Lajme Shqip Wednesday, 20 November 2013 19:49

Tiranë- Zv. Ministri i Transporteve, Ylli Manjani, ka deklaruar sot se territori në qytetin bregdetar të Vlorës do të pastrohet, duke nënkuptuar kështu edhe prishjen e kompleksit “Jon”, ku ndodhet edhe pallati i Bashës. 

“Shteti është legjitim të kthejë pasojat në gjendjen e mëparshme. Shembja e objektit është pasojë e padiskutueshme dhe  duhet të pastrohet territori. Nëse kjo kërkon shembje, patjetër që shembja do të duhet të ndodhë, por shembja nuk është qëllim në vetvete. Shembja është një pasojë e një morie shkeljesh flagrante te ligjit shqiptar”, -tha Manjani.

Edhe pse gjykata Administrative në Vlorë ka shpallur masën e përkohshme për mosndërhyrjen e autoriteteve në kompleksin “Jon”, duket se pallati i Bashës nuk do ta ketë shumë të gjatë. 

Por përveç çështjes së pallatit të Bashës, aq shumë të disktuar në media, problem mbeten banorët që jetojnë aktualisht në atë kompleks. Manjani thotë se qeveria duhet të miratojnë një fond të veçantë për banorët, të cilët janë viktima të paligjshmërisë.

“Kushdo mund të kishte qenë një viktimë e kësaj paligjshshmërie. Ata që kanë blerë apartamente në këtë pallat janë viktima, nuk mund të trajtohen njësoj si mashtruesit dhe si ata që kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Qeveria duhet të miratojë një fond për të shpërblyer ata që kanë harxhuar”, -deklaroi Manjani për “Top Channel”. 

Para pak ditësh, INUK dhe policia vendosen bllokimin e ndërtimit, por pronarët e truallit dhe banorët kërkuan heqjen e bllokimit duke e çuar çështjen në  gjykatën Administrative, ku arritën që ta pezullonin përkohësisht . /shekulli/