Lajme Shqip Sunday, 15 December 2013 12:21

Vlorë- Godina 8 katëshe, e njohur si kompleksi “Jon” u shemb dje pjesërisht me tritol të telekomanduar, por nuk u arrit që të shembej e gjitha. Paraditen e sotme forca e INUK-ut kanë nisur sërish punën për shembjen e pjesëve të mbetura të godinës. 

Aktualisht fadromat dhe matrapikët e INUK-ut po shembin edhe pjesën tjetër, ndërsa janë marrë masa për bllokimin e qarkullimit rrugor në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

 

Shembja e pallatit me tritol

 

Kompleksi “Jon” i ndërtuar në zonën e “Ujit të Ftohtë” është shembur dje, pjesërisht, nga Inspektorati Urbanistik Kombëtar.

Për shembjen e ndërtesës 8-katëshe u përdor një sasi prej mbi 300 kilogramësh tritol, e cila u vendos në tre katet e para të ndërtesës. Nga shpërthimi i tritolit ndërtesa u shemb pjesërisht.  

Shpërthimi ka qenë i fortë, por nuk janë raportuar dëme të tjera në zonën përreth. U rrëzuan dy pallatet në krahun e pishinës, pikërisht në krahun në të cilin ishte parashikuar dhe shembja.

Masa të forta sigurie u morën në të gjithë vijën bregdetare të plazhit të vjetër nga Skela deri tek Tuneli, ku u ndalua tërësisht qarkullimi i mjeteve për 8 orë rresht.

Kompleksi “Jon”, ishte në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Me vendim qeverie, banorët e këtij pallati janë shpronësuar, për shkak se plani rregullues i vijës bregdetare të Vlorës nuk parashikon ndërtimin e pallateve në këtë zonë./shekulli/