Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 12:44

Ndeshja e dytë miqësore e Kosovës në arenën ndërkombëtare do të kushtojë më shumë për xhepat e tifozëve. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), pritet të nxjerrë në shitje biletat për takimin me Turqinë për takimin e 21 Majit që do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Sipas informacioneve, biletat për këtë ndeshje do të dalin në treg 2 deri në 3 ditë përpara sfidës dhe e veçanta është se do kushtojnë më shumë se biletat e ndeshjes së parë kundër Haitit.

Çmimi maksimal i një bilete në miqësoren Kosovë-Turqi do të shkojë deri në 20 euro, ndërsa shuma zbret sipas sektorëve të stadiumit “Adem Jashari”.

Ndërkohë, në shitje kanë dalë biletat e takimit miqësor Kosovë-Senegal që do të luhet në 25 maj në stadiumin e Gjenevës.

Kundër kombëtares afrikane, kombëtarja e drejtuar nga Albert Bunjaku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë jashtë kufijve të vendit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 11:44

Federata e Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, janë duke bërë të gjitha përgatitjet për dy takimet e ardhshme miqësore ndërkombëtare, me përfaqësuesen e Turqisë dhe Senegalit, që priten të zhvillohen në javën e katërt të muajit maj. 

 
Me 21 maj, përfaqësuesja e Kosovës do të jetë nikoqire për përfaqësuesen e Turqisë, ndërkohë që takimi me përfaqësuesen e Senegalit, me 25 maj, pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.
 
Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Turqinë dhe për krijimin e mundësive që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën, me 1 prill, kanë zhvilluar takim të përbashkët me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
 
Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takim janë shqyrtuar mundësitë e rregullimit të stadiumit të  Prishtinës dhe mundësitë që ai të bëhet gati deri më 21 maj.
 
“I ka hije çdo shteti që të luajë ndeshjet në kryeqytet dhe dihet se çfarë efekti do të ketë edhe për kryeqytetin. Plus, infrastruktura përcjellëse, parkingjet dhe të tjerat janë të favorshme. Mund të them lirisht se pjesa më e ndritshme ishte ajo që takimi ka qenë i hapur”.
 
“Ministri Memli Krasniqi, dërgoi këshilltarin e tij Shasivar Haxhijaj, i cili tha menjëherë ‘ja, i keni 500 mijë euro, në tavolinë. Urdhëroni, bëjeni projektin dhe ne jemi të gatshëm të investojmë në stadiumin e Prishtinës’. Ndërsa, kryetari Shpend Ahmeti tha se ‘sigurisht që edhe komuna do marrë pjesë, varësisht nga nevojat që do të jenë’ për një intervenim të shpejtë”, thotë Salihu.
 
Salihu shton se, megjithatë, në rast se nuk arrihet që stadiumi i qytetit të Prishtinës të jetë gati deri me 21 maj, atëherë ndeshja me përfaqësuesen e Turqisë do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, aty ku edhe u zhvillua, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, takimi i parë ndërkombëtar miqësor, me përfaqësuesen e Haitit, me 5 mars.
 
Në anën tjetër, ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll,Muharrem Sahiti, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se përfaqësuesja e Kosovës, është duke i bërë përgatitjet për dy ndeshjet e paralajmëruara, me përfaqësuesen e Turqisë dhe atë të Senegalit.
 
Sipas tij, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki po i vëzhgon për së afërmi futbollistët, për të cilët mendohet se mund të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, por që luajnë në ekipet e ndryshme evropiane, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë të drejtë për secilin prej tyre.
 
Sahiti vlerëson se takimet me përfaqësueset e Turqisë dhe Senegalit, përfaqësuesja e Kosovës do t’i ketë më të vështira se sa takimin  që ka zhvilluar me Haitin.
 
“Po shpresoj që do të bëjmë paraqitje të mirë edhe pse tash, nëse bazohemi në kualitetin e Turqisë dhe Senegalit, duhet ta kuptojmë që niveli i tyre është më i lartë se sa i Haitit. Prandaj, në këtë rast, edhe ne duhet ta ngrehim nivelin e përfaqësueses, për të pasur një paraqitje të mirë”.
 
“Sidoqoftë, ne nuk brengosemi shumë për rezultatin e ndeshjeve se sa brengosemi për atë vazhdimësinë e ndeshjeve që do ta kemi në të ardhmen. Do të thotë, këto ndeshje miqësore do të na shërbejnë për më vonë, që të kemi një pasqyrë shumë më reale se në cilët lojtarë duhet të bazohet Kosova në të ardhmen”, thekson Sahiti.
 
Pas takimit me Haitin, drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës, janë ballafaquar me kritika, qoftë nga njohësit e futbollit qoftë nga dashamirët e futbolli, përmes rrjeteve sociale, pse në përfaqësuesen e Kosovës nuk ka pasur edhe një numër të futbollistëve nga Super-liga e futbollit të Kosovës.  
 
Përveç një futbollisti të kësaj lige, në përfaqësuesen e Kosovës ishin përfshirë futbollistë me prejardhje nga Kosova, që luajnë në ligat e ndryshme evropiane.
 
Ndihmës trajneri Sahiti thekson se në përfaqësuesen e Kosovës janë dyert e hapura, por, sipas tij, të gjithë duhet ta meritojnë me punën e tyre.
 
“Varet , pikërisht, nga puna dhe forma e secilit futbollist. Pse t’ mos kemi edhe futbollist nga Kosova (që luajnë në Kosovë)? Por, duhet ta kuptojnë të gjithë që përfaqësuesja do nivel tjetër nga kampionati i Kosovës. Sidoqoftë, unë po them se secilit ka për t’i ardhur mundësia që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës”.
 
“Por, t’i plotësojë, fillimisht, ato kritere që janë për përfaqësuesen e Kosovës e sidomos aspektin fizik, që është kriteri numër një, ngase tashmë e dimë se çfarë niveli i kemi edhe përfaqësuesen e Turqisë, por edhe atë të Senegalit”, thotë Sahiti.
 
Ndryshe, Eroll Salihu ka theksuar se javën e ardhshme, përfundimisht do të caktohet stadiumi se ku do të zhvillohet ndeshja me Turqinë.
 
Ndërkaq, sipas tij, qysh tash, Federata e Futbollit të Kosovës është duke shqyrtuar afatet e FIFA-s, për të siguruar edhe takime të tjera miqësore gjatë këtij viti.
 
Siç ka theksuar ai, ekzistojnë mundësitë reale që në muajt shtator, tetor dhe nëntor, përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë edhe tri ndeshje të tjera miqësore ndërkombëtare./Radio Evropa e Lire/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 18:02

Kombëtarja e Kosovës edhe zyrtarisht do të zhvillojë ndeshjen miqësore me Haitin.

Gazeta “Koha Ditore” sot ka bërë të ditur se përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë miqësoren e parë ndërkombëtare me përfaqësuesen e Haitin dhe këto u konfirmuan edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës në konferencën për medie që është mbajtur nga ora 16:00. 
FFK-ja edhe zyrtarisht ka njoftuar se reprezentacioni do të përballet me Haitin për herë të parë. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 4 mars në Kosovë.