Lajme Shqip Saturday, 14 December 2013 12:39

Vlorë- (E plotësuar) Kompleksi “Jon” i ndërtuar në zonën e “Ujit të Ftohtë” është shembur sot nga Inspektorati Urbanistik Kombëtar.

Për shembjen e ndërtesës 8-katëshe u përdor një sasi prej mbi 300 kg tritol, e cila u vendos në tre katet e para të ndërtesës. Nga shpërthimi i tritolit ndërtesa është shembur pjesërisht.  

Shpërthimi ka qenë i fortë, por fatmirësisht nuk janë shënuar dëme të tjera në zonën përreth. Dy pallatet e këtij kompleksi u rrëzuan në krahun e pishinës, pikërisht në krahun në të cilin ishte parashikuar dhe shembja.

Masa të forta sigurie u morën në të gjithë vijën bregdetare të plazhit të vjetër nga Skela tek Tuneli ku është ndaluar tërësisht qarkullimi i mjeteve për 8 orë.

Kompleksi “Jon”, ishte në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Me vendim qeveria, banorët e këtij pallati janë shpronësuar për shkak se plani rregullues i vijës bregdetare të Vlorës nuk parashikon ndërtimin e pallateve në këtë zonë.

 

400 kg tritol për shembjen e kompleksit “Jon” 

 

Sot është afati përfundimtar i vendosjes së lëndës plasëse në kompleksin “Jon” që ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në qytetin e Vlorës. 

Deri më tani janë hapur 1 500 piketa, në të cilat pritet të vendoset lënda plasëse prej 400 kg tritol.

Policia ka bllokuar qarkullimin rrugor prej orës 09:00, kurse shpërthimi pritet të bëhet në orën 14:00.

Ndërkohë është studiuar që objekti të rrëzohen në anën perëndimore dhe jo nga ana e rrugës, që ndodhet në lindje. Kjo për shkak se sipas specialistëve të ushtrisë, do të sillte bllokimin për një kohë të gjatë të rrugës. 

Shuma financiare që është vendosur për të dëmshpërblyer banorët, është shumë inferiore për banorët pasi sipas tyre apartamenti iu ka kushtuar 1 300 euro metri katror, ndërkohë që qeveria ka vendosur t’i dëmshpërblejë me 570 mijë lekë të vjetra. 

Sipas tyre kjo është një padrejtësi totale dhe se shumë shpejt vendimin e qeverisë, do e kundërshtojnë në gjykatë. Banorët pretendojnë se shuma financiare është e pavend dhe qesharake.

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 December 2013 12:11

Vlorë- Bashkia e Vlorës kërkon ndërhyrjen e INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje nga zona e Ujit të Ftohtë deri tek Tuneli.

Përmes një letre drejtuar Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, e cila mban datën dy dhjetor 2013, bashkia e Vlorës  thekson se INUK duhet të ndërhyjë për ndërtimet që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, shkruan shekulli.

 “Kërkojmë ushtrimin e përgjegjësive të INUK-ut, si institucion në vartësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që me infrastrukturën e vet logjistike, të ndërhyjë për prishjen e pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, sipas listës bashkëlidhur, miratuar me VKM nr 1015, datë 27.11.2013 “Për shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë-Tuneli, Bashkia Vlorë”, -thuhet në letrën drejtuar INUK-ut. 

Bashkia thekson se kërkesa bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave për shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare.