Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 12:50

Tiranë- Katër familjet që mbetën në rrugë dje pas shembjes së godinës 5-katëshe në Tiranë.  

Dodë Gjonmarkaj, një prej pinjollëve të familjes së Gjon Markagjonit në Mirditë, nuk preferon që ta lidhë situatën e tij me ndonjë hakmarrje të mundshme politike. Ai pa t’i rrafshohej para syve godina për të cilën kishte investuar mbi 200 mijë euro, ku do jetonte vetë bashkë me tre vëllezërit, Gjonmarkaj, por shprehet se kjo çështje nuk do të mbarojë me kaq, shkruan sot Panorama.  Ai premton që do ta ndërtojë sërish godinën e shembur, pasi sipas tij është shkelur ligji dhe, bashkë me të, është shembur edhe shteti i së drejtës. “Unë kam të gjitha dokumentet e nevojshme, si të pronës, si të lejes që kam marrë për ndërtimin e asaj godine. Nuk do e lë me kaq këtë çështje. Fillimisht do ndjek rrugën ligjore, në të gjitha shkallët e Gjyqësorit dhe ajo godinë do të ndërtohet prapë”, shprehet Dodë Gjonmarkaj. Ai shprehet se kanë ardhur nga Mirdita që prej vitit 1991 dhe kanë punuar shumë për të ndërtuar jetën e familjes së tij e të vëllezërve në kryeqytet. Si në Shqipëri, si jashtë saj, ai tregon se dje humbën kursimet e mbledhura prej shumë vitesh, pa arritur asnjë konsensus dhe askush prej tyre nuk e kupton pse nuk pati bisedime, qoftë për të parë edhe dokumentet që ata disponojnë.Pas shembjes së 5-katëshit, 18 anëtarët e familjeve të 4 vëllezërve me origjinë nga Mirdita do të jetojnë ngjitur me gërmadhat e saj, në një shtëpi përdhese vetëm me dy dhoma. Ajo është një pjesë e shtëpisë ekzistuese të familjes Gjonmarkaj, pas shembjes së pjesshme të shtëpisë, për ndërtimin e rrugës “Gramoz Pashko”, përballë Fakultetit Ekonomik. Pjesa më e madhe e familjarëve deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ndodheshin në Polici, të shoqëruar në Komisariatin Nr.1, që në orën 09:30, pasi bënë rezistencë para shembjes. “Këtu tani kam mbetur vetëm unë. 11 veta të familjes time, të vëllezërve të mi janë në rajon, nuk e di se kur do i nxjerrin. Tani do jetojmë këtu, përbri godinës që u shemb, derisa ta ndërtojmë prapë”, shprehet një nga vëllezërit, pronarë të godinës Dodë Gjonmarkaj. Sipas tij, kjo që ndodhi dje ishte një padrejtësi e madhe, një shkelje flagrante ligji, pasi ai disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. “Tani shtëpia iku. 200 mijë euro, plus shpenzime të tjera, ikën po ashtu. Veprimi i parë që do bëjmë, është që t’i drejtohemi gjykatës. Sa për kompensim nuk besoj se do kemi kurrë”, u shpreh mbrëmë Gjonmarkaj.