Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 21:07

PRISHTINË -Presidenti i Shteteve të Bashkuara tëAmerikës, Barack Obama uroi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në urimin e Presidentit Obama, sipas njoftimit të dërguar pak më parë nga Presidenca kosovare, thuhet, “ju përcjell urimet më të përzemërta juve dhe popullit të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit tuaj, më 17 Shkurt”.

“Viti që kemi lënë pas ka qenë në veçanti i rëndësishëm për Kosovën. Vendi juaj ka bërë hapa historikë në realizimin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Përderisa mbetet ende punë për të bërë, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi, si dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithëpërfshirës dhe shumëkombësh. Gjithashtu, janë bërë përparime në dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjët tuaj dhe i gjithë rajoni”, thuhet në mesazhin e presidentit amerikan.

Presidenti Obama shprehet gjithashtu se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqtë tuaj të ngushtë e partnerë dhe mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. E admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vitet e para të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë bashkë me ju për më shumë arritje në vitet në vijim”.

PRESIDENTI GYL URON PRESIDENTEN JAHJAGA
Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl i dërgoi një telegram urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Në emrin tim dhe në emër të gjithë popullit turk, ju uroj nga zemra Ju dhe gjithë popullin e Kosovës, me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”, përgëzon ai, sapo bëhet e ditur nga Presidenca ksovare.

“Kam besimin e plotë se marrëdhëniet tona vëllazërore dhe miqësore, të forcuara me lidhjet tona të thella historike, kulturore dhe njerëzore, me përpjekjet tona të përbashkëta, do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Turqia, sikurse në të kaluarën, do të vazhdojë t’i përkrahë vëllezërit e motrat e saj kosovare, në synimin e tyre për një Kosovë shumëkulturore, demokratike dhe të zhvilluar”, shprehet Presidenti Gyl.

Ai thekson se, “përfundimi i procesit të pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të vitit 2012 ka treguar konkretisht përparimin e Kosovës prej kohës së shpalljes së pavarësisë së saj”.

“Jemi të kënaqur për këtë përparim. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj edhe një herë rëndësinë që ia atribuojmë ekzistencës së Kosovës stabile, e cila ec me hapa të vazhdueshëm drejt integrimit evropian dhe në institucionet euroatlantike, si një partnere e besueshme e komunitetit ndërkombëtar, që paraqet një faktor të rëndësishëm paqeje dhe mirëqenieje të qëndrueshme në rajon”, thekson Presidenti Gyl.

“Më këtë rast, duke ju uruar shëndet dhe lumturi, përsëris dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e popullit të Kosovës”, përfundon Abdullah Gyl, President i Turqisë në urimin dërguar Atifete Jahjagës, Presidente e Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 11:33

Tiranë– Presidenca e Shqipërisë përmes një komunikate për opinionin ka sqaruar pse mungoi presidenti Topi në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Zyra e Protokollit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë sqaron publikisht dhe zyrtarisht për herë të parë se: “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë ftesë për në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe për në pritjen që do të organizohej më pas në Hotel ‘Sheraton’ ditën e premte, më 17 shkurt 2012.

Në pamundësi për të marrë pjesë personalisht për shkak të një gjendjeje virale, presidenti Topi ka komunikuar në telefon me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Kosovës, Gani Veselaj, të cilin e ka uruar edhe njëherë për Festën e Pavarësisë së Kosovës, duke e falënderuar njëkohësisht edhe për ftesën.

Të premten në mesditë, presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehur edhe njëherë urimet më të ngrohta për katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Presidenti i Republikës ka qenë i përfaqësuar si në ceremoninë e përurimit të Ambasadës, ashtu edhe në pritjen në Hotel ‘Sheraton’ nga këshilltarët e tij, të cilët i kanë përcjellë kryeministrit Thaçi, zëvendëskryeministrit Pacolli, ministrit të Jashtëm Hoxha dhe përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës urimet më të përzemërta në emër të kreut të Shtetit shqiptar”, përfundon sqarimi.

 
Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 20:00

Tiranë-Situata e rëndë përçarëse nuk ka munguar as në festimet e djeshme të 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Tiranë. Detajet nga tre ceremonitë e parashikuara me këtë rast kanë vënë në dukje krizën e madhe e me sa duket, të pashmangshme, në marrëdhëniet mes lidershipit politik.

Dy ceremonitë e para ishin ajo e vendosjes së emrit Ibrahim Rugova, një rruge në kryeqytet (ish-rruga Dëshmorët e 4 shkurtit, ndërrimi i emrit të së cilës është një problematikë më vete që ka irrituar veçanërisht shoqatat e veteranëve të luftës) dhe përurimi i zyrave të reja dhe godinës së re të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Të dyja këto ceremoni organizoheshin nga Protokolli i Shtetit praën Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ra në sy menjëherë që në këto dy ceremoni, ku ftesat janë shpërndarë nga qeveria e Shqipërisë, mungonin kreu i shtetit Bamir Topi dhe lideri i opozitës Edi Rama.

Të pyetur rreth arsyeve të mungesës, selia rozë dhe Presidenca konfirmuan se nuk u ka shkuar asnjë ftesë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ceremonia e tretë e ditës së djeshme ka qenë ajo e organizuar nga vetë Ambasada e Kosovës. Në këtë ceremoni ishin ftuar edhe kreu i opozitës Rama edhe presidenti Topi. Por ndërsa Rama ka shkuar në këtë ceremony të tretë në Sheraton, zoti Topi, nuk ka marrë pjesë as aty.

Burime pranë stafit të tij, konfirmuan mbrëmë se në dy ceremonitë e para Presidenti nuk është ftuar, por gjithashtu ai ka qenë me gjendje gripale, i pamundur për të marrë pjesë në ceremoninë e tretë, në të cilën kishte ftesë.

Pavarësia e Kosovës ka shenjuar kështu sërish ndasitë e trishtueshme të klasës politike në Shqipëri.

Reagon ambasada e Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë duke marrë shkas nga shkrimi i gazetës “Shekulli” e cila shkruan se presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe shefi i Partisë Sociaaliste, Edi Rama nuk janë ftuar në ceremoninë e hapjes së kësaj ambasada, sqaron se Ambasada e Republikës së Kosovës në ceremonitë e organizuara prej saj ka ftuar të marrin pjesë të gjitha autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.

Më tej në këtë njoftim thuhet se përurimi i selisë së ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe pritja me rastin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës janë organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, ndërsa ceremonia e përurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” ka qenë kompetencë e Bashkisë së Tiranës.

 
Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 14:12

Prishtinë (PLOTESUAR 19 shkurt, 19:30) Zv.sekretari amerikan i Shtetit, Uiliam Bërns, në Prishtinë i ka shpreh urimet më të ngrohta popullit të Kosovës.

“Me ju ne sot qëndrojmë vendosmërisht, ashtu siç qëndruam me ju në të kaluarën, gjersa ju punoni për të ndërtuar një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më prosperuese”, tha Bërns pas përfundimit të vizitës së tij në Kosovë.

Sipas tij, sikur edhe Shtetet e Bashkuara edhe Kosova përfiton nga një trashëgimi kulturore e llojllojshme dhe e pasur, dhe sikurse Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova duhet të punojë çdo ditë që ta ruajë atë.

“Miqësia e fortë dhe e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara me Kosovën dihet mirë. Ne jemi thellësisht krenarë me të. Ne mbesim të përkushtuar ndaj pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar Bërns.

Ai shtoi se SHBA-ja ka të vizion për Kosovën, të shohim Kosovën që ka marrë vendin e drejtë në institucionet euro-atlantike, duke përfshirë edhe NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

 “Ne do të vazhdojmë të punojmë me udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës që ato të përmbushin obligimet e veta për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur dhe për të përparuar perspektivën evropiane të Kosovës”, potencoi Bërns.

Ai ka theksuar se SHBA-ja aktivisht përkrah forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë duke besuar se kjo është thellësisht në vet interesin e të gjithë atyre që jetojnë këtu , qofshin serbë apo shqiptarë të Kosovës, gjersa ndërtohet një ardhmëri më të mirë dhe më premtuese në Evropë.

“Në veçanti, ne besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për çdo demokraci dhe për cilëndo shoqëri që të përqendrohet në rëndësinë e sundimit të ligjit. Nëse shihni përreth nëpër botë, është e vështirë të gjesh ndonjë shembull të një shoqërie që është e suksesshme në luftimin e një problemi si korrupsioni nëse nuk keni mediume të pavarura dhe objektive dhe një gjyqësor të pavarur për t’i mbajtur njerëzit të përgjegjshëm. Nganjëherë kjo është shumë më lehtë të thuhet se të bëhet, por ky është një qëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar zëvendëssekretari.

Ai ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar në përkrahjen e Kosovës në punën e saj në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja.

“Gjersa është e qartë se populli i Kosovës do të gjykojë vetë për atë se çka është në interesin e vet kombëtar, përfitimet nga bërja e përparimit përmes kësaj përpjekjeje janë të qarta. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë kanë thënë shumë herë, ne kërkojmë nga të dyja anët që të jenë fleksibile dhe kreative për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova janë në gjendje të marrin pjesë në forumet rajonale. Të dyja anët duhet të gjejnë një formulë me të cilën do të jenë të rehatshme”, ka vlerësuar ai.

Bërns, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të fokusohen në sëndërtimin e rendit dhe ligjit, me qëllim të luftimit të korrupsionit si dhe që të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve euroatlantike, përfshirë këtu edhe shfrytëzimin e mundësisë për prezantim në forumet rajonale.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, gjatë vizitës në Kosovë, pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, e ka vizituar edhe Graçanicën.

Bërns së pari ka takuar Peshkopin Teodosije në Manastirin e Graaçanicës, pastaj ka vizituar edhe Komunën e Graçanicës, ku është pritur nga kryetari, Bojan Stojanoviq.

************************

Prishtinë (PLOTESUAR 18 shkurt, 18: 30) Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot pasdite në takim Zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, William Burns i shoqëruar nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Philip Reeker dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Burns, tha se SHBA-të i japin mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj. Ai tha se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.

Burns tha se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës, njofton Presidenca kosovare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në arritjen e lirisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme për konsolidimin e shtetit. Presidentja Jahjaga tha se prania e vazhdueshme e SHBA-ve në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.

Ajo tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të arritur stabilitetin dhe theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari, që ofron të drejta të garantuara për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se ky plan nuk është zbatuar në tri komunat në veri të Kosovës për shkak të pengesave nga strukturat ilegale dhe rrjeti kriminal serb. Ajo tha se pengesë tjetër mbetet edhe ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Serbia duhet të përmbushë obligimet e veta, duke u angazhuar për një bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ajo tha se nga dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë kanë dalë marrëveshje, të cilat duhet të zbatohen. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka treguar vullnetin e saj për t’i zbatuar ato, duke kërkuar që edhe Serbia të bëjë më shumë në zbatimin e tyre.

Presidentja Jahjaga tha se e mirëpret vullnetin e BE-së për të arritur përparim të mëtejshëm në dialog, por theksoi se me propozimet për diskutim në raundin e ri të dialogut duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës. Ajo tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë të angazhuara në dialog si dy subjekte të barabarta dhe të pavarura.

Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në rajon.

Ndërkohë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot padite Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns.

Zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëri të ditur se në takim u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës, për progresin që ka arritur Kosova në katër vjet shtetësi, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “në katër vjetorin e shpalljes shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, Republika e Kosovës është shtet edhe më i konsoliduar, me institucione stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, si dhe respektim të komuniteteve”.

“Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm, me të cilin krenohemi të gjithë, por edhe miqtë tanë. Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik”, theksoi në takim kryeministri Thaçi.

Në vazhdim, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. Institucionet ndërkombëtare, që janë të pranishme në Kosovë, kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje”.

Në takimin me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns, kryeministri Thaçi vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria Amerikane i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, që nga procesi i çlirimit, i pavarësimit, si dhe tani në procesin e zhvillimit dhe integrimit.

Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi shprehu bindjen se marrëdhëniet e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të thellohen në sferat me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, Burns, ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme të SHBA-ve për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, z.Burns, po ashtu theksoi se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovës, edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë.

Para takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA), e cila u nënshkrua nga Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, William Burns dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

****************************

Prishtinë-Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, William Burns, do të qëndrojë sot në Kosovë, ku do të zhvillojë një varg takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve kosovare.

Në kuadër të vizitës së tij në vend, është parashikuar të mbahet një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Ky i fundit, sipas një njoftimi të Qeverisë, pritet të marrë pjesë edhe në nënshkrimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA). Marrëveshja thuhet se do të nënshkruhet nga zoti Bërns  dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Mësohet se gjatë së shtunës, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Burns, do të vizitojë edhe komunën e banuar me shumicë serbe-Graçanicën, ku do të zhvillojë një takim me Peshkopin Teodosije në Manastirin e këtij qyteti.

Vizita e zëvendëssekretarit amerikan vjen një ditë pas katër-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në prag të raundit të ri të dialogut Prishtinë-Beograd. Megjithatë, nuk dihet ende se për cilat tema do të diskutohet në takimet që Bërns do t’i zhvillojë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 22:32

Tiranë- “Liria e një kombi është një dhe e pandarë, ndaj dhe ne punojmë sot së bashku për të ardhmen që meritojmë në BE dhe NATO”, tha të premten në mbrëmje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një pritje të organizuar në Tiranë, në kuadrin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Sot për çdo shqiptar është një ditë e madhe mirënjohje, tha në fillim të fjalës së tij, kryeministri Berisha, duke shprehur nderim për ata qindra e mijëra qytetarë, që për një shekull me radhë flijuan jetën e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar, për Kosovën e lirë.

Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për SHBA dhe miqtë e tjerë në Europë, të cilët në një moment kritik për shqiptarët e Kosovës, angazhuan në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut fuqitë e tyre ajrore, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e shqiptarëve nga operacionet më makabre të kohës, që synonin shfarosjen e tyre.

“Sot është një ditë e madhe mirënjohje për të gjithë shqiptarët, që ditën që në momente kritike të reagojnë si një komb i vetëm. 17 shkurti 2008 është një ditë krenarie për çdo shqiptar, sepse shënon fundin e një sage të papërshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash, fundin e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistencë dhe fillimin e një epoke, ku ata njëlloj si kombe të tjera të lira, vendosën të ndërtojnë të ardhmen e  tyre”, tha kryeministri Berisha.

Ai përshëndeti gjithashtu autoritetet dhe qeverinë e Kosovës, që gjatë këtyre viteve, në një hark të shkurtër kohor kanë realizuar në Kosovë arritje shumë të mëdha në ndërtimin e vlerave të demokracisë në ndërtimin e Kosovës.

“Në një hark të shkurtër kohor, Kosova u shndërrua në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon. Përgëzoj qeverinë e Kosovës për dialogun në të cilin është angazhuar në Bruksel, me vendosmërinë më të madhe për të hapur një kapitull të ri midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 19:10

Presidentja Atifete Jahjaga, në përvjetorin e katërt të pavarësisë së vendit, nxori një dekret për faljen e dënimit të mbetur apo uljen e dënimit të 15 personave, të cilët janë duke vuajtur dënimet nëpër qendrat korrektuese në Kosovë.

“Në nxjerrjen e këtij dekreti, presidentja ka marrë në konsideratë dispozitat kushtetuese dhe të Ligjit për Faljen, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Dekretin DF-002-2012 mbi Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar, të dhënat e ofruara nga Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Republikës së Kosovës dhe mendimin e Komisionit Profesional, të themeluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga kabineti i Presidentes.

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 17:39

Mitrovicë- Festimet e pervjetorit të 4 të Pavarsisë, qytetin e Mitrovicës e gjejnë të ndarë edhe më shumë.

Këtë vit ky përvjetor është duke u festuar edhe me barrikadat në urë që janë vendosur 6 muaj më parë grupet kriminale serbe.

Ndërsa një pjesë e banorëve të Mitrovicës në jug kanë dalë rrugëve të qytetit për të festuar, shqiptarët në veri janë mbyllur nëpër shtëpi e tyre duke mos pasur asnjë atmosfere të kremtimit të Pavarsisë.

Berharm Beqiri, banor i veriut të Mitrovicës thekson se në veri të Mitrovicës dhe Kosovës nuk ka festë të Pavarsisë. “Pavarsia e Kosovës nuk shifet askund, ne shqiptarët jemi mbyllur nëpër shtëpite tona dhe jemi duke shikuar TV, ndërsa nëpër qytet, grupet kriminale serbe janë në numër shumë më të madhe duke shikuar dhe kontrolluar se mos shqiptarët diku po shpalosin ndonjë flamur të shtetit të Kosovës”-shprehet ai.

Beqiri më tej ka shtuar se nëse dikush nga shqiptarët merr guximin për të shpalosur ndonjë flamur të shtetit të Kosovës, grupet kriminale serbe mund t’i sulmonjë me ekspoziv në shtëpi.

Në anën tjetër zyrtarët komunal në Mitrovicë, festimet e Pavrsisë i nisën me homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve si dhe organizime të tjera.

Ndërsa shumë qytetarë janë duke festuar Pavrsinë e 4 të shtetit të tyre, KEK-u ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Ne qytet, orari i reduktimeve arrin në 3 orë ndërsa në fshat redukimet shkojnë deri në 6 orë. 

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 16:08

Sot, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare u promovua  “Historia e Kosovës” e Jusuf Buxhovit, vepër kjo e cila, si rrallë ndonjë vepër tjetër, zgjoi vemendjen e opinionit të Kosovës, por edhe atij të jashtëm, duke u kthyer në veprën më të kërkuara. Arsyet për këtë duhet kërkuar te çasja komplete e trajtimit të historisës  shqiptare, gamën e të cilët autori e bart te Pellazgët, ku Dardania fokusohet si qendër e antikitetit me të cilën lidhet qytetërimi i antikitetit.

Duke ndalur te kjo çasje, recenzenti i librit, Ramadan Musliu, “Kosovën” e Buxhovit e vlerën vepër kapitale. Ai tha se përqendrimi te Pellazgët, pastaj roli i dardano-ilirëve gjatë perandorisë së Romës dhe të asaj të Bizantit, nxjerr në pah një pamje tjetër të pasardhësve të tyre, shqiptarëve, të cilët shihen në qendër të këtyre zhvillimeve. Musliu  vlerësoi se “Kosova” e Buxhovit është një vepër  monumentale, ku për herë të parë paraqitet historia shoqërore dhe  shpirtërore e shqiptarëve jashtë kufizimeve ideologjike dhe atyre folklorike me të cilat historiografia shqiptare ka qenë e ngarukuar dhe për fat të keq, edhe më tutje vazhdon të jetë e ngarkuar.

Autori, Buxhoi, tha se nuk ka bërë tjetër pos që gjërat e njohura i ka vendosur në vend të vet, duke i rivlerëusuar dhe se shpreson se rruga që e ka nisur jo vetëm që do të pranohet, por edhe do të vazhdohet nga një çaseje gjithëpërfshirëse e historianëve. Me këtë rast Buxhovi theksoi se historiografia shqipare duhet të tejkalojë pengun e klisheve të historiografisë serbomadhe, ku edhe sot e gjithëditën barten disa nga tezat e saj rreth mitit mesjetar serb, mbi të cilin u ndërtuan planet hegjemonite serbe nga Kriza Lindore e deri te koha jonë. Ai theksoi se shteti i Kosovës duhet të krijojë kushte që historianët të krijojnë vepra shkencore të një vlere të qëndrueshme, me të cilat luftohen konceptet hegjemoniste të historiografisë serbomadhe, në vend se të kënaqet me kuazihistorianë, të cilët historinë e shtetit të Kosovës e shohihn të shkëputur nga kontinuiteti i saj mijëravjeçar duke e rrudhur në një dhjetëvjetësh me heronjë të shpifur!

Vlen të theksohet se interesimi për promovim ishte aq i madh, saqë një pjesë e madhe e të interesuarve mbetën jashtë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 14:30

Tiranë-Në kuadrin e aktiviteteve që organizohen në Shqipëri e Kosovë, me rastin e 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot një grup të rinjsh kosovarë nga organizata joqeveritare “Uniteti Rinor”.

Duke folur mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Haxhinasto u shpreh se “ne ndjekim me shumë vëmendje këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur disa çështje etnike që ekzistojnë midis dy shteteve, sigurisht bazuar mbi respektin reciprok dhe mirënjohjen e asaj që përfaqëson çdo shtet sovran”.

Sipas Haxhinastos, “ky është edhe qëllimi i këtij procesi, të konkludohet sa më shpejt çdo marrëveshje e arritur me qëllim që ajo që arrihet të përkthehet si cilësi tjetër jete për qytetarët e dy vendeve, si për Serbinë, edhe për Kosovën”.

“Ne si Republikë e Shqipërisë përshëndesim të gjithë problematikën që Kosova ka përsa i përket njohjeve të reja”, theksoi Haxhinasto, duke shtuar se “e mbështesim atë në rritjen e numrit të njohjeve dhe shikojmë me kënaqësi se kjo ka arritur në shumë dinamika pozitive për shumë vende që janë në procesin e njohjes së Kosovës. Faktet tregojnë që ky ku numër po rritet vazhdimisht”.

“Një sfidë e madhe për Kosovën është që ajo të vazhdojë me hapa të sigurtë në integrimin drejt Bashkimit Europian. Është kënaqësi të shikojmë ndërmarrjen e hapave të parë në procesin e liberalizimit të  regjimit të vizave në zonën Shengen. Shpresojmë që shumë shpejt Kosova të ketë një marrëveshje të re kontraktuale me BE-në, që do ta zhvendosë atë në mënyrë të qartë e konkrete në një proces integrimi”, tha Haxhinasto.

Zv/kryeministri Haxhinasto theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet edhe integrimin e Kosovës në NATO. “Dëshirojmë që ky proces të vazhdojë me hapa të tjerë cilësorë, me qëllim që edhe Kosova të jetë në procesin e anëtarësimit në këtë aleancë, që është aleanca ku aspirohet të jenë të gjithë vendet e Ballkanit, duke folur për Malin e Zi, për Bosnje Hercegovinën dhe jam i bindur që në një të ardhme të afërt edhe Serbia”, tha Haxhinasto.    

Sipas ministrit Haxhinasto, janë shumë punë për të bërë. “Ky përvjetor i 4-t është një moment shumë i mirë për të kujtuar gjithë ato sakrifica që janë bërë nga populli i Kosovës, personalitetet e tij, nga figura të shquara të tij, nga Ibrahim Rrugova, nga dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e saj, por është e rëndësishme të shohim çfarë Kosova duhet të arrijë dhe sidomos ju, brezi i ri,  që do të keni përgjegjësi të mëdha për ta berë Kosovën anëtare të BE. Jam i sigurt që ju do të keni përgjegjesitë e duhura në mënyrë që Kosova të realizojë me sukses sfidat që ka”, iu drejtua ministri të rinjve kosovarë.

Duke folur për referendumin e serbëve në veri të Kosovës, Haxhinasto tha se “ne vlerësojmë që nuk është mënyra kjo për asnjë komunitetet në Kosovë që të realizojë integrimin e plotë në shoqërinë e Kosovës . Kosova ka një Kushtetutë, nga më modernet në Europë, garanton në mënyrë ligjore të drejtat e të gjithë minoriteteve e komuniteteve si një shoqëri e cila është e hapur e multietnike, prandaj dua të përsëris që ky referendum nuk ka asnjë gjë ligjore, nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, por rruga për t’u integruar është duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ministri Haxhinasto.

Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve të rinj kosovarë në Shqipëri ishte diskutimi mbi perspektivën e Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në integrimin europian të shtetit të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 14:00

Prishtinë-Ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e tjera, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë festuar katër vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, me ceremoni solemne të organizuara me këtë rast.

Në pritjet e organizuara, kanë marrë pjesë personalitete të shquara të vendeve, ku janë hapur ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, përfaqësues të jetës politike e publike të këtyre shteteve, si dhe diplomatë të huaj e bashkëatdhetarë tanë, të cilët jetojnë në këto vende.

Ceremonitë solemne janë karakterizuar nga prania e shumë miqve të Kosovës, të cilët kanë shprehur bindjen e plotë se Kosova do të vazhdojë me sukses të plotë rrugën drejt ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit.

Ata, përmes stafit diplomatik përkatësisht konsullor të Kosovës, kanë uruar popullin dhe udhëheqësit politikë të Kosovës për vendosmërinë e tyre në ecjen përpara, me theks të veçantë në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, stafi diplomatik përkatësisht konsullor i Republikës së Kosovës në shtetet pritëse, në emër të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar përfaqësuesit e vendeve mike dhe diplomatët e tjerë të pranishëm, për mbështetjen që po i ofrojnë Kosovës dhe kanë premtuar vazhdimin e angazhimit të plotë të shtetit dhe diplomacisë kosovare për forcimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)