Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 11:18

Prishtine – Pensionistët e Kosovës do të shqyrtojnë të gjitha rrugët e mundshme për të fituar të drejtën e tyre për kompensim për pensionet e tyre, të cilat janë ndaluar nga shteti i Serbisë që nga qershori i vitit 1999.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, të cilët siç thonë, janë duke u përgatitur që të ankohen në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Nisma e sindikalistëve pensionistë ka pasuar pas vendimit të Gjykatës në Strasburg që Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë t’ua kompensojë pensionet 3 individëve që ishin ankuar në këtë gjykatë.
 
Nexhat Ibrahimi, nga Sindikata e Pensionistëve të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo sindikatë ka vendosur që t’i deponojë ankesat në Gjykatën e Strasburgut.

“Disa pensionistë që janë ankuar privatisht i kanë fituar pensionet. Kemi informata nga disa avokat që na prezantojnë neve edhe në Gjyqin e Strasburgut, prandaj ne po mbledhim shënime sa të mundmi. Mirëpo, ndërkohë, do të mbahet një mbledhje e Kuvendit të Kosovës, me 28 shkurt, lidhur me këtë çështje dhe ne do ta shqyrtojmë, pasi të mbahet ky kuvend, se çka të bëjmë më tutje”, tha Ibrahimi.

Por, lidhur me këtë çështje, përplasje mendimesh janë duke u zhvilluar ndërmjet Sindikatës së Pensionistëve dhe Shoqatës e Pensionistëve të Kosovës.

Këta të fundit mendojnë ndryshe nga sindikalistët.

Kryetari i kësaj shoqate, Shaban Kajtazi, tha për Radiopn Evropa e Lirë se pensionistët të cilët kanë përfituar kompensimin e pensioneve të tyre nga Serbia, nuk janë shtetas të Kosovës.

“Mirëpo, ata tre pensionist që thonë se janë të Kosovës, ata kanë qenë të Kosovës, por janë shpërngulur në Novi Pazar (Serbi). Janë dy boshnjak dhe Shaban Kelmendi, i cili shkon herë në Kosovë e herë nuk e di se ku… Ajo nuk është bazë, ngase pensionistëve të Kosovës, asnjë individi, ende Gjykata e Strasburgut nuk ua ka pranuar atë të drejtë, sepse duhet të shteren të gjitha mjetet juridike në gjykatat e vendit, për të arritur të drejtën për të shkuar në gjykatën ndërkombëtare”, u shpreh Kajtazi.

Në anën tjetër, nën presionin e Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë më 12 shkurt e kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”.

Më pas, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë ka nxjerrë një dokument, përmes të cilit njoftohen pensionistët e Kosovës për mundësinë e kompensimit të tyre dhe mënyrën e aplikimit.

Por, Kajtazi vlerëson se ky veprim është vetëm një lojë taktike nga ana e Serbisë, për shkak se  dokumenti, të cilin e ofron Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë është i papranueshëm për pensionistët e Kosovës.

“Ai është një dokumentacion i papranueshëm për pensionistët e Kosovës, ngase dokumentacioni, sipas tij, dikton që të gjithë pensionistët e Kosovës, në një mënyrë, ta pranojnë shtetin e Serbisë dhe të dorëzojnë dokumentacion nga shteti i Serbisë. Pensionistët e Kosovës në asnjë mënyrë atë se pranojnë”, theksoi ai.

Kohë më parë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pati deklaruar se çështja e kompensimit të pensionistëve të Kosovës duhet të shqyrtohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po mbahet në Bruksel.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dokumenti apo njoftimi të cilin e ka lëshuar Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë, mbanë në vete kushte, apo siç e quan ai hilen, deri në atë mase sa ai të jetë i parealizueshëm nga pensionistët e Kosovës.

“Ata kërkojnë nga administrata e UNIMKU-t që t’ua siguroj vërtetimet për çdo individ se nuk kanë pranuar pensione deri më tash nga sistemi i pensionisteve. Për diçka të tillë, UNMIK-u nuk ka potencial. Në anën tjetër, kompetencat në nivel vendor për sistemin e pensioneve e ka Ministria e Punës. Do të thotë, kjo mund të nënkuptohet sikur të kërkosh diçka nga dikush, për të cilin e dini se nuk e ka. Ndërkaq, nga ai që realisht e ka, ata nuk e kërkojnë”, tha ministri Rashiq.

Sipas tij, është një numër krejtësisht i vogël i pensionistëve të Kosovës të cilët do të mund ta vërtetojnë gjendjen që e kërkon  të sqarohet dokumenti që ka lëshuar Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve thonë se janë në kontakt me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe çështjen e kompensimit të pensioneve nga shteti Serb dëshirojnë t zgjidhin në nivelin e marrëveshjes ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Këtë e sheh si të vetmen mundësi edhe ministri Rashiq.

“Mënyra e vetme është që të bëhet një marrëveshje, para së gjithash, politike, që problemi i pensionistëve të jetë një nga pikat e rendit të ditës në dialogun politik dhe teknik që po zhvillohet në Bruksel dhe që Ministria e Punës ta ketë një ekip teknik që do të emërohej për këtë çështje”, theksoi ministri Rashiq.

Sidoqoftë, sindikalistët e pensionistëve nuk e përjashtojnë mundësinë që zgjidhja e çështjes së kompensimit të pensioneve të tyre të shqyrtohet në dialogun Kosovë –Serbi, por, ata megjithatë, insistojnë që kjo çështje të dërgohet edhe në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 17:06

BEOGRAD– Gjykata e Strasburgut e detyron Serbinë të fillojë t’i zgjidhë probleme të mëdha ende të pazgjidhura, ka thënë përfaqësuesi juridik i Serbisë para kësaj gjykate, Slavolub Caric.

Siç shkruan gazeta “Veçenje novosti”, një grup i problemeve ka të bëjë me pensionet e Kosovës, të cilat Serbia duhet t’i paguajë pas aktvendimit të plotfuqishëm në rastin Grudic (çift bashkëshortor nga Kosova me vendbanim në Novi Pazar, i cili kohë më parë ka fituar kontestin kundër shtetit të Serbisë).

Fjala është për borxhet ndaj pensionistëve të kombësisë shqiptare, por edhe serbe dhe boshnjake të cilat lindën pas vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë.

Ministria serbe e Punës dhe e Politikës Sociale ishte justifikuar se nuk kishte të dhëna mbi dokumentacionin e pensionistëve dhe se nuk kishte pagesa nga Kosova në Fondin e Sigurimit Pensional të Serbisë. Por, Gjykata evropiane ka arritur në përfundimin se pensionistët nuk janë fajtorë për këtë dhe se u është mohuar e drejta për pronën.

Sipas gazetës, kjo çështje me siguri do të zgjidhet në kuadër të bisedimeve Beograd- Prishtinë.

Problemi tjetër ka të bëjë me kursimet e vjetra që prek edhe shumë kursimtarë të Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 09:13

Prishtinë – Pensionistët kosovarë kanë vendosur të mos presin më institucionet e vendit që të zgjidhin çështjen e kthimit të pensioneve të grabitura nga Serbia. Ata po presin vetëm miratimin e Ligjit për pensionet në Kosovë dhe më pastaj të nisin lëndën për në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Zyrtarë, përgjegjës të institucioneve të vendit nuk presin që kjo situatë të gjejë një zgjidhje të drejtë.

Kthimi i pensioneve që Serbia i grabiti kur u tërhoq nga Kosova vazhdon të mbetet sfidë e pazgjidhur. E vetmja mënyrë për t’i marrë ato ka mbetur udhëtimi në mënyrë individuale i pensionistëve për në shtetin fqinj.

Megjithëse një gjë e tillë edhe sot vazhdon të funksionojë, një zgjidhje e kësaj situate përmes rrugëve institucionale duket të jetë shumë pak e realizueshme. Pensionistët kanë nisur punën për përgatitjen e kërkesës, të cilën synojnë t’ia dërgojnë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Kryetari i Partisë së Pensionistëve, Sahit Dragaj thotë se një plan të tillë e ka përforcuar vendimi pozitiv i dhënë nga gjykata për një çift boshnjak rreth së drejtës së marrjes së pensionit të grabitur nga Serbia.

Mirëpo, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq shuan shpresat e pensionistëve për një zgjidhje në mënyrë institucionale. Çështja e pensioneve ka qenë në agjendë të bisedimeve teknike të zhvilluara mes Kosovës e Serbisë, mirëpo asnjëherë nuk është vënë në tavolinë. Megjithëse nuk ka një shifër të saktë të parave që ka pasur fondi i pensioneve, llogaritet se ka mundur t’i kalojë miliona euro.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 14:00

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje thotë se pensionet janë një e drejtë, ndërsa beson në një sistem pensional të qëndrueshëm, solidar, të integruar dhe të barabartë që garanton pensione të mjaftueshme për brezat e ardhshëm, por në të njëjtën kohë përkujdeset për pensionistët ekzistues, është i domosdoshëm për Kosovën.

Gjatë një konference për media, Vetëvendosje konstatoi se duke bërë një tranzicion të padrejtë nga sistemi i gjeneratave në atë të vetëfinancimit, Kosova ka lënë anash një gjeneratë të tërë të pensionistëve ekzistues kontributdhënës.

“Për më shumë, sistemi aktual pensional është i fragmentuar dhe trajton ndarazi grupe të ndryshme të shoqërisë sa i përket pensioneve gjë që nuk mund të shihet në asnjë vend tjetër”, thanë zyrtarë të këtij subjekti politik, duke shtuar se reformimi i sistemit pensional në Kosovë është një nga prioritetet e Vetëvendosjes, që ka për qëllim krijimin e një sistemi të mirëfilltë të integruar tri shtyllësh me anë të një Ligji për Sigurime Pensionale.

“Zhvillimi dhe avancimi i sistemi pensional me një sërë masash që do krijonin një sistem pensional solidar, efikas, përfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomikisht dhe në kohë është domosdoshmëri e cila nuk pret më”, thanë më tej zyrtarë të Vetëvendosjes.

Reformimi i sistemit pensional i propozuar nga Vetëvendosja përfshin 7 hapa konkretë që do duhej të trajtoheshin me Ligjin për Sigurime Pensional dhe Invalidore: caktimin e kontributit shtesë në tregun e punës nga 5%+5% në 8%+8% ku diferenca prej 3% + 3% (ose 80 mln euro në baza vjetore) do transferohej në shtyllën e parë për të financuar pensionistët ekzistues.

Sipas Vetëvendosjes, në këtë mënyrë do ulej barra buxhetore drejt zeros në një periudhë prej 5 deri 8 vjetësh varësisht prej hovit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se ky kontribut shtesë do aftësonte qeverinë që të paguaj pensione që arrijnë 60% të pagës mesatare. Mes tjerash Vetëvendosje kërkon pastrimin e Listës së Pensionistëve. Ato duhet të përfshijnë vetëm ata individë që duhet të marrin pensione nga shtylla bazë pensionale e Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 10:25

Prishtinë (PLOTESUAR 14:00)- Qindra pensionistë kanë protestuar sot para dyerve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të vazhduar pastaj deri te dyert e Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë kërkuar ngritje të pensionit  si dhe aprovim të ligjit mbi sigurimin pensional dhe invalidor në bazë të punës dhe kontributeve të paguara nga puna. Ndërsa për këtë gjendje pensionistët kanë fajësuar Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar situatën sociale të tyre. Para protestuesve pensionistë ka folur edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri i cili ka përkrahur protestën e pensionistëve , duke thënë se Qeveria e Kosovës me këtë pension po i jap lëmosh pensionistëve.

Pensionistët kanë protestuar sot edhe në të gjitha qendrat komunalet Kosovës. (LajmeShqip.com)

*******************************************

Prishtinë – Pensionistët e Kosovës më nuk do të rrinë duarkryq. Nga e premtja (sot) do të fillojnë protestat për të kërkuar të drejtat e tyre. Në orën 11:oo pensionistët në të gjitha qytetet do të mblidhen për të filluar protestat e tyre, siç thonë ata, të shtyrë si pasojë e pakënaqësisë dhe gjendjes së mjerueshme me të cilën përballen pensionistët e Kosovës.

“Pensionistët tash e 12 vjet janë duke pritur për të fituar të drejtat e veta legjitime. Kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Prandaj ne do të dalim në protestë të qetë”, tha Fahri Buçinca, përfaqësues i koalicionit dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës. Ai tha se protesta vjen pas padëgjueshmërisë së pensionistëve nëpër degë, të cilët kanë kërkuar protesta për të realizuar të drejtat e tyre, të cilat deri më tani janë shkelur.

“Ne e dimë se organet gjegjëse neve pensionistëve na anashkaluan. Praktikisht edhe na nënçmuan. Na përbuzën, u degraduam dhe në fund edhe u diskriminuam. Qe 12 vjet po kalojnë, e ne ende jemi duke kërkuar që të kemi ligjin tonë, ligjin e pensionistëve, invalidëve dhe familjarëve të Kosovës. E ajo brengë ekziston te të gjithë pensionistët e Kosovës”, theksoi Buçinca.

Në konferencën për media ai tha se nuk po kërkojnë që t’i kenë pensionet më të mëdhatë në rajon. “Kërkesat e tyre mbesin që pensionet në vend të jenë 60 për qind e një page mesatare në Kosovë, e që do të silleshin nga 120 euro pensioni më i ulët, deri në 250 euro pensioni më i lartë. Prapë kjo shumë do të ishte më e vogla në rajon”, tha Buçinca.

Së bashku me pensionistët në protestë do të jenë edhe invalidët, minatorët dhe Partia e Pensionistëve. “Me një fjalë, të gjithë kanë filluar të jenë të padurueshëm dhe kanë filluar të vetorganizohen dhe jashtë nesh, për të kërkuar të drejtat e tyre”, tha ai.

Sahit Dragaj, nga Partia e Pensionistëve të Kosovës, tha se rebelimi i tyre ka ardhur pasi tash 12 vjet marrin një pension që është më i vogli jo vetëm në Evropë, por edhe  në Afrikë. “Pensionistët e Kosovës kanë trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës, por kanë hasur në vesh të shurdhër. Ende nuk ekziston vullneti politik, për zgjidhjen e çështjes së pensionistëve të Kosovës”, tha ai.

Përfaqësuesi i pensionistëve dhe invalidëve minatorë të Kosovës, Naser Avdiu, tha se protesta e cila do të mbahet nesër është vetëm një paralajmërim për qeveritarët dhe institucionet e Kosovës. “Kjo protestë është paralajmërim për institucionet tona. Por nëse institucionet tona nuk marrin kurrfarë masash, nuk i marrin për bazë kërkesat tona, ne në të ardhmen do të ulemi si koalicion përsëri dhe do të mbahen protesta të përgjithshme, prej të gjitha komunave do të thirren dhe do të mbahen në Prishtinë. E atëherë nuk dihet nëse do të jenë radikale apo paqësore, atëherë do të shikojmë”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 12:06

Prishtinë -. Ky është slogani përmes të cilit aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” ftojnë qytetarët e Kosovës që më 22 qershor të dalin për të protestuar në Prishtinë.

Sipas Albin Kurtit, arsyet e thirrjes së kësaj proteste paqësore janë vjedhjet që po i bëhen Kosovës nga qeveria e tanishme, që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Pas vjedhjes së votave, po vidhet buxheti, pasuria dhe territori i Kosovës. Buxheti po vidhet me korrupsion në tender, ndërsa territori me negociatat me Serbinë. Qytetarët duhet të tregojnë se heshtja e tyre nuk mund të blihet”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka theksuar se me aktakuzat e reja ndaj zyrtarëve të lartë publikë e shtetërorë po i ngushtohet rrethi kryeministrit Thaçi, i cili sipas tij po ngutet që të shesë ndërmarrjet publike, si PTK-në, KEK-un dhe të likuidojë gjigantin industrial, Trepçën.

Po ashtu, drejtuesit e forcës së tretë politike në Kosovë, shprehen se qëllimi i protestës paqësore është që të gjitha shtresat e shoqërisë, duke filluar nga bujqit e deri te pensionistët, ta thonë fjalën e tyre kundër kësaj të keqeje.