Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 15:33

Prishtinë- Kreu i listës “Srpska”, Krstimir Pantiq, nuk vonoi shumë, menjëherë pasi u zgjodh kryetar i veriut të Mitrovicës dërgoi mesazh për Qeverinë e Kosovës, duke u bërë me dije se tashmë kjo listë ka nëntë prefektë që e mbështesin qeverinë e Serbisë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Është renditur e 6-ta si më e votuara nga gjitha partitë në Kosovë, fitoi 9 komuna, aq sa fituan edhe partitë më të mëdha, PDK dhe LDK. Kreu i listës “Srpska” tha se tani janë më të fortë se asnjëherë, ku bashkë me 9 komunat e fituara do të punojnë për Serbinë dhe kundër Kosovës.

Ai e tha qartë se kryetarët e rinj të komunave që kanë fituar nuk do të njohin institucionet e Kosovës dhe se veprojnë nën direktivat direkte që vijnë nga Beogradi.

“Kemi fituar 9 komuna, ku qytetarët e tyre serbë nuk do të njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Pantiq për gazetën “Zëri”. I bindur për shtrirjen shumë të shpejtë jo vetëm në komunat veriore por edhe në pjesën jugore, ai tha: “Tani jemi më të fortë se asnjëherë gjatë këtyre 14 viteve të fundit, për të përfaqësuar politikat e Serbisë në hapësirat ku kemi fituar”, u deklarua Pantiq për “Zërin”.

Ndonëse e certifikuar vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, lista “Srpska” ka fituar bindshëm në krahasim me kandidatët tjerë serbë në garë. Nga dhjetë komuna me shumicë serbe Pantiq ka fituar nëntë prej tyre.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, lista “Srpska”, është renditur partia e 6-të më e votuara në Kosovë, nga gjithsej 43 parti të certifikuara garuese në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Brukseli të reagojë ndaj Pantiqit

 

Analisti dhe drejtues i KIPRED, Ilir Deda, tha thënë se lista “Srpska” e dalë dhe përkrahur si listë nga bisedimet në Bruksel, atëherë të njëjtit edhe duhet të reagojnë ndaj deklaratave e qëllimeve të tilla.

“Me vetë faktin që jep këso deklarata konfliktnxitëse shihet se roli i ‘Srpskas’ është i prirë të jetë negativ. E thënë nga Pantiq i cili flet në emër të Beogradit, duhet të reagojë Bashkësia Ndërkombëtare, shtetet perëndimore duhet të dalin me qëndrime e mesazhe të qarta në drejtim të Serbisë lidhur me rolin e kësaj liste”, tha Deda.

Sipas tij, është vetë Bashkësia Ndërkombëtare që ka lejuar instalimin e kësaj liste, të cilët më me rëndësi e kanë pasur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel se sa stabilitetin në Kosovë.

Analisti Shenoll Muharremi, thotë se është absurde që BE si lehtësuese e dialogut të pranojë zgjedhje të tilla si kjo e listës “Srpska” me karakter etnik kur dihet mirë që parimet e BE-së janë plotësisht në harmoni me shumetnicitetin dhe diversitetin.

“Padyshim që kjo është një ngjarje me ndikim ndërsa tani Qeveria e Serbisë ka ndikim drejtpërdrejt në 9 komuna si dhe së shpejti do të kontrollojë Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Muharremi.

Sipas tij, edhe pse Asociacioni ka status të organizatës joqeveritar, grupimi i 10 komunave serbe, si tërësi do ketë peshë shumë më të madhe dhe ka mundësi ta fragmentojë sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë me potencial negativ që këto 10 komuna të duken si rajon apo grup në veti.

 

Kuçi: Pantiq mund të flasë çfarë të dojë

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se ai është i lirë të flasë çfarëdo, por në fund veprimet duhet t’i ketë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Çdokush që vepron dhe jeton në Kosovë duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pantiq mund të flasë çfarëdo se jetojmë në vend që respektohet liria e fjalës, por çdo veprim jashtë Kushtetutës dhe ligjit është i sanksionuar”, shtoi ai.

Për ndikimin direkt që ka Beogradi në këto komuna flet edhe Oliver Ivanoviq nga iniciativa qytetare, kundërkandidati që humbi kundrejt Krstimir Pantiq për vetëm 300 vota.

Ai nuk pajtohet me deklaratën e Pantiqit se si komuna do të jenë krejtësisht të pavarura nga Prishtina, ashtu siç nuk do të jenë të pavarura as nga Beogradi.

Sipas tij, nga vetë fakti që si asociacion ka dalë prej bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, pritet të ketë bashkëpunim mes këtyre tri palëve.
“Aktiviteti i asociacionit definohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit dhe këtu nuk mundet Serbia të ketë rolin si i vetëm”, tha Ivanoviq.