Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 17:29
 
Lajme Shqip Saturday, 10 August 2013 20:12

Prishtinë – Kosova duhet te realizoje seanca të përbashkëta qeveritare, për të nxitur impuls pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, sidomos me Shqipërinë. Kështu shprehet zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli i cili mendon se hartimi i një strategjie zhvillimore do ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, në interes në rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve.

 “A nuk na duhet një strategji zhvillimore afatgjatë, që të miratohet në mënyrë konsensuale dhe që të jetësohet nga të dijshmit ? Kjo strategji duhet të përcaktojë prioritetet tona, aftësitë konkurruese, dhe mbi të gjitha të jetë komplementare me atë të Shqipërisë. A po shikoni se ç’po ndodh në rajon ? Qeveritë e Maqedonisë me atë të Serbisë dhe Bullgarisë, po takohen dhe po ecin përpara në këtë drejtim. E pse ne mos të bëjmë të njëjtën gjë ?”, është shprehur Pacolli, shkruan INA.

Ai pranon se ka bërë shumë aktivitete, ka hartuar shumë projekte por nuk mund të bëjë më shume.

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 17:14

Prishtinë  – Zv/kryeministri Behgjet Pacolli i është kundërpërgjigjur Ramadan Idrizajt, pasi që ky i fundit pretendon se është mashtruar nga Pacolli lidhur me Farmendin, objekti që tash është i vendosur EULEX-i dhe i privatizuar nga kompania Mabetex e zv/kryeministrit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Pacolli mohon të gjitha ato që i ka thënë Idrizaj, duke e quajtur atë me termin ‘shmarroc’.

 

Përgjigjia e plotë e Pacollit për Idrizajn

 

Menjëherë pas luftës në Kosovë unë kam marrë vendim që të kthehem në Kosovë dhe të përpiqem ti ndihmoj këtij vendi. Për katër vite, para shpalljes së pavarësisë unë kam themeluar organizatën “Kosova New Alliance”, me të cilën kam lobuar në SHBA, në periudhën kur ky shtet ishte i involvuar në zhvillime të brendshme pas 11 shtatorit.

Rreth meje, në atë periudhë unë kam ofruar personalitete të shquara dhe me ndikim në Ëashington, të cilët kanë ndihmuar kauzën tonë të shpalljes së shtetit.

Shume shpejt do të dalë edhe një libër me fakte, të cilat pasqyrojnë këtë punë në atë kohë. Ky lobim gjithsesi kishte për qëllim që emri i Kosovës të ishte aktual në Ëashington dhe të krijojë klimë të favorshme për të drejtën e Kosovës për të krijuar shtetin.

Kthimi im në Kosovë pas intervenimit tim në Kabul për lirimin e Shqipe Hebibit karakterizohej nga një besim dhe ndjenjë e fuqishme për njerëzit e mi, njerëzit e Kosovës. Që nga ajo periudhë e deri më tani, unë jam I ushqyer me këto ndjenja.

Ju besoj njerëzve, iu kam besuar dhe vazhdoj të ju besoj sepse kam ndjenja njerëzore. Është fat për ne që qytetarët e Kosovës janë të edukuar dhe tek ta mbizotëron dashamirësia, edukata e mirë familjare dhe mbajtja e fjalës së dhenë. Kjo ishte preteksti pse unë u futa në Kosovë, u futa në politika pa asnjë plan paraprak. Hyra në një ambient që nuk dija se si funksion dhe jetoja gjithmonë me ndjenjën e mallit për të shkuarën dhe me qëllimin fisnik për të kontribuar pozitivisht.

Çdo gjë tjetër arrihet, dituria mësohet, pasuria arrihet me punë, mirëpo edukata dhe shpirtbardhësia nuk arrihen asnjëherë, nëse atë nuk e ke pjesë përbërëse të personalitetit. Qëllimi i këtij shkrimi janë mu këta njerëz.

Këto ditë e patë një kampanjë mediatike të paskrupullt të nxitur nga një person me emër dhe mbiemër, e ai është Ramadan Idrizaj, për mua një SHMARROC i vërtetë. Ky njeri i paskrupullt, SHMARROC, i cili erdhi tek unë plot dy muaj, pasi që kompania ime kishte blerë nga shitja e lirë ndërtesën e FARMEDIT, shfrytëzoi mikpritjen time në Lugano në vitin 2005 (edhe pse ai thotë që më paska pasur mik më herët, unë atë njeri për herë të parë e kam takuar aty), në hotelin pesë yjesh bashkë me gruan (qëndroi katër ditë dhe nuk pati nevojë të paguaj asgjë), më impresionoi me propozimet e tij, u paraqit si doktor dhe tha se FARMED është afër spitalit dhe duhet të bëhej një spital.

Më pëlqeu ideja dhe pa menduar dy herë, i dhashë atij, (sipas kërkesës së tij), dy variante: ose ta blejë dhe ta ndërtonte spitalin për të cilin fliste, (unë e shihja si nevojë të madhe për Kosovën atëherë), ose varianti tjetër që isha gati të investoja bashkë me të vetëm të ngrisja një spital dinjitoz.

Unë atij i dhashë këto mundësi, por me kalimin e kohës, ai nuk e bëri atë, as të parën e as të dytën. Pas afro 8 muajve, ky far “doktorr Idrizaj, prapë erdhi dhe kërkoi i dëshpëruar për mosrealizimin e kontratave, (duke kërkuar falje që s`ka mund ti implementoj atë) një borxh prej 250 mijë euro për të paguar një borxhli të tij. Ashtu siç, etika ime e do, unë i ndihmova atij dhe ai kurrë këtë borxh nuk e ktheu. Duke kuptuar më vonë se ky ishte njëri prej atyre Shmarrocëve (në anën tjetër dëgjoja se ai pasurohej duke shfrytëzuar nëntokën dhe njerëzit e kriminalizuar), e pash të arsyeshme që të kërkoj borxhin të më kthehej prapa, të cilin më mirë do ta destinoja tek ata që kanë nevojë e jo tek një njeri i tillë.

Kur erdhi puna që ai duhej të paguante borxhin, ai shfrytëzon disa media dhe me intrigat e tij përpiqet të përdorë atë rrugën deri tash mirë të njohur mediat, me shpifje dhe rrenat e tij, tenton të denigrojë personalitetin tim.

Këtu kam një përgjigje për këtë njeri. Ti mundesh “zotri” të përdoresh nëntokën tënde, ti mund të përdoresh metodat tua, edhe mediat, por mos mendo se ti më dëmton mua. Opinioni publik të njeh Ramadan Idrizaj. Të njohin organet e rendit dhe ligjit se kush je ti. Të njohin studentët e tu, kolegët e tu dhe ata të gjykojnë më së miri. Unë nuk merrem me ty dhe ky rast, është fakt që më mëson të anashkaloj ty dhe njerëzit e sojit tënd që ende për fat janë të paktë në shoqërinë tonë, e cila do po ashtu do ti gjykojë. Por më dhimbet energjia e ime, e hargjuar me ty dhe njerëzit e sojit tënd dhe frika ime tani është se për shkak të këtij mësimi nga ti, mos po anashkaloj edhe njerëzit që e meritojnë afërsinë me mua.

Në fund dua ta përmend një thënie të gjyshit tim: Shumë herë buka jote të vret, atëherë kur i ndihmon njerëzit jomeritor. Por pyetja është se si me identifikua në fillim këta njerëz? Unë vazhdoj të mbaj zemrën e hapur, dhe e lus perëndinë që në të ardhmen në këtë zemërgjerësi të kenë qasje njerëzit meritor.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 19 May 2013 20:10

Gazeta Jeta në Kosovë në Prishtinë raportoi se zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës ka krijuar një Shoqëri të përbashkët që merret me telekomunikime me njerëz që kanë rënë ndesh me ligjin.

“W-Intramedia” Sh.P.K u themelua në Kosovë në vitin 2005.

Por, përveq Pacollit aksionerë në kompani është edhe Leme Xhema ish-drejtoresha e Postë-Telekomit të Kosovës e dënuar për korrupsion me tri vite burgim e cila gjendet në arrati dhe kërkohet nga “Interpol”.

Një tjetër aksionerë është edhe biznesmeni që u bë i njohur prej rastit të vdekjës së këngëtarës  Elsina Hidersha të njohur si Emmy.

Aziz Kelmendi është dënuar nga Gjykata e Faktit në Tiranë me dy vite burg me kusht për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” . Biznesmeni kosovarë do të vuaj burgun nëse gjatë dy viteve kryen vepër penale.

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 15:10

 Lideri i Koalicionit për Kosovë të re Behxhet Pacolli kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Parneri i vogël në Qeveri reagoi pas largimit të përfaqësueses amerikane nga Bordi i AKP-së. 
Pacolli në një intervistë për portalin Exress deklaroi se nëse nuk shkarkohet kryetari i bordit atëherë partia e tij edhe mund të dalë nga Qeveria. 
Pacolli vlerësoi se tërheqja e amerikanëve nga privatizimit përben problem shqetësuses për Kosovën. 
“Ky është kulmi i degradimit. Ne nuk e bëjmë as një hap përpara pa u pastruar kjo çështje”, deklaroi Pacolli.

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 19:38

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka braktisur mbledhjen e Këshillit për Integrime Europiane, i indinjuar me vendin jo-dinjitoz që kishte rezervuar për të organizatorja dhe udhëheqësja e këtij trupi, Presidentja e vendit Atifete Jahjaga.

Gazeta Express raporton se për njeriun e dytë të Qeverisë ishte lënë një karrige mbas kreut të LDK’së, Isa Mustafës dhe atij të AAK’së, Ramush Haradinajt.

Ai është shfaqur nervoz dhe ka dalë nga salla.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj ka thënë për Express se ky ka qenë vendim i Zëvendëskryeministrit, pa dashur të lëshohet në komente tjera.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 17:57

Prishtinë – Lufta në mes partnerëve të koalicionit PDK dhe AKR për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, nuk po i pëlqen Astrit Haraqisë nga Lista Ibrahim Rugova që po ashtu është pjesë e qeverisë.

Bile, Haraqia ka një përshkrim interesant për atë që po ndodhë ditëve të fundit në mes këtyre dy partive.

“Qeveria po duket sikur çerdhe e fëmijëve, ku fëmijët përlahen në mes veti për një lodër”, ka thënë Haraqia për Indeksonline.

Ai po konsideron se partia e Behgjet Pacollit është duke shantazhuar koalicionin qeveritar.

E nëse nuk ndalen këto shantazhe të Pacollit, Lista Ibrahim Rugova paralajmëron që qysh këtë javë do të tërhiqet nga koalicioni.

“AKR-ja ka vetëm tre deputet në parlament, ndërkaq në qeveri ka dy poste të zëvendëskryeminsitrave, ministra, zëvendësministra e ambasador. Kështu nuk ka askund në botë”, vlerëson Haraqia.

Ai shton se Lista Ibrahim Rugova nuk është e interesuar për ministri të reja, por angazhohen për të mirën e institucioneve shtetërore.

Për Haraqinë është e pakuptimtë se në kohën kur opozita po kërkon të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, ndërkaq AKR interesohet vetëm për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Këtë po e bënë vetëm për interesa të biznesit të vet”, thotë ai.

Madje, përfaqësuesi i Listës Ibrahim Rugova konsideron se Pacolli ka dështuar edhe në fushatën e lobimit për njohje të Kosovës.(I.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 18:34

Prishtinë – (E plotësuar) Hetuesit e EULEX-it kanë marrë vendim që të pushojnë hetimet ndaj të gjithë të dyshuarve për aferën e Hotelit Grand.

Hetuesit e EULEX-it kanë pushuar hetimet ndaj Ukë Rugovës për rastin e Hotelit Grand. Kështu kanë bërë të ditur burime të Indeksonline brenda EULEX. Ndërsa, avokati i Rugovës Bajram Sherifi, i tha këtij portali se edhe mbrojtja ka marrë vesh për këtë, por ende nuk kanë shkresë zyrtare.

“Presim që ditët në vijim ta marrim nga Eulexi shkresën zyrtare për pushimin e hetimeve. Ne kemi qenë të bindur se në këtë rast nuk ka pasur asgjë. Nuk ka pasur as një provë që klienti im është i përfshirë në këtë aferë”, tha Shërifi.

Edhe Ramë Gashi, avokati mbrojtës i Adelina Reçica, ka thënë se kanë pushuar të gjitha hetimet ndaj Adelina Reçica, bashkëshortes së të ndjerit Dino Asanaj.

“Është vërtetuar Adelina nuk ka kryer asgjë të kundërligjshme”, tha avokati tha Gashi

Adelina Reçica ishte e dyshuar se ishte e përfshirë në grupin e Astrit Haraçisë si ndërmjetësues të Dino Asanajt për të ndikuar që hoteli “Grand” të mos u merrej aksionarëve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 17:30

Prishtine – Në kuadër të angazhimit lobues për shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, ka vizituar shtetin e Cape Verdes.

Zëvendëskryeministri Pacolli është pritur në një takim nga kryeministri i këtij shteti z. José Maria Neves me të cilin ka diskutuar për fillimin e ndërtimit të marëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar kryeministrin Neves me progresin demokratik të shënuar në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë me 2008 dhe në veçanti për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Sipas z.Pacolli, fakti që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nënkupton pranimin e realitetit të ri dhe fillimin e një faze të re të raporteve ndërfqinjësore në rajonin e ballkanit.

Në këtë kontekst, z.Pacolli ka kërkuar nga autoritetet e Cape Verdes që të procedojnë me njohjen formale të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri Neves ka vlerësuar angazhimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ka premtuar se shteti i tij, shumë shpejt do të rreshtohet në radhën e vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës, duke pasuar me lidhjen e marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, në këtë vizitë po shoqërohet nga anëtari i komisionit për punë të jashtme i Kuvendit të Kosovës z.Berat Buzhala.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 January 2013 17:56

Prishtinë – Behgjet Pacolli ka folur si opozitar të premten, gjatë një takimi me mbështetës të tij në Kamenicë. Edhe pse mban postin e Zëvendëskryeministrit të Parë, ai tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë kapluar çdo sferë të jetës në Kosovë. Shpërthimi i Liderit të AKR’së erdhi një ditë pasi zyrtarë të PDK’së nuk i trajtuan seriozisht kërcënimet e tij se do të dalë nga Qeveria nëse nuk i kthehet Ministria e FSK’së.

Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ka lëshuar akuza në drejtim të Qeverisë se nuk e ka luftuar hiq korrupsionin.

Lideri i ARK’së është ndalur te skandalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke thënë se qytetarët e Kosovës po u kërkohet korrupsion edhe për tagra të automjeteve si dhe për letërnjoftime.

“Nuk kemi arrit që të luftojmë dukuritë e këqija – korrupsionin që ka kapluar çdo kënd të Kosovës, çdo kënd. Edhe prej targave të automobilave sot kërkohet korrupsion. Prej letrave të njoftimit, për me marrë një letërnjoftim sot kërkohet korrupsion”, ka thënë Pacolli në një tubim me qytetarët e Kamenicës.

Ai ka pranuar se kanë dështuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ta dënojnë këtë qeverisje.

“Nëse nuk jeni ju, të cilët i jepni grushtin e fundit, atëherë nuk di kush”, ka pyetur Pacolli.

Këto deklarata, Lideri i AKR’së i ka bërë vetëm dy ditë pasi Agim Çeku iu bashkua PDK’së, duke braktisur Koalicionin për Kosovë të Re.

Menjëherë pas kësaj, AKR kishte paralajmëruar se do ta shqyrtojë pozitën në Qeveri nëse nuk i jepet edhe një ministri që i kishte takuar me marrëveshjen e koalicionit.

Por, Pacolli nuk ka treguar nëse do të largohet nga Qeveria, por ka thënë se pret prej PDK’së ta zgjidhë këtë problem.

“Nuk jam njeri i skandaleve. Nuk jam njeri i problemeve. Unë gjithmonë jam për zgjidhjen e problemeve dhe jam i bindur se partneri ynë i koalicionit do të dijë ta zgjidhë këtë problem sa më mirë”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se posa të kthehet shefi i tij në Qeveri do të bisedojë për çështjen e koalicionit.

“Kryeministri Thaçi e di se na pret një bisedë pas kthimit të tij nga Brukseli. Unë vetëm jam duke e kryer punën time”, ka shtuar ai.

Raportet mes Pacollit dhe Thacit kanë qenë të mira edhe kur AKR ka qenë në opozitë, pasi kishte mbështetur shumicën e nismave të Qeverisë PDK-LDK.

Me lidhjen e koalicionit me PDK’në, Pacolli kishte fituar për 30 ditë postin e Presidentit, të cilin e la pasi Gjykata Kushtetuese cilësoi antikushtetuese zgjedhjen e tij në krye të Shtetit.

Pas largimit nga Presidenca, Pacollit i ishte bërë një vend në Qeveri dhe i ishin premtuar edhe një ministri.

Por, kjo kërkesë asnjëherë nuk i është plotësuar.

Tash pas largimit të Çekut nga KKR’ja, Pacolli po kërkon që t’i jepet një Ministri koalicionit që kishte formuar para zgjedhjeve të fundvitit 2010.

Në zgjedhjet e fundit, Pacolli kishte bërë koalicionin më të madh, duke lidhur koalicion me gjashtë parti – PD’në e Ferid Aganit, PSD’në e Agim Çekut, Partinë e Gjelbër, PPI’në, PPK’në. Me këtë koalicion kishte arritur të renditej partia e fundit që kishte kaluar pragun zgjedhor. Ndërsa, në nivel të Kosovës renditet e pesta, pas PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes e AAK-së.

Ndryshe, AKR-ja në zgjedhjet e vitit 2007 kishte marrë 70.165 vota, derisa në zgjedhjet e vitit 2010 mori 53.356 vota. Në proporcional, AKR-ja e Behgjet Pacollit kishte humbur 16.809 vota.

Pacollit në zgjedhjet e para më 2007 arriti t’i fitonte 13 vende në Parlamentin e Kosovës. E, tash ka dhjetë deputetë më pak – vetëm tre. (G.E/LajmeShqip.com)