Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 21:27

Gjatë qëndrimit  në Sofje, ku po qëndron me ftesë të kryeministrit të Bullgarisë, Marin Rajkov, Thaçi  komentoi se pret që së shpejti pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë, sepse, siç tha ai, janë po këto shtete të cilat e kanë mbështetur planin e Ahtisaarit mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës.

Thaçi tha se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është mesazh i qartë i njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Ai mori mbështetje të fuqishme nga homologu i tij ndaj integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Të dy kryeministrat u pajtuan që shumë shpejtë të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ku Bullgaria do ta ndihmojë Kosovën në agjendën e saj Evropiane.

“Pesë vendet e Bashkimit Evropian shumë shpejtë do të lëvizin drejtë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Po këto vende e kanë mbështetur dhe përkrahur planin e Ahtisaarit mbi të cilën Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, pas takimit me homologun e tij në një konferencë të organizuar për gazetarë, tha se e ka informuar kryeministrin bullgar rreth progresit që ka shënuar Kosova, në të gjitha fushat. Thaçi tha se ka marrë mbështetje të fuqishme nga autoritetet në Bullgari, që ky shtet ta mbështes Kosovën.

Ndërsa, Raykov tha se Bullgaria do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane. Ai tha se me kryeministrin Thaçi kanë diskutuar rreth forcimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, të cilat janë me interes për të dyja vendet.

Raykov duke folur rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tha se me këtë marrëveshje u sigurohet e ardhmja evropiane të dyja vendeve.

“Ne do ta mbështesim fuqishëm Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ne, po ashtu, shpresojmë që Kosova në qershor të nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim Asocim ku i hap rrugë Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Ne u pajtuam që të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi ku Bullgaria do ta ndihmojë Kosovën drejt agjendës së saj evropiane. Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ju siguron të dyja shteteve rrugën e qartë dhe të sigurt në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon”, tha ai.

Pas këtij takimi, kryeministri Thaçi, është pritur nga presidenti i Bullgarisë Rosen Plev Neliev, ku edhe nga ky i fundit ka marrë mbështetje të fuqishme që Bullgaria ta ndihmojë Kosovën në fushën e integrimeve evropiane.