12
 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 14:42

Kryeministri, Sali Berisha i ka uruar të gjithë shqiptarëve nëpërmjet facebook, 5- vjetorine  shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

A e konsideron këtë moment si faqen më të ndritur të përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin e tyre që nga koha e Skënderbeut.

“Sot, mbare kombi shqiptar feston 5 vjetorin e pavresise se Republikes se Kosoves. Çlirimi i Kosoves, eshte faqja me e ndritur e perpjekjeve te shqiptareve per lirine dhe dinjitetin e tyre, qe nga lufterat e Skenderbeut deri ne ditet e sotme. Ne kete 5 vjetor, kombi shqiptar perulet me nderimin me te madh para vepres, arkitektit te pavaresise se Kosoves, Presidentit Ibrahim Rugova, sakrifices sublime te kryeheroit te kombit tone, Adem Jashari e mijera e mijera luftetareve te lirise qe rane per tu bere te pavdekshem per çlirimin e Kosoves.

Sot, ne shqiptaret shprehim mirenjohjen me te thelle ndaj SHBA, Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit Xhorxh Bush si dhe ndaj Aleances se Atlantikut te Veriut, qe luajten rol kryesor ne çlirimin e Kosoves dhe pavaresine e saj. Nje pershendetje vllazerore le t’iu dergojme ne kete rast te gjithe qytetareve te Kosoves, udheheqjes politike te saj, qe ne 5 vjet pavaresi kane shnderruar Republiken e Kosoves ne nje faktor te rendesishem te paqes, stabilitetit e bashkepunimit ne rajon.

Zoti e bekofte Kosoven e pavarur dhe shqiptaret kudo qe jane! Sb”- përfundon mesazhi i Berishës në Facebook.(P.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 14:29

Prage – Përvejtori i pestë i pavarësisë së Kosovës, në Poloni dhe në Republikën Çeke është manifestuar me disa protesta simbolike, të cilat kundërshtojnë shtetin e Kosovës.

Në protestën e së shtunës në Varshavë, grupe pro-serbe kanë mbajtur pankarta ku shkruante “Polakët janë për Kosovë serbe”.

Një protestë e ngjashme është duke u mbajtur këtë ditë edhe në Pragë në sheshin kryesor të qytetit, ku disa dhjetra presona kanë mbajtur pankarta me mbishkrimin  “Kosova është Serbi”.

Këto protesta janë organizuar me anë të një ftese të bërë në rrjete sociale.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 13:51

PRISHTINE – Në Kosovë vijojnë kremtimet me rastin e pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë, e cila është njohur nga 98 vende të botës, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Pesë vjet të pavarësisë së Kosovës vlerësohen si periudhë e përballjes me probleme të trashëguara por edhe vështirësive për rimëkëmbjen ekonomike dhe afrimin me strukturat euroatlantike. Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ndodhet në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë gjatë të cilit synon të gjejë edhe një zgjidhje për situatën e në veriun e saj të banuar me shumicë serbe. 

JAHJAGA: KEMI MARRË FATIN NË DUART TONA. ZHVILLOHET PARADA E PAVARËSISË
Në sheshin qendror të Prishtinës u zhvillua Parada e Pavarësisë, ku parakaluan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Emergjencës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe liderë nga vendet e rajonit, nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Në ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kreu i PS-së Edi Rama i shoqëruar nga Blendi Klosi dhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Gjatë fjalës së saj në ceremoni Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sot është dita për të kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe punuan për krijimin e shtetit të Kosovës.

“Të gjithë këtyre njerëzve që luftuan për një shtet të lirë dhe një shtet të barabartë dhe në shërbim të qytetarit. Republika e Kosovës është një kontribuuese e madhe për stabilitetin në rajon me synimin për anëtarësim në mekanizma euro-atlantik. Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin tonë, një vizion për të ardhmen euroatlantike. Ne po punojmë që Kosova të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- deklaroi Jahjaga.

Presidentja theksoi se Republika e Kosovës i ka të gjitha kapacitet që të jetë një vend i hapur për anëtarësim në NATO, ndërsa ka lavdëruar FSK-në duke e cilësuar atë si njërin prej forcave më kyçe në sigurinë e Kosovës.

Ndërkohë, zëvendës/ambasadorja e Shteteve të Amerikës në Kosovë, Kelly Degnan tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha në fushën e sigurisë duke vlerësuar përparimin e FSK-së. Ajo po ashtu ka përcjellë edhe urimet e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama për pavarësinë e Kosovës.

“ShBA është krenare që ka ndihmuar FSK-në sidomos gjenerali i Ioëa-s të cilat janë trajnuar së bashku. SHBA dhe Kosova kanë shumë projekte së bashku dhe një prej këtyre shembujve është ky bashkëpunim dhe trajnimit të nënoficerëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë që kemi një bashkëpunim të këtillë”,- ka thënë zëvendës/ambasadorja.

Ajo po ashtu ka vlerësuar Policinë e Kosovës të cilët kanë instaluar një polici shumë etnike dhe të reagimit të shpejtë dhe njëjtë ka bërë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës përderisa ka shtuar se SHBA do të vazhdojë që ta ndihmojë këto forcat të reja përderisa inkurajon që të kenë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera në to.

Ndërkaq kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se liria e popullit të Kosovës ishte ëndërr e shumë kosovarëve për vite të tëra, e cila u bë realitet përmes sakrificave të mëdha.

“Liria e Kosovës ishte një ëndërr e shumë paraardhëseve tonë. Sot fëmijët e tonë jetojnë të lirë. Andaj falënderimi i madh shkon tek qytetarët e Kosovës të cilët kanë bërë që ne te jemi sot këtu. Shprehim respektin për ish – Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova ka përparuar në shumicën e sferave, të ligjit, ekonomik por edhe në sfera të saj”, tha kryeministri Thaçi.

“Ne ende duhet ta zhvillojmë Kosovës që ajo të ecë dhe të bëhet një shtet bashkëkohorë të integruar në procese euroatlantike dhe qytetarët tonë e meritojnë këtë. Ne do ta bëjmë kë këtë- vijoi më tej Thaçi.

KOSOVA NE FESTE
Në vazhdimësi të festimeve të gjithë kombit të jubileut të madh të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kosovarët kanë pritur zgjuar edhe mëngjesin e sotëm në festimet edhe nëpër familje, të cilat në organizimet institucionale kanë nisur para tre ditësh. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi Pavarësinë e Kosovës si një kurorëzim të vullnetit gjithëpopullor dhe vizionaritet për realizimin e shtetkrijimit. 

Në mëngjesin e sotëm të Ditës së Kosovës, Newborn në Prishtinë, më shumë se ari me ngjyra, ishte edhe si një flamur i madh i të gjithë flamujve bashkë të shteteve që e kanë njohur deri sot Pavarësinë e shtetit të ri evropian, të shpallur pikërisht para pesë viteve, në 17 Shkurtin e 2008-ës. 

Gjithçka ishte gati herët në mëngjes në sheshet e Prishtinës për festimet sotme. 
Jubileu i parë i Pavarësisë, 5 -vjetorit festohet sot edhe me Seancën solemne, që do mbahet pasdite në orën 15:00, në orën e vendin e seancës historike të 17 Shkurtit 2008, ku përpos deputetëve aktualë dhe krerëve shtetërorë të Republikës së Kosovës, do të marrin pjesë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe nga shtetet fqinje, si dhe ish-deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë.
Në Ditën e Kosovës, atë të 5 vjetorit të Pavarësisë, në axhendë janë edhe Parada e Pavarësisë – parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në mesditë në qendër të kryeqytetit, Prishtinës, disa koncerte në sheshe dhe para simbolit të Pavarësisë, Newborn. 

Edhe festimet e të dielës së sotme të 5 vjetorit të Pavarësisë kulmojnë si festimet e të dielës së shpalljes së Pavarësisë me fishekzjarret rreth mesnatës ndërsa festimet do vazhdojnë deri në mëngjesin e së nesërmes.

“PERMBUSHJA E NJE ENDRRE”
Pavarësia e Kosovës ka përmbushur një pjesë të ëndrrës së qytetarëve të saj, por ajo nuk ka sjell mrekullinë, thonë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe analistët në përvjetorin e pestë të shtetit më të ri evropian.

Si një shtet që vazhdon konsolidimin e brendshëm dhe që përpiqet të ndërtojë subjektivitetin ndërkombëtar, shteti i Kosovës, megjithatë, konsiderohet se ka krijuar një ambient më paqësor në rajon, ndonëse veriu ende konsiderohet si një njollë me përplot rreziqe e tensione.
Hashim Thaçi
Pesë vjet më parë, kryeministri Hashim Thaçi lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Sot, ai beson se ky shtet është një tregim i suksesit, por ende jo edhe i mrekullive, sidomos nga rrafshi i zhvillimit ekonomik.

“Pavarësia e Kosovës ka sjell konsolidimin dhe forcimin e saj, ka rritur e fuqizuar subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Kemi rritur në masë të theksuar mirëqenien sociale të qytetarëve, por nuk i ka sjell mrekullinë ekonomike”.

“Prandaj, ne duhet të punojmë edhe më tepër që Kosovën ta bëjmë atdhe të të gjithë qytetarëve, në mënyrë që secili qytetar të ndihet mirë e krenar për të jetuar. Jam optimist se do të ndërtojmë një Kosovë evropiane, të zhvilluar dhe me mirëqenie sociale të qytetarëve, siç e meritojnë”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Për dallim nga katër përvjetorët e parë, sivjet shteti i Kosovës shënon Ditën e Pavarësisë pa mbikëqyrjen ndërkombëtare. Shtetet mike që e ndihmuan në shpalljen e pavarësisë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e njohën Kosovën dhe Turqia, vlerësuan se Kosova kaloi testin e mbikëqyrjes dhe se tash e tutje mund të ecë vetë, ndonëse me një asistencë të theksuar në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit që do t’i japë asaj misioni i BE-së për sundim të Ligjit, EULEX.

Isa Mustafa
Lideri opozitar, Isa Mustafa, thotë ka shumë përparime, por mungesa e zhvillimit ekonomik, ngecjet në sundimin e ligjit dhe dukuritë negative janë të metat që kanë përcjellë ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Natyrisht që kërkesat edhe pritjet tona kanë qenë shumë më të mëdha. Ajo çfarë unë mendoj se kemi ngecur dhe që do të duhej të ishte dashtë të bëhej më shumë dhe, është që të punohet në zhvillimin ekonomik, sepse jemi në një gjendje shumë të keqe ekonomike, me papunësi të madhe, varfëri të madhe dhe, po ashtu, në forcimin e shtetit ligjor, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë”.

“Por, ne megjithatë duhet t’i respektojmë të gjithë hapat që janë bërë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Të gjithë kemi pasur aspiratë që ta bëjmë shtetin tonë, e kemi bërë, prandaj edhe duhet ta respektojmë e ndërtojmë”, shprehet Mustafa.

Nga ana tjetër, në analiza politike shteti i Kosovës kryesisht shihet se ka ndikuar pozitivisht në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se shteti i Kosovës ka ngecje të shumta, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të ndërtimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

IIlir Deda
“E shohim se Kosova nuk ka mbërri, as pas pesë vjetësh, që ta rrumbullakojë legjitimitetin e saj të plotë ndërkombëtar. Ende negocion me Serbinë për çështje të brendshme, domethënë për veriun e Kosovës. Për shkak të keqqeverisjes, nuk ka mbërri të tërheqë investitorë të huaj seriozë, domethënë ka stagnim ekonomik, e të mos flasim për përshkallëzimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas përfundimit të procesit me Serbinë, duhet të fillojë edhe procesi i vërtetë i demokratizimit të Kosovës”, deklaroi Deda, per Radion Europa e Lire. 

Për pesë vjet shtet, Kosovën e kanë njohur afër 100 shtete. Ajo ka arritur të anëtarësohet në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por, as pas pesë vjetësh, Kosova nuk është afër të sigurojë një ulëse në Kombet e Bashkuara. Ajo ka mungesë të njohjeve nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe mbetet larg proceseve integruese, kurse së fundi i është shtyrë perspektiva e liberalizimit të vizave.

Në pamundësi që të mbrojnë ngjyrat e shtetit më të ri për shkak të mosanëtarësimit në federata e organizata ndërkombëtare, sportistët më të mirë kosovarë kryesisht sigurojnë pasaportën e Shqipërisë dhe futen nën petkun kuq e zi. 

AXHENDA
PRISHTINË
12:00, parada e pavarësisë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Emergjent. Koncerte për fëmijë
gjatë ditës
20:00, koncerti i fundit i mbrëmjes në sheshin qendror të Prishtinë. Ndezja e fishekzjarrëve. 

TIRANË
11:00 deri në orët e para të mbrëmjes do të ketë te rruga pedonale një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin “NA” dhe shumë të tjerë. Cirku i Tiranës me një spektakël të veçantë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 19:19

Prishtinë – Manifestimet për shënimin e ditëlindjes së pestë të shtetit të Kosovës, kanë nisur që nga 15 shkurti, me mbajtjen e një akademie solemne në Universitetin e Prishtinës dhe kanë vazhduar edhe gjatë së shtunës, me aktivitete të ndryshme të institucioneve kulturore publike, kanë njoftuar zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për kulturën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se manifestimet për pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë.

​ ​“Anekënd Kosovës, që nga mëngjesi, po bëhen homazhe nga delegacionet zyrtare të të gjitha institucioneve bashkë. Ndërsa, më vonë, në orën 18, do të ketë një pritje nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Jahjaga, për të ftuar të veçantë, korin diplomatik dhe të tjerë e që do të përcillet edhe me një koncert të Filarmonisë së Kosovës, si dhe për të vazhduar më pas në orën 20 me shfaqjen mysafire ‘Amadeus’ nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë që do të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka theksuar se gjatë ditës së diel, më 17 Shkurt, do të vazhdojnë aktivitetet e tjera, në funksion të shënimit të ditës së pavarësisë së Kosovës.

“Do të vazhdojnë aktivitetet tjera, duke filluar në mesditë, në orën 12, me paradën e pavarësisë – paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Emergjent, me koncerte për fëmijë e deri te koncerti i fundit, i mbrëmjes, që do të jetë në orën 20, në sheshin qendror të Prishtinë, për të përmbyllur gjithçka edhe me ndezjen e fishekzjarrëve”, ka sqaruar Krasniqi.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 18:40

Berlin – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për radion publike gjermane “Deutschlandradio Kultur”, ka thënë se në pesë vjetët e fundit, populli i Kosovës ka qenë në gjendje të ndërtojë një shtet nga themelet, duke filluar nga ndërtimi i institucioneve demokratike, përmirësimi i gjendjes ekonomike, modernizimi i shoqërisë, përmirësimi i sistemit të arsimit dhe shëndetësisë.

Duke folur për gjendjen në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka theksuar se gjendja në Mitrovicë në këto pesë vjet, por edhe më parë ka qenë e tensionuar, për shkak se Beogradi është mundur të projektoj jo stabilitet brenda Kosovës.

“Burimi i konflikteve në Ballkan ka qenë Beogradi. Shqiptarët në Kosovë, por edhe serbët e Kosovës ishin viktima të Beogradit. Prandaj, në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, dhe atij të Serbisë, Serbia duhet t’i shpërbejë strukturat e policisë dhe të sigurisë, të cilat në 13 vjetët e fundit kanë marr peng popullatën serbe në atë pjesë”, ka theksuar Hoxhaj.

Sipas tij, pas shpërbërjes së plotë të tyre, Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje demokratike, në mënyrë që të integrojmë edhe këto komuna në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sa i përket rolit të BE-së, Hoxhaj ka theksuar se BE ka një rol të rëndësishëm në këtë dialog, derisa Gjermania është duke dhënë një kontribut shumë të madh, në mënyrë që të përfundojë njëherë e përgjithmonë konflikti historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 18:23

Prishtinë – Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, në shënimin e 5 vjetorit të pavarësisë së vendit, së bashku kanë vazhduar homazhet pranë varreve të dëshmoreve të rënë për liri, duke përfunduar me homazhe pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku kanë vënë dhe kurora lulesh.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se në pesë vjetorin e pavarësisë, po nderojnë presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Jemi këtu që sot në 5 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderojmë presidentin e parë, presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova me platformën e tij politike, për liri pavarësi dhe demokraci, mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin duke e orientuar atë drejt vlerave më të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke e orientuar popullin tonë, që të jetë një vend i liri, sovran dhe shtet i pavarur, duke vendosur miqësi të përjetshme me SHBA-të”, ka pohuar Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pranë varrit të presidentit Rugova ka pohuar se në 5 vjetorin e pavarësisë, po nderojnë jetën dhe veprën si dhe angazhimin shumëvjeçar të Ibrahim Rugovës, si udhëheqës i lëvizjes për liri dhe pavarësi.

“Jemi sot të gjithë së bashku që në rastin e 5 vjetorit të pavarësisë, të nderojmë jetën dhe veprën, angazhimin shumëvjeçar si udhëheqës i Lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Sot bëjmë këtë nderim institucionet e shtetit, nderon shteti i Kosovës për atë përkushtim angazhim shumë vjeçar dhe lëvizjen për liri dhe pavarësi. Andaj respektojmë sakrificat e të gjithë kontribuuesve në kuadër të saj dhe të presidentit Ibrahim Rugova, si një udhëheqës shumëvjeçar i kësaj lëvizje”, ka thënë ai.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se gjatë ditës kanë vënë kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe tek varret e dëshmorëve dhe tek varri i Ibrahim Rugovës, si një ndërlidhje natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi.

“Sot së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës, vumë lule te dëshmorët tanë. Tani po përfundojmë te presidenti Rugova, si një ndërlidhje shumë e natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi. Gjithë ne do të punojmë bashkërisht në mënyrë që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës dhe në mënyrë që ai të bëhet sa më dinjitoz dhe të përgjigjet kërkesave dhe aspiratave që patën dëshmorët tanë dhe presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.

Liderët së bashku nderojnë Prekazin

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, nënkryetarë të Kuvendit si dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Prekaz. Krerët e lartë shtetëror si dhe lideri opozitar i LDK-së, së bashku arritën në Prekaz për t’i nderuar të rënët në 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke filluar me homazhe tek varret e familjes Jashari në Prekaz.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me këtë rast pohoi se sot po bëjnë nderime shtetërore, për ata që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit, për këtë sakrificë të madhe. Ai po ashtu tha se janë aty të gjithë së bashku, që të marrin energji dhe përkushtim për angazhimin e tyre për të ardhmen e vendit.

“Jemi sot këtu, të gjithë së bashku, për të nderuar veprën dhe jetën e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari, sakrificën e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, veteranëve invalidëve, sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit. Jemi sot të gjithë së bashku, të bëjmë nderime shtetërore, për këtë sakrificë të madhe, sakrificë të unitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, të çlirimit të Kosovës. Por në të njëjtën kohë jemi këtu të gjithë së bashku që të marrim energji dhe përkushtim për angazhimin tonë të ardhshëm për integrimin e shtetit të Kosovës në strukturat e NATO-së dhe BE-së “, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se liria dhe pavarësia e Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë që shteti i Kosovës të jetë i lirë dhe sovran.

“Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë, duke dhënë dhe sakrificën më sublime për shtetin e Kosovës, që të jetë një shtet i lirë dhe sovran. Një shtet që ka të ardhme të sigurt, drejtë anëtarësimit në BE dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të. Lavdi të përjetshme për të gjithë dëshmoret. Veprimtaria e tyre do të jetë udhërrëfyes për të gjithë gjeneratat e ardhshme”, tha Jahjaga.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se në këtë ditë të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dëshirojnë t’i bëjnë nderin atyre trimave dhe njerëzve të cilët flijuan çdo gjë për pavarësinë e Kosovës.

“Vepra e komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari si dhe dëshmorëve të tjerë, është vepër e cila është për gjithë popullin e Kosovës, për shtetin e Kosovës. Në këtë ditë të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dëshirojmë që të iu bëjmë nderin atyre trimave dhe njerëzve të cilët flijuan çdo gjë për pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Andaj në mënyrë të përbashkët dolëm sot të vëmë lule, të nderojmë dhe tregojmë përkushtimin tonë për ndërtimin e përbashkët të shtetit të Kosovës”, theksoi Mustafa.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 19:35

Prishitinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar telegrame të shumta urimi me rastin e shënimit të pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Përmes një deklarate, pesë vjetorin e pavarësisë, qytetarëve të Kosovës ia ka uruar edhe John Kerry, sekretar i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në emër të Presidentit Barack Obama dhe popullit të SHBA-ve, Kerry i dërgon urimet më të mira popullit të Republikës së Kosovës, me rastin e festimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në deklaratë, Kerry thekson se viti i kaluar ka qenë një ndër vitet më të rëndësishëm për Kosovën, duke përmendur përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara fuqishëm në mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike. Unë i përgëzoj liderët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin e institucioneve të fuqishme demokratike, avancimin e mundësive të reja ekonomike, promovimin e rendit dhe ligjit dhe fuqizimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve evropiane ”, thotë Kerry, duke inkurajuar vazhdimin e angazhimit në këto drejtime, të cilat do të ndikojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe të rajonit.
 
“Ndërkohë që e festoni këtë ditë të veçantë, Shtetet e Bashkuar të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si një partner dhe mik”, thotë sekretari Kerry.
 
Një telegram urimi, ministri Hoxhaj ka marrë nga Didier Reynders, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Belgjikës, i cili uron qytetarët e Kosovës në pesë vjetorin e shtetësisë.

Reynders thekson lidhjet e miqësisë që bashkojnë dy vendet, duke rikonfirmuar dëshirën e tij për të rritur bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, në telegramin dërguar ministrit Hoxhaj thekson se në kujtesën historike të shqiptarëve kudo që jetojnë, 17 shkurti do të mbetet datë lapidare, që shënon kurorëzimin e përpjekjeve e sakrificave shekullore të popullit të Kosovës për ta ndërtuar i lirë të ardhmen vet.

“Në këto pesë vjet pavarësi, Republika e Kosovës e ka dëshmuar veten faktor paqeje e stabiliteti në rajon, partner luajal që respekton e zbaton angazhimet e marra ndaj popullit të vet, fqinjëve, aleatëve dhe komunitetit ndërkombëtar, duke e bërë gjithnjë e më konkrete e më të afërt perspektivën e saj evropiane”, thotë Panariti, në telegram. (INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 17:08

Prishtinë – Me rastin e shënimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si dhe në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është hapur ekspozita unike e titulluar “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?”.

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Qendra për Studime Shqiptare nga Londra, MPJ e Kosovës dhe MPJ e Shqipërisë, përmban piktura, dokumente, harta, fotografi, shkrime dhe karikatura nga arkivat britanike, një pjesë e të cilave janë prezantuar për herë të parë para publikut.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në hapje të ekspozitës ka thënë se në rrafshin kohor ajo ofron pamje dhe përmbajtje që nga shekulli 17, 18, 19 dhe veçanërisht shekulli 20, duke e përshkruar fatin dhe pozitën e shqiptarëve në Ballkan, por mbi të gjitha duke e pasur në fokus themelimin e shtetit shqiptar, formimin e shtetit shqiptar, luftërat ballkanike, thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ-së.

“Kjo ekspozitë tregon se ku kemi qenë ne para 100 vjetësh, para 200 vjetësh, para 300 vjetësh, se sa rrugë të gjatë kemi bërë që sot në shkurtin e vitit 2013 ta kemi shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, shumetnik dhe si shtet qytetar, i cili i reflekton aspiratat që ka pasur populli i Kosovës, populli i Shqipërisë gjatë këtyre shekujve”, tha Hoxhaj, duke shtuar se në këtë rrugë të gjatë shqiptarët kanë pasur vazhdimisht një shtet mik, Britaninë e Madhe.

Hoxhaj tha po ashtu se Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dy shtetet vendimtare që kanë mundësuar krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit 20.

“Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dy fuqitë më vendimtare që kanë kontribuar edhe për lirinë e Kosovës, por edhe formimin e shtetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha Hoxhaj.

Myrna McGreggor, nga Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë, tha se shteti i saj dhe shqiptarët kanë një histori të gjatë dhe tejet interesante.

“Politika britanike drejt shqiptarëve ka qenë e fokusuar në siguri dhe stabilitet në rajon”, tha McGreggor.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka falënderoi ata që e kanë përgatitur këtë ekspozitë, “veçanërisht zotin Maliqi dhe në mënyrë të veçantë zotin Destani për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në krye të Qendrës së Studimeve Shqiptare në Britani”.

Shkëlzen Maliqi, kurator i ekspozitës, vlerësoi lart materialet e sjella nga Bejtullah Destani nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër.

“Është një koleksion shumë i çmueshëm. Për njëzet e sa vite ai ka mbledhur ndoshta dhjetë mijë e më shumë dokumente, fotografi, libra që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare dhe Ballkanin”, tha Maliqi.

Bejtullah Destani tha se viteve të fundit është koncentruar të sjellë disa imazhe që janë të natyrës historike, hartografike, arsimore dhe karikaturave të ndryshme që pasqyrojnë historinë e Shqipërisë.

Ai ka veçuar tre dokumente shumë interesante, dokumentin e aktit të besës, i nënshkruar nga shumë fise të veriut të Shqipërisë, i organizuar nga gjeneral Philips, dokumentin e shekullit 16-të, ku tregon që mbreti Henri VIII ka veshur kostum shqiptar, dhe dokumentin e Komitetit të Korfuzit, të vitit 1883, i organizuar nga Francesco Crispi, një arbresh në anën tjetër të Adriatikut.

Ekspozita “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?” do të jetë e hapur deri më 1 mars 2013, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 15:52

PRISHTINË – Kompania Ogilvy/Karrota, që realizoi monumentin NEWBORN për Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, për të cilën i fitoi shumë çmime ndërkombëtare në lëmin e dizajnit, përfshirë edhe çmimin më prestigjioz në botë, Luanin e Artë në Cannes, nëpërmjet rrjeteve sociale mbrëmë i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkëngjiten për ta kthyer në monument me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Aksioni do të nisë të shtunën, më 16 shkurt, nga ora 10:00 në mëngjes, në mënyrë që 5-vjetori i pavarësisë të pritet me pamje të re.

Ky propozim nga autori i monumentit, Fisnik Ismaili, që të lyhet në këtë mënyrë dhe t’i ndryshojë pamja më 17 shkurt të çdo viti, i është paraqitur si kërkesë Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës qysh nga përvjetori i parë i pavarësisë, më 2009, por i është refuzuar vazhdimisht çdo vit, përfshirë edhe sivjet për përvjetorin, pa ndonjë arsye të veçantë, por gjithherë me prapavijë politike.

Sivjet Komisioni për organizimin e manifestimit të 5-vjetorit të Pavarësisë, i udhëhequr nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, mori vendim që ta ngjyroste monumentin NEWBORN sërish me ngjyrë të verdhë (dhe jo sikur e verdha origjinale), pa u konsultuar asnjëherë me autorin për qëllimin, simbolikën apo mirëmbajtjen e mirëfilltë të kësaj vepre, duke i mbuluar nënshkrimet e shumta të qytetarëve pa asnjëlloj sqarimi, dhe duke mos i përfillur të drejtat autoriale dhe implikimet legale që mund të shkaktojë ky veprim.

Prandaj, si reagim ndaj kësaj shkeljeje të rëndë, jo vetëm ndaj të drejtave autoriale, por edhe shprehjes së lirë, Fisnik Ismaili mori vendimin për ta ngjyrosur monumentin ashtu si është menduar që nga përvjetori i parë, pa miratimin e autoriteteve zyrtare, duke gjetur përkrahje të madhe nga qytetarët, të cilët do t’i bashkëngjiten kësaj nisme, që po vërehet nga reagimi masiv në Facebook dhe Twitter.

Ismaili sqaron se NEWBORN është një vepër, e cila i shërben secilit qytetar për t’u shprehur në të, në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke e ngjyrosur me ngjyra të tjera. Kështu, ngjyrosja me flamujt e shteteve që pranuan pavarësinë e Kosovës simbolizon mirënjohjen e qytetarëve ndaj këtyre vendeve, dhe njëherësh shërben si porosi, duke kërkuar nga shtetet e tjera të na njohin sa më shpejt.

Ai ka paralajmëruar se sot gjatë ditës do të njoftojë organet e rendit për këtë aktivitet.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 15:39

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një seancë solemne me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Partia Socialiste nuk mori pjesë në seancë me pretendimin se nuk kishin pasur asnjë njoftim zyrtar për seancën e sotme. Nga ana tjetër zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se deputetët e PS-së janë njoftuar si zakonisht për zhvillimin e seancës.

Në nisje të seancës kryeparlamentarja Topalli tha se sot nderohet një nga ngjarjet më historike të kombit tonë.
“Sot ne kemi menduar të organizojmë një ceremoni të veçantë për një ngjarje historike. Pas dy ditësh festohet 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ngjarja më e madhe besoj pas pavarësisë së Shqipërisë që nga koha e Skëndërbeut”, tha ajo.

Sipas Topallit, “Ne kemi festuar me krenarinë tonë të ligjshme ëndrrën tonë. Gjëja e parë që të vjen në mend ishtë ajo se ishin shqiptarët e Kosovës ata që ideuan pavarësinë e Shqipërisë”.

Kryeparlamentarja u shpreh se në këtë ditë nderohet, edhe njeriu, vizionari i Pavarësisë së Kosovës që njihet ndryshe edhe si “gandi shqiptar” Ibrahim Rugova.

“Ne kemi demonstruar në vite se jemi “një komb një qendrim, ne jemi shqiptarë, e kemi këtë status dhe e mbajmë me krenari të madhe kudo që të jemi”, shtoi ajo. Topalli nënvizoi më tej se Kosova ka avancuar në rrugën e integrimit dhe shtoi se pikërisht atje do ndodhë bashkimi I shqiptarëve, në Europë. 

Republika e Kosovës u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 dhe deri më sot është njohur nga 96 vende në mbarë botën, ndërsa pavarësia e saj vi vijon të kundërshtohet nga Serbia. 

BERISHA: KOMBET ME BURRA SI ADEM JASHARI NUK VDESIN KURRË
Gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit në kuadër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Berisha theksoi se liria e Kosovës është kryevepra më e madhe e shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut deri në ditët e sotme. 

“Pavarësia e Kosovës përbën, pas Luftës së Dyte Botërore ngjarjen më të madhe jo vetëm në lirinë e shqiptarëve, por në Lirinë e Ballkanit dhe kontinentit. Sot ne nderojmë jo vetëm një 5-vjetor, por nderojmë 125 vite dhe më shumë luftëra, përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive që u projektuan ndaj tyre, luftën dhe përpjekjen e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Sot nderojmë burrat e gratë e Kosovës që bënë që flakët e lirisë të mos shuheshin kurrë në këtë tokë shqiptare. Sot ne nderojmë burrin vigan të kombit shqiptar, një nga personalitetet më të shquara të historisë tonë kombëtare, presidentin Ibrahim Rugova. Ne nderojmë presidentin Rugova, sepse në një rast unik të Ballkanit dhe në Europë, ai zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar një kauzë të drejtë, çështjen e shqiptarëve të Kosovës.”- u shpreh kryeministri. 

Sipas shefit të qeverisë, presidenti Rugova dëshmoi se nacionalizmi shqiptar bazohet në shpirtin e lirisë dhe interesin jetik kombëtar.
Berisha theksoi se nacionalizmi shqiptar nuk ka pretendime territoriale, por bazohet në vlerat e bashkëpunimit e bashkëjetesës me fqinjët.

“Nacionalizmi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo shqiptari për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit në Europë, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve njëri me tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë gjeneratave që u sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin shqiptar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale, nuk bazohet në doktrina shfarosëse, siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë. Ky nacionalizëm bazohet në vlerat më themelore. Ndaj dhe ne qëndrojmë krenar të nacionalizmit tonë.”- u shpreh Berisha. 

Më tej kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij për luftëtarët e lirisë së Kosovës si dhe alëatët ndërkombëtarë që vendosën në vitin 1999 të ndërmerrnin ofensivën ajrore të NATO-s në mbrojtje të shqiptarëve në Kosovë.

“Ne nderojmë sot kryeheroin e kombit shqiptar Adem Jasharin. Ai e shndërroi Prekazain në një Krujë të dytë, u flijua me familjen e tij për të qëndruar me dinjitet para një armiku barbar. Kombet që nxjerrin burra si Adem Jashari nuk mposhten kurrë. Kombet qe nxjerrin burra si ai nuk çedojnë në të drejtat e tyre kurrë. Liria kombëtare është liria supreme dhe pa të njeriu është veç një skllav. Gëzuar 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gëzuar të gjithëve.”- përfundoi Berisha.(LajmeShqip.com)

12