Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 17:04

Shkup- Partitë parlamentare shqiptare kërkuan ndryshime urgjente kushtetuese dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni.
Kjo çështje u ngrit në kuadër të debatit për ndryshimet e propozuara kushtetuese nga ana e VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski, për definimin e martesës si bashkësi kryesisht midis një burri dhe një gruaje, duke kundërshtuar martesat e një gjinie.
Deputetët e PDSH-së kërkuan që në kuadër të këtij debati për ndryshime të Kushtetutës duhet të ngritet edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe zyrtarizimit të saj. Deputeti i kësaj partie, Orhan Ibrahimi kërkoi që nënkryetarja e Parlamentit të ketë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi që asaj i pamundësohet kjo me kushtetutën dhe ligjin për institucionin legjislativ.
“Dy vite si nënkryetare nuk keni dalur të udhëhiqni seancat plenare të Parlamentit. Ju lutem dilni dhe uluni me dhunë, udhëhiqni mbledhjet dhe ne do t’ju përkrahim. Uzurponi pozicionin që keni dhe përdorni gjuhën shqipe”, kërkoi deputeti i PDSH-së. Një kërkesë për zyrtarizimin e shqipes si gjuhë të dytë zyrtare e bëri e deputeti i RDK-së, Naxhi Xhelili. Ai theksoi se duhet ndryshime kushtetuese për rregullimin e kësaj çështje. “Ne jemi për ndryshime kushtetuese dhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, dhe kjo të jetë gjuhë e dytë zyrtare”, deklaroi Xhelili.
Ndaj këtyre kërkesave ka reaguar deputeti i VMRO-DPMNE, Vlatko Gjorçev i cili replikoi se nuk janë korrekte deklaratat hiperbolizuese nga ana e partive shqiptare.
Suzana Saliu nga BDI-ja duke komentuar ndryshimet e propozuara kushtetuese theksoi se Maqedonia ka nevojë për kushtetutë të saktë dhe të qartë që do t’i largojë të gjitha dyshimet e interpretimit, veçanërisht, ekstremet të cilat shkaktojnë mosmarrëveshje ndëretnike.
Që të miratohen ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica e dy të tretave të deputetëve nga numri i tërësishëm i deputetëve. /INA/

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 15:55

Shkup – Raportuesi për Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Riçard Hovit, në takimin e sotëm me ministrin e Maqedonisë për Eurointegrime, Fatmir Besimi në ndërtesën e Europarlamentit, paralajmëroi se nesër përsëri vjen në Shkup.

Para fillimit të takimit në zyrën e Hovitit, eurodeputeti britanik i kumtoi Besimit se për shkak të ngjarjeve me krizën politike në Shkup, nesër do të vijë në Maqedoni për takime me liderët politikë.

“Siç vijojnë punët, nëse sot nuk ka ndonjë ndryshim nesër vij në Shkup”, i tha Hoviti ministrit të Eurointegrimeve.

Ministri Besimi sot përveç se me Hovitin, në kryeqendrën evropiane do të takohet edhe me eurokomisarin për zgjerim Shtefan Fyle, por edhe me Aleksandra Kas-Granje nga Drejtoria për zgjerim në kuadër të Komisionit Evropian dhe me eurodeputetin e EPP-së dhe raportuesin në hije për Maqedoninë, Eduard Kukan.

Ardhja e Hovitit në Shkup, pason pas anulimit të Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së për votimin për Rezolutën e tij për Maqedoninë, me qëllim që të pritet zgjidhje e krizës të cilën në vend e imponoi LSDM-ja, me qëllim që të mos ketë raport negativ në Europarlament. (INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 13:59

Shkup – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë e vetmja rrugëdalje nga kriza politike, pasi Kuvendi ka humbur tashmë legjitimitetin e tij.

Ky është qëndrimi që i ka përcjellë kryetari i Lidhjes Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim pranë Komisionit Evropian, Stefano Sanino.

Sanino është njoftuar se opozita do të mbetet konsekuente në qëndrimet e saj për rikthimin e demokracisë, për ç’gjë është shprehur e gatshme për një marrëveshje politike me të cilën do të shmangej thellimi i krizës politike.

Cërvenkovski ka informuar hollësisht Saninon për zhvillimet e së “hënës së zezë”, ndërsa janë shkëmbyer mendime edhe për mënyrën si do të ndërpritej debati institucional, për shkeljet kushtetuese dhe ligjore dhe për mosrespektimin e Rregullores së Kuvendit.

“Me delegacionin e lartë të KE-së u diskutua për nxjerrjen e dhunshme të gazetarëve dhe deputetëve opozitarë nga hapësira e Kuvendit, që si akt brutal i ka marrë në mënyrë të pakthyeshme pushtetit dhe institucioneve legjitimitetin e tyre. Z-ri Sanino është njoftuar se nuk është reale që në këtë situatë opozita të kthehet në Kuvend”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Në takim, është theksuar nga opozita qëndrimi se do të ishte shumë e dëmshme për shtetin të anashkalohet ekzistimi i krizës politike, ndërsa është shprehur edhe fakti se “pushteti i cili keqpërdori institucionet për miratimin e projektbuxhetit, nuk mundet dhe nuk do që të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike”.

“Së këndejmi, pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet lokale do ta bënte pjesëmarrëse atë në pezullimin e demokracisë”, citohet t’i ketë thënë Cërvenkovski, Saninos.(Zhurnal/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 12 January 2013 15:06

SHKUP- Opozita e bashkuar maqedonase ka nisur marshin “Rezistencë kundër gënjeshtrave të regjimit”.

Marshi protestues ka nisur para televizionit proqeveritar TV Sitel, në afërsi të stadiumit “Filipi II” në Shkup dhe vazhdon deri para ndërtesës së Qeverisë per të përfunduar më pas para Televizionit të Maqedonisë.

Deputeti i LSDM-së, Andrej Petrov theksoi se me këtë marsh opozita do të nënvizojë qendrat kryesore që fshehin të vërtetën dhe aplikojnë terrin informativ në Maqedoni.

Sipas tij, opozita është e qartë dhe se ajo nuk dëshiron që të kuptohet se po kryen presion ndaj medias apo të ndikojë në politikat redaktuese. (INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 15:13

SHKUP – Mijëra qytetarë kanë protestuar mbrëmë deri vonë në disa qytete të Maqedonisë, kundër qeverisë e të udhëhequr nga VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Sipas tyre ajo është një qeveri jodempkratike, prandaj lëshonin thirrjet: “Poshtë qeveria”, “Shkelës të demokracisë”, Gruevski ik, mjaft më etj.
Disa nga të pranishmit në protesta mbanin në duar pankarta ku lexohej: “Gruevski sikur Hitleri”, “Për para e rrahin popullin”, “Poshtë regjimi” etj.
Protestat e opozites maqedonase nisën nga ora 18:00 e vazhduan deri vonë. Sipas protestuesve ata kërkojnë një Parlament të hapur ku qytetarët të mund të shprehin të gjitha problemet e tyre, hallet, me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme. 

Lideri i opozitës maqedonase, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, deklaroi se “opozita do të vazhdojë me protesta gjatë gjithë vitit 2013”.

Një ditë më parë qeveria mori vendim për t’i ulur pagat e deputetëve të opozitës të cilët kanë vendosur të bojkotojnë punën e Kuvendit. Deputetët e LSDM-së, PRSD-së, PL-së, PAE-s dhe të RDK-së, duke filluar nga 1.1.2013 do të marri 1/3 (një të tretën) e pagës, derisa të t’i japin fund bojkotit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 15:00

Shkup – Para Kuvendit të Maqedonisë janë lënduar disa protestues nga gurët dhe drunjtë e hedhur mes dy grupeve të protestuesve, të parët që protestojnë në mbrojtje të opozitës LSDM-së që të mos sillet buxheti për vitin 2013, pasi siç ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, ky buxhet është i destinuar për rritjen e rejtingut të kryeministrit Gruevski dhe investime jo kapitale.

Ndërsa grupi tjetër i protestuesve i ka dalë në mbështetje VMRO-DPMNE-së, duke protestuar kundër protestës së të parëve.

Ndërkohë, përplasje fizike ka edhe brenda Kuvendit. Deputetët e opozitës dhe të pushtetit janë konfrontuar me grushte.

Në tentimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të hyrë në sallën plenare përmes derës alternative, ka reaguar turma e mbledhur e deputetëve të LSDM-së, me ç’rast ka ardhur deri te përplasja fizike.

Opozita kundërshton miratimin e buxhetit për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për shkurtimin e mbi 200 milionë eurove që beson se qeveria do t’i destinojë për harxhime promovuese dhe projekte jofitimprurëse.

Nga 1.200 amendamente sa kishte propozuar qeveria jashtë procedurës parlamentare, ka miratuar vetëm disa prej tyre, ndërsa në seancën e mbrëmshme ka hartuar version të ri të buxhetit që ishte edhe shkas për bllokimin e Kuvendit nga opozita.

Lideri i LSDM-së, ish presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski ka thënë para masës së tubuar mbrëmë vonë se është i gatshëm për gjithçka.

“Sikur edhe meteorë të bien do të durojmë. Nuk largohemi nga këtu. Gruevski dëshiron të vrasë demokracisë, por këtë nuk do të lejojmë. Duan lufte? Do ta kenë! Nuk largohemi nga këtu. VMRO-DPMNE dhe BDI po luajnë me lojën e patriotëve të rrejshëm, po nxisin konfrontime dhe tensione, ndërsa vëllazërisht po ndajnë tenderët dhe provizionet”.

“Jemi këtu pasi tani gjashtë vjet e gjysmë po shkelet demokracia. Jemi shndërruar në vend të të burgosurve politik, ngufaten mediumet, nuk ka gjyqësi të pavarur, ata mbrojnë pushtetin në vend të të drejtave të punëtorëve”, deklaroi Cërvenkovski.

Nga ana tjetër kryeministri Nikolla Gruevski, paraprakisht i bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga bllokadat dhe të lejojë miratimin e buxhetit pasi në të kundërtën, sipas tij, do të pësojnë qytetarët e Maqedonisë.

Gruevski ka thënë se Cërvenkovski nxit tensione për të mbijetuar politikisht.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 08:13

Bruksel – Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle do të qëndrojë në Shkup.  Mediat bejne me dije se vizita ndodh në kuadër të dialogut per integrimin e Maqedonisë ne Bashkimin Evropian.

Bisedimet e tilla mes palëve kanë nisur në mars të këtij viti. Ato përqendrohen në fushën e sundimit të së drejtës, reformave në administratë, lirisë së mediave, ekonomisë së tregut, si dhe në atë të rregullativës zgjedhore.

Çështja e emrit nuk diskutohet pasi për këtë Maqedonia duhet të arrijë zgjidhje me Greqinë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 13:29

Shkup – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka munguar në seancën e votimit të qeverisë së re nga ana e Parlamentit, kanë komentuar mediet maqedonase. Burime partiake kanë bërë të ditur se kreu i tyre nuk ka qenë i pranishëm në seancë, për shkak të obligimeve të tij private. Ai këtë mungesë e kishte paralajmëruar edhe në shërbimet zyrtare të Parlamentit. Mirëpo, mediat maqedonase kanë problematizuar dhe kanë trajtuar mungesën e Ahmetit dhe mosvotimin e qeverisë, duke mos përjashtuar mundësitë e një taktizimi politik të kreut të integristëve. Por, zyrtarët e lartë të BDI-së kanë përgënjeshtruar se mungesa ka pasur ndonjë qëllim politik. Kreu i BDI radhitet në grupin e deputetëve të përbërjeve të kaluara parlamentare me shumë mungesa, për shkak të mospranisë së tij në kolltukun e institucionit legjislativ.