Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 15:50

Prishtinë – Sekretari Permanent i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi ka gjasë të mos mbajë më postin që kishte në MPB.

Burime të Express thonë se ai është suspenduar nga puna sot nga Ministri Bajram Rexhepi. Sipas burimeve, ky suspendim ka të bëjë me hetimet që po i bëhen disa zyrtarëve të MPB’së rreth zhdukjes së 1.4 milionë eurove të dedikuar për pasaportat biometrike të kosovarëve.

Mos vazhdimin e punës së Gashit në MPB nuk e ka konfirmuar për Express Ministri Rexhepi, por as nuk e ka mohuar.

“Kontaktoni me zyrën për informim ju them, pas pak do të lëshohet njoftimi”, ishte përgjigja e vetme për Express nga Ministri.

Nga Zyra për Informim e MPB’së, ndërkaq, Express i është thënë se Gashi nuk është shkarkuar por që në lidhje me të do të ketë një komunikatë brenda gjysmë ore.

“Nuk është shkarkuar nga puna por për detaje i merrni vesh të gjitha në komunikatë e cila del më së largu pas gjysmë ore”, ka thënë për Express, Rroksana Qarri.

Ndryshe, muaj më parë në media ishte raportuar se MPB pa kurrfarë autorizimi të shkruar ka devijuar adresën ku duheshin paguar paratë për pasaportat e prodhuara nga ndërmarrja austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD) dhe Ilhami Gashi, sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie, ka thënë se këtë e dinte prej kohësh.

Përkundër kësaj, Gashi nuk ka treguar gatishmëri për të marrë ndonjë masë kundrejt vartësve të tij.

Këtij zyrtari që bën administrimin dhe menaxhimin e gjithëmbarshëm të Ministrisë, nuk i është dukur lajm ajo çfarë është raportuar në media. Prandaj, ka thënë se nuk ndikohet nga ajo që raportojnë mediet.

“Unë me gazeta nuk merrem. Merrem me argumente. Jemi institucione shtetërore dhe nuk marrim veprime në bazë të asaj që shkruajnë gazetat”, ka thënë Gashi për media.

“Në gazetë kurrgjë nuk ka dalë, sepse të gjitha pagesat janë bërë me pëlqim”.

Në ndërkohë që tashmë dihet se skandali i pasaportave shpërtheu pikërisht pasi 1. 4 milion eurot e dedikuara për pasaportat biometrike, e të cilat prodhoheshin nga OeSD nuk kishin shkuar në adresën e kësaj të fundit.

E dyshuara kryesore për zhdukjen e këtyre parave, Natalie Velija në deklaratën e saj të dhënë në Prokurorinë e EULEX’it që po udhëheq me hetimet pati përfshirë edhe zyrtarë të MPB’së në skandalin, që u përmend edhe në vlerësimet e Komisionit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 23 November 2012 11:39

Prishtinë – “Avullimi” i një milion e katërqind mijë eurove, që i takojnë kompanisë austriake, OeSD, e cila prodhon pasaportat kosovare, nuk është keqpërdorimi i vetëm që është bërë me tenderin për pasaporta biometrike. Gazeta “Zëri” ka siguruar një dosje me dokumente që dëshmojnë për prapaskenat rreth futjes së pasaportave në Kosovë, përkatësisht për zhdoganimin e tyre pa e paguar taksën doganore.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi që kompania nënkontraktuese e OeSD-së, “Consulting. Eu”, që është përfaqësuar nga Natalije Velija, në bashkëpunim me zyrtarë të MPB-së dhe të Doganës së Kosovës, kanë arritur që pasaportat t’i fusë në një “thes” me broshurat, për të cilat paguhen vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), por jo edhe taksa doganore.

Njëri nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili, në kushte anonimiteti ka treguar për mbarëvajtjen e këtij procesi, ka thënë se deri tek ikja nga tatimi është arritur falë një bashkëpunimi të ngushtë mes zyrtarëve të MPB-së, zyrtarëve të Doganës dhe Natalije Velijajt, dhe bashkëpunëtorëve të saj. (Zeri)

 
Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 10:24

NEW YORK- Tashmë pasaportat biometrike prodhohen edhe në New York. Të gjithë shqiptarët që jetojnë atje kanë mundësi të aplikojnë. 

Hapja e kësaj zyre u përurua edhe nga Presidenti i Republikës, Bujari Nishani, i shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, zoti Dritan Mishto, Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Ferdinand Poni, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, zoti Michael Granoff dhe Drejtori i Kompanisë “Aleat”. 

Presidenti Nishani e vlerësoi këtë projekt si arritje të institucioneve të shtetit shqiptar dhe shprehje e kujdesit të vazhdueshëm ndaj emigrantëve tanë kudo ata jetojnë. 

Më pas Konsulli i Përgjithshëm, Dritan Mishto e njohu Presidentin Nishani dhe të ftuarit me procedurën dhe sistemin e aplikimit, interesimin e emigrantëve për të aplikuar duke shprehur bindjen se me këtë shërbim qeveria shqiptare përmbush një nga detyrimet themelore në ndihmë të bashkësisë shqiptare.

Zyra e aplikimit për pasaportat biometrike në New York u përurua dhe është në vazhdën e ofrimit të këtij shërbimi edhe për emigrantët shqiptarë në Itali dhe në Greqi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 16:20

Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e fillimit të lëshimit të pasaportave biometrike. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se me fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike është plotësuar një ndër kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave.

“Pas një pune të palodhshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të prodhuesit të kontraktuar nga Austria, në ditën e fundit të tetorit po e përmbushim një premtim që e kemi dhënë më parë se procedimi i pasaportave biometrike do të fillojë në tetor dhe sot ka ardhur ajo ditë. Pra, është një ndër kushtet e rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave”, tha ministri Rexhepi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se fillimi i lëshimit të pasaportave  biometrike është shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizim të vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

“Siç kremi premtuar dhe premtimi ynë po realizohet që deri në fund të tetorit do të lëshojë pasaportat e para biometrike. Me lëshimin e pasaportës së parë biometrike po e përmbushim një parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Kosovës me ata të Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se me lëshimin e pasaportave biometrike po avancohet procesi i liberalizimit të vizave, ku deri më tani është arritur një progres substancial në proces si në fushën e riatdhesimit dhe ri-integrimit dhe menaxhimit të integruar të kufijve.
Ndërsa ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, vend ku janë duke u prodhuar pasaportat biometrike, tha se me këtë rast ka përfunduar një punë e madhe, delikate dhe sfiduese që është bërë në mes partnerëve të shkëlqyeshëm, Kosovës dhe Austrisë, në një periudhë shumë të shkurtër.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë fazë dhe unë uroj popullin e Kosovës për këtë hap të rëndësishëm i cili është theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën, që ka qenë shumë pozitiv në shumë fusha dhe është e theksuar qartazi se shumë punë janë bërë.
Ky është një hap tjetër në këtë rrugë”, tha ambasadori Johann Brieger.
Qytetarët e parë të Republikës së Kosovës të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike janë: Fatos Bajçinovci, Zymrije Grajçevci dhe Ender Alija.

 
Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 12:00

Prishtinë – Në Kosovë do të zhvillohet sot pasdite, ceremonia e fillimit të shpërndarjes së pasaportave biometrike, ndërsa aplikimet e para po bëhen gjatë paradites në Qendrën për Regjistrim Civil, në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Pjesëmarrës në ceremoni do të jenë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Prodhimi i pasaportave biometrike të Kosovës ka filluar në gusht të këtij viti në Austri, ku u theksua se ato janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara, sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së.

Pasaportat biometrike janë një hap tjetër në përmbushjen e detyrimeve, që ka Kosova në rrugën e saj evropiane, në procesin e liberalizmit të vizave.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek, gjatë vizitës javën e kaluar në Prishtinë tha se ishte “e bindur se në dhjetor do të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave”.

 
Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 16:42

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka marrë vendim për përcaktimin e tarifave të çmimeve për pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës.

Për marrjen e Pasaportës biometrike të Republikës së Kosovës, qytetari duhet të paguajë, shumën si në vijim:

Çmimi i pasaportës biometrike për pensionistët është 20 euro.

Ky vendim është marrë duke u mbështetur në nenin 145 (pika 2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh nenet 4, 21, 22 të Ligjit për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, si dhe duke u bazuar në nenin 8 (paragrafi 1.4) dhe Shtojcën 3 të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si dhe në Ligjin për dokumente të udhëtimit.

Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 15:49

Prishtinë – Ministri Bajram Rexhepi mori pasaportën e parë biometrike të Kosovës.

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme qëndroi në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në ceremoninë e fillimit të prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni, drejtuesit e kompanisë austriake OESD, i dorëzuan ministrit Rexhepi edhe zyrtarisht pasaportën e parë biometrike, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Prodhimi i pasaportave, thuhet në kumtesë, do të bëhet në Austri, ndërsa personalizmi i pasaportave biometrike do të bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që të pajisen me pasaporta biometrike që nga muaji tetor i këtij viti. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi me këtë rast tha se, me fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, është bërë edhe një hap tjetër në përmbushjen e obligimeve që ka Kosova në rrugën e saj evropiane, në procesin e Liberalizmit të Vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ministri Rexhepi siguroi se këto pasaporta janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta, si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së.

Sipas kumtesës, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë, që brenda 3 viteve të prodhohen më tepër se 1 milion e 300 mijë pasaporta biometrike, që do të jenë të mjaftueshme, që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të pajisen me këto dokumente. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 19:33

Prishtinë – Në fillim të muajit gusht do të jepen pasaportat e para biometrikë në Kosovë, kumtoi ministri  i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi në solemnitetin me rastin e rrumbullakësimit të procesit për digjitalizim të librave amë.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s, skenimi i librave amë, në të cilin janë të shënuar qytetarët kosovarë filloi vitin e kaluar në muajin tetor.

Mediat kosovare vlerësojnë se pasaportat biometrike janë shenja e parë për liberalizim të regjimit të vizave për qytetarët e Kososvës, me ç’rast përkujtojnë që në takimin që këtyre ditëve në Prishtinë e kishte ministri Rexhepi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Urlike Linaçek, u bë fjalë edhe për heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Lunaçek, posaçërisht është interesuar rreth plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë të riatdhesimit dhe riintegrimit të qytetarëve kosovarë.

 
Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 16:57

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi sot kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike me kompaninë austriake OESD.

Kjo ministri bën të ditur se nga të gjithë ofertuesit ekonomikë që kanë aplikuar për këtë tender, në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe duke respektuar të gjitha procedurat e tjera administrative, fitues është shpallur kompania OESD, që i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara në tender.

Pas nënshkrimit të kontratës, me vlerë 14,127,003.24 euro, brenda një muaji do të vendoset për dizajnin e pasaportave biometrike dhe masat e sigurisë, ndërsa pas katër muajve pritet të arrijë kontingjenti i parë me pasaporta biometrike.

 
Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 12:35

Prishtinë – Pasaportat biometrike do të fillojnë të lëshohen gjatë verës, ndërsa tash është në fazën e fundit procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do t’i prodhojë pasaportat.

Edona Baruti, këshilltare e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se procedurat e tenderit që pati shpallur kjo ministri tashmë janë në fazën përfundimtare dhe se kompania fituese që do të prodhojë këto pasaporta do të dihet shumë shpejt.

Në anën tjetër eksperti i çështjeve të integrimit evropian Avni Mazreku vlerëson se me fillimin e dhënies së pasaportave biometrike, institucionet e vendit përmbushin njërin ndër kriteret kryesore të procesit të liberalizimit të vizave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në fund të vitit të kaluar, pati shprehur zhgënjimin e tij në institucionet evropiane pasi ato bënë të ditur se dorëzimi i udhërrëfyesit nuk do të ndodhë në atë kohë.

Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Megjithatë institucionet e vendit po përmbushin një plan të njëanshëm të kritereve për liberalizimin e vizave.