e kemi thënë qëndrojmë prapa. EULEX-i në rastin konkret kur ka qenë rasti Limaj nuk ka respektuar procedurat, nuk ka respektuar ligjet, prandaj ka kemi kërkuar që ato të korrigjohen dhe mos të përsëriten. Dhe ne do të analizojmë se çfarë hapa do të marrim më tutje”, ka theksuar Grabovci.

Grupi Parlamentar i PDK-së, një nga sukseset më të mëdha që konsideron që është arritur këtë vit në rrafshin politik, ka qenë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 09:50

Prishtinë – Zyra për Informim e EULEX-it ka lëshuar një deklaratë lë lidhje me çështjet e përgjimeve. Sipas EULEX-it, përgjimet u kryen gjatë hetimeve në rastin e Ministrisë së Transportit.

“Prokurori i EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) ngriti një padi në rastin e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit më 16 nëntor. Së bashku me padinë, të gjitha provat e mbledhura u dorëzuan gjatë hetimit, siç kërkohet nga ligji i zbatueshëm. Gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë marrë nga një kopje të materialit të njëjtë”, thuhet në deklaratë.

Sipas EULEX-it, dosja e çështjes përfshinte përgjimet telefonike, duke përfshirë edhe ato audio të cilat përfunduan në publik. “PSRK është duke kërkuar të vendosë nëse në këtë çështje është kryer ndonjë vepër penale nga ata që shkresat e lëndës ia plasuan publikut, dhe nëse duhet të nisë ndonjë hetim”, thuhet më tej në deklaratë.

Misioni i EULEX-it përmes deklaratës shpreh keqardhjen për faktin se përgjimet përfunduan me publikimin e tyre. “Misioni nuk mund të bëjë ndonjë koment të mëtejshëm mbi një rast i cili është në vazhdim e sipër. Prokurorët e EULEX-it janë tërësisht autonom në detyrat e tyre”, thuhet në deklaratë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 18:03

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar Baroneshës Catherine Ashton dhe Komandantit të Operacioneve Civile të BE-së Hansjorg Haber, ka shprehur shqetësimin e tij për shpërndarjen e përgjimeve të EULEX-it ndaj zyrtarëve të lartë institucional.

Në letrën të cilën e ka siguruar Gazeta Express, Kryeministri kërkon që të merren masa të shpejta ndaj njerëzve që, kundërligjshëm, shpërndanë këto përgjime.

“Ne dëshirojmë të besojmë thellësisht që ky lëshim i personelit të EULEX-it është bërë pa qëllim dhe nga neglizhenca apo joprofesionalizmi i personave të kyçur në këtë proces, dhe shpresojmë që EULEX do të ndërmarrë masat përkatëse adekuate ndaj individëve të cilët janë të përfshirë në këtë proces”, thotë Kryeministri në letrën e tij.

Ai pohon se mosruajtja e materialeve të mbledhura gjatë zbatimit të procedurës hetimore dhe zbulimi i këtyre materialeve, në Republikën e Kosovës konsiderohet vepër penale e përcaktuar me Nenin 311 (Shkelja e fshehtësisë së procedurës) dhe Nenin 347 (Zbulimi i fshehtësisë zyrtare) të Kodit Penal.

Po ashtu Kryeministri dyshon nëse përgjimet janë bërë konform ligjit.

“Po ashtu, shpresojmë që në një kohë të shkurtër do të njoftohemi se procesi i përgjimit të telekomunikimit a është zhvilluar në pajtim me Kodin e Procedurës Penale (KPP) gjegjësisht Kapitullin XXIX: Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit (Nenet 256-267), në të cilin përcaktohet mënyra e kryerjes së përgjimeve të telekomunikimeve”, thuhet në letër.

“Mbrojtja e privatësisë është vlerë e njohur e demokracisë evropiane dhe ndërkombëtare dhe është garantuar edhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj), me nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Nenet 21, 22, 23, 36, 41(2) dhe nenin 53), dhe Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave personale”.

Letra e Kryeministrit vjen disa ditë pasi që në internet dolën disa biseda telefonike të Adem Grabovcit me Kryeministrin Thaçi, Kadri Veselin, Vlora Çitakun dhe Sami Lushtakun.

Fillimisht Qeveria përgjimet i kishte quajtur të fabrikuara dhe shantazh publik, derisa EULEX kishte konfirmuar se përgjimet janë autentike.(Express)

 
Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 14:28

Prishtinë – Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë të PDK-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ndonëse e ka arsyetuar këtë projektligj si të nevojshëm për liberalizim vizash, ai ka pranuar se zhvillimet e fundit e kanë përshpejtuar dërgimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, raporton KTV-ja. Kuçi nuk ka dashur të komentojë përgjimet, por ka thënë se për këto duhet të bëhen hetime nga EULEX-i në bashkëveprim me institucionet kosovare të drejtësisë. Ai ka thënë se me këtë projektligj do të mbrohet privatësia.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar se nesër do të zhvillohet takimi i radhës me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në Bruksel. Ai ka thënë se në këtë takim pritet të diskutohet për IBM-in, hapjen e zyrave ndërlidhëse, si dhe përshpejtimin e agjendës për autostradën Prishtinë- Nish.

Sa i përket IBM-it, kryeministri ka thënë se tashmë janë në përfundim edhe punët teknike dhe se së shpejti pritet fillimi i implementimit. Kjo do të shënojë një kthesë të madhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka thënë Thaçi, duke shtuar se është hera e parë që Serbia e ka të qartë se Kosova dhe Serbia do të kenë kufij të përcaktuar.  (Koha Ditore/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 10:02

Prishtinë – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi thotë se duhen hetime për ta vlerësuar nëse publikimi i përgjimeve të telefonatave të zyrtarëve të PDK’së është i ligjshëm.

“Për mua si ministër është me rendësi aspekti i përputhshmërisë me Kushtetutën, ligjin dhe Konventën Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut. Duhet të bëhet një hetim i pavarur nga EULEX`i dhe institucionet vendore për çka është dhe çka nuk është në aktet e lartë përmendura”, ka thënë Kuçi për Express.

Kuçi është zyrtari i parë, i cili është prononcuar pas publikimit të katër bisedave telefonike mes zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ditë më parë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 17:31

Prishtinë – Në jetën time politike, prapaskenat kurrë nuk kanë qenë as formë, as praktikë përbuzëse për punën e shokëve me të cilët kam bashkëpunuar e bashkëluftuar, me ata që jo pak na ka ndarë fija aq e hollë midis jetës dhe vdekjes.

Kështu është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një reagim dërguar mediave në lidhje me përgjimet e zyrtarëve të PDK-së të publikuara në media ditëve të fundit, ku si cak kryesor i bisedave të tyre, ka qenë pikërisht Krasniqi.

“E ndiej për obligim t’i përgjigjem opinionit publik lidhur me përgjimet e publikuara në mediet e shkruara dhe elektronike, por edhe në rrjetet e shumta sociale, ku i apostrofuar dhe i sulmuar verbalisht, me një fjalor tejet primitiv jam edhe unë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Në gjithë veprimtarinë time politike publike kam qenë transparent, i vendosur, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh çka mendojnë rivalët apo kundërshtarët e mi politikë, qofshin ata edhe brendapërbrenda partisë sime – PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, kanë skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.

“Nëse janë të falsifikuara akterët e apostrofuar në këto biseda mund të ngrisin padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustracione të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike. Unë nuk merrem as me njerëzit që falsifikojnë gjëra, as me bisedat private të personaliteteve publike, qoftë edhe në rastet kur dikush ua bën publike jetën private, nëse mund të jetë brenda kornizave të privacisë ajo që u dëgjua”, ka thënë më tej kryekuvendari Krasniqi.

Funksioni im politik, siç thekson Krasniqi, ka për qëllim realizimin e të gjitha aspiratave tona politike, ekonomike, shoqërore për ç’gjë kam marrë besimin nga qytetarët e Kosovës.

“Gjatë jetës sime politike 39-vjeçare jam përpjekur të respektoj bashkëveprimtarët e bashkëmendimtarët e mi, kam respektuar njerëzit me të cilët kemi pasur mendime e qëllime të njëjta, por në të njëjtën kohë respektoj të gjitha mendimet ndryshe nga të miat, sepse jam i vetëdijshëm se fryma e debatit dhe e tolerancës (pa ofendime ndaj mendimtarëve që nuk mendojnë si unë), krijon një atmosferë të shëndetshme për demokracinë në Kosovë dhe jep shembull të mirë të edukimit politik, intelektual, atdhetar e demokratik për gjeneratat e reja”, ka theksuar Krasniqi.

“Së këndejmi, rolin tim në jetën private përpiqem ta realizoj ndershmërisht, në përputhje me obligimet e mia si bashkëshort, baba, vëlla, shok e mik”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.(Express/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 14:44

Prishtinë – Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ka thënë sot se avokatët mbrojtës të një rasti mund të kenë shpërndarë audio-incizimet e bisedave ndërmjet zyrtarëve të lartë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi, që më pastaj janë postuar në YouTube.

EULEX-i ka thënë se audio regjistrimet janë pjesë e një hetimi që është duke u zhvilluar dhe se ato u janë dorëzuar avokatëve mbrojtës dhe gjykatësve në Prishtinë, duke mos përmendur se për cilin rast dhe për cilin person që është nën hetim bëhet fjalë, raporton agjencia AP.

Një burim ndërkombëtar i sigurisë, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se përgjimi “është pjesë e hetimit për korrupsion në Ministrinë e Transportit”.

Në një aferë të tillë është akuzuar ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj.

Në YouTube janë publikuar disa biseda telefonike, që thuhet se janë përgjime të kryeministrit Thaçi dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së. Në to është vënë në thumb kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

EULEX-i ka konfirmuar se bisedat e incizuara nuk janë të montuara.

Sami Lushtaku: S’kërkoj falje

Jakup Krasniqi i ka porositur bashkë-partiakët që t’i kërkojnë falje për fyerjet që ia kanë bërë atij në bisedat telefonike të cilat dolën në internet. Pasi ta bëjnë këtë, atëherë thotë Kryeparlamentari do të deklarohet për këtë skandal. Por, njeriu që dëgjohet duke e sharë më së shumti Krasniqin në këtë audio-incizime, Sami Lushtaku, pohon se nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje.

Nuk e ka ndërmend të flasë për sharjet që iu bënë. Madje as që do të prononcohet rreth asnjë fjale të vetme që u tha për të, derisa ata që e përgojuan nuk i kërkojnë falje publike. Është ky komenti i vetëm i Jakup Krasniqit, protagonistit të bisedave telefonike të përgjuara nga misioni i EULEX.

Vetëm një ditë pas publikimit të këtyre bisedave telefonike në mes të anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat gjatë gjithë ditës së enjte qarkulluan nëpër internet, foli kryeparlamentari Jakup Kransiqi. Nuk tha shumë, por kërkoi vetëm dy gjëra prej kolegëve që e shanë. Krasniqi po pret kërkimfalje dhe mendimet që të tjerët kanë për të t’ia thonë publikisht.

“Mendoj që është koha që aktorët, të cilët dëgjohen duke biseduar ose duke raportuar edhe jashtë jetës institucionale, t’i thonë mendimet e veta. Të paktën, ndoshta është krejt njerëzore që të bëhet një kërkimfalje publike pasi që publiku është shqetësuar. Unë pastaj do ta jap edhe mendimin tim”, ka thënë kryepartlamentari Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Pavarësisht atyre çfarë thanë bashkëpartiakët e tij për të, Krasniqi pohon se e ndien veten shumë mirë, pasi vlerëson se nuk është ofenduar personalisht, por i është ofenduar pozita që ai mban.

“Unë ndjej veten shumë mirë për ata”, ka sqaruar Krasniqi. “Unë mundem me thënë që Jakup Krasniqi nuk është ofenduar, nëse është ofenduar është ofenduar kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kjo nuk është çështje e imja, është çështje e opinionit dhe çështja e akterëve dhe tani për tani po them nuk kam ndonjë përgjigje tjetër”, ka deklaruar ai.

E ai që përgjatë bisedës telefonike ishte më fyes sesa protagonistët e tjerë, thotë se nuk e ka në plan t’ja plotësojë dëshirën Kryepartlamentarit Krasniqi. Në një deklaratë për Express Sami Lushtaku, kryetari i Komunës së Skenderajt thotë se aktualisht nuk e ka ndërmend askujt t’i kërkojë falje për asgjë. “Nuk e kam ne plan t’i kërkoj falje askujt. Vlerësoj se nuk ka për çfarë të kërkoj falje. Do ta lëmë këtë far pune të pushojë pak në publik, e pastaj do të shohim se çfarë do të bëhet më tutje”, ka thënë Lushtaku të premten për Express. Gazeta është munduar që gjatë gjithë ditës ta kontaktojë edhe Adem Grabovcin, por diçka e tillë ishte e pamundur.

Por nuk është vetëm protagonisti kryesor i bisedave në mes anëtarëve të partisë së tij, që ka reaguar të premten. Pas publikimit të bisedave telefonike mes tyre, ka reaguar edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Tha se përgjimet, të cilat janë bërë, tregojnë se në Kosovë për fat të keq çdo njeri mund të përgjohet. Ai tha se për këtë duhet të japin përgjigje EULEX-i dhe Qeveria. “Çdo njeri mund të përgjohet, edhe kur s’e ke privatësinë edhe s’i ke kushtet që ta ruash pozitën zyrtare. Është mirë që edhe EULEX-i edhe Qeveria të japin përgjigje për këtë. Për neve është mjaft shqetësuese, shqetësues është fakti i gjuhës që përdoret dhe shqetësues është fakti i përgjimit. Ne si LDK kemi dhënë për një kohë të gjatë vërejtjet tona se ne po zhvillojmë një shtet policor në Kosovë”, theksoi Mustafa.

Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë një konference të organizuar për përgjimet e së enjtes, VV e ka quajtur Qeverinë e Kosovës mafioze pas publikimit të përgjimeve telefonike që u janë bërë udhëheqësve të shtetit. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, tha se nuk është e rëndësishme se kush i ka bërë publike përgjimet, por e rëndësishme është që qytetarët ta kuptojnë se Kosova ka rënë në duar të mafiozëve. “SHIK-u ende vepron dhe ju kemi thënë disa herë se SHIK-u nuk është shuar. Këtë e dëshmon më së miri fakti se Adem Grabovci i raporton Kadri Veselit për vizitën në Bruksel”. Ahmeti tha se EULEX-i duke i ditur të gjitha këto, ende nuk ka ndërmarrë asgjë, ndërsa njerëzit e qeverisë i cilësoi si të shantazhuar.

Krejt këto reagime vinë vetëm një ditë pas publikimit të përgjimeve të zyrtarëve të PDK-së, të cilat tanimë kanë pushtuar mediat vendore dhe ndërkombëtare, ku kryeparlajmentari në disa raste fyhet rëndë nga zyrtarët e PDK-së. Disa “përgjime” të telefonatave të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, Sami Lushtakut dhe Vlora Citakut, kanë qarkulluar nëpër internet të enjten. Në këto biseda që nuk dihet se nga kush janë bërë apo nga kush janë bërë publike, Thaçi gjatë bisedës, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi e quan “Jakupovski”, derisa heziton të shkojë në Malishevë për të mbajtur një fjalim në 12-vjetorin e PDK-së.

Në një bisedë tjetër dëgjohet duke folur Vlora Çitaku me Adem Grabovcin. Ajo thotë se sa të jetë Jakup Krasniqi do të jetë problem, ndërsa Grabovci i kërkon t’i punësojë dikë si praktikant në Ministrinë e saj. Më “atraktivi” duket Sami Lushtaku, i cili të sharat nuk i heq nga goja. Ai e ofendon rëndë Jakup Krasniqin, e pyet Grabovcin se pse nuk po e shkarkon partia. Ndërkohë, Grabovci i raporton për çdo detaj Kadri Veselit.

Menjëherë pas bërjes publike të përgjimeve, ka reaguar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila e ka dënuar këtë akt, duke e quajtur falsifikim dhe të paligjshëm si dhe ka kërkuar ndriçimin me urgjencë të këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër publikimin e përgjimeve të falsifikuara dhe joligjore të bisedave telefonike, të cilat gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucionalë.

Qeveria kërkon me urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka konfirmuar se përgjimet telefonike të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtareve tjerë të lartë të PDK-së, nuk janë të montuara. Misioni i EULEX-it ka thënë se këto biseda telefonike të publikuara në internet, kanë të bëjnë me një proces gjyqësor që ende është duke vazhduar. “Siç kërkohet proceduralisht, materiali në lidhje me këto procedime ishte dorëzuar nga Prokuroria e EULEX-it tek ekipi mbrojtjes dhe në gjykatë”.

ASHMDHP, e shqetësuar nga publikimi i përgjimeve

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shprehu sot shqetësimin e saj me rastin e publikimit të kundërligjshëm të audio incizimeve të disa zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, përfshirë këtu edhe kryeministrin. Me rastin e publikimit të përgjimeve të tilla, kjo agjenci ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e këtij rasti, i cili atakon direkt privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të zyrtarëve të cilët janë objekt i këtij përgjimi, thuhet në një njoftim për opinion të kësaj agjencie.(LajmeShqip.com)

12