Lajme Shqip Saturday, 30 November 2013 21:05

Tiranë- “Ndodh një në një milion raste si aksidenti ku humbi jetën Sokol Olldashi, por për fat të keq ka ndodhur”. Nuk ka asnjë dileme tjetër për një nga të katër ekspertët autoteknikë të cilët janë ngarkuar me detyrën e kryerjes së këtij ekspertimi. Inxhinier Artur Sulçe, i cili është ngarkuar nga prokurori i çështjes të jetë në grupin e ekspertuesve, në një rrëfim për “Shekullin” saktëson se gjithçka që ka ndodhur është vetëm fat i keq i Sokolit. “Kam hapur literaturë për këtë rast, sigurisht që është një rast i veçantë, që do të thotë që ndodh rrallë, por ka ndodhur”. Duke dashur të ilustrojë sa më thjeshtë ngjarjen në të cilën humbi jetën deputeti i PD-së, inxhinieri tregon se një rast thuajse i ngjashëm i ka ndodhur edhe një shokut të tij. Sulçe është në dijeni të të gjitha hamendësimeve që janë ngritur mbi atë aksident, që janë publikuar në media dhe në rrjete sociale, prandaj reagon me fjalët: “Është një fatkeqësi, së pari, për atë se ishte djalë i ri dhe, së dyti, për familjen e tij”. Ndërsa analizon mjetin dhe se si mund të humbësh jetën në një rast të tillë, lëshon edhe apelin e fuqishëm për kushtet e rrugëve në vend, pasi për të nëse do të ekzistonte gardhi mbrojtës metalik, ndoshta sot do të ishte gjallë.

Z. Sulçe, ju jeni një prej ekspertëve auto- teknikë që keni shqyrtuar gjendjen teknike të mjetit në të cilin humbi jetën Sokol Olldashi. Cila është e vërteta e atij aksidenti; mund të ndodhë që mund të humbasësh jetën me një makinë të tillë luksoze, ndërkohë që shpejtësia duket relativisht e ulët?
Së pari, është aksident. E them këtë pasi kemi punuar me përkushtimin më të madh mbi atë mjet, duke patur parasysh edhe se çfarë vijoi të thuhej nëpër media. Pastaj edhe lloji i këtij aksidenti, që vërtet është i rrallë, që për mendimin tim është vetëm fatkeqësia e atij njeriu dhe sigurisht tani edhe e familjes së tij, na ka bërë ta shqyrtojmë me përpikmërinë më të madhe. Në pamje të parë është një aksident i rëndomtë, por është një aksident që të merr jetën. Këtu, veç të tjerave, ka luajtur rol edhe trupi i të ndjerit, pasi ka qenë i gjatë dhe ka qenë pa rrip sigurimi në momentin e daljes nga rruga. Në aktin e ekspertimit është përcaktuar me fakte gjithçkaqë ka ndodhur që në momentin e nisjes së mjetit për të dalë nga rruga. Kam vënë në dispozicion të mediave vizive edhe planet tredimensionale në të cilat shihet qartë se si ka dalë mjeti nga rruga, si ka ecur për rreth 10 metër me dy gomat e majta në rrugë dhe me dy të tjerat jashtë rruge, kur ka nisur rënien poshtë, deri tek momenti i rrotullimit.

Për dikë që nuk e njeh këtë lloj teknike duket pak sa e pabesueshme të humbasësh jetën në një rënie të tillë, si shpjegohet kjo?
Tani, unë kam kaluar aty rreth orës 7 të mbrëmjes. Kini parasysh që është një rrugë krejtësisht e pandriçuar dhe atë natë për shkak të kohës së keqe ishte një rrugë e rrezikshme. Në vendin ku është aksidentuar z. Olldashi ishte vetëm një delinator plastik, i cili ishte rreth 75 cm mbi tokë, në të cilin nëse kishe mundësi ta shikoje të tregonte vetëm drejtimin e rrugës. Aty mungonte garderili, pra gardhi mbrojtës metalik, i cili do të kishte luajtur një rol deçiziv për ta mbajtur mjetin në rrugë, pasi vërtet shpejtësia ka qenë e kontrollueshme dhe po të ishte ky garderil mbase ai aksident edhe mund të shmangej. Është i drejtë fakti që vendi në të cilin ka rënë mjeti të krijon habi, pasi nëse matet lartësia është rreth 5.5 metër, që do të thotë të biesh nga kati i parë i një ndërtese në tokë. Edhe një fëmijë mund të shpëtojë. Në rastin fatkeq për Olldashin ka luajtur rol pesha e makinës që është shumë e rëndë dhe gjatësia e tij trupore. Hapësira e përshkuar nga autovetura në momentin në të cilin ka filluar devijimi është rreth 10,9 metra. Në këtë gjatësi makina ka ecur me dy gomat e majta në rrugë dhe me dy të djathtat jashtë rruge derisa ka nisur edhe devijimin. Pas përmbysjes, rënies në krahun e djathtë dhe për shkak të energjisë që zotëronte dhe momentit të rrotullimit për shkak të pjerrësisë së shpatit dhe diferencës së lartësisë së rrugës së varrezave me shpatin, mjeti është përmbysur dhe drejtuesi është goditur në dritaren e ndodhur në tavanin e mjetit. Këtu ka marrë dëmtime të mëdha në kokë, dëmtime që i kanë marrë edhe jetën. Pra, i ndjeri ka pësuar shqyrje ballore nga goditja e fortë, pasi kujtojmë këtu se është deformuar kabina e mjetit duke iu prishur edhe ekulibrat e strukturës.

Shpjegimi i ekspertëve për vdekjen e Olldashit
“Pas rënies në krahun e djathtë, mjeti për shkak të energjisë që zotëronte, energjise kinetike për shkak të lëvizjes drejtëvizore si edhe duke lëvizur në një shpat të pjerrët merr edhe një moment rrotullimi rreth qendrës së rëndesës së tij gjatë kohës që bie në rrugën e varrezave dhe përmbyset fort me rrotat në ajër, ku shkëputet dritarja e tavanit dhe për shkak të energjisë potenciale që zotëronte mjeti që ra nga lartësia si edhe momentit të rrotullimit, nga zotërimi i kësaj energjie potenciale e momenti i rrotullimit të benzit, mjeti ngrihet përsëri në një lartësi të vogël si re-zultat i përplasjes së parë pa pasur mundësi rrotullimi dhe gjatë kohës së kontaktit të dytë me tokën, koka e drejtuesit të mjetit kapet nga dritarja e tavanit, ana e djathtë ku kanë mbetur dhe flokët; ky është dhe momenti fatal ku drejtuesi i mjetit për shkak të mos vendosjes së rripit të sigurimit bën lëvizje në funksion të rrotullimit të mjetit dhe koka e tij bie në kontakt me tehet e mprehta të kësaj dritareje, në pjesën e sipërme të gabinës e cila i shkakton dëmtime vdekjeprurese drejtuesit të mjetit për shkak dhe të peshës së vet mjetit”.

Aksidenti, në sendet e Olldashit mungon portofoli
Ngjarja e rëndë në të cilën humbi jetën deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, vijon të hetohet në detaje. Referuar të dhënave që vijnë nga Prokuroria, teksa grupi i hetimit po punon për zbardhjen e plotë, është mësuar se në sendet personale që janë gjendur në vendin e ngjarjes, natën fatale për jetën e Olldashit, mungonte portofoli. Gjërat e tij, mes tyre një celular, që janë gjendur në makinë në momentin që është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe më pas i janë kthyer familjes, por në këto gjëra mungonte pikërisht portofoli i të ndjerit. Ndonëse nuk dihet nëse ky fakt do të jetë pjesë e hetimit, mësohet se familja ka insistuar të gjendet portofoli i të ndjerit. Ndërkaq, prokuroria vijon të punojë mbi itinerarin e tij natën e aksidentit. Pamjet filmike të tunelit Elbasan-Krrabë janë sekuestruar prej ditësh dhe po punohet intensivisht për zbardhjen e pamjeve pasi, sipas të dhënave, bëhet fjalë për figurë të paqartë për shkak të kohës së keqe dhe mjegullës që ka shoqëruar edhe mjediset e brendshme të tunelit. Gjithashtu , prokuroria ka marrë tabulatet e telefonave të shoferit të Olldashit si dhe do të kërkohet sërish marrja në pyetje e mikut të tij. Deputeti Igli Cara, i cili ka dëshmuar se e prisnin Olldashin që ta hanin darkën bashkë, është një dëshmitar tjetër që u gjend në vendin e ngjarjes para policisë. Ndërsa shoferi ka treguar se momentin që humbi jetën Olldashi ai po komunikonte me të në telefon. Gjithashtu një tjetër dëshmi e rëndësishme për këtë ngjarjes është edhe i zoti i lokalit, që ndodhet afër vendit të ngjarjes, i cili ka dëshmuar se është personi i parë që ka mbërritur në vendin ku gjendej i pajetë deputeti dhe i njohuri i tij.

FAKT

Raporti Mjekoligjor, përmendet nga ekspertët, mungon për publikun

Arben Rrozhani
Mjekësia Ligjore në Tiranë ende nuk ka një përgjigje zyrtare për aksidentin, ku mbeti i vdekur ishdeputeti Sokol Olldashi. Edhe pse sot bëhen 10 ditë nga ndarja nga jeta e 41-vjeçarit, Mjekësia Ligjore deklaroi zyrtarisht se nuk e ka një raport të tillë gati, meqë në këtë kohë qëlluan edhe festat e nëntorit dhe raporti do të jetë në dispozicion javës tjetër. Në fakt raporti mjeko-ligjor ekziston, madje zyrtarisht dhe i pohuar nga organet shtetërore. Është shënuar edhe në Akt-ekspertimin autoteknik, me katër bashkautorë, dhe që mban datën 25 nëntor. Në krye të faqes numër 2 të raportit thuhet se nga ana e ekspertëve u studiua dosja hetimore nee tee cileen ndodheshin: procesverbali i keeqyrjes see vendit tee ngjarjes, skica e vendit tee ngjarjes, procesverbali i kqyrjes see mjetit dhe raporti mjekoligjor. Më poshtë në raport thuhet shprehja: “I studiojmë një nga një këto dokumente”. Por, në fakt studiohen vetëm 3. Pika e katërt është zëvendësuar pikën tre duke kapërcyer menjëherë nga dyshi te katra. Pikërisht kjo është pjesa që do të ndihmonte dhe do të qartësonte më shumë publikun për pikat e errëta të aksidentit të mistershëm, që i mori jetën deputetit të PD-së. Mjekë që kanë qenë në dijeni të ekspertimit mjeko- ligjor të kufomës së Olldashit, deklaruan dy ditë më parë për një plagë vdekjeprurëse në kokën e të ndjerit që nuk mund të shkaktohet nga preja e xhamit të baxhës dhe mund të jetë bërë me një goditje tjetër nga jashtë. “Xhami pret lëkurën, por jo kockën e kafkës që është shumë e fortë, siç quhet në gjuhën mjekësore. Kafka ishte e hapur nga maja e kokës deri në nivelin e syrit me hundën si dhe kishte mungesë të masës trunore”-deklaroi mjeku dy ditë më parë për “Shekullin”, duke thënë se një përgjigje të qartë dhe të saktë do ta japë raporti i Mjekësisë Ligjore, i cili përmban edhe filmimet dhe fotot e kqyrjes së kufomës së të ndjerit. Në përforcim të dyshimeve të mjekut për shkaqet që sollën vdekjen e deputetit Olldashi vjen edhe fjala e një eksperti të makinës tip “Mercedez Benz”, si ajo me të cilën u aksidentua ish-deputeti mbrëmjen e 20 nëntorit, në Kërrabë. Sipas tij, makina luksoze, përveç dhjetra opcioneve për të mbrojtur jetën e vozitësit në rast aksidenti, ka një opcion edhe për baxhën e xhamtë, që ikën vetvetiu, në rast aksidenti të makinës, duke shtuar shanset për shpëtimin e jetës së të aksidentuarit./shekulli/

 
Lajme Shqip Thursday, 21 November 2013 18:34

Ish-zëdhënësja e Sokol Olldashit, Arminda Qylafku, ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, ku ka konfirmuar se ajo është gjallë, pas sot disa media bënë me dije se ajo kishte humbur jetën dje bashkë me deputetin e PD-së.

Qylafku është një nga emrat më të përfolur orët e fundit si personi i dytë në makinë me Sokol Olldashin. Ajo ka reaguar në “Facebook”, duke ngushëlluar familjen dhe miqtë për këtë humbjet të rëndë.

“Miku im i dashur, nuk e besoj që ti nuk je më mes nesh. U prefsh ne paqe!”, shkruan ajo.

Qylafku ka punuar si zëdhënëse pranë Olldashit në kohën kur ishte ministër, ndërkohë që ka qenë bashkëpunëtorja e tij gjatë periudhës kur Olldashi garoi për kreun e Partisë Demokratike.

Qylafku ka vendosur një shenjë zie në faqen e saj në “Facebook”. E kontaktuar me telefon, ajo thotë se ka qenë në mbrëmje në morgun e Tiranës bashkë me ekipin e ministrisë dhe se ka qenë në shtëpinë e saj gjatë kohës kur ndodhi ngjarja e rëndë. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 10:25

Tiranë – Flamur Buçpapaj, një nga emrat e lëvizjes së dhjetorit 1991, thotë në një intervistë për Shqiptarja.com, se kryetari në detyrë i PD, Sali Berisha, i ka kërkuar të mos garojë për postin që lë bosh ai.
“Unë jam ndier gjithmonë një nga njerëzit më të zgjuar të PD, pavarësisht se nuk kam konkurruar më, pasi jam marrë më shumë me studime. Që pas ardhjes së Partisë Socialiste nuk kam pranuar më që të punoj në shtet. Jam marrë më shumë me botën e biznesit si dhe kam botuar 6 libra deri më tani,” thotë Buçpapaj.
“Gjatë bisedave të mia telefonike me kryetarin në detyrë të PD, Sali Berisha, u pa e arsyeshme nga ana e tij që të mos përfshihem në garë për shkak sepse unë mund të merrja shumë vota, a mund t`i prishja punë dikujt që ai e ka vendosur që të ketë kryetarin e ardhshëm të PD. Më ka telefonuar 3-4 herë për këtë. Nëse do garoja vetë i binte që unë të hyja në garë në mënyrë të pabarabartë. Do të hyja në garë dhe do të humbja. Nuk do më krijoheshin kushtet e barabarta për garën ashtu si do t’u krijoheshin kandidaturave që do të dilnin nga Kryesia. Gjithsesi mendoj se ai nuk ka për t’u shkëputur asnjëherë nga PD,” vijon ai.
I pyetur për dy kandidatët për kreun e PD, Buçpapaj thotë: “Këta njerëz nuk duhet të konkurronin më kurrë për këtë post. Të dy konkurruesit janë dy ish- ministra në disa poste të kësaj qeverie, që rezultoi qeveria më armike e popullit. Me rreth 1 milion vota kundër”.
Buçpapaj shprehet se në krye të PD-së duhet të jetë Olldashi, por garën do e fitojë Basha pasi kështu është orientimi.
Ai thekson se nuk do shkëputet nga PD dhe në momentin më të parë do të konkurrojë për kreun e saj.

 

 
Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 09:29

Tiranë – Kandidati për kreun e ri të PD-së, Sokol Olldashi ka bindjen se do të jetë fitues i garës së 22 korrikut por duke bërë të qartë se do të njohë çdo rezultat që do të dalë nga votimi i anëtarësisë së PD-së. I ftuar në emisionin “Opinion”, Olldashi bëri të qartë se Berisha nuk ka shprehur asnjë pëlqim për kandidatët, teksa përmendi të vetmen vërejtje ndaj tij, atë të pasionantit. “Për z.Berisha kam të vetmen vërejtje, është pasionant, por është dialogues, ka vullnet të jashtëzakonshëm, është njeri shumë i fokusuar në objektivat e tij. Sa u përket hamendësimeve se ai parapëlqen njërin kandidat, ju them se z.Berisha e ka bërë të qartë se nuk do të ndikojë në proces dhe nuk ka asnjë të parapëlqyer”, – deklaroi Olldashi. Lidhur me pikëpyetjen se pas kreut të ri të PD-së do të jetë sërish Sali Berisha, ai tha se nuk besoj se do të ndodhë kështu. 

Ai theksoi se shkak për humbjen e PD, ishte mosgoditja e LSI. 
“Ndoshta për forcë zakoni ne fushatën tonë e ndërtuam në gjithë vendin në goditje të PS, por lamë jashtë vëmendjes LSI”, tha Olldashi. 
Kandidati për kreun e PD insistoi se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është një parti financiare por një cetë parash.