Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 08:40

Odise Roshi dhe Edmond Kapllani kanë qenë heronjtë e skuadrës së FSV Frankfurt që ka fituar 2-1 ndaj St. Pauli falë golave të tyre për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë në Bundesliga 2.

Të dy futbollistët shqiptarë e kanë filluar ndeshjen si titullarë dhe kanë treguar se e meritojnë një vend të tillë. Roshi ka gjetur menjëherë rrugën e rrjetës që në minutën e 7-të të ndeshjes, duke realizuar golin e parë me fanellën e skuadrës ku është huazuar në këtë sezon nga radhët e Këln.

Pas barazimit të ekipit kundërshtar në minutën e 58-të, ka qenë radha e Kapllanit të shkruajë emrin e tij në librin e golashënuesve me një gjuajtje me kokë në minutën e 62-të, duke i dhënë tre pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij në këtë fillim kampionati.

Për Kapllanin, ky ishte goli i katërt në 6 ndeshje të luajtura në këtë sezon, duke treguar se po kalon një formë të shkëlqyer. Ndonëse ai ka më shumë se një vit që nuk grumbullohet me kombëtaren shqiptare, pritet që në tetor të marrë një ftesë nga trajneri De Biasi për dy ndeshjet e përfaqësueses, pasi aktualisht është sulmuesi më në formë shqiptar. (LajmeShqip.com)