Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 23:22

Kosova mund të organizojë zgjedhje parlamentare në qershor të këtij viti, pa reformë  zgjedhore. 

Lajmin KTV-së ia ka konfirmuar Besnik Tahiri i AAK-së. “Mund t’ju konfirmoj se Haradinaj ka marrë pjesë në një takim me liderët e partive politike dhe është e mundur që të organizohen zgjedhjet në qershor të këtij viti”, ka thënë Tahiri. 

I pyetur se si mund të ndodhë kjo pa përfunduar reforma zgjedhore, Tahiri ka thënë se marrë parasysh që reforma është bllokuar, atëherë liderët po e shqyrtojnë si mundësi që vendi të organizojë zgjedhje pa reformë dhe me ligjet aktuale. 

Në takim ka marrë pjesë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ai i LDK-së Isa Mustafa e Ramush Haradinaj i AAK-së. 

Pak kohë më parë zyrtarë ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, u kanë bërë thirrje liderëve që të vazhdojnë punën me reformën zgjedhore dhe pa përfunduar një e tillë, të mos ketë zgjedhje parlamentare. 

Vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte kërkuar që Komisioni i Venedikut të vijë këtu për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit për reformën zgjedhore./koha/