Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 15:58

Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi është duke tentuar që me çdo kusht ta çojë vendin drejt krijimit të një qeverie teknike. Madje, siç mëson Gazeta Blic nga burimet e saja ndërkombëtare, PDK dhe Hashim Thaçi me disa nga njerëzit e tij, është duke lobuar intensivisht tek diplomatët e huaj, që Kosova ta ketë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse.

“Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me disa nga njerëzit e tij më të besueshëm është duke lobuar intensivisht, vetëm e vetëm që të mos lejoj ardhjen e një kryeministri nga partitë që tashmë kanë arritur marrëveshjen. Në fund të fundit, Thaçi e ka shumë të qartë se e ka shumë të vështirë që të bëhet kryeministër, duke e ditur se asnjë nga partnerët shqiptarë nuk dëshiron të hyjë në koalicion me të, andaj edhe opsioni më i mirë mbetet një qeveri teknike”, ka thënë ky burim ndërkombëtar i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, në secilin takim me ndërkombëtarët, kryeministri në largim po mundohet që ta paraqes veten se ai është i vetmi i cili mund ta kontrollojë situatën, sidomos tani kur pritet të themelohet Gjykata Speciale, dhe kur pritet të ketë edhe arrestime, nën dyshimin për krime lufte.

Sidoqoftë, tani për tani gjithçka është në duart e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila pritet që t’i përgjigjet presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar sqarim në lidhje me atë se kujt i takon mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt.

Derisa koalicioni i partive LDK- AAK- Nisma për Kosovën dje janë takuar për të koordinuar siç kanë thënë ata programet e tyre për qeverisjen e ardhshme të vendit, PDK ndërkohë thotë se po e pret Gjykatën Kushtetuese për të vepruar tutje.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi i ka deklaruar Gazetës Blic se çfarëdo vendimi që do ta merr Gjykata Kushtetuese e vendit, partia e tij do ta respektoj.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, PDK ka dalë partia e parë me 30 për qind, e pasuar nga LDK me 15 për qind, Vetëvendosje me rreth 13 për qind, AAK me 9 për qind dhe Nisma për Kosovën 5 për qind.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, dhe publikimit të rezultateve preliminare, LDK- AAK dhe Nisma për Kosovën me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme, duke e lënë kështu jashtë loje PDK-në e Hashim Thaçit, e cila doli si partia e parë në zgjedhje. 

 
Lajme Shqip Sunday, 15 June 2014 11:17

 

Qindra qytetarë të Rahovecit dhe të gjithë Kosovës i kanë dhënë lamtumirën e fundit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, e biznesmenit Elvis Pista. Në ceremoninë e varrimit të të ndjerit Pista, që u vra me katër plumba në minutat e para të së dielës, kanë marrë pjesë edhe krerë të Partisë Demokratike të Kosovës. Në ceremoni të varrimit ishin të pranishëm edhe dy nënkryetarët e PDK-së, Kadri Veseli e Hajredin Kuqi.

I vetmi që ka folur në ceremoninë e varrimit të Elvis Pistës, ka qenë kreu i Rahovecit, Idriz Vehapi.

“Jemi mbledhur nga dhimbja e madhe që u nda nga ne miku ynë, shoku ynë dhe djali ynë Elvis Pista. Bash në ditën kur Rahoveci feston çlirimin, një dorë makabre u përkujdes t’ia merr jetën Elvisit, në ditët e rinisë, kur prej Elvisit priste Rahoveci, priste Kosova. Ne pritëm që Elvisi të na përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës, por dora vrastare nuk e la dhe na e shkëputi nga gjiri”, ka thënë Vehapi.

Trupi i pajetë i Pistës, është bartur për në banesën e fundit me furgonin për bartjen e kufomave, që vet i kishte bërë donacion një xhamie në Rahovec.

 

Pistën e vranë nga pesë metra largësi me armë të shurdhër, dhe pas shpine

 

Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista.

Vrasja është raportuar edhe nga Policia e Kosovës. Sipas një komunikate nga policia në Rahovec, thuhet se rreth orës 00:45 min në oborrin e restorantit “Haja Petrol” në rrugën transite ka ndodhur një vrasje.

“Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se E. P. nga Rahaveci kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe posa kishte dalë nga objekti se bashku me bashkëshorten dhe të njohur te tjerë me te cilët kishte qëndruar ne restorant është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi”, thuhet në komunikatë.

Sipas gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës.

“Sipas vendit të ngjarjes besohet se i dyshuari kishte zënë prit pas një muri që ishte i mbuluar me një bime dekorative me gjethe të shpeshta dhe nga ajo pozitë e ka qëlluar viktimën me katër plumba. Pas marrjes së plagëve, viktima është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Rahavec për ndihmë, mirëpo mjeku ka mundur vetëm të konstatojë vdekjen”.

Në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit kane qenë te pranishëm: drejtori rajonal, shefi i hetimeve rajonale; krim teknika : Njësiti K-9 (qentë nuhatës) dhe prokurori i shtetit. Po ashtu edhe mjekoligjorët kane qenë te pranishëm me ç’rast e kanë marre trupin e pa jetë për autopsi. Rasti po hetohet nga hetues të krimeve të rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të vrasjes.

Policia rajonale e Prizrenit ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur atentati në Pistën, që kishte fituar votat për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës.

KTV-së i është thënë në vendin e ngjarjes se të shtënat nuk janë dëgjuar, dhe se Pista është qëlluar 4 herë me armë me silenciator. Vrasësit e kanë pritur Pistën në afërsi të një trafoje elektrike afër restoranit ku ai ishte.

Pista ka qenë në Rahovec në një festë familjare, kur është qëlluar katër herë në një parking veturash, të një restoranti në këtë qytet. Ndaj Pistës, mësohet se është shtënë me armë, plagëve të të cilave ai nuk ka mundur t’iu mbijetojë. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë.

Pista ka qenë djali i vetëm i familjes, ka qenë i martuar dhe nuk ka lënë fëmijë.

Ai ka synuar ulëse të deputetit me PDK-në, teksa është inkuadruar frik në politikë. Kishte deklaruar se ai do të tërhiqej nga politika në rast se PDK-ja nuk i fiton zgjedhjet në nacionale dhe nëse Hashim Thaçi nuk bëhet sërish kryeministër, ndërsa qytetin e tij të lindjes, Rahovecin, e quante jo bastion por “shtëpi të PDK-së”.

Ekzekutohet në Rahovec, Elvis Pista

Është vrarë me armë zjarri Elvis Pista, anëtari i PDK-së dhe njëherit kandidat për deputet i kësaj partie.

Klan Kosova ka marr vesh nga burimet e veta brenda Policisë së Kosovës se rasti ka ndodhur rreth orës 01:00 afër një pompe të benzinës në Rahovec.

Aktualisht atentatorët mbetën të panjohur për organet e rendit, të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

 

 

 

Në momentet tragjike Pista po festonte ditëlindjen e gruas, Besartës

 

Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista. Mbrëmjen tragjike, Elvis Pista po festonte ditëlindjen e gruas së tij. Burime të Express marrin vesh se gruaja e Elvisit është në muajin e pestë të shtatzënisë.

 

 

Thaçi ngushëllon familjen Pista, siguron se do të zbulohet atentatori

 

​Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen e kandidatit për deputet të PDK-së Elvis Pista, i cili u vra pas orës 01:00 në mesnatë në vendlindjen e tij në Rahovec.

Thaçi në telegramin e tij thotë se me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, që njëherazi ka qenë edhe bashkëpunëtor e mik imi, Elvisit.

“Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës t’ju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të madhe. Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt”, thuhet në ngushëllimin e kryeministrit.

Ndër të tjera në telegram thuhet se menjëherë pas njoftimit për ngjarjen jam vënë në kontakt me institucionet përgjegjëse. “Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Thaçi.

E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të shëmtuar, që ka tronditur mbarë vendin. Dhe, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë dijeni për rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë që të bashkëpunojnë pa humbur kohë me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend, përfundon telegrami i  ngushëllimit./Express/Blic/Koha/ 

 
Lajme Shqip Friday, 13 June 2014 13:48

Në një analizë mbi zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë revista e njohur amerikane për çështje globale “Foreign Policy” kritikon ashpër mënyrën se si Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e kanë qeverisur vendin, njofton Koha. net .

“Qeverisja e Thaçit u dominua nga menaxhimi i keq i financave, nepotizmi, krimi ndërkombëtar dhe skandalet e korrupsionit”, shkruan kjo revistë. 

Brenga më e madhe e banorëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës është çështja e punësimit, por privatizimi dhe ofertat e fshehta dhe jotransparente të protagonistëve politikë dhe shërbëtorëve të tyre i kanë kufizuar mundësitë për punësim, nënvizohet më tutje në artikull. 

Sipas “Foreign Policy” një vend pune në Kosovë mund ta gjejnë vetëm ata që kanë lidhje familjare apo politike. Para zgjedhjeve shumica e rivalëve të Thaçit paralajmëruan fundin e pushtetit të Thaçit për shkak të grumbullit të skandaleve të korrupsionit, keqmenaxhimit dhe supozimeve për përfshirje në krim të organizuar.

“Foreign Policy” shkruan se suksesi i Thaçit në zgjedhje nuk është rezultat i ndryshimit të disponimit në zemrat e njerëzve, por për shkak të pjesëmarrjes së ulët që vjen nga apatia dhe frustrimi I votuesve. 

Si sfidë për të ardhmen e Kosovës revista amerikane përmend çështjen e pazgjidhur të veriut me shumicë serbe, që do të mbetet edhe më tutje nyje për kohezionin e brendshëm të Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal me shtetin fqinj – Serbinë, e cila ende nuk e pranon pavarësinë e Kosovës./Express/  

 

 
Lajme Shqip Friday, 04 April 2014 13:31

Qemajl Mustafa nënkryetar i degës së PDK-së në Gjilan dhe pjesë e kryesisë për një kohë të gjatë ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat.Qemajl Mustafa e ka braktisur PDK dhe tashmë ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat. Mustafa e ka konfirmuar kete.Qemajl Mustafa ka dhënë arsyet kryesore të dorëheqjes nga kryesia e degës se PDK në Gjilan.

Lexoni arsyet e Qemajl Mustafës: Përmbushja e kërkesës dhe dëshirës se ndonjërit nga anëtaret në kryesinë në Gjilan (dhe të disa tutorëve jashtë saj) për të reflektuar (dhenë llogari) për rezultatin zgjedhor në Gjilan anipse unë ndjehem dhe jam fajtori i fundit për një rezultat të tillë. Në mungesë të një analize të thuktë (të cilën qëllimshëm e penguan individë të caktuar) përgjegjësia me të drejtë u kërkua nga unë si kandidat për kryetar dhe nga kryetari i degës i cili po heshtë për kohë të gjatë dhe nuk po e benë punën e vet as në dhënien e llogarisë po as në udhëheqjen si duhet të degës. Degës i ka shkaktuar ankth kjo kryesi prandaj ishte koha e fundit që dikush të jepte llogari për këtë.

Për të krijuar hapësirë për energji të reja të cilat në degën në Gjilan janë të shumta dhe për t’i liruar nga hendikepet disa nga anëtarët e kësaj kryesie të cilët nuk e ndjenin veten komod me prezencën time dhe të ndonjë tjetri në kryesi pasiqe ne ishim degë plotësisht e polarizuar që nga zgjedhjet e fundit në parti.

Për t’i krijuar mundësi qendrës së partisë që bashkë me ne në degë ta hartojë planin për rikonsolidim të degës së PDK në Gjilan sepse kështu si është dhe pa dorëheqje të majës së saj kjo degë nuk funksionon, është plotësisht e bllokuar dhe për shkak se partia nuk po sillet si një familje e mirë e cila i jep mundësi, e shpërblen dhe e ndihmon , por edhe mbron anëtarin e saj (bazuar gjithnjë në parimet e miratuara nga forumet e saj). 

Asnjëherë nuk jam ndier më i anashkaluar dhe pa “strehe” se sa prej një dhjetorit të vitit 2013 kur përfundimisht i humbëm zgjedhjet në Gjilan. Me përjashtim të ndonjë aktivisti të përkushtuar që ishte në kontakt të rregullt me mua, asnjëri nga kjo kryesi dhe nga kryesia në qendër nuk ishte në kontakt me mua për asgjë.

Për shkakun se reforma para së gjithash nënkupton ngritjen përpjetë shkallëve të suksesit të të gjithë neve deri në maje të politikes së vendit, por edhe zbritjen shkallëve teposhtë të të gjithë neve kur nevoja dhe kjo reformë e kërkon.

Mustafa tha se pas këtij akti unë pres reagim të natyrshëm dhe të sinqertë të kreut të degës , Izmi Zekes i cili sipas mendjes time nuk ka rrugë tjetër përveç se të tërhiqet nga kryesimi i saj dhe pres gjithashtu një qasje të urtë e serioze para së gjithash të anëtarëve të kryesisë dhe të këshillit të degës bashkë me kreun e partisë Hashim Thaçin.

Mbetem anëtar i përkushtuar i saj sepse ne personalisht dhe familja ime, por edhe qindra familje të tjera të kësaj komune kanë dhenë shumë për ta mbajtur, rritur dhe për ta bërë katër here fituese këtë degë në zgjedhjet lokale dhe nacionale. Pra, kemi shumë kapital brenda saj dhe kemi ende punë për të bërë për t’ia rikthyer shkëlqimin asaj sepse njerëzit e kësaj dege dhe qytetaria e komunës tonë këtë e meriton.

Pas këtij akti unë pres reagim të natyrshëm dhe të sinqertë të kreut të degës z. Izmi Zekes i cili sipas mendjes time nuk ka rrugë tjetër përveç se të tërhiqet nga kryesimi i saj dhe pres gjithashtu një qasje të urtë e serioze para së gjithash të anëtarëve të kryesisë dhe të këshillit të degës bashkë me kreun e partisë z. Hashim Thaçin.

Besoj në ditë fortë të mira për degën e PDK në Gjilan. Kjo degë ka shtrirje të gjerë dhe aktivistë të mrekullueshëm. Ata nuk e kanë meritua humbjen edhe kësaj here po lazdrimi ynë nga maja në Prishtinë e deri këtu nëpër nëndegë e bëri të mundur një gjë të tillë ka thënë Mustafa./rajonipress/

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 15:35

Kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht Kreu i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, po planifikon që me anë të një marrëveshjeje mes liderëve të partive politike, të caktohet data e shpërbërjes së Parlamentit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton gazeta ‘Tribuna’.

 
Mocioni për shpërbërjen e parlamentit është një nga mundësitë kushtetuese për t’i përshpejtuar zgjedhjet. Ky opsion në fakt po del të jetë edhe më i pranueshëm për dy partitë e mëdha, PDK e LDK, dhe jo shkarkimin e Qeverisë që kërkon AAK.

Siç njofton gazeta ‘Tribuna’ kryeministri Thaçi në cilësinë e kreut të PDK, këtë javë planifikon të organizojë një tryezë të përbashkët me partitë politike, ku nga ky takim mund edhe të merret vendimi përfundimtar për mënyrën se si dhe kur Kosova mund t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Edhe pse askush nga zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk ka dashur të flasë publikisht për këtë çështje, një draft-marrëveshje është duke u hartuar dhe ajo do t’i prezantohet të gjitha partive politike në takimin e tyre të përbashkët, njofton gazeta ‘Tribuna’ 

 
Lajme Shqip Friday, 03 January 2014 12:13

Prishtinë– Këshilltarja komunale e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Lirie Avdiu, akuzohet për falsifikimin e njëmbëdhjetë notave dhe nënshkrimeve në lëndë të ndryshme gjatë studimeve për shkenca politike, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ndryshe nga hera e parë kur Avdiu akuzohej për falsifikimin e notës dhe nënshkrimin e vetëm një note tek profesori Arben Hajrullahu, ajo tani akuzohet se ka kryer të njëjtën gjë edhe në dhjetë lëndë të tjera.

“Koha Ditore” ka siguruar një dokument zyrtar, në të cilin konfirmohet se ekzistojnë dyshime në lidhje me falsifikimin e 11 notave dhe nënshkrimeve të profesorëve nga ana e saj. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 19:22

Mitrovicë- Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai ka thënë se në këtë komunë duhet të përsëriten zgjedhjet meqë, sipas tij, ka pasur manipulim të votave.

Kastrati ka treguar se për këto parregullsi kanë bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Në zgjedhjet e 1 dhjetorit ka pasur fletëvotime false që kanë ndikuar në rezultat, bile dukshëm kanë ndikuar në rezultat, sepse është përdorur sistemi i ‘Trenit bullgar’. Ne kemi bërë ankesë në afatin ligjor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka thënë se kur të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, atëherë mund ta pranojnë rezultatin. “Aktualisht jo”, ka thënë për “Epokën e re” Kastrati. 

Ai ka thënë se pas këtij manipulimi të votave, Komuna e Mitrovicës duhet të shkojë në rivotim. “Duke i marrë parasysh faktet, jam shumë i sigurt se Komuna e Mitrovicës do të shkojë në rivotim. Është zbuluar fletëvotimi fals dhe kjo flet shumë”, ka thënë Kastrati.

I pyetur se, a mjafton vetëm ky fakt që Mitrovica të shkojë në rivotim, Kastrati ka thënë se kjo është vetëm njëra prej dëshmive të mjaftueshme për t’u përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë. “Unë mendoj se po. Kjo duhet të bëhet duke e zbatuar ligjin”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka kërkuar nga PZAP-ja dhe KQZ-ja që qytetarëve të Mitrovicës t’ju mundësohet dalja e sërishme në zgjedhje. “Duhet sjell vendimin që të na mundësojnë të dalim në rivotim”, ka thënë Kastrati, duke përsëritur se manipulimet e votave kanë ndikuar në përmbysjen e thellë të rezultatit të arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit.   

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 15:53

Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës është gati për zgjedhjetkombëtare.

Nënkryetari i partisë në pushtet, Hajredin Kuçi ka shprehur optimizmin e tij se edhe në këto zgjedhje, PDK-ja do të jetë e para.

“Natyrisht se në zgjedhjetkombëtare presim të rrisim distancën e fuqisë sonë politikenë raport me partitë e tjerapolitike”,-tha ai, duke shtuar se të gjithë ata që flasin përzgjedhjet nacionale mendjen e kanë tek rezultati i zgjedhjeve lokale. 

 
Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 11:13

Vjedhja e votave nuk ndodh vetëm mes partive në Kosovë. Votat del se po vidhen edhe brenda për brenda partive.  Kështu, disa komisionerë të Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë i kanë vjedh votat vet kandidatëve të partisë së tyre.  

 

Kjo iu ka ndodhur Artan Nimanit dhe Alban Arifit, që të dy kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës për asamble komunale të Gjakovës.  Burime të Express thonë se ata tashmë e kanë paraqitur këtë vjedhje përmes ankesave në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ) dhe në PZAP për shkak se që të dy po dyshojnë se vet partia nga e cila vijnë ua ka vjedh votat në fshatin Rogovë dhe në Skivjan të komunës së Gjakovës.  

 

Zgjedhjet e fundit që u mbajtën me 3 nëntor, janë cilësuar përgjithësisht të mira. Megjithëse as këtë herë, pavarësisht angazhimit të Prokurorisë, Policisë e misioneve ndërkombëtare, prapë ka dhjetëra ankesa dhe mijëra vota të pavlefshme që bën të besohet se këto zgjedhje nuk kanë qenë edhe fort të mira, siç thuhet.

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 22:42

Prishtinë- Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel të degëve në Prizren kanë nënshkruar marrëveshje koalicion. AAK-ja së bashku me LDD-në do ta mbështesin kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja, i cili shkon në balotazh me Eqrem Kryeziun e LDK-së. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj. “Sot Partia Demokratike e Kosovës në nivel dege ka arritur një marrëveshje me AAK-në dhe LDD-në për të mbështet kandidatin Ramadan Muja në rundin e dytë për të qeverisur dhe ky bashkim është bazuar në parime dhe platforma për t’i vazhduar ndryshimet në Prizren dhe për ta bërë model të zhvillimit”, i ka thënë Hoxhaj KTV-së nëpërmjet telefonit. Ai ka thënë se edhe në komuna të tjera të Kosovës mund të ketë koalicione të tilla.