Lajme Shqip Tuesday, 17 July 2012 16:31

Tiranë – “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që të nxisim më shumë transparencën dhe llogaridhënien për interesin publik”, tha sot, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me një grup gazetarësh dhe përfaqësuesish të medias shqiptare.

Në një prononcim për mediat pasi u njoh me shqetësimet e përfaqësuesve të medias, ambasadori Arvizu vlerësoi rolin kritik që media shqiptare luan për të promovuar një transparencë më të madhe dhe më shumë llogaridhënie.

“Ne folëm edhe për legjislacionin për imunitetet, referendumin për mbetjet e ngurta, por emëruesi dhe tema e përbashkët ishte interesi publik dhe roli kritik që media shqiptare luan për të promovuar një transparencë më të madhe dhe më shumë llogaridhënie. Unë jam zotuar që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, që të mbështesim përpjekjet e tyre si gazetarë, që të nxisim më shumë transparencën dhe llogaridhënien për interesin publik”, tha Arvizu. (LajmeShqip.Com) 

 
Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 08:15

Tiranë (PLOTESUAR 12:45) – Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike, Ekolëvizja dhe Qendra Shqiptare e Trashëgimisë protestoi sot paradite kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për prerjen e disa pemëve shumëvjeçare në Kodrat e Liqenit, me qëllim zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Protesta me sloganin “Kush po e ha parkun e liqenit”, u zhvillua në hyrje të Parkut, pranë Fakultetit Filologjik dhe u mbështet nga shumë qytetarë e studentë. Në një moment protesta u përshkallëzua në në konfrontim fizik. Grupimet e shoqërisë civile dhe deputetë të PS-së tentuan të bllokojnë punën për zgjerimin e rrugës se Elbasanit duke debatuar ashpër me punëtoret e firmës.

Organizatorët e tubimit u shprehën se shteti po bën punime te paligjshme si dhe po shkatërron mushkërinë e kryeqytetit. Ata kërkuan që të ndërpriten menjëherë punimet si dhe të bëhet publik projekti i miratuar, i cili duhet te përmbajë jo vetëm lejen mjedisore por edhe lejen nga instituti i monumenteve, pasi punimet do te prekin edhe murin rrethues te Pallatit te Brigadave.

Në emër të Forumit të Trashëgimnisë Artan Lame kërkoi ndërprerjen e aksionit dhe paraqitjen e projektit të miratuar nga bashkia. “Kërkojmë të paraqitet projekti i miratuar nga bashkia. Kërkojmë ndërprejen e aksionit e paligjshme. Xhemal Mato kërkoi dhënien e “statusit të mbrojtjes”.

Analisti i njohur Fatos Lubonja shkoi më tej : “Jetojmë në një qytet të pabanueshëm. Po humbasim mundësinë për të reaguar. Jemi në fazën e degjenerimit total”.  Nga ana e saj Kozara Kati shtoi: “Kemi votuar për pushtet për një garantim të jetës dhe sigurisë”.

Studentët konfrontohen me fadromistët

Gjatë protestës ndodhi dhe një konfrontim fizik mes një grupi të rinjsh dhe fadromistëve që po punonin për hapjen e rrugës. Mes studentëve dhe fadromistëve ka pasur dhe konfrontime të lehta fizike, ndërsa raportohet se është dashur dhe ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. (Sh.C)

******************************************

Tiranë – Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike, Ekolëvizja dhe Qendra Shqiptare e Trashëgimisë do të zhvillojnë rreth orës 10:00 një protestë kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për prerjen e disa pemëve shumëvjeçare në Kodrat e Liqenit, me qëllim zgjerimin e Rrugës së Elbasanit. Protesta do të zhvillohet në hyrje të Parkut, pranë Fakultetit Filologjik dhe janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij shqetësimi.

Prej rreth dhjetë ditësh në një pjesë të Parkut të Tiranës po ndërhyhet me prerjen tërësore të pemëve shumëvjeçare (pisha, rrepe, eukalipte, etj, 30-70 vjeçare). Ky proces ka përfshirë gjithë zonën e Parkut përgjatë rrugës së Elbasanit, që prej Fakultetit të Ekonomisë e deri në Sauk. Si fillim janë prerë tërësisht pemët në një sipërfaqe prej rreth 5000 m2 në zonën e hyrjes së Parkut; përgjatë rrugës së Elbasanit në një brez gjerësi 10-30 m dhe; brenda rrethimit te Varrezave të Dëshmorëve gjithashtu në një brez me gjerësi rreth 10-15 m.

Të gjitha këto zona bëjnë pjesë brenda kufijve të Parkut të Tiranës, kufij dhe destinacion i shpallur me vendim të KRRTRSH-së dhe si të tillë nuk mund të ndryshohet pa një vendim tjetër të po këtij organizmi epror, pohojnë organizatorët e protestës. Gjithashtu, nga piketimet paraprake shihet se projekti parashikon shkatërrimin e rrethimit të Kopshtit të Pallatit të Brigadave dhe prerjen e pemëve në një brez 10-15 m brenda tij. Natyrisht që shkatërrimi i rrethimit përfshin gjithë murin origjinal me harqe, kullat prej guri në fillim dhe në fund, portën monumentale të Pallatit, vend-rojet ceremoniale, etj, të gjitha pjesë e Parkut të Pallatit, i cili me VKM është shpallur vite më parë “Monument Kulture”.

Sipas organizatorëve të protestës, i gjithë ky shkatërrim, bëhet në emër të një projekti fantazmagorik për zgjerimin e rrugës së Elbasanit pasi në terren nuk ka asnjë tabelë që të sqarojë publikun për gjithë çka po ndodh (gjë që përbën detyrim ligjor).

Gjithashtu, nuk dihet se kush e ka hartuar këtë projekt; kush e ka miratuar dhe në çfarë instance; a është bërë dhe kush e ka bërë raportin e ndikimit të mjedis; kush e ka ndryshuar destinacionin e pjesës së Parkut që po tjetërsohet e për rrjedhojë shkatërrohet; a është kërkuar prononcimi i IMK-së për shkatërrimin e një monumenti kulture siç është parku i Pallatit të Brigadave; etj.

Bashkia e Tiranës mundohet të ofrojë informacionin minimal, duke deklaruar herë për një projekt me 4 korsi e herë me 6 korsi. Në fakt, përfundimi i autostradës Elbasan-Tiranë, e nxjerr jashtë loje këtë investim të sforcuar, duke hedhur kështu hije të rënda dyshimi për arsyet reale të këtij shkatërrimi. (Sh.C)

 
Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 18:07

Tiranë – Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës i kërkojnë prokurorisë të nisë sa më parë hetimin për prerjen e një sasie të madhe pemësh në Parkun Kombëtar, pranë rrugës së Elbasanit.

Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi kanë qenë sot paradite pranë zonës ku ditën e djeshmë janë prerë dhjetra pemë, përballë fakultetit të histori – filiologjisë në kryeqytet. “I kërkojmë kryebashkiakut Basha të bëjë publik vendimin se ku e ka bazuar këtë ndërhyrje të pandodhur më parë. Këshilltarët e opozitës nuk kanë asnjë dijeni apo vendimarrje për goditjen e Parkut Kombëtar. Basha të mos fshihet pas njoftimeve për shtyp, pasi ky është një akt i papranueshëm”, deklaroi Dalipi.

Sipas të majtëve, prokuroria duhet të administrojë menjëherë provat e veprimit të bashkisë. “I kërkojmë prokurrosë të nisë hetimet e mnjëhershme për të bërë transparencën që kërkojnë qytetarët”,deklaroi kreu i këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës.
********
Bashkia e Tiranës reagoi sot ndaj deklaratës së këshilltarëve socialistë të kësaj bashkie, të cilët akuzuan bashkinë për dëmtimin e pemëve të Parkut të Liqenit Artificial për t’i hapur rrugë punimeve për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Në një deklaratë për shtyp Bashkia shpreh keqardhjen që “përpara interesit qytetar PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar”.
Në deklaratë theksohet se “zgjerimi i  rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë  së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Bashkinë e Tiranës ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej 1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës. “Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit”, thuhet në deklaratën e Bashkisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 08:00

Tiranë – Parku Kombëtar pranë Liqenit Artificial ka nisur të urbanizohet . Ambientalistët kanë denoncuar  prerjen e 7000 metër/katror pyll brenda një nate në zonën përballë Fakultetit Filologjik.

“Është një masakër në mes të kryeqytetit të Shqipërisë, është një pabesi e madhe e kryebashkiaktu që është prononcuar fuqimisht për një Tiranë të gjelbërt. Kemi të bëjmë me një mungesë totale përgjegjshmërie për qytetin, tregon se shpejt, kështu si ky vend që shikoni këtu, do të masakrohet i gjithë parku. Ky është precedent shumë i rrezikshëm”, thotë ambientalisti Lavdosh Feruni.

Burime të pakonfirmuara thonë se prerja e pemëve është bërë për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, por ambientalistët e kundërshtojnë këtë.

“Këtu në këtë tokë ka projekte për t’u ndërtuar, projekte 5-12 katëshe. Për mua si ambientalist dhe qytetar, shqetësim është prerja e pyllit”, thotë ambientalisti tjetër, Sazan Guri.

Brenda ambientit të Parkut Kombëtar i është dhënë leje Ambasadës Turke për të ndërtuar rezidencat e saj, ndërkohë që sipas ambientalistëve ka të tjera projekte të pabëra publike që pritet të zhvillohen brenda ambienteve të këtij parku.

“Nuk ka asnjë tabelë. Është me detyrim ligjor të vendoset një tabelë se cfarë do të bëhet këtu. Nuk ka asnjë plan rregullues të miratuar, as nga Këshilli Bashkiak as nga qeveria. Zoti Basha ka ardhur në pushtet duke bërë një thirrje: do shtojmë sipërfaqet e gjelbërta të qytetit, dhe ky është hapi i parë. 7 mijë metra/katërorë që u hoqën brenda një nate në Tiranë, hapi i dytë është se ambasada turke që do të marrë 7 mijë metra të tjera, është kampusi universitar që pritet të ndërtohet pas universitetit, është unaza, e ashtuquajtura unazë e cila qëllimisht u fut brenda parkut. Ne sot mund të themi që Tirana nuk e më Parkun e Liqenit”, thotë arkitekti Artan Shkreli. (LajmeShqip.com)