Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 18:05

Tiranë – Opera “Skënderbeu”, e vënë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1968, do të rikthehet me një version të ri në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, me regjinë e italianit Carlo Saleti.

Vepra me libret të Llazar Siliqit dhe kompozim të Prenk Jakovës është produksioni më i rëndësishëm i TKOB-së në kalendarin e festimeve të këtij viti jubile, që ka rikthyer në vëmendje veprat shqiptare. Artistët e TKOB tashmë janë të gjithë të angazhuar për premierën e re, që pritet të ngjitet së shpejti në skenën e TKOB-së e që konsiderohet si një nga veprat më të vështira të repertorit operistik shqiptar.

“Mrika” është opera e parë shqiptare ndërsa opera “Skënderbeu” ishte super-opera e performuar me shumë sukses në vitin 1968. Xhoni Athanas ka qenë  i pari artist në skenën e operës që interpretoi arien e “Lirinë s’ua solla unë” e shkëputur nga opera “Skënderbeu” e Jakovës.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ja ka kushtuar sezonin e tij artistik veprave shqiptare ku deri tani ka shfaqur në skenë operën “Lulja e Kujtimit”, baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, me koreografi të Agron Aliaj, ndërkohë që dy ditë më parë solistët: Marjana Leka, Ylber Gjini, Eva Golemi, Shpresa Beka, Armaldo Kllogjeri, Blerta Zhegu, Emiljana Palushaj, etj interpretuan në mbrëmjen muzikore “Nëpër faqet e muzikës shqiptare” arie të muzikës shqiptare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 07:30

Prishtinë – Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, për të shënuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë temë kryesore në takimin që ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka zhvilluar me përfaqësues të forumeve rinore të partive politike shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Ministri Krasniqi e vlerësoi si një iniciativë të mirë bashkimin e  forumeve rinore, për të dhënë kontribut në shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ministri, tha ai, do të pasurojë edhe më shumë gjithë atë axhendën zyrtare të aktiviteteve për të shënuar këtë përvjetor dhe shtoi se kështu merr edhe një jehonë edhe më të madhe festa gjithëkombëtare shqiptare.

Ai i ka njoftuar përfaqësuesit në lidhje me axhendën që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përgatitur për këtë përvjetor. Ministri Krasniqi, njëherësh është edhe kryetar Rinisë Demokratike të Kosovës, njoftoi për përgatitjet dhe aktivitetet që pritet të organizohen dhe ofroi përkrahjen e plotë të tij për idetë që do të dalin nga forumet. Ai vlerësoi se është mjaft e rëndësishme që të rinjtë nga partitë politike, të lënë dallimet mes tyre dhe të punojnë bashkërisht për të shënuar sa më në mënyrë dinjitoze jubileun e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të qenë si një trup i përhershëm që do të japë kontributin e vet në zhvillimin e gjithëmbarshëm të kombit.
 
Ministri Krasniqi ndërkaq theksoi nevojën që të ketë takime edhe në ditët dhe javët në vazhdim, në mënyrë që të ketë një plan konkret për aktivitete që do të organizohen me iniciativën e forumeve. Pjesëmarrësit e takimit të organizuar nga Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, janë pritur edhe nga kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i LDK-së. Sipas axhendës, gjatë pasditës u bënë homazhe tek varri i Presidentit Historik  Ibrahim Rugova dhe u vizitua Familja Rugova  në Prishtinë. Po ashtu, u bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe vizitë në familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:25

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha garantoi sot mbështetjen e qeverisë për Bashkinë e Tiranës, në të gjitha përpjekjet e saj për t’i rikthyer kryeqytetit shqiptar vlerat kulturore.

Kryeministri Berisha vizitoi dhe pa nga afër bocetet e e paraqitura në Galerinë Kombëtare të Arteve për monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar se përzgjedhja e tyre nga juria ndërkombëtare do të jetë e vështirë.

Berisha tha se “Ministria e Kulturës, Galeria e Arteve, realizuan me shumë sukses këtë konkurs, por vështirësitë e përzgjedhjes janë vërtet serioze”.

“Juria, tha kryeministri, “është kompetente, e përbërë nga artistë me reputacion botëror të huaj dhe vendas dhe Tirana do të ketë një monument për 100 vjetorin e Pavarësisë”.

Berisha garantoi ndërkohë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për mbështetjen në vendimet për kulturën, duke cilësuar konkursin për monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë, një avantazh të madh për kryeqytetin.     

“Kulturalisht, kryetari i Bashkisë ka një shans të madh të përzgjedhë seritë e këtyre veprave për ta pasuruar Tiranën me vlera kulturore e vlera arstistike që i mungojnë, ndaj dhe vlerësoj se ky konkurs përbën një avantazh të madh për kryeqytetin e vendit, sepse një aspekt është historia dhe nderimi i saj, por një aspekt tjetër është krijimi i vlerave, që sjellin gjithnjë e më afër këtë kryeqytet në rrafshin kulturor me simotrat e veta në Everopën Perëndimore”, tha Berisha.

“Çdo vendim që do të marrë bashkia e Tiranës për ta rivendosur kryeqytetin tonë në platformën evropiane, me të cilën lindi, qeveria do ta mbështesë fuqishëm me të gjitha mjetet. Tirana është sigurisht qyteti i qytetarëvë që jetojnë në të, por është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.

Ju garantoj se do të mbështesë vendimet e këshillit bashkiak për ta ndarë Tiranën nga ajo periudhë 50 vjeçare, e cila e vërviti kryeqytetin drejt mjegullnajeve ballkanike lindore ndërkohë që ky është një kryeqytet me frymëmarrje ku gjithçka ka aromë perëndimore”, tha kryeministri Berisha.

Në Konkursin Ndërkombëtar për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë, janë paraqitur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë janë nga Shqipëria, 13 artistë nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova, si dhe 14 artistë ndërkombëtarë. Konkursi për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë është shpallur në 22 dhjetor 2011 dhe është mbyllur në 15 mars të këtij viti. Të gjitha bocetet janë mbledhur nga Galeria Kombëtare e Arteve.

Juria, e përbërë nga 9 personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare të artit, kulturës dhe arkitekturës, nis punën sot ndersa në  21 mars do të vlerësojë 5 bocetet më të mira me sistem pikësh, të cilat do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Kryeministrit. Nga data 22 mars deri në 25 mars, në GKA të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.