Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 16:16

Pas ndihmës prej 10 eurove për Vetëvendosjen, Partia e Fortë I ka dalë në ndihmë edhe PDK-së duke plotësuar pyetësorin e Agim Çekut. 

“Pas pranimit të pyetësorit të shpërndarë nga zyra e z.Agim Çeku, duke u nisur nga fakti që shumica absolute e njerëzve nuk do t’i përgjigjen këtij pyetësori, Kryetari i Partisë së Fortë ka vendosur t’i drejtohet atij me një letër publike, ku i ofron asistencë miqësore.

Duke e pasur parasysh që z.Çeku është banor i ri i Prishtinës, PF mirëkupton mungesat dhe zbraztësitë eventuale në përndryshe njohuritë e tij të thella mbi Kosovën në përgjithësi, të cilat edhe shpalosen fuqishëm në mënyrën se si janë shtruar pyetjet e këtij pyetësori.

 

Në këtë frymë, ne nuk kemi se si mos ta shfaqim admirimin tonë për guximin e z.Çeku që si kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, të shprehë gadishmërinë e tij për t’u informuar më shumë rreth kryeqytetit dhe mënyrave më të mira për europianizimin e tij. 

Ky interesim i tij vjen 1 muaj para datës së votimit dhe tregon që gara nga ish-kryeministri është marë shumë seriozisht. Duke parë këtë seriozitet dhe duke ndjekur parimin e padiskutueshëm se konkurenca rritë cilësinë, ndihmesa për z. Çekun është ndihmesë edhe për cilësinë e garës zgjedhore në përgjithësi.

 

Fitorja në një garë jo të fortë nuk i ka hije një partie që mban emrin Partia e Fortë”, thuhet në komunikatën e PF-së. 

 
Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 14:32

Prishtinë- Subjekti politik Partia e Fortë i ka dhuruar një donacion modest por domethënës Lëvizjës Vetëvendosje për ta mbështetur këtë të fundit financiarisht në fushatën e saj zgjedhore. 

Partia e Fortë vlerëson se gara zgjedhore duhet të jetë sa më e barabartë dhe ndien si obligim që të japë kontributin e saj për çdo subjekt tjetër politik i cili mund të jetë në disavantazh financiar.

“Rëndësia e fushatës parazgjedhore është tejet e madhe dhe ne e dimë më së miri se sa e kushtueshme është ajo. Qytetarët nuk janë në gjendje që vetë ta vlerësojnë punën e një subjekti politik andaj edhe është e nevojshme që, duke filluar nga një muaj para zgjedhjeve, atyre t’u reklamohen të gjitha mundësitë e votimit dhe premtimet e subjekteve politike”- thotë Asdren Jonuzi, përfaqësuesi financiar i Partisë së Fortë. “Veprat janë ato që flasin, mirëpo më së shumti flet fushata elektorale”-shtoi Jonuzi.

Pasi që ende nuk është ndarë buxheti nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për fushatën zgjedhore, subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të bazohen vetëm tek buxhetet e tyre ekzistuese.

“Besojmë që kontributi ynë prej 10 eurosh do të jetë një ndihmesë e madhe që edhe ky subjekt politik të jetë sa më i barabartë me ne të tjerët në mbushjen e mendjës së qytetarëve në kërkim të votës së tyre”-thekson Jonuzi.

Partia e Fortë beson në parimet demokratike dhe angazhohet që çdo proces zgjedhor të jetë i pasur me premtime sa më të larmishme të të gjitha subjekteve politike ashtu që qytetarëve të u duket se kanë më shumë zgjedhje.