Lajme Shqip Saturday, 12 April 2014 12:29

Deputetët e PD-së kanë zbuluar padashur dje, atë që përflitej prej kohësh, se SHISH- i i drejtuar nga Visho Ajazi Lika dhe i kontrolluar nga ish-kryeministri Berisha vijon të përgjojë eksponentët e majtë në qeveri, ashtu si më parë në opozitë. Ishministri i Brendshëm, Flamur Noka, tregoi përpara pasardhësit, Saimir Tahiri, një sms, për të cilin ai tha se ishte e marsit 2014 dhe i ishte dërguar nga kryeministri Rama, ku ai shprehte pezmatimin e tij për shifrat alarmante të kriminalitetit. Tahiri e pranoi mesazhin, por qartësoi se atë ua kishte dërguar bashkëpunëtorëve, ndërsa deputetët e majtë në Komisionin Hetimor për Lëvizjet në polici, thanë se ky përgjim i deputetëve dhe ministrave është shumë i rëndë dhe duhet hetuar, sepse prek sigurinë kombëtare. Përgjimi ndaj eksponentëve të majtë u zbulua dje si një skandal i radhës në Komisionin Hetimor për emërimet që janë bërë në polici gjatë qeverisjes së majtë, ku ish-ministri i Brendshëm,Flamur Noka i lexoi ministrit aktual, Tahiri një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga kryeministri Edi Rama. Ky mesazh, në të cilin gjoja shprehej shqetësimi i kryeministrit në lidhje me punën e ministrit si dhe rritjen e krimit në vend gjatë muajit mars, ngjalli debate të ashpra si dhe dyshime të forta në radhët e deputetëve të majtë në këtë komision, se nga e kishte prejardhjen. Ndonëse ministri Tahiri e justifikoi këtë mesazh, si njëri prej atyre që ai u ka dërguar vartësve, kjo sërish ngjall dyshime se, edhe nëse do të ishte kjo rruga që ka ndjekur, se në çfarë rruge është marrë ai për t’u bërë publik. “S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. 

Atë mesazh e konfirmova se ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi. Besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di se ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit”-iu përgjigj Tahiri shqetësimit të opozitës. Por dyshimet e mazhorancës qëndrojnë pikërisht në një dekonspirim informacioni pikërisht nga Shërbimi informativ Shtetëror, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, pas akuzave të ministrit Tahiri se   nuk ka bashkëpunuar për zbardhjen e krimeve në vend. Deklarata e bërë nga deputeti Blendi Klosi për raportet e veçanta që ka Noka me kreun aktual të SHISH, Visho Ajazi Likën, sipas tij, tregon qartë burimin e përgjimeve të mesazheve private të bëra publike dje. “Z.Noka ka raport të rëndësishëm me kryetarin aktual të Shërbimit Informativ dhe duket qartë se nga i ka burimet e këtyre përgjimeve”, tha Klosi. Kjo i lë dhe një herë rrugë të hapur mazhorancës për dyshimet që ka hedhur edhe më parë në lidhje me mosbashkëpunimin e kreut të SHISH me qeverinë e re, por raportimin te opozita. Duket qartë se pikërisht organi i SHISH-it në vend është burimi kryesor i zbardhjes së mesazheve mes Ramës dhe Tahirit.

Reagon Braho

 Kreu i Komisionit të Sigurisë, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, i cilësoi një rrugaçëri politike gjithë atë çfarë ndodhi dje në Komisionin Hetimor në lidhje me skandalin përgjimeve. Ai tha se ish-ministri i Brendshëm, Noka, shquhet për vjedhje elektronike. “Është rrugaçëri politike çfarë do që të jetë përgjim, sajim apo montim. Nuk besoj se janë përgjuar celularët. Më shumë se përgjim janë lojëra telefonike apo marifete që i ngrenë në nivel të lartë intrigat politike dhe veçanërisht Flamuri shquhet për këto punë, grabitjesh elektronike”, tha Braho. 

Akuzat për përgjime 

Mëse një muaj më parë, u bë publik shqetësimi i Komisionit Parlamentar të Sigurisë se shumica e telefonëve të ministrave të qeverisë “Rama” ishin nën përgjimin e SHISH-it. Sipas deputetëve të majtë, anëtarë të komisionit, shërbimi i drejtuar nga Visho Ajazi Lika po vijonte një praktikë të nisur që kur e majta ishte në opozitë, duke rregjistruar bisedat apo mesazhet telefonikë të figurave të qeverisë. Sipas të dhënave, nën përgjim ishin ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i jashtëm, Ditmir Bushati, i Financave Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zyrtarë të lartë, por edhe deputetë. Në fillim të marsit media publikoi emrat e disa zyrtarëve që ishin në përgjim, ku listoheshin emrat e disa drejtorëve të rëndësishëm, por edhe deputetë.

Rama: Sms shpifje, Berisha: Gjykojeni vetë 

 Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një shpifje mesazhin dërguar ministrit të Brendshëm e publikuar nga opozita në lidhje kritikat për rendin në vend. “Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm?Një shpifje! Mendimi im për Saimir Tahirin? Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, shkruan Rama në Twitter. Ndërkohë që i pari që reagoi në rrjetin social “Facebook” për përgjimin e telefonave, ishte pikërisht ish-kryeministri, Sali Berisha. Në statusin e tij, ai kujton deklaratën që kryeministri Rama ka bërë para disa ditës në një emision televiziv ku tha se krimi në vend ka rënë, ndërsa në mesazhin   që opozita pretendon se Rama i ka dërguar Tahirit tregohet shqetësimi i kreut të ekzekutivit për krimin në vend. “Edi Rama, që vetëm një javë më parë deklaronte në emisionin “Opinion” se vrasjet në tremujorin e parë të vitit 2014 janë 30% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2013, i drejton sot mesazhin që vijon zëdhënësit të tij për rendin S. Tahirit ku pohon se vrasjet janë dyfishuar. Gjykojeni vetë”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin plotë. Nga ana e tij, deputeti socialist, Erjon Braçe, e konsideroi këtë shkelje të Kushtetutës nga ana e opozitës që duhet hetuar. 

Ja mesazhi i Tahirit 

“Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por k y kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale, si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shum larg së menduari se problem je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëjë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, çnuk ke bërë mirë e çdo bësh për t’i riparuar në qoftë se mundesh”.    

Mesazhi, ministri: E nisa unë 

Tahiri: Unë i kam dërguar sms, s’ma ka çuar mua Rama, ja kam çuar unë bashkëpunëtorëve. T’ju vijë trup që përmendi të tilla gjëra.

Noka: Është mesazh i Kryeministrit ky apo jo, po jo? Se unë kam dhe tjetër, ti këtë më thuaj, po jo? 

Tahiri: Kjo që sapo dëgjuat është arsyeja që Policia e Shtetit ishte katandisur në atë nivel. Që merrej me mesazhet, me jetën private të njerëzve. 

Noka: Është një mesazh për punën që të ka dërguar kryeministri dhe të ka rrëzuar punën për gjithë këto përralla që thotë ky. Është apo s’është, të ka ardhur apo jo?

Klosi: Duhet ndërprerë seanca. Si mundet që një ish-ministër, aludon se ka përgjuar komunikimin telefonik mes kryeministrit dhe ministrit. Për përmbajtjen aludoni si të doni, por përgjimi është shkelje e sigurisë kombëtare. 

Ristani: Mesazhin sapo e konfirmoi dëshmitari në seancë dhe përmbajtja e tij është publike dhe e regjistruar në këtë komision. 

Tahiri: S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. Atë mesazh e konfirmova ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi, besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit. 

Tahiri: Ndryshimet në polici, me Burgajn, shkarkova rojet e PD 

Tahiri: Së bashku me ish-drejtorin e Përgjithshëm z.Burgaj vlerësuam se drejtuesit e policisë nuk i përgjigjeshin asnjë lloj ritmi për të garantuar siguri për qytetarët. Një pjesë e drejtuesve që gjetëm në detyrë nuk plotësonin kriteret. Konkretisht zoti Mërgim Hoxha, drejtor i qarkut Lezhë, pa punuar asnjë ditë në Policinë e Shtetit, shkoi në atë detyrë direkt nga drejtori i ujësjellësit Lezhë. Mori gradën drejtues i parë në kundërshtim të hapur me ligjin për gradat, duke pasur vetëm 1 vit e 7 muaj punë karrierë policore. Ky zotëri u bë dhe drejtor i Akademisë së Policisë, dhe ndërkohë ushtrohej në “Facebook” për fushatë të theksuar politike në zgjedhjet e fundit. Ismail Elezit i ishte llogaritur punësimi i tij për vjetërsi pune si nënkryetar i PD dega Peqin. 

Ristani: Për këtë arsye e keni hequr zotin Elezi? 

Tahiri: Për këtë duhet të pyesni drejtuesin e policisë. Osman Levanaku, administruar në dosjen e punës, roje PD e Shqipërisë. Roje tek PD-ja mund të jetë punë e nderuar, ishte emëruar drejtori i FNSH-së.

Ristani: Të gjitha arsyet që ju po thoni janë arsyet që kanë çuar në largimet e këtyre njerëzve nga puna apo jo?Tahiri: Shtetasi A.K. oficer policie, është arrestuar në një shtet të BE-së me një ngarkesë kokainë. Ka nxjerrë dokumentin e policisë për t’i shpëtuar procedimit në atë moment, duke deklaruar se ishte agjent në mbulim. Autoritetet kanë   kërkuar sqarime tek drejtori i Përgjithshëm zoti Burgaj.

Qefalia: Z.Burgaj është shantazhuar, është ndier në presion që të firmosë lëvizjen e 12 drejtorëve të qarqeve? Tahiri: Vetë s’e kam në detyrë që të shantazhoj dhe të ushtroj presion ndaj kujtdo. 

Noka: Keni patur dijeni që ishkreu i SHISH, Fatos Klosi i ka dërguar zyrtarisht letër ish-kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, ku i thotë se Artan Didi u ka marrë 4 milionë dhrahmi personave që kanë pasur probleme me ligjin? 

Tahiri: Artan Didi sot është një njeri i vlerësuar nga ndërkombëtarët me medalje kundër terrorizmit. Në momentin që kam bërë propozimet kam bërë verifikimet e duhur. Ty të paska ngarkuar partia që të nxjerrësh edhe këtë letër, të nxjerrësh edhe atë të kamionëve të ushtrisë.

Balla: Pyetja ishte jashtë çështjes që ne po hetojmë 

Ristani: Pyetja është brenda kontekstit të hetimit. O të verifikojmë nëse ka vrarë apo jo njerëz të pafajshëm në aksion. 

Noka: Për çështjen që sapo folët keni konflikt interesi, dolët për të mbrojtur kushëririn. Kijeni parasysh se po flisni për kushëririn, por takojeni pastaj kushëririn dhe sqarohuni. 

Ristani: Keni koment për deklaratën e Prokurorisë së Italisë që kanali i Otrantos është kthyer në autostradë për trafikun e lëndëve narkotikëve? Jeni njohur me këtë deklaratë? 

Tahiri: Jo, nuk jam njohur./Shekulli/              

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 March 2014 15:42

Ministria e Brendshme ishte kthyer në një “strehë të ngrohtë” për familjarët e ish-funksionarëve të lartë të saj gjatë kohës së qeverisë “Berisha”. Një fakt i tillë është denoncuar dje në Kuvend nga kryeministri Rama, por “Shqiptarja.com” ka zbardhur detaje të përmasave të këtij skandali, duke siguruar një listë me emërimet më flagrante të të afërmve të ish-krerëve të Ministrisë së Brendshme

 
Kryeministri Rama në interpelancën e djeshme publikoi disa skandale që janë bërë në Ministrin e Brendshme, përsa i përket personave të punësuar. Duke iu përgjigjur kërkesës së ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli përsa i përket rendit dhe sigurisë në vend, kreu i ekzekutivit theksoi si rastin më flagrant të shkeljes së ligjit punësimin e dy vëllezërve të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë. Krahas kësaj, Rama theksoi gjithashtu se siguria dhe rendi në Shqipëri është në situatë të rëndë, por është më mirë përsa i përket të njëjtës periudhë të një viti më parë, në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Sali Berishës.

Konkretisht duke iu referuar rasteve të shpërthimit të tritolit, kryeministri Edi Rama theksoi se nga periudha e mesit të muajit shtator, kohë në të cilën kur ai u vendos në krye të vendit dhe deri në fund të muajit shkurt janë ulur me rreth 30% shpërthimet duke shtuar se situata është sërish në gjendje jo të mirë. Por ajo që mbeti më pikante ishte publikimi i të dhënave nga rekrutimet e bëra në Ministrin e Brendshme dhe në radhët e Policisë, ku kreu i qeverisë tha se 70% e forcave të policisë së shtetit ishin me arsim të mesëm dhe ata që kishin kryer arsim të lartë kishin përfunduar degë si Fizkulturë apo Veterineri.

“Në godinën e Ministrisë së Brendshme 44 persona që drejtpërdrejt ishin anëtarë të forumeve të Partisë Demokratike dhe kishin lidhje gjaku me shtatmadhërinë tuaj kanë marrë rrogën vetëm për këtë meritë. Nuk po vazhdoj listën e drejtuesve të policisë pa arsimin përkatës, me studime veterinare. Ju i bëtë veterinerët drejtues policie, me shkollën e fizkulturës. 70% e policiëve tuaj ishin me shkollë të mesme”, tha Rama.

Të punësuarit
Kreu i qeverisë foli vetëm në përgjithësi për emërimet nepotike, por “Shqiptarja.com” ka siguruar një listë me emërimet më flagrante të të afërmve të ish-krerëve të Ministrisë së Brendshme në këtë dikaster. Në listë, figuron nipi i bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Ky i fundit ka emëruar Gentian Jahollin Drejtor në kohën që ishte vetë në krye të Ministrisë së Brendshme.

Jaholli dha dorëheqjen në shkurt të vitit 2014. Gjithashtu Noka emëroi si koordinatore tek prokurimet të afërmen e tij Agrimona Noka e cila vazhdon ende të mbaje këtë detyrë. Genta Bektashi, motra e deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u emërua si drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme dhe aktualisht vazhdon punë në këtë institucion si specialiste. Listën e kryeson Isuf Çela, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka emëruar shtatë të afërm në këtë institucion, tre prej të cilëve janë ende në krye të detyrës. Ai ka emëruar, dy kunetërit, nipin e gruas, mbesën e gruas si dhe dy të afërm. 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 March 2014 18:22

Partia Demokratike akuzoi sot sërish ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin si dhe kryeministrin e Shqipërisë në lidhje me situatën e ditëve të fundit. Nëpërmjet një konference për shtyp, deputeti i PD-së, Arben Ristani, tha se vendi ndodhet në një situatë të rënduar kriminale dhe se shteti nuk ekziston në raport me krimin. 

“Tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim. Jemi në një atmosferë të rënduar kriminale, shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin”, -u shpreh Ristani. 

Më tej ai akuzoi ministrin Tahiri se po udhëheq në mënyrë të paligjshme policinë kundër shoferëve të furgonëve, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje. 

“Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonëve që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje. Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar. Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti”, -tha Ristani.

Duke bërë një analizë të ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit në kryeqytet, por jo vetëm, edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, që sipas tij, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit dhe të reflektojnë mbi situatën kriminale në vend. 

“Partia Demokratike, në interes të gjithë shqiptarëve, i bën edhe një herë thirrje kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të reflektojë për situatën kriminale dhe për pasigurinë që ndjejnë qytetarët e vendit, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit nga politika, ta dekriminalizojnë atë nga njerëzit e lidhur me krimin dhe të vendosin në krye të detyrës profesionistët. Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit”, -deklaroi Ristani. 

 
Lajme Shqip Friday, 21 February 2014 14:11

Për ish-kryministrin Berishaprotesta e djeshme është fillimi i betejës së opozitës. Deputeti demokrat ka paralajmëruar të tjera protesta, greva e demostrata me të gjitha mjetet demokratike, sipas tij për rivendosjen e dinjitetit.

“Shqiperia sot nuk eshte me ajo qe ishte dje! Nje popull i tere imashtruar po ngrihet si vigan drejt zenitit te dinjitetit njerezor dhe te vertetave! Te dashur miq, mengjesin e 20 shkurtit ne u gdhime si qytetaret me temashtruar te Europes. Por ata qe mbushen dje rruget dhe sheshet e Tiranes sikurre me pare per dinjitetin e tyre bene qe sot te jemi ne kembe te vendosur me shume se kurre kunder mashtrimit dhe per punesim, rritje te rrogave e te pensioneve, legalizim dhe shendetesi falas, ulje te cmimeve dhe te taksave kunder tritolit e trafiqeve, te bandave dhe te qeverise, kunder vrasjeve e grabitjeve.” shkruan Berisha në Facebook.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 February 2014 14:50

Specialisti i antidrogës në Policinë e Vlorës, Adrian Liçaj, ka reaguar sot në lidhje me akuzat e bëra nga Partia Demokratike.  Një ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka akuzuar dje qeverinë se ka vendosur në policinë e Vlorës një nga “ushtarët” e bandës së Zani Çaushit. Sipas Palokës lufta kundër drogës në vendin tonë tashmë është lënë në duart e ushtarit të Zanit. Ai ka bërë të ditur se do të kallëzojë penalisht kryetarin e grupit të PD-së, Edi Paloka, për dëmtim moral dhe përbaltje të Policisë së Shtetit.

“Në momentin që dukesha në video kam qenë në krye të detyrës si pjesë e policisë kriminale. Zoti Paloka ta nxjerrë të plotë atë video! Makina që dukej aty ishte makinë me gazetarë dhe filmimet janë bërë prej tyre”, ka thënë specialist i policisë së Vlorës, Liçaj.

Ai ka shtuar se, “akuzat e Palokës janë për motive politike, ndoshta edhe personale, se i janë cënuar interesat e ndonjë individi mbështetës të tij”, ka vijuar më tej Liçaj, duke sqaruar se, “unë jam efektiv i hershëm i Policisë së Shtetit.”

Ai ka theksuar se ka qenë në atë makinë “për të mbrojtur shtetin e dështuar të Edi Palokës” dhe se “do ta ndjek çështjen penalisht”.

Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në radhët e policisë së shtetit ka punësuar ish- anëtarin e bandës kriminale të Zani Çaushit e cila vepronte në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997.

 
Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 17:28

Tiranë- Përkujtohet 69 vjetori i çlirimit të Tiranës nga ushtria naziste. Aktiviteti përkujtimor është mbajtur në sheshin e “Ushtarit të panjohur” në kryeqytet. 

Kjo ditë e shënuar për kryeqytetin ka mbledhur bashkë drejtuesit vendorë të cilët kanë përkujtuar Dëshmorët e Atdheut. Dhjetëra veteranë, qytetarë, kryetari i Bashkisë së Tiranë Lulzim Basha dhe prefekti Sadi Vorspi kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjatë kësaj ceremonie, fjalën përshëndetëse e mbajti, prefekti, Sadi Vorpsi dhe më pas kryetari i organizatës së veteranëve, Rustem Peçi. Të pranishëm ishin edhe disa nga familjarët e viktimave. Më pas fjalën e mori kreu i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili theksoi se sot është dita e reflektimit për të mos i lënë të tradhëtohen vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat shqiptarët kanë paguar shumë shtrenjtë, raporton shekulli.

“Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër”, -tha Basha. 

 
Lajme Shqip Friday, 15 November 2013 20:36

Tiranë- Thuajse çdo ditë në vendin tonë ndodhin me dhjetëra aksidente automobilistike. 

Sot, pjesë e një aksidenti ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Ish-kreu i Komisionit të Ekonomisë është aksidentuar në tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Spaho ka marrë dëmtime të lehta dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

55-vjeçari ka pasur shembje në trup, por nuk ka rrezik për jetën. I plagosur ka mbetur edhe shoferi i Spahos. Makina e deputetit të PD-së, një “Benz” me targë TR 0447, u përplas me një makinë tjetër tip “Q7”.

Qeveria e kaluar e djathtë është akuzuar se ka inauguruar para kohe tunelin Tiranë-Elbasan për shkak të fushatës zgjedhore.

Spaho, është deputet i qarkut të Korçës dhe ai mban edhe pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit si përfaqësues i opozitës. Vetëm një ditë më parë, Spahoi festoi 55-vjetorin e lindjes./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 12:16

Tiranë – Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka hartuar Planin e Masave “Për Sigurimin e rendit e qetësisë dhe zhvillimin normal të Tubimit të organizuar nga Partia Demokratike Dega Tiranë, në datën 11 Nëntor 2013, nga ora 13:00 – 15:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët eKombit’ përpara selisë së Këshillit te Ministrave”.

Me qëllim garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi, janë marrë dhe një sërë masash për drejtimin e qarkullimit të mjeteve në rrugë.

Sipas njoftimit të policisë në segmentin rrugor nga Ura e Madhe e Lanës (kryqëzimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri”), deri tek sheshi “Nënë Tereza” në ora 10:00 – 15:00 nuk do lejohet parkimi i mjeteve, ndërsa në intervalin kohor 13:00-15:00 do të ndalohet qarkullimi i automjeteve.
Nga ora 10:00 deri në 15:00 nuk do lejohet parkimi i mjeteve dhe nga ora 13:00 deri në 15:00 do të ndalohet qarkullimi i mjeteve, nga kryqëzimi i Liceut Artistik, përgjatë rrugës “Ismail Qemali” deri tek Bulevardi “Dëshmorët eKombit”; përgjatë segmentit rrugor “Lekë Dukagjini” nga lumi i Lanës deri tek stadiumi “Qemal Stafa”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit përgjatë bulevardit “ZHAN D`ARK” deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ora 13.00 deri në 15.00 do të ketë kufizim të qarkullimit të mjeteve./albeu/

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 13:15

Tiranë- Emërimet e fundit në policisë së shtetit, janë cilësuar sot nga Partia Demokratike në kundërshtim me kriteret ligjore. Në një deklaratë deputeti demokrat, Arben Ristani u shpreh se shkelja e ligjit dhe kontrolli partiak mbi Policinë e Shtetit, janë rrezik i shtuar për demokracinë dhe me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.

 

“Partiakët socialistë të emëruar në drejtimin e policisë së shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore, janë ogur i keq për të ardhmen e rendit dhe sigurisë në vend, siç është bërë e qartë edhe këto ditë ku krimi po merr jetë njerëzish në mënyrë të pandalshme. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk ka shkollimin përkatës për detyrën që ka marrë, nuk ka gradën dhe përvojën që kërkon ligji dhe për më tepër është militant partiak. I ka shërbyer partisë socialiste si numërues i parë i saj në zgjedhjet e fundit elektorale, në Qarkun Tiranë. Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë, Sokol Bizhga dhe Altin Qato janë emëruar në kundërshtimin me ligjin sepse nuk kanë gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës, për më tepër njëri nga nën drejtorët është nën efektin e masës disiplinore të marrë ndaj tij. Drejtori i SHKB, Arben Skendo, është përsëri një militant partiak. Ai është një nga kontribuesit financiar të fushatës së fundit të Partisë Socialiste dhe renditet në listën zyrtare të donatorëve.Drejtori i Personelit i Policisë së Shtetit, Xhevahir Karaj, militant i partisësocialiste. Ai ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste.Të 12 drejtorët e policisë në qarqe, janë emëruar në kundërshtim me ligjin sepse asnjëri prej tyre nuk ka gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës Drejtori i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, është arrestuar në 20 prill të vitit 2003 për trafik të qenieve njerëzore, teksa kishte detyrën e shefit të Komisariatit të Rinasit” tha Ristani. /albeu/

 
Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 14:09

Tiranë- Propozimi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani për të zyrtarizuar me ligj martesat gay ka shkaktuar reagimin e deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda. Me një citim sot në rrjetin social, Facebook, Doda përvecse shpreh mosaprovimine saj lidhur me këtë nismë ndërsa akuzon Totozanin si shpikës kauzash. 

“Pasi kauzën e Romëve e mori Erjon Veliaj, Avokati i Popullit Igli Totozani shpiku kauzën e tij të fundit, atë të përgatitjes së projektligjit për martesat gay. Si deputete, grua, nënë, familjare shpreh mosaprovimin tim të thelle për një prononcim të tillë. Familje është vetëm ajo që vjen nga martesa e një burri dhe një gruaje, dhe sëbashku mbështesin dhe mirëpresin fëmijët që vijnë në jetë”. 

Doda bën thirrje në Facebook që të krijohet një bllok pengese kundra kësaj nisme. 
“Ju ftoj të gjithëve të bëhemi një bllok pengese për inisiativa te tilla që shkojnë kundra thelbit të jetës sonë, kundra vullnetit të Zotit që boten tonë e bekoi me bashkimin e burrit me gruan”. 

PROLGBT 
Drejtori ekzekutiv, “Të Bashkuar PRO kauzes LGBT (ProLGBT)” Kristi Pinderi ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetes Mesila Doda. Pinderi bën thirrje që deputetët të marrin pjesë në këtë debat me argumenta dhe jo linçime. Sipas Pinderit këto deklarata si të Dodës, përvecse agresive, përjashtojnë kategori qytetarësh nga integrimi. 

DEKLARATA E PLOTË 
Deputetja Mesila Doda ka reaguar sot në lidhje me debatin rreth martesave gej.Ne gjykojmë se fryma agresive dhe thirrjet pët të ndarë qytetarët në llogore njësoj si në situatat e lincimeve kolektive nuk është fryma e Europës së qytetëruar. Ngjan më shumë me frymën e vendeve të ish Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë. 

Eshtë e rëndësishme që deputetët dhe deputetet të cilat kanë mundësi dhe hapësira të pafundme për të shprehur mendimin, të marrin pjesë në këtë debat me argumenta dhe jo me lincime. 

Zonja Doda tha se “familje është vetëm ajo që vjen nga martesa mes një burri dhe një gruaje”. 

Kjo nuk është e vërtetë! Madje është një deklaratë që fton qytetarët të përcmojnë të gjitha ato forma të tjera të familjes që nuk përmbushin kriteret e familjes tradicionale. 

Këto janë deklarata kategorike që tentojnë të përjashtojnë nga integrimi një kategori të tërë qytetarësh. 

Për shembull: Familja e zonjës Doda është e nderuar, por kjo nuk e pengon familjen e një cifti gej të jetë gjithashtu e nderuar. 

Familje e nderuar është edhe ajo mes një burri e një gruaje që presin të rrisin fëmijët e tyre, por po aq e nderuar është edhe ajo familje mes një prindi të vetëm që adopton një fëmijë, apo familja e gjysherve që rrisin nipin apo mbesën, apo po ashtu e nderuar është dhe familja që përbëhet nga tezja dhe nipi (sic ishte rasti i familjes se Sofies në Durrës). 

Mospranimi i formave familjare që nuk mbyllen dot në korniza të një martese mes një burri dhe një gruaje, rrezikon që të mbajë larg shërbimeve dhe perfitimeve ligjore mijëra njerëz. 

Ne nuk po flasim për koncepte fetare apo hyjnore, por flasim për koncepte konkrete ligjore dhe për të drejtën që cdo qytetar ka në këtë vend për të krijuar familjen e tij dhe për të qenë i respektuar dhe jo i përjashtuar. Nëse një komunitet fiton një të drejtë që kushdo tjeter e ka, atëherë kjo nuk do t’i pengojë burrat që duan gra, të martohen me to, apo gratë që duan burrat të martohen me ta! 

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk jane zgjedhje qe befas, ne nje situate si ato te Apokalipsit ne Bibel do e nxisnin gjithë shoqërinë të bëhej homoseksuale. Këto janë thjesht frikëra të cilat ne duhet ti adresojmë përmes një debati të shëndetshëm”. /ballkanweb/