Lajme Shqip Thursday, 28 March 2013 11:16

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, në një intervistë të gjatë për tuttomercatoweb.com ka treguar se si ka ndryshuar tashmë mendimi për përfaqësuesen që ai drejton dhe se si është rritur optimizmi për pjesëmarrjen në Botërorin 2014. Sipas tij, situata është e tillë sa shumëkush do ta cilësojë si dështim nëse Shqipëria nuk arrin të shkojë në këtë aktivitet ndërkombëtar.

-Xhani De Biasi, Shqipëria është një prej surprizave të kualifikueseve të Botërorit. Skuadra është e dyta në grupin e saj pas Zvicrës. Vendimtar ishte suksesi i marrë në Oslo kundër Norvegjisë…

“Një fitore e rëndësishme kundër një skuadre që në renditjen e FIFA-s është 35 pozicione më lart. Duke gërmuar në kujtesë, nuk ka ekzistuar asnjëherë një sukses jashtë fushe ndaj një skuadre që gjendej para në renditje. Por unë jam i lumtur edhe për miqësoren kundër Lituanisë, një fitore e bukur 4-1 që më ka dhënë sinjale të rëndësishme para sfidës së 7 qershorit ku do të luajmë përsëri me Norvegjinë, këtë radhë në shtëpi”.

-Në një intervistë të vjetër e keni cilësuar të pamundur kualifikimin në Botëror…

“E vërtetë, por oreksi vjen duke ngrënë dhe gjëja që më çudit më shumë tani është se në Shqipëri duket thuajse një dështim nëse nuk arrijmë të sigurojmë pjesëmarrjen në Brazil 2014”.

-Cila ishte pritshmëria kur morët detyrën e trajnerit të kombëtares?

“Kur mora drejtimin  ekipit dikush më tha se ishte momenti i gabuar, se vihej nga një periudhë në të cilën flamujt e vjetër po largoheshin. Në të kaluarën kishte skuadra më të forta, kombëtarja mund të grumbullonte shumë lojtarë që militonin në Gjermani, por edhe në Itali si Tare. Them se me këtë skuadër, nëse në fillim të kualifikueseve do të kisha parashikuar vendin e tretë, të gjithë do të fërkonin duart nga kënaqësia. Tani duket sikur një gjë e tillë nuk mjafton”.

-Si u prit në Shqipëri fitorja ndaj Norvegjisë?

“Një gëzim i jashtëzakonshëm. Dukej i njëjtë me atë kur Italia fitoi Botërorin. Ishin të gjithë të mahnitur, shpresa në fillim të ndeshjes ishte të merrnim maksimumin një barazim. Ishte hera e parë që arrihej në një sukses të ngjashëm dhe me të drejtë, si në të gjithë herët e para, festohet në mënyrë të veçantë”.

-Cilët janë rivalët tuaj në grup?

“Në këtë moment i frikësohem të gjithëve: sigurisht Norvegjisë, por edhe Islandës që të gjithë e nënvlerësojnë, por që ka lojtarë që luanin titullarë në kampionatin anglez si Sigurdson i Totenhem. Më ka çuditur Sllovenia, që ka marrë vetëm 3 pikë, e vështirë ta shpjegosh këtë rënie”.

-Si e sheh me qetësi rrugëtimin e Shqipërisë?

“Si fillim dua të them se që në momentin që shkova aty, kam parë hapa para në organizimin e lojës. Jemi rritur faktikisht dhe shpresojmë që deri në fund të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Fatkeqësisht, ndaj Norvegjisë do të na mungojnë 3 lojtarë: Cana i Lacios, Roshi, që është një lojtar që vlerësoj shumë por luan pak te FSV Frankfurt në Gjermani dhe Lila që luan te Pas Janina në Greqi. Nuk do të jetë e lehtë por para vështirësive reagojmë në mënyrën e duhur”.

-Ku duhet të mësojë kjo skuadër?

“Këto djem nuk duhet të kënaqen dhe t’u duket vetmja të mirë. Me Lituaninë kisha frikë për një rënie të ritmit pas fitores në Oslo. Por jam kënaqur pozitivisht nga prova e skuadrës”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 18:22

Festa pas fitoren me Norvegjinë nuk ka zgjatur më shumë se 12 orë në radhët e kombëtares kuqezi, pasi trajneri De Biasi ka filluar që sot të përgatitet për ndeshjen e qershorit kundër skandinavëve në Tiranë. Një fakt të tille ka konfirmuar vetë tekniku italian në momentin kur kombëtarja kuqezi ka mbërritur përsëri në Shqipëri për t’u kthyer në grumbullim në Durrës, pasi të martën luan miqësoren ndaj Lituanisë.

“Sigurisht që nuk e prisnim këtë fitore, pasi ishte një ndeshje e vështirë, por shkuam atje të bindur për një rezultat pozitiv. Skuadra bëri një lojë të mirë dhe morëm tre pikë që na mbajnë ende shpresat gjallë për të shkuar në Brazil. Kjo fitore na shërben si për moralin, ashtu edhe për objektivin. Skuadra po përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që unë kam një problem tashmë për ndeshjen e kthimit me Norvegjinë pas rreth dy muajsh, pasi më mungojnë lojtarë kryesorë si Cana, Lila dhe Roshi. Këto më shqetësojnë”, ishin fjalët e De Biasit në aeroport menjëherë pas kthimit në vendin tonë.

Për fitoren e mbrëmshme ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në fakt është shfaqur mjaft kritik në fjalët e tij ndaj skuadrës, duke theksuar se jo gjithçka duhej parë me syrin e mbrëmjes perfekte.

“Kombëtarja luajti ndryshe nga herët e tjera, nuk pritëm për një 0-0, por kërkoi ta fitojë ndeshjen. Edhe gabuam, gabuam shumë, fatmirësisht Norvegjia nuk i shfrytëzoi gabimet tona. Salihi e interpretoi shkëlqyeshëm atë goditje dënimi. Kualifikimi është shumë i vështirë. Për të arritur në Brazil rruga është shumë e gjatë, por ne duhet të punojmë shumë ndeshje pas ndeshje. Kuptohet që ne jemi një ekip modest, por shpresa vdes e fundit”, ishin fjalët e drejtuesit më të lartë të FSHF-së. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 09:40

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili duhet thënë se nuk shquhet për afrimitetin ndaj sportit të futbollit, ka vendosur që të japë një koment rreth fitores së shkëlqyer të kombëtares kuqezi në Olso.

Ai ka zgjedhur ta bëjë këtë nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke shkruar në adresën e tij zyrtare, ndonëse edhe në këtë rast, nuk ka ngurruar t’i japë nuanca politike kësaj ndeshje që në fakt nuk kishte asgjë politike në të.

“Të dashur miq! Në Oslo, lojë dhe fitore e merituar e dinjitoze e kombëtares sonë. Salihi shënoi golin e shkëlqyer të fitores së ekipit tonë dhe ogurin e fitores së 23 qershorit. Berisha tigër në portë, garantoi fitoren historike të ekipit tonë më 22 mars, ditën e bardhë të demokracisë. Urime Salihit, Berishës, të gjithë skuadrës, kapitenit, trajnerit të saj për këtë fitore dinjitoze dhe të merituar, që na bëri krenarë dhe zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë. Gëzuar!”, shkruhet në statusin e kryeministrit shqiptar.

Me një ndeshje të kombëtares që luhet ditën e martë në kryeqytet, vetëm pak metra larg banesës së tij, kryeministri shqiptar ka mundësinë të përshëndetë nga afër heronjtë e tij, gjë që nuk e ka bërë thuajse asnjëherë në vitet e fundit ku prania e tij në stadium është një “tabu” e mirëfilltë.

I vetmi rast kur kryeministri është parë në vitet e fundit në ambientet e një stadiumi në një aktivitet sportiv, ishte kur kombëtarja shqiptare luajti kundër Bosnje Hercegovinës dhe aty ishte i detyruar nga protokolli i shtetit, pasi takimin e ndiqte edhe homologu i tij i boshnjak, Mustafa Mujezinoviç. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 09:38

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, nuk e ka fshehur entuziazmin e tij pas fitores 1-0 në transfertën norvegjeze, ndërsa beson se ky rezultat mund të ndihmojë kuqezinjtë për të bërë realitet ëndrrën e Botërorit 2014.

“Skuadra po përmirësohet dhe tani kemi fatin me vete. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të ecim përpara, pa kaluar në eufori”, ishin fjalët e trajnerit italian pas këtij suksesi.

“Goli? Natyrisht që ishte përgatitur që në seancat stërvitore në Durrës dhe është provuar disa herë. Sot bëmë një ekzekutim të bukur të kësaj skeme. E rëndësishme është të besosh te puna dhe përgatitja. Sigurisht që nuk mund të marrim menjëherë gjithçka, por ajo që kemi parë në të këtë ndeshje ishte me të vërtetë interesante”, ishte komenti i teknikut italian.

“Në pjesën e parë ishim më mirë, ndërsa në të dytën e patëm disi më të vështirë. Norvegjezët u nervozuan pas golit dhe bënë më shumë gabime. A i ishte ky momenti më i bukur me Shqipërinë? Kam pasur dhe momente te tjera te bukura, sepse kur fitohet është gjithmonë bukur. Por sot ishte një ndeshje e rëndësishme për të çuar përpara ëndrrën. Ekipi po rritet, bëmë një ndeshje te mire dhe tani do të përpiqemi të qëndrojmë me këmbë ne toke duke punuar serish shumë”, deklaroi De Biasi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 21:16

Kualifikimi i Shqipërisë në Botërorin 2014 nuk mund të cilësohet më utopi pas fitores 1-0 të kombëtares shqiptare në Oslo ndaj Norvegjisë vendase. Një sukses i jashtëzakonshëm i kuqezinjve të drejtuar nga De Biasi të cilëve u ka mjaftuar goli i Hamdi Salihit në minutën e 67-të për të ndarë tashmë vendin e dytë me Islandën, vetëm një pikë pas Zvicrës kryesuese që luan nesër ndeshjen e saj. 

Kuqezinjtë kanë bërë gjithçka mirë që në fillimin e ndeshjes, ku falë trysnisë së ushtruar në çdo cep të fushës, nuk e kanë lejuar Norvegjinë të shfaqet rrezikshëm para portës së mbrojtur nga Berisha. Për më tepër, rastet më të mira për shënim në pjesën e parë janë në këmbët e kuqezinjve, ku debutuesi Basha kishte një mundësi të artë me një gjuajtje brenda zonës, por dërgon topin jashtë ngjitur me kryqëzimin e shtyllave, ndërsa një roveshatë e Salihit përfundon në duart portierit Jarstein. Rasti i vetëm për t’u përmendur nga Norvegjia është një kundërsulm ku gjuajtja e Abdellaue devijohet jashtë nga Dallku.

Fillimi i pjesës së dytë është më i vrullshëm për miqtë, që kontrollojnë më shumë topin dhe zhvendosin lojën në gjysmëfushën tone. Por në momentin më të mirë të norvegjezëve vjen goli kuqezi, fryt i një skeme perfekte në goditje dënimi. Bulku pason për Salihin, i cili gjuan pa parë portën, por çon topin pikërisht poshtë kryqëzimit të shtyllave, për të ndezur entuziazmin e mbi 3 mijë tifozëve shqiptarë të pranishëm në stadium.

Norvegjia pëson një goditje të rëndë psikologjike nga goli, por me kalimin e minutave e merr veten dhe fillon të rrezikojë gjithnjë e më shumë portën e Berishës, i cili tregohet i jashtëzakonshëm me dy pritje të njëpasnjëshme për të mbrojtur rezultatin. Ndërsa emocionet në fundin e ndeshjes shtohen edhe për shkak të kartonit të kuq të Lilës në minutën e 89-të, por kuqezinjtë rezistojnë edhe me 10 lojtarë në minutat e mbetura, duke marrë këtë fitore historike jashtë fushe.

Falë rezultatit tjetër të bujshëm në Grupin E, ku Islanda ka fituar 2-1 në fushën e Sllovenisë, tashmë duket se kandidatë për të rivalizuar me Zvicrën për kualifikimin në Botërorin 2014 janë pikërisht Islanda me Shqipërinë, që kanë nga 9 pikë, një më pak se helvetët që luajnë nesër ndeshjen e tyre ndaj Qipros. (LajmeShqip.com)

Grupi E

Slloveni-Islandë                        1-2

34’ Novakoviç / 55’, 78’ Sigurdson

Norvegji-Shqipëri                     0-1

67’ Salihi

Renditja: Zvicër 10 pikë, Islandë 9, Shqipëri 9, Norvegji 7, Qipro 3, Slloveni 3.

 
Lajme Shqip Thursday, 21 March 2013 13:11

Kombëtarja shqiptare do të ketë si objektiv kryesor të mos pësojë gol ndaj Norvegjisë për të synuar një rezultat pozitiv në këtë sfidë ndaj një prej pretendentëve për kualifikim në grupin e eliminatoreve të Brazil 2014.

Këtë fakt e vërteton më së miri ndryshimi që i ka bërë skemës trajneri italian Xhani De Biasi, duke zgjedhur të hedhë në fushë 5 mbrojtës, pa harruar edhe dy mesfushorë me tipare mbrojtëse që do të kenë si objektiv të ndalin sulmet e kundërshtarëve.

Me rreshtimin e ri, Dallku do të aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes, me Agollin në të majtë dhe në qendër dyshen e pandryshueshme Cana-Mavraj. Në mesfushë, para mbrojtjes rreshtohet “diga” tjetër me tipare mbrojtëse, e përbërë nga Bulku dhe Basha. Nëse në krahun e majtë tashmë do të aktivizohet Roshi, me detyrën për të ndihmuar sulmin e përbërë nga Çani dhe Salihi, në krahun e djathtë, De Biasi ka vendosur të aktivizojë një tjetër mbrojtës, Andi Lilën.

Duket se De Biasi i frikësohet më shumë pikërisht krahut të djathtë dhe mendon se aty do të jetë pika ku norvegjezët do të kërkojnë të sulmojnë, për të përfituar nga gabimet e mundshme dhe problemet që janë shfaqur në ndeshjet e fundit në këtë pjesë të formacionit të kuqezinjve. Për këtë arsye, ai ka vendosur të “dyfishojë” mbrojtësit në krahun e djathtë, duke e bërë praktikisht Lilën një mbrojtës të 5-të në skemën e tij.

Kombëtarja ka udhëtuar sot drejt Norvegjisë, ndërsa në darkë do të zhvillojë stërvitjen e fundit përgatitore për ndeshjen kundër skuadrës vendase. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 14:15

Migjen Basha ka marrë përgjigjen pozitive nga FIFA dhe do të mund të luajë që në ndeshjen kundër Norvegjisë, duke debutuar kësisoj me fanellën kuqezi në një takim zyrtar. Shkresa e ardhur një ditë më parë në FSHF nga institucioni që drejton futbollin botëror i ka hapur rrugë përfundimisht aktivizimit të mesfushorit kosovar me fanellën kuqezi në ndeshjet zyrtare, duke i dhënë mundësinë trajnerit De Biasi që të fillojë planifikimin e ndeshjes kundër skandinavëve me lojtarin e Torinos në përbërjen e ekipit.

Me sa duket, De Biasi do t’i besojë një formacioni tërësisht mbrojtës për këtë ndeshje, duke shpresuar që të ruajë të paprekur portën dhe mundësisht të godasë në kundërsulm.

Berisha është i konfirmuar në portë, ashtu si katërshja titullare e mbrojtjes, me Agollin e Lilën nga krahët dhe Canën e Mavrajn në qendër. Bulku dhe Basha do të përbëjnë dyshen e mesfushorëve që do të rreshtohen para mbrojtjes, me qëllimin për të shkatërruar lojën e kundërshtarëve, ndërsa pak më të avancuar në krahë do të jenë Vila nga e majta dhe Roshi nga e djathta.

Në repartin e sulmit, duke menduar më shumë për kundërsulmin, De Biasi ka zgjedhur Çanin dhe Salihin, duke lënë jashtë formacionit “peshat e rënda”, Çani dhe Bogdani.

Shqetësimi i vetëm për trajnerin italian në këto ditë përgatitjesh janë shqetësimet fizike të Canës, Currit e Bulkut, që nuk janë në 100% të formës së tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 14:05

Migjen Basha është shfaqur mjaft i emocionuar në ditën e tij të parë si futbollist i kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka marrë pjesë në stërvitje bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri De Biazi për ndeshjet kundër Norvegjisë dhe Lituanisë.

Lojtari luajti në ndeshjen brenda grupit duke marrë pozicionin e zakonshëm para mbrojtjes, ndërsa pas stërvitjes nuk ka ngurruar të tregojë për mediat shqiptare edhe emocionet e tij të para, duke i shoqëruar me gjestin simbolik të puthjes së fanellës kuqezi.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Gjeta një ambient mjaft të ngrohtë, pasi me disa lojtarë njihem edhe më përpara. Kjo ishte seanca ime e parë stërvitore me Kombëtaren, për të cilën do të jap gjithnjë maksimumin, sa herë që të më kërkohet. U ndjeva mirë. Në fillim pata disi emocione, por më pas gjithçka u normalizua. Pashë se kisha të njëjtin potencial edhe me lojtarët e tjerë, ndaj shpresoj që shumë shpejt të zbres në fushë. Kam shumë dëshirë të udhëtoj drejt Oslos, por kjo varet nga përgjigjja që presim. Ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Unë jam gati dhe po pres me padurim të vesh fanellën e kombëtares, pasi është nder për mua”, ka shpjeguar futbollisti kosovar i Torinos.

Ai ka treguar më pas se pse zgjedhja e tij ka qenë Shqipëria dhe jo Zvicra, pavarësisht faktit se kjo e fundit po e mban peng duke mos lejuar aktivizimin e tij te kuqezinjtë.

“Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Zvicra nuk është interesuar asnjëherë për mua dhe as unë nuk jam interesuar për të. Zgjodha të përfaqësoja vendin tim dhe jam krenar për këtë vendim. Dua t’i shërbej vendit tim dhe do jem gati sa herë që do të jetë nevoja. Jam gati të jap kontributin tim për ekipin kombëtar. Edhe sikur të isha thirrur nga Zvicra, nuk do pranoja. Unë dua që të luaj dhe me kombëtaren e Zvicrës do ta kisha shumë të vështirë, sepse në rolin tim ka disa lojtarë si: Behrami, Inler etj, të cilët është shumë e vështirë për t’ua zënë vendin”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 March 2013 14:54

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka pranuar se Migjen Basha dhe Valdet Rama do të kenë mundësinë të veshin fanellën kuqezi në ndeshjen miqësore kundër Lituanisë, por jo në atë zyrtare kundër Norvegjisë, për shkak të problemeve me dokumentacionin.

Trajneri ka shpjeguar se për Ramën është e pamundur pajisja në kohë me pasaportën shqiptare, ndërsa shpresohej deri në minutën e fundit që këtë mundësi ta kishte Basha, për të cilin është bërë kërkesë në FIFA.

“Kemi 25 lojtarë në listë, sepse janë përfshirë Migjen Basha dhe Valdet Rama. Sigurisht që Rama nuk do të mund të luajë me Norvegjinë, për arsye dokumentacioni, ndërsa për Bashën shpresojnë të vijë “bekimi” nga lart. Nëse vendimi i FIFA-s merret sot, ai mund të luajë menjëherë. Gjithsesi, të dy këta lojtarë mund t’i aktivizojmë në miqësoren me Lituaninë”, tregoi trajneri italian.

“Me Norvegjinë zhvillojmë dy ndeshje kyçe të këtyre eliminatoreve brenda dy muajve. Janë dy ndeshje të rëndësishme, kundër një kundërshtari të fortë me cilësi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ndryshe do të rrezikojmë shumë. Gjithsesi në këtë sfidë të dyfishtë mendoj se gjithçka është e hapur. A firmos për barazimin? Ndoshta pas takimit”, u shpreh me humor ai.

De Biasi foli gjithashtu edhe për temën e nxehtë të ditëve të fundit të braktisjes së kombëtares kuqezi nga të rinjtë e talentuar shqiptarë të cilët zgjedhin kombëtaret e tjera, ky dy rastet e fundit janë Kabashi dhe Brahimi.

“Ata janë futbollistë të rinj, që akoma nuk kishin treguar cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e kombëtares A. Me përfaqësueset e moshave kanë bërë mirë dhe prisnim momentin e duhur për t’i grumbulluar, por nëse dikush kërkon t’i djegë etapat, atëherë do të mbetet vetë i djegur. Kabashin e kisha shumë në konsideratë, por ndoshta është këshilluar keq. Unë e kisha në konsideratë, por presioni “ose luaj në kombëtaren ose nuk vij”, është shenja e parë që tregon se nuk mund të shkosh gjëkundi”, deklaroi trajneri italian duke bërë të qartë se tashmë as që mendonte më për këta futbollistë. (LajmeShqip.com)

Kombëtarja shqiptare për ndeshjet kundër Norvegjisë dhe Lituanisë:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo), Etrit Berisha (Kalmar), Orges Shehi (Skënderbeu).

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Andi Lila (PAS Janina), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Mergim Mavraj (Grojter Furth), Franc Veliu (Flamurtari), Elseid Hysaj (Empoli), Tefik Osmani (Teuta).

Mesfushorë: Odise Roshi (FSV Frankfurt), Alban Meha (Paderborn), Emilian Vila (PAS Janina), Migjen Basha (Torino), Ansi Agolli (Karabak), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Ervin Bulku (Sepahan), Valdet Rama (Real Vajadolid), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Jahmir Hyka (Lucern).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Edgar Çani (Katania), Erjon Bogdani (Siena), Hamdi Salihi (Jiangsu Sainti).

 
Lajme Shqip Friday, 08 March 2013 18:26

Valdet Rama do të veshë fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit në ndeshjen kundër Norvegjisë, duke bërë debutimin e tij me kuqezinjtë. Mesfushori që ka kaluar te Real Vajadolid gjatë merkatos së janarit, ka bindur trajnerin De Biasi i cili ka dhënë “ok” që ai të grumbullohet dhe të jetë një armë më shumë për takimin e Oslos.

Lajmi është dhënë nga mediat spanjolle, të cilat e kanë konfirmuar në burimet pranë klubit të tij. Rama ndiqej prej kohësh nga stafi i përfaqësueses shqiptare por vendimi për afrimin tij pranë kombëtares kuqezi është marrë pasi ai siguroi kalimin nga kampionati suedez në radhët e Real Vajadolid në Spanjë. Edhe pse nuk është aktivizuar ende me skuadrën spanjolle, ai pritet që shumë shpejtë të ketë mundësinë për të dhënë kontributin e tij në javët e mbetura të këtij sezoni, ndërsa kjo skuadër është qetësisht në mesin e tabelës së klasifikimit.

Rama është një mesfushor krahu ofensiv dhe pritet që të jetë një alternativë më shumë për lojën e kuqezinjve në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Ndonëse De Biasi nuk ka publikuar ende listën e kombëtares, pritet që ajo të ketë më shumë lojtarë se zakonisht, pasi katër ditë pas takimit zyrtar me Norvegjinë, Shqipëria de të luajë një miqësore me Lituaninë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. (LajmeShqip.com)