Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 14:03

Oslo – Për Gjykatën në Norvegji Anders Behring Breivik është i aftë mendërisht dhe duhet të dënohet me 21 vjet burg. Kaq është dënuar autori i masakrës së 22 qershorit 2011, në Oslo dhe ishullin Utoja ku mbetën të vrarë 77 persona dhe u plagosën më shumë se 240 të tjerë. Pesë gjyqtarët e trupit gjykues ishin unanim në vendimin e marrë pavarësisht se prokurorët kishin kërkuar shpalljen e Breivik të paaftë mendërisht. Breivik është dukur i qetë madje dhe ka buzëqeshur teksa gjyqtarja  lexonte vendimin.

Fundi i procesit gjyqësor vjen një vit pas ngjarjes që tronditi botën ndërsa Breivik shpërtheu një bombë në kryeqytetin norvegjez ku u vranë tetë persona e më pas qëlloi me armë në kampin e Utojas duke ekzekutuar 69 të tjerë. Avokatët Geir Lippestad dhe Vibeke Hein Baera kanë takuar klientin e tyre në burg të enjten për konsultimin e fundit përpara se të shprehet trupi gjykues. “Ishim sot këtu për të diskutuar për klientin tonë në lidhje me vendimin e pritshëm dhe mënyrën se si do të reagojmë. Ajo çka ai thotë është se nëse gjyqtarët e cilësojnë të çmendur ai do ta apelojë vendimin. Nëse do të dënohet në formë ndëshkimi ai nuk do të apelojë”, u shpreh avokatja. Breivik ka pranuar vrasjet duke pohuar se ai vrau aktivistët politike të cilët mbështesin kulturën marksiste dhe emigracionin mysliman. Gjatë procesit gjyqësor Breivik ka deklaruar se ka bërë gjithçka për të parandaluar një katastrofë më të madhe për Norvegjinë.

Nëse deklarohej i çmendur do të duhet të përballet me izolimin dhe vënien nën kujdesin mjekësor. 33 vjeçari Breivik, djalë i një ish diplomati aktualisht është në burg në një qeli me tre dhoma. Ai ka një kompjuter në dhomë, akses në televizion dhe gazeta ndërsa lejohet çdo ditë të dalë për ajrosje.

Shqiptarja qe humbi jeten ne Otayo
Lejla Selaci, 17-vjecarja nga Kosiova mbeti viktimë në ishullin Otayo. Ministria e Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me autoritet norvegjeze konfirmuan lajmin për gjetjen e trupit e pajetë të 17-vjecares kosovare,1 javë pas terrorit të dyfishtë që përjetoi Norvegjia.

Kosovarja me origjinë nga Vushtri i Kosovës rezultoi e zhdukur më 22 korrik të vitit 2011 ku Andres Behring Breivik vuri në jetë planin e tij të dyfishtë të masakrës të Norvegji dhe ishullin Otayo, ku mbetën të vdekur më shumë se 90 persona, dhe qindra të tjerën, shumica prej tyre bashkëmoshatarë të Leljës.

Lejla merrte pjesë në delegacionin e Konventës së të Rinjve të partisë Laburiste në ishullin Otayo-s. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 15:27

Oslo – Krimi më i madh në Norvegji që nga Lufta e Dytë Botërore të premten pritet të marrë epilogun gjyqësor.

Gjykata e Oslos, më 24 gusht, do të shpallë vendimin për Anders Bering Breivikun, i cili në korrik të vitit të kaluar ka vrarë tetë persona në kryeqytetin norvegjez dhe 69 të tjerë në ishullin Utoja.

Nëse gjykatësit vërtetojnë përgjegjësinë e tij kriminale, Breiviku rrezikon dënimin prej 21 vjetësh heqje lirie. Në rast se shpallet i sëmurë mendor, varsësi masiv do të vendoset në një institucion psikiatrik, raporton AFP.

Gjatë gjykimit, Breiviku ka thënë se “vrasjet kanë qenë të nevojshme, për ta shpëtuar Norvegjinë nga multikulturalizmi”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 18:01

Çeki – Policia në Republikën Çeke arrestoi një mashkull që dyshohet se po planifikonte realizimin e sulmeve të ngjashme me ato të Anders Behring Breivik në Norvegji.

Në komunikatën e forcave të rendit, 29-vjeçari akuzohej për armbajtje pa leje të armëve luftarake dhe kërcënimin e rendit publik.

Një neonazist, besohet se ai ishte i frymëzuar nga “mostra” Breivik, i cili vrau 77 persona në korrik 2011, motivuar nga doktrinat ekstreme të racizmit dhe nacionalizmit.

Armë automatike, granata dore dhe uniforma policie u zbuluan në banesën e tij në qytetin e Ostravës, ndërsa i arrestuari, emri i të cilit nuk u bë publik momentalisht për arsye hetimesh, përdorte emrin e Breivik në internet.

Megjithatë, u komunikua se ai ka pesë precedentë penalë, përfshi hedhjen në erë të një kabine druri të braktisur në të shkuarën.

Sipas mediave çeke, nëse policia do të ishte vonuar edhe disa ditë me arrestimin, vendi mund të ishte tronditur nga një masakër e tmerrshme. Në arrestimin e 29-vjeçarit mësohet se luajtën një rol aktiv agjentët e Shërbimit Sekret Çek. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 09:04

Norvegji – Policia norvegjeze mund të kishte parandaluar shpërthimin në qendër të Oslos dhe mund të kishte kapur më shpejt vrasësin Breivik. Në këtë përfundim ka dalë një hetim i pavarur mbi ngjarjet që tronditën Norvegjinë në 22 korrik të vitit të kaluar. Policia Norvegjeze u kritikua që në fillim se kishte reaguar me vonesë dhe se iu desh shumë kohë për të mbërritur në ishull, pasi përdori gomonet në vend të helikopterëve.

Hetimi i pavarur ka nxjerrë 31 rekomandime kyçe, por ato çka janë më të rëndësishme janë konkluzionet e tij. Së pari që sulmi në kompleksin e qeverisë në Oslo mund të ishte parandaluar nga një implementim më efektiv i masave të sigurisë që ishin në fuqi.

Po sipas raportit, një operacion më i shpejtë i policisë për të mbrojtur njerëzit në ishullin Utoya ishte një mundësi mjaft realiste, me anë të së cilës Breivik mund të ishte ndaluar më parë, duke shkaktuar më pak viktima.

Hetimi nxjerr në pah edhe bashkëpunimin jo të mirë mes policisë dhe organizmave të tjerë të sigurisë. Shumë norvegjezë në fakt kanë shtruar pyetjen se pse policia nuk i kishte monitoruar monitoruar aktivitetet e Breivik përpara sulmeve.

Raporti lavdëron vetëm komunikimin e qeverisë me publikun, ndërsa shprehet i kënaqur me shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tyre efektive.
Breivik ka pranuar vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e më shumë se 240 të tjerëve. Vendimi në gjyqin e tij pritet të jepet më 24 gusht.

Sulmet e korrikut 2011, që konsiderohen si aktet më të tmerrshme të dhunës në Norvegji, që prej Luftës së Dytë Botërore, kanë nxitur një debat kombëtar mbi natyrën e tolerancës dhe demokracisë në këtë vend. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 June 2012 20:32

Norvegji – “Norvegjia është në luftë, dhe në rrugën drejt Ballkanizimit”, ka deklaruar Tore Tvedt, themeluesi i Lëvizjes Neonaciste Vigrid në Norvegji. 

Ai ka shprehur shqetësime lidhur me procesin gjyqësor kundër terroristit norvegjez ultraracist Anders Breivik, i cili vitin e kaluar vrau 77 veta, shumica të mitur, pas aktivizimit të një bombe në afërsi të Qeverisë në Oslo dhe në masakrën e kryer në ishullin Utoeya. 

Kjo Lëvizje dhe një lëvizje tjetër “Stop Islamizimit të Norvegjisë” kanë shprehur shqetësime për islamizimin dhe ballkanizmin e shtetit të tyre, nga numri i madh i emigrantëve të huaj, që përmes ligjeve liberale po arrijnë të integrohen dhe zhvillohen si komunitete në shtetin e Norvegjisë. 

Por, drejtuesit e këtyre organizatave kanë theksuar se janë kundër masakrës së kryer nga Breivik, ndërsa ata kanë zgjedhur format e protestës për të shprehur revoltën e tyre për praninë e shtuar të emigrantëve të integruar të huaj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 11:00

Suedi- Aktori dhe moderatori i njohur suedez i radios, Gert Filking, në një emision në Radio Stockholm 1, i ka quajtur serbët Breivika, psikopatë dhe derra të mallkuar. Këto deklarata ai i bëri javën e kaluar, gjatë një emisioni në të cilin Filking dhe bashkëbiseduesit e tij komentuan proçesin kundër Brejvik në Norvegji.

Para dëgjuesve të tij, në mesin e të cilëve me siguri se ka pasur edhe shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Suedi, ky moderator, i cili merret edhe me politikë, serbët i cilësoi si Breivika. Në një moment, Filking komentoi se si bota është e mbushur përplot me Breivika të tilla, për të folur më pas për serbët.

“Kemi kapur edhe shumë të tjerë, kemi kapur edhe serbët, të cilët janë sjellë si derra të mallkuar, të cilët kanë vrarë me qindra mijëra njerëz, që kanë dëbuar miliona. Ata i kemi kapur. Mendon se serbët i akuzojnë ata, jo i madhërojnë si heronj. Kush janë pra psikopatët? A thua pjesa më e madhe e popullit serb është me të meta në kokë? Apo me të meta janë vetëm ata që u dënuan për krime të luftës?”, pyeti Filking. (Express)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 12:51

Shkup- Në ditën kur terroristi norvegjez Anders Bering Breivik po gjykohet në Oslo për vrasjen e 77 personave të pafajshëm, gazetari maqedonas Milenko Nedelkovski, show-men në Televizionin “Kanal 5”, ka mbështetur publikisht përmes profilit të tij në Facebook, idenë e një Breiviku edhe në Maqedoni.

Komenti i tij, që mund të lexohet nga fotografia e shkrepur në profilin e tij në rrjetin social, pason pas një komenti tjetër të njërit prej miqve, ku Breivik lartësohet në hero dhe thuhet se “maqedonasit kanë nevojë për një të tillë, sepse vetëm ai do të ‘kryente punë’ me ata që vranë katër fëmijët maqedonas”. 

Teksti i plotë: Një i ashtuquajtur Jovan në Facebook i shkruan Milenkos. “Në Norvegji i çmenduri kishte vrarë gjithçka që lëvizte në ishull – ditë zie. Ne, çfarë presim?” Milenko, pse e quan njeriun të çmendur? Një person i tillë na duhet edhe neve këtu në Maqedoni! Duket se edhe ai ka qenë një prej atyre të cilëve iu ishte bërë e tepërt të shikojë se si në vendin e tij amë, mbledhin, ushqejnë dhe kujdesen sikur të jenë gjarpërinj, çfarëdo tipi afrikan dhe aziatik, i cili më vonë ua bën norvegjezëve të njëjtën gjë të cilën ata (mendohet SHQIPTARËT) ua bënë 4 fëmijëve maqedonas të premten! Vetëm për dallim nga maqedonasit tanë, në Norvegji u gjet një person të reagojë kundër kësaj. Seriozisht të them, për mua një person i tillë në Maqedoni do të ishte hero! Hero i historisë bashkëkohore maqedonase. 

Dhe për gjithë të tjerët MAQEDONAS dhe njerëz normalë, përveç kuptohet sikur disa Sashe dhe Koche….”. “Jovan, nuk është se as mua nuk më ka shkuar mendja në të njëjtën. Një i tillë hero, në vendin dhe në kohën e duhur, do të zgjidhte shumë punë dhe shumë dilema”, – thotë në komentin e tij Nedelkovski. “

Kjo nuk është hera e parë që ky gazetar maqedonas shfryn publikisht të tërë urrejtjen patologjike që ndjen për shqiptarët”, – shkruan “Zhurnal”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 12:37

Norvegji-Është një moment që është pritur me tension dhe me shumë shqetësim. Vrasësi norvegjez, Anders Behring Brejvik doli përpara gjyqit pak minuta përpara orës nëntë. Dhe që në momentin e parë bëri një gjest që të kujton nacionalsocializmin. Mblodhi grushtin, e afroi tek zemra dhe më pas e ngriti atë në formë përshëndetje.

“Unë nuk e njoh këtë gjyq. Politikanët norvegjezë kanë një mandat për të mbështetur multikulturalizmin,” tha ai.

Më pas prokurori lexoi emrat e 77 viktimave që shkaktoi Brejvik verën e shkuar. Ai nuk shfaqi asnjë emocion.

Korrespondenti i BBC thotë se gjatë gjyqit 10- javor, prokurorët do përshkruajnë një panoramë të detajuar të krimeve të Brejvik.

Ai vetë i ka rrëfyer krimet, por thotë se nuk është fajtor për shkak se kishte ‘një shënjestër legjitime’ në krimet e tij. Brejvik thotë se sulmoi disa mbështetës të Partisë Laburiste që përkrahin emigracionin dhe multikulturalizmin. Sipas Brejvik, këto politika janë në favor të pushtimit mysliman të Europës.

Nëse gjykata e shpall si të çmendur, ai do të vendoset nën kujdes psikiatrik. Në rast të kundërt do dënohet me 21 vite, por që mund ta zgjerohen në burg të përjetshëm. Vetë Brejvik duket se nuk e preferon psikiatrinë. Ndërkohë që jeta në burg për të është një luks i vërtetë. Mediat raportojnë se ai gjendet në një burg me kushte shumë të mira.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 11:10

Oslo – Vrasësi masovik norvegjez Anders Bering Brejvik nuk është as psikopat as skizofren, ka bërë të ditur prokurori publik, që e ka paraqitur raportin e ekspertëve në gjykatë.

Brejvik pranoi se është autor i dy sulmeve binjake më 22 korrik 2011, ku vrau 77 persona. Analiza psikiatrike tha se ai ishte i çmendur.

Dy psikiatër të caktuar nga gjykata arritën në këtë përfundim pasi e intervistuan atë në 13 raste.

Raporti i tyre, tha për 32 vjeçarin, Brejvik se ka jetuar “në universin e vet iluzionar, ku të gjitha mendimet dhe aktet e tij janë udhëzuar nga iluzionet e tij”.

Ekipi prej katër ekspertësh që vlerësuan Brejvikun në burg, nuk u pajtua me disa nga përfundimet origjinale të paraqitura në gjyq.

Sipas raportit të paraqitur nga Prokurori Publik, Svein Holden, ata nuk besojnë se Brejvik është psikotik apo skizofren dhe nuk mendojnë se ai ka nevojë për ilaçe.

Në këtë mënyrë, përveç kësaj ata nuk e konsiderojnë atë, të qënit në rrezik të madh për kryerjen e një vetëvrasjeje.

Brejvik doli në gjyq me akuzat për terrorizëm. Siç qëndrojnë gjërat, një vendim që do ta shpallte fajtor, do ta vendoste atë të kryente dënimin nën kujdes psikiatrik, në vend të një burgu.

Gjykata pritet të vendosë brenda javëve të ardhshme nëse do të marrë parasysh apo jo një vlerësim të ri psikiatrik.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 10:40

Oslo – Vrasësi masovik Anders Nering Brejkvik, i cili ndodhet në burg ka në dispozicion për vete tre qeli. Brejkvik në dispozicion mund të ketë dhomë fjetjeje, dhomë pune dhe për trajnim, njoftoi korrespondenti i MIA-s.

“Për herë të parë po ndodh që një i burgosur të shfrytëzojë më shumë se një qeli”, thotë shefi i burgut “Ila”, Knut Barkeid, për gazetën norvegjeze “Dagsavisen”.

Një prej arsyeve për këtë është që Brejvik “të mos dëmtohet nga izolimi i gjatë”.

Përndryshe, secila qeli është me sipërfaqe prej shtatë deri tetë metra katrorë, kështu që Brejkviku për lëvizje në dispozicion ka mbi 20 metra katrorë.