12
 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 18:02

Vetëm disa kilometra pasi kalon doganën e Tushemishtit, fillojnë dhe të shfaqen tabela treguese me shigjetë “Striptizëm-Bar-Hotel”. Në pamje të parë, nga jashtë, lokali duket si një motel normal, por sapo ke vënë këmbën atje e kupton fare lehtë, se këtu ka dhe shërbime speciale. Kati i parë i lokalit ka një bar dhe sipër një podium, ku vajza të reja para një hekuri të harkuar demonstrojnë ushtrime striptizmi, duke u zhveshur gradualisht dhe duke përcjellë tek klientët e lokalit pasthirrma epshi.

Në të dy cepat e lokalit qëndrojnë dy djem muskulorë, të qethur ballaboks, të cilët ndjekin me vëmendje lëvizjet e vajzave dhe të klientëve. Disa prej vajzave të zbuluara, pothuajse krejt, shkojnë më pas në tavolina mes klientëve, duke konsumuar uiski apo pije të tjera alkoolike, të cilat kanë çmime trefish më shtrenjtë nga lokalet e tjera.

Pasi klienti zgjedh një nga femrat, shkon tek pronari për të bërë “tenderin” e femrës që ka pëlqyer. Në bazë të moshës dhe të kohës së qëndrimit, pronari cakton çmimin. Kalon një korridor të ngushtë dhe papritur shfaqet një korridor i gjatë, në të dy krahët, ku ka një numër të madh dhomash. Në cepin e korridorit të sheh syri një tavolinë dhe hekuri që hekuros çarçafët dhe një lavatriçe, që ka pranë një pirg me çarçafë, të cilët presin të lahen.

Fare pranë çarçafëve të palarë, një kovë plastike me mbeturina prej ambalazhi çokollatash apo prezervativë të çarë, të mbledhura nga këto dhoma ku shfryhen epshet me ruse, moldave, shqiptare, serbe bullgare edhe maqedonase.

Zakonisht, këtu vijnë meshkuj nga të gjithë brezat. Shqiptarët janë klientë të përhershëm. Zakonisht kërkojnë të shkojnë me femra të huaja, jo me shqiptare. Një burrë nga Korça, M.K, tha se kishte pëlqyer një brune të gjatë, i ishte dukur si moldave, por ai kishte qëndruar gjithë natën me të dhe ajo në mëngjes i kishte thënë se ishte nga Gramshi. “M’u dhimbs,- thotë tregtari nga Korça,- ishte më pak se 20-vjeç”.

 

Edhe një djalë i ri nga Pogradeci thotë se kishte dashur të shkojë me një ruse bionde, por vajza kishte qenë nga Librazhdi. I rregullojnë, i trukojnë në mënyrë të tillë grimieret, saqë është e pamundur që t’i dallosh nga të huajat. Është dhe një fakt tjetër, që shqiptaret nuk tregojnë të vërtetën se nga janë, hiqen si moldave apo ruse. Shqiptaret zakonisht janë të përhershme.

Ndërkohë që në sezonin veror që Ohri mbushet me turistë, në disa lokale dhe motele, mbi 50 femra të reja çdo natë vijnë edhe për të pushuar, edhe për të ushtruar profesionin e tyre të prostitutave. Në verë vijnë edhe serbe, bullgare, kroate apo gjermane, përveç ruseve, moldaveve, shqiptareve. Pronari i lokalit ka ndërmjetës të këtij biznesi fitimprurës. Kështu, një ditë ai njoftonte një pogradecar që kishin lidhje me pronarin e lokalit: “Sapo më kanë ardhur nja 20 balerina ruse, njofto ndonjë të dhjamur të vijë dhe ai të kënaqet dhe ne kemi fitimin tonë”.

Telefonata e pogradecarit shkon në Tiranë dhe vetëm pas tre orësh, në doganën e Tushemishtit shikon persona Vip me makina të viteve të fundit; zakonisht këta janë zengjinë dhe vetëm bëjnë zgjedhjen, dhe nuk pyesin për çmimet. Zakonisht, këta qëndrojnë gjithë natën dhe në mëngjes dalin të mbufatur dhe të skuqur, kokë ulur dhe me syze të errëta, për të mos u dalluar nga ndonjë i njohur i rastësishëm.

 

Policia e Maqedonisë në aksion kundër prostitucionit

 

Vetëm gjatë mbrëmjes së kaluar në një aksion blic policia maqedonase ka arrestuar nëpër lokale nate që ushtrojnë prostitucion 46 femra të reja të moshës nga 18 -24 vjeç. Në lokalet “Enexhi“ në Tetovë, ”Orejetnt AS“ në Zherovjan, ”Europa” në Vaksinicë“ dhe “Amserdan” në Gostivar, vajzat ishin shtetase të huaja bullgare, shqiptare, serbe, malazeze dhe kosovare. Atyre iu janë kapur në çantat e tyre shuma të konsiderueshme eurosh …

Pas aksionit Ministria e Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska ka deklaruar para mediave se të arrestuarat do të çohen tek qendra transit e grumbullimit në Shkup. Ajo ka deklaruar se nëpër lokale nate nga muaji janar deri sot janë kapur 266 femra të huaja që ushtrojnë prostitucion nëpër lokale të ndryshme maqedonase. Është shqetësues fakti që kjo shifër shkon në rritje pasi vitin e kaluar për të njëjtën periudhë ishin kapur 211 vajza

(Shqiptarja.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 08:23

OHER- Ka qenë një takim “sportiv” ai mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe homologut të tij maqedonas, Gjeorgje Ivanov. Siç theksojnë mediat vendase, risia e këtij takimi është se dy presidentët u takuan në një imazh të veçantë, pa kollare. Takimi mes dy Presidenteve eshte mbajtur në vilën presidenciale “Biljana” në Ohër.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se; “Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurt ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.”

Në komunikatën e Presidentit, Ivanov thuhet se në fokusin e bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet e deritanishme dypalëshe dhe fushat që duhet rritur bashkëpunimi.

Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjitikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare.

Nishani ka patur një takim “tetë-a-tetë” me homologun e tij, dhe më pas u janë bashkangjitur edhe anëtarët e tjerë të delegacioneve. Në asnjërin prej takimeve nuk janë lejuar mediat. Ky ka qenë edhe takimi i parë i dy presidentëve, pas marrjes së detyrës nga, Bujar Nishani.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 16:30

Shkup – “Sot në njëmbëdhjetë vjetorin e përfundimit të luftës së vitit 2001, Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ata që luftuan dhe derdhën gjakun për të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve në Maqedoni dhe revoltën për shkëmbimin e turpshëm të këtyre idealeve me përfitimet e pushtetit, nga ata që në këto njëmbëdhjetë vite kanë mbushur xhepat e vet dhe të familjarëve të tyre”, thekson RDK.

Kjo parti shpreh zhgënjimin që edhe me Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimin e Kushtetutës, shqiptarët vazhdojnë të mos emërtohen ’popull’ si maqedonasit, por kanë gjithmonë emërtim dhe status juridik të njëjtë me romët, vllahët, turqit, serbët dhe boshnjakët. 

“Ndërkohë që maqedonasit në të gjitha kushtetutat e Maqedonisë dhe nenet përkatëse emërtohen ‘popull’, shqiptarët në Maqedoni njejtë si edhe romët, vllahët, turqit, serbët dhe boshnjakët – në vitin 1974 emërtohen ’kombësi’, në vitin 1991 ’nacionalitet’ dhe në vitin 2001 ‘pjesë e popullit’ në preambulë, ndërsa ’bashkësi’ në përmbajtjen e kushtetutës, në nenet 48, 56 dhe 78 – që të gjitha këto sinonime për pakicat kombëtare. Barazimi i statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve me statusin e pakicave kombëtare, të cilat janë në numër fare të vogël në Maqedoni, tregon mënyrën e funksionimit të shtetit dhe pabarazinë e shqiptarëve me maqedonasit. Shqiptarët në kushtetutat e Maqedonisë kurrë nuk janë emërtuar ’popull’ dhe nuk emërtohen as edhe sot, prandaj ata kurrë nuk kanë qenë e as nuk janë element shtetformues”, thekson kjo parti.

RDK bën thirrje për hapjen e një debati të gjerë publik, shoqëror dhe në media, për demistifikimin dhe sqarimin e drejtë e pa emocione të përmbajtjes konkrete të Marrëveshjes së Ohrit dhe shmangjen e mashtrimeve lidhur me përmbajtjen e saj.

“Pabarazia e shqiptarëve në Maqedoni kuptohet fare thjeshtë kur kujton se personi që u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës u mbrojt edhe me paratë e shqiptarëve të ndara nga Qeveria e Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, ndërkohë që dhjetë viktimave të Lubotenit, për të cilat Gjykata e Hagës deklaroi se ishin fshatarë të pafajshëm të vrarë nga njësitet policore shtetërore, Qeveria e Maqedonisë për njëmbëdhjetë vjet as nuk e ka parë të arsyeshme të ndajë as edhe një denar të vetëm si dëmshpërblim”, thuhet në komunikatën e RDK. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 18:05

Tiranë – PDIU përshëndeti sot 10-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit duke e konsideruar këtë akt, si modeli në të cilin duhet të bazohet struktura e shtetit maqedonas, për të siguruar të drejtat minimale të shqiptarëve.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDIU shprehet se, “Marrëveshja e Ohrit është guri i themelit i një shteti multietnik me kohezion shtetëror, siç duhet të jetë Maqedonia. Sot, ne përkujtojmë të gjitha viktimat e luftës së vitit 2001, të cilët me gjakun e derdhur arritën në realizimin e kësaj marrëveshjeje”.

Duke theksuar se 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo nuk është zbatuar tërësisht, PDIU vëren se “zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit kombëtar, statusi i veteranëve të luftës dhe çështje të tjera të detajuara në marrëveshje, ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes, siç dëshiron kombi shqiptar”.

Për këtë forcë politike, zbatimi tërësor i Marrëveshjes së Ohrit përbën vetëm hapin e parë në të vetmin shteg për konsolidimin e shtetit multietnik të Maqedonisë dhe realizimi i tij tashmë duhet të ishte një fakt i kryer, për të arritur në hapat e mëtejshme të konsolidimit të shqiptarëve në këtë shtet e më gjerë në rajon.

“Në këtë 10-vjetor, PDIU i bën thirrje të gjithë klasës politike shqiptare në Maqedoni, që të kenë një qëndrim të palëkundur e të përbashkët kur vjen fjala te çështja kombëtare deri në realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, si një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Maqedonisë në BE”, përfundon deklaratën për shtyp, PDIU.

 
Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 14:15

Ohër – Ish-ambasadori Filip Riker në ditën e dytë të konferencës lidhur me Marrëveshjen e Ohrit ka siguruar se nuk do ketë ndryshim të kufijve në rajon.
Të jemi të sigurt se nuk do ketë kurrfarë ndryshim të kufijve dhe proceset në këto treva, si Rambuje e të tjera, do të ndihmojnë për gjithë, por edhe për ju në Maqedoni e rajon, që të shihni se ardhmëria megjithatë varet nga ju”, ka thënë Riker.

“Jemi në shekullin e XXI dhe Marrëveshja e Ohrit është një simbolikë e saj. Nuk ka kurrfarë arsyesh që të pengohet kjo rrugë, kjo paqe dhe të mos punohet më tej. Uashingtoni dhe Brukseli mund të ndihmojnë, por më shumë kjo varet nga ju. Keni fat që keni MO-në po dhe SHBA-të për atë që keni arritur. Ohri është model për shekullin XXI”, ka shtuar më tej Riker.

Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë krenarë që  penguan përvojat e disa rasteve në rajon, si Bosnja apo të tjera. “Në interes të gjitha komunniteteve është që të ruhet fryma e MO-së. Pra, ajo që të bëni kompromis rreth diçkaje”, ka thënë nga ana tjetër  ish-ambasadori i BE-së në Shkup, Piter Sorensen.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës ambasador i SHBA-ve në Shkup, Rajan Ageler, ka thënë se nëse flasim për MO-në, duhet të kihet parasysh edhe ajo që Xhaferi liferoi mbi transparencën për ndarjen e resurseve, por edhe të sundimit të së drejtës mbi qytetarët, është me rendësi esenciale.

“Jam i bindur se suksesi do të varet nga politikat të cilat do t‘i miratojmë në vendin tonë, shpresoj se të gjithë do të kontribuojnë në afrimin e vendit në strukturat euroatlantike”, ka thënë shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki. Ndryshe, sipas ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, “Marëveshja e Ohrit i garantoi Maqedonisë një stabilitet afatgjatë , ajo e shpëtoi vendin nga lufta e përgjakshme, e cila rezikonte të ardhmen e këtij shteti”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 14:07

Shkup – Këshilltari i Presidentit Boris Trajkovski për çështje të sigurisë në vitin 2001, Stevo Pendarovski, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, ka thënë se shteti maqedonas kishte ndikuar në rritjen e numrit të UÇK-së.

Kjo deklaratë e tij konsiderohet si një pranim i rrallë se autoritetet kishin përgjegjësi për situatën e krijuar para dhe gjatë vitit 2001. Pendarovski këtë e ka bërë të njohur duke folur për filmin “10 >” Marrëveshja e Ohrit”.

Po në këtë dokumentar, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ish lider i UÇK-së, për herë të parë tregon se ka në arkivin e tij materiale të regjistruara të zhvillimeve politike.

Pendarovski ka thënë se me veprimet e saj ishte rritur pakënaqësia tek shqiptarët. “Praktikisht, me veprimet dhe me mënyrën e reagimit shteti maqedonas rriti pakënaqësinë tek pala tjetër, thënë kushtimisht, rriti numrin e pjesëtareve të të ashtuquajturës UÇK dhe praktikisht e futi veten në rrugë pa dalje”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka thënë se shqiptarët u detyruan të veprojnë ndryshe: “Nuk është fshehtësi ta them se unë kam mbi 500 kaseta të aktiviteteve politike që janë zhvilluar në vend, aktiviteteve në parlament, aktiviteteve në fushatat elektorale. Të gjitha këto janë analizuar, janë përpunuar, dhe kur është parë që në këtë mënyrë nuk ka zgjidhje, nuk ka avancim nuk ka përparim, u detyruan shqiptarët të lëvizin ndryshe”, ka shtuar Stevo Pendarovski. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 20:37

Shkup – Ish-kryeministri Lupço Georgievski, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, për herë të parë ka pranuar se ka marrë injeksione për qetësim.

Sipas tij kjo ka ndodhur gjatë ngjarjeve të Karpallëkut, ku humbën jetën 10 pjesëtarë të forcave maqedonase të sigurisë, pra vetëm disa dita para nënshkrimin të Marrëveshjes së Ohrit.
“Po. Në ato momente unë isha në një situatë shumë të keqe, dhe mund t’u them se atëherë për herë të parë dhe të fundit kam marrë injeksione për qetësim”, ka thënë Georgievski, i cili atëherë kishte postin e kryeministrit të Maqedonisë.

Ai këtë deklaratë e shpalosi, mes tjerash, për filmin dokumentar “10>” Marrëveshja e Ohrit.
Lupço Georgievski, gjithashtu, thotë se nga distanca e sotme kohore, në negociatat në Ohër direkt duhej të merrte pjesë edhe UÇK. Ai, gjithashtu, shprehet se i vinte keq që nuk ndodhi shkëmbimi i territoreve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Mendoj se shqiptarët në një Shqipëri të madhe, maqedonasit në një Maqedoni relativisht të pastër etnike, ku do të ishin 90 për qind pronar të Maqedonisë, do të vazhdonin me jetët e tyre dhe deri tani do të normalizoheshin gjurmët nga ai shkëmbim territoresh”, ka thënë Georgievski.
Por, kundër kësaj ideje është shprehur Ali Ahmeti, i cili ka thënë se kjo ka qenë frika e tij më e madhe. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 17:30

Ohër – Ish-ambasadori Filip Riker në fjalimin e tij për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka thënë se ajo e parandaloi luftën civile.

Ndërkohë ish-ndërmjetësuesi për Marrëveshjen e Ohrit, Xhejms Perdju, ka thënë se Maqedonia siç është tani, “nuk do të ekzistonte në rast se dështonte procesi paqësor”.

“Është ky një përvjetor shumë i rëndësishëm në Maqedoni por edhe në Amerikë. Kjo marrëveshje përforcoi ekonominë e vendit. Nënat Maqedonase dhe shqiptare humbën fëmijë,  kjo është e qartë ne duhet t’i shmangemi asaj që ishte shtëpi e ndarë. Kjo marrëveshje ishte shans i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve”, ka thënë ish-ambasadori Riker.

“Kjo marrëveshje barazoi qytetarët nga më tepër të bashkësi etnike. Arritja e marrëveshjes ndoshta ishte më e lehtë por implementimi i saj ishte më i vështirë. MO-ja nuk është zgjidhje e përkryer, por ajo ndryshoi shumë gjëra në Maqedoni”, ka thënë në fjalimin e tij në konferencën ndërkombëtare në Ohër.

Ai në fjalimin e tij nuk ka lënë pa falënderuar as miqtë tjerë ndërkombëtarë të cilët ndihmuan që të arihet Marrëveshja e cila parandaloi që Maqedonia të shkon drejt luftës civile e cila do të ishte zgjeruar në mbarë Ballkanin.

“Jam i admiruar që jam sërish në këtë rreth historik ku u nënshkrua MO-ja. Shumë miq ndërkombëtarë ndihmuan hartimin e kësaj marrëveshje, këtu nuk mund ta lë pa përmend Havie Solanën, Xhorxh Robertsonin, Fransoa Leotarin. MO-ja është bazë për parandalimin e luftës së përgjakshme e cila do të kishte ndodhur në Ballkan. Marrëveshja e Ohrit është relevante dhe e pranuar ndërkombëtarisht. Politikanët do ti tejkalojnë mosmarrëveshjet e tyre për të mirën e vendit , për qytetarët e tyre. Kjo marrëveshje është një fondament për thurjen e kontesteve etnike. MO-ja i jep mundësi Maqedonisë që të jetojë në paqe, por u mbetet liderëve që ta sensibilizojnë ato”, ka thënë Perdju.

Ndërkohë, Alen Leroa theks të veçantë ka vënë në rëndësinë që kishte kjo marrëveshje në parandalimin e luftës civile. “Maqedonia  ishte vendi i parë që nënshkroi Marrëveshjen e stabilizim -asociimit, dhjetë vjet pas nënshkrimit vendi i juaj ka përparuar shumë në rrugën e saj euroatlantike . Unë jam optimist se Maqedonia së shpejti do të jetë anëtare e BE-së”, ka thënë Leroa. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 16:17

Shkup – Dhjetë vjet që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila iu dha fund luftimeve midis shqiptarëve dhe maqedonasve, pjesa më e madhe e saj është zbatuar dhe nuk ka gjasë për ripërtëritjen e konfliktit.
Ky është konstatimi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK), i cili në një raport të publikuar me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Orhit, megjithatë vlerëson se ky vend mbetet i brishtë dhe shoqërohet me trende shqetësuese – rritjen e nacionalizmit etnik maqedonas, pushtimin e shtetit nga ana e kryeministrit dhe partisë së tij, rënien e pavarësisë në media dhe drejtësi, rritjen e ndasive në shkolla dhe ngathtësinë e decentralizimit.
Këto trende, sipas GNK-së, kërcënojnë shtetin civil shumëkombësh.
Duke folur për partitë politike shqiptare, grupi vlerëson se ato duhet të forcojnë besnikërinë e tyre ndaj shtetit dhe të angazhohen më thelbësisht në politikë dhe vendimmarrje.
Nga ana tjetër, “rritja e nacionalizmit po i ndan maqedonasit në mënyrë jo të shëndetshme në ‘patriotë’ dhe ‘tradhtarë’, duke irrituar kësisoj shqiptarët dhe duke shkurajuar miqtë e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.
Lidhur me raportet midis dy komuniteteve etnike, GNK vlerëson se qeveria është kritikuar për mungesë angazhimi për të siguruar një përfaqësim të barabartë, për të zbatuar ligjin mbi gjuhën dhe për të kundërshtuar përjashtimin kulturor.
Duke ofruar një sërë rekomandimesh për elitën politike dhe faktorin ndërkombëtar, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, mes tjerash, vlerëson se qytetarët e të gjitha etnive dhe bindjeve politike kanë arsye për të festuar përvjetorin e dhjetë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila “ka bërë shumë në zvogëlimin e diskriminimit, jobarazisë dhe në ruajtjen e unitetit”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 16:05

Shkup – Nesër mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit me të cilën iu dha fundi konfliktit në vitin 2001 dhe u vendos korniza për bashkëjetesën ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të shtetit.

Marrëveshja e Ohrit edhe pas një dekade e gëzon mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga pjesët më të mëdha të partive nga blloku politik maqedonas dhe shqiptar, si korniza e vetme për zhvillim të shtetit. Zakonisht Ambasada e SHBA-së dhe misionet e BE-së, NATO-s dhe OSBE-së në vend çdo vit prononcohen për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Në kuadër të shënimit të një dekade nga Marrëveshja e Ohrit, ngjarja qendrore është konferenca dyditore që sot dhe nesër do të mbahet në Ohër, në organizim të Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIOFA).

Konferencën do ta hapë presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, ndërsa fjalim do të ketë edhe zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi.

Në forumin dyditor do të marrin pjesë përfaqësues të rëndësishëm vendor dhe ndërkombëtar. Në sesionin e titulluar “Historia, zbatimi dhe arritjet e lidhura për Marrëveshjen e Ohrit” do të marrin pjesë Filip Riker, në cilësinë e zëvendës-nënsekretarit shtetëror të Kombeve të bashkuara të Amerikës dhe lehtësuesit e Marrëveshjes së Ohrit Xhejms Perdju dhe Alen Le Roa, i cili për momentin e kryen funksionin nënsekretar i përgjithshëm për operacione paqesore në Kombet të Bashkuara.

Me tribunën me aktorët kyç në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit do të kryesojë zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, ndërsa krahas Perdjus, Piter Fejth, i cili është përfaqësues i posaçëm i BE-së dhe përfaqësues civil ndërkombëtar për Kosovën dhe Ali Ahmeti si kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e cila doli pas konfliktit në vitin 2001.

Në temën “Evaulimi i Marrëveshjes së Ohrit” në ditën e dytë konferencës pritet të flasin ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, Piter Sorensen, udhëheqës i Delegacionit evropian në Republikën e Maqedonisë, Ralf Bret, udhëheqës i misionit të OSBE-së në Republikën e Maqedonisë, Brajan Ageler si u.d. ambasador i SHBA-së në Maqedoni dhe ambasadori britanik Kristofer Ivon.

“Hapat dhe pritjet e ardhshme” do të jetë titulli i fundit në të cilin kryesisht do të debatojnë ekspertë vendor dhe të huaj. Midis të cilëve, të paralajmëruar janë Daniel Server, ekspert dhe ligjërues akademik amerikan për menaxhment konfliktuoz, kryetari i Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive në Republikën e Maqedonisë dhe Abdilaqim Ademi, ministër aktual i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësiror dhe ish-zëvendëskryetar i Qeverisë i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri i obliguar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit e arriti qëllimin, e ktheu paqen, hap mundësi të gjithë të marrin pjesë në krijimin e jetës politike dhe shoqërore, ndërsa në Kushtetutë ka amendamente me të cilat nuk lejohet të diskriminohen bashkësitë etnike.

Sipas tij, 10 vjet pas nënshkrimit të saj, gjendja është shumë e përmirësuar dhe ka parakushte për, siç tha, të ecet me dinamikë më të mirë përpara.

“Jam i kënaqur nga ajo se si hapeshin perspektivat nga i gjithë procesi politik i cili është i ndërlikuar, nuk është i thjeshtë dhe nuk mund të matet lehtë nëse ishte i zhvilluar në mënyrë optimale ose me sukses deri më tani”, shtoi Xhaferi.

Në pyetjen pse përfaqësuesit shqiptarë nga pushteti edhe pas dhjetë vjetëve nuk shkojnë në shënimin e ngjarjeve në Karpallak dhe Lubeten gjatë konfliktit të vitit 2001, ai tha se ato plagë nuk është lehtë të shërohen, por konsideron se përfaqësues të partive politike dhe të institucioneve tani kanë inkurajim më të madh që të përballen me ato ngjarje.

Në një intervistë për “Dojçe velen”, ish-zëvendës-sekretar i përgjithshëm për operacione të NATO-s, Xhejms Perdju tha se Marrëveshja e Ohrit e ka lëvizur Maqedoninë përpara drejt demokracisë së plotë, të drejta të qytetarëve dhe njohje të identitetit kulturor dhe etnik të njerëzve në vend. Unë jam shumë i kënaqur për shkak të zbatimit të marrëveshjes. Është arritur një përparim i madh. Ishte e vështirë të negociohet, por ishte shumë më vështirë të zbatohet dhe kjo është ajo që është e rëndësishme.

Xhejms Perdju, në vitin 2001, si “lehtësues” në negociatat midis palës maqedonase dhe shqiptare mori pjesë në krijimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në lidhje me kritika të caktuara të cilat janë shfaqur në vitet e fundit në vend për vetë esencën e marrëveshjes, se ajo jo vetëm që nuk zbatohet, por se nuk është një instrument i mirë për mbrojtje të të drejtave etnike të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike, Perdju me një qëndrim se parimet bazë të dokumentit të Ohrit – demokracia, të drejtat e barabarta të qytetarëve dhe njohja e identitetit kulturor të qytetarëve të ndryshëm në vend – janë realizuar në një masë të madhe.

Sipas tij, shqetësuese është ajo se Maqedonia ende nuk është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, por shpreson se do të tejkalohet konteksti me Greqinë dhe se vendi do të përfshihet në rajonin e mbetur në anëtarësimin euroatlantik.

Për atë se në çfarë mase është zbatuar deri më tani Marrëveshja e Ohrit dhe vlerësimet e njërit nga nënshkruesit dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, se “marrëveshja është realizuar pothuajse 90 për qind, ndërsa në disa kapituj është edhe i tejkaluar”, ish-lehtësuesi thotë se nuk do të flet për përqindje.

“Nuk e di nëse 90 për qind është e saktë, nuk e di nëse disa përqindje janë të sakta. Por, mund të themi se parimet e Marrëveshjes së Ohrit janë miratuar – të drejtat e barabarta dhe njohja e kulturave. A është kjo e përkryer? Jo, jo nuk është e përkryer. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte një problem i madh, në këtë pikëpamje kjo është diku në mes. Por, megjithatë, Maqedonia fiton vlerësime të mira për shkak të gjallërimit të Marrëveshjes së Ohrit”, thekson Perdju.

Ai nënvizon se Marrëveshja e Ohrit paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës në botë.

“Në fakt, Marrëveshja e Ohrit veçmë është shfrytëzuar jo si dokument detyrues, por si model, të cilin të tjerët e shfrytëzojnë në zona të tjera. Mendoj se Marti Ahtisari e shfrytëzoi Marrëveshjen e Ohrit për parimet e tij për Kosovën. Konsideroj se ai është aplikuar me siguri edhe në rajone tjera. Është bërë me të vërtetë një punë e mirë në njohjen e të drejtave dhe privilegjeve të pakicës”, vlerëson Perdju.

Marrëveshja e Ohrit është e përfunduar, thotë ai, i pyetur për koment për qëndrimet e disa liderëve të partive politike dhe politikanëve relevantë shqiptarë në vend se marrëveshja duhet të zgjerohet me një korpus të ri të kërkesave etnike shqiptare.

“Në të vërtetë, Marrëveshja e Ohrit është përfunduar dhe tani i mbetet qytetarëve të Maqedonisë që të punojnë në çështjet, të cilat janë jashtë saj. Kur them “e përfunduar”, mendoj se nuk do të hapet për debate të sërishme dhe se kjo çështje është në duart e maqedonasve dhe të shqiptarëve etnikë, që të zgjidhet”, është decid Xhejms Perdju, njëri nga lehtësuesit në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit

Fransoa Leotar. i cili në vitin 2011 ishte i dërguar i BE-së si “lehtësuesi” i saj, në një intervistë për MIA-n për herë të parë flet për atë periudhë dhe thekson se Marrëveshja e Ohrit dhe atë që e ka bërë gjatë mandatit të tij në Maqedoni është një nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij politike. Marrëveshja e Ohrit ishte vepër e përbashkët, potencoi ai, duke vlerësuar se ishte sukses i shkëlqyeshëm i bashkimit Evropian dhe për herë të parë diplomacia e vërtetë evropiane erdhi në shprehje.

“Në situatën çfarë ndodhemi sot, kur monedha e përbashktë evropiane është e rrezikuar, duhet të përkujtohemi se evropianët gjithmonë, kur kanë shfaqur interes që të zgjidhin ndonjë problem, kanë mundur ta bëjnë këtë. Edhe atë nga tre shkaqe: kemi ushtarë, kem i para dhe kemi diplomatë”, thotë mes tjerash Leotar.

Leotar konsideron se me Marrëveshjen e Ohrit mbisundoi urtësia në Maqedoni, gjegjësisht se personat udhëheqës, madje ata të cilët kanë qenë të plotësuar me urrejtje ndaj bashkësisë kundërshtuese, kanë kuptuar se lancimi i ideve për ndarje të territorit, që ka qenë rast në momentin kur ka ardhur në Maqedoni, paraqet qorrsokak.

“Pajtohuni mes jush, respektojeni fqiun tuaj pa dallim të fesë apo fytyrës së tij. Besoni në të ardhmen e Maqedonisë dhe tregoni se edhe pse nuk i njihni politikanët aktualë, besoni në suksesin e tyre ekonomik dhe social dhe në identitetin e tyre kombëtar”, është një nga mesazhet e Leotarit”, të dhëna në intervistë.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore dhe plotësime janë miratuar në 10 vitet e fundit nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, nga të cilët pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Ky është konkluzioni i njërës nga 19-të studimet të prezantuara në publikimin e Qendrës për bashkëpunim ndërkombëtar të Maqedonisë, në të cilën ofrohet shqyrtim gjithëpërfshirës i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Autori i studimit Fisnik Shabani vlerëson se institucionet shtetërore akoma nuk posedojnë dhe nuk mbajnë evidencë se sa ligje janë ndryshuar ose plotësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit ose nuk kanë qenë mjaft kooperative lidhur me të.

Marrëveshja e Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001, pas harmonizimeve disaditore në Ohër, u nënshkrua në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski dhe liderët e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PDSH-së Arbën Xhaferi dhe të PPD-së, Imer Imeri. Në cilësinë e garantuesve u nënshkruan edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Letoar dhe Xhejms Perdju. (LajmeShqip.com)

 

12