Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 07:30

Prishtinë – Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, për të shënuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë temë kryesore në takimin që ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka zhvilluar me përfaqësues të forumeve rinore të partive politike shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Ministri Krasniqi e vlerësoi si një iniciativë të mirë bashkimin e  forumeve rinore, për të dhënë kontribut në shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ministri, tha ai, do të pasurojë edhe më shumë gjithë atë axhendën zyrtare të aktiviteteve për të shënuar këtë përvjetor dhe shtoi se kështu merr edhe një jehonë edhe më të madhe festa gjithëkombëtare shqiptare.

Ai i ka njoftuar përfaqësuesit në lidhje me axhendën që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përgatitur për këtë përvjetor. Ministri Krasniqi, njëherësh është edhe kryetar Rinisë Demokratike të Kosovës, njoftoi për përgatitjet dhe aktivitetet që pritet të organizohen dhe ofroi përkrahjen e plotë të tij për idetë që do të dalin nga forumet. Ai vlerësoi se është mjaft e rëndësishme që të rinjtë nga partitë politike, të lënë dallimet mes tyre dhe të punojnë bashkërisht për të shënuar sa më në mënyrë dinjitoze jubileun e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të qenë si një trup i përhershëm që do të japë kontributin e vet në zhvillimin e gjithëmbarshëm të kombit.
 
Ministri Krasniqi ndërkaq theksoi nevojën që të ketë takime edhe në ditët dhe javët në vazhdim, në mënyrë që të ketë një plan konkret për aktivitete që do të organizohen me iniciativën e forumeve. Pjesëmarrësit e takimit të organizuar nga Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, janë pritur edhe nga kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i LDK-së. Sipas axhendës, gjatë pasditës u bënë homazhe tek varri i Presidentit Historik  Ibrahim Rugova dhe u vizitua Familja Rugova  në Prishtinë. Po ashtu, u bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe vizitë në familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. (LajmeShqip.com)