Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:48

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme po e kërkon me ngulm fundin e UNMIK-ut.

Ministri Enver Hoxhaj ka thënë në një prononcim për gazetën Tribuna se prezenca e UNMIK-ut dhe Rezoluta 1244 janë duke e rënduar procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gazeta ka raportuar një ditë më parë se institucionet e Kosovës po i druhen pamundësisë së ndryshimit të Rezolutës 1244 dhe përfundimit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, duke bërë kështu që vendi të mbetet në një protektorat të vazhdueshëm edhe pas më shumë së pesë vjet prej shpalljes së pavarësisë.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 14:38

Lubjanë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot në Lubjanë një takim me delegatin Apostolik të Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, i cili është Nunci Apostolik për Slloveni.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar Nuncin Apostolik  për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për rëndësinë e vendimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të BE-së për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si kornizë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen tradicionale që ka dhënë Selia e Shenjtë.
Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj, përsëriti kërkesën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e shumanshëm të bashkëpunimit tradicional me Selinë e Shenjtë.
Delegati Apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke premtuar mbështetjen e fuqishme të Selisë së Shenjtë për Kosovën. 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 19:04

Xhorxhtaun – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Guajana, ku gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett, ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Guajanës. endimin për njohjen e Kosovës, Qeveria e Guajanës e ka marrë në mars të këtij viti, ndërsa që vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, ka formalizuar dhe zyrtarizuar këtë njohje.

Gjatë qëndrimit në Xhorxhtaun, përveç takimit me homologen Rodrigues-Birkett, ministri Hoxhaj u prit edhe nga presidenti i këtij shteti, Donald Ramotar.
Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj dhe udhëheqësit e shtetit dhe diplomacisë së Guajanës kanë shprehur përkushtimin e dy shteteve për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Guajanës.
Ministri Enver Hoxhaj theksoi se shtetet e vogla duhet të qëndrojnë afër njëri tjetrit.
“Republika e Kosovës është e interesuar të jetë partner bilateral dhe evropian i Guajanës, në Ballkan dhe më gjerë. Ne jemi të interesuar që të kemi shkëmbime në fusha të ndryshme të jetës”, tha Hoxhaj, duke falënderuar autoritetet e Guajanës për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Hoxhaj tha po ashtu se ky akt është pranim edhe i aspiratës së popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett, tha se vendimi për njohjen e Kosovës ka qenë i pashmangshëm, i drejtë dhe është mirënjohje për të kaluarën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Vendimi për njohje dhe nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike është hap historik edhe për Guajanën dhe ne shpresojmë që të kemi bashkëpunim me Kosovën në disa fusha të jetës”, tha ministrja Rodrigues-Birkett, njofton MPJ.
Gjatë takimit me presidentin e Guajanës, Donald Ramotar, ministri Hoxhaj tha se Kosova është ndërtuar në tri parime si shtet i pavarur: demokracia, multietniciteti dhe sekularizmi.
Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se Kosova në pesë vjetët e fundit e ka konsoliduar shtetësinë e saj, duke ndërtuar një shtet funksional.
“Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike sot është moment historik për të dy popujt tanë. Dhe, përkundër distancës gjeografike, ne jemi të interesuar që të kemi bashkëpunim në fusha të ndryshme”, ka thënë Hoxhaj
Në anën tjetër, presidenti Donald Ramotar ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë e domosdoshme dhe është në përputhje me parimet dhe orientimet e politikës së jashtme të Guajanës.
Ministri Hoxhaj gjatë dy vjetëve të fundit ka zhvilluar disa vizita në shtetet e Amerikës Qendrore dhe Latine, në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën.
Guajana, është shtet anëtar i Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe në kryeqytetin e saj, Xhorxhtaun, ndodhet selia e sekretariatit të kësaj organizate. 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 15:19

Prishtinë- Guyana njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkaq gjatë ditës pritet të bëhet edhe zyrtarizimi, deklaroi për RTK-në, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ). Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj sot po qëndron në Guyana. Ky shtet pritet që sot ta zyrtarizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, përmes aktit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve”, deklaroi ai. 

Nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike do të bëhet sot nga ministri Hoxhaj dhe homologia e tij nga Guyana, Carolyn Rodrigues – Birkett. Ministri Hoxhaj në këto dy vite disa herë ka vizituar shtete të ndryshme të Amerikës Latine dhe të Amerikës Qëndrore, në përpjekje për të bindur përfaqësuesit e tyre që të marrin vendimin e njohjes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 16:54

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka pranuar notën verbale të njohjes së Kosovës nga Republika e Jemenit. Në notën verbale drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Jemenit, të martën më 11 qershor 2013, ka marrë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur e sovran.

“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Jemenit ka marrë vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe për të punuar për të mirën e përbashkët të dy vendeve mike, në të gjitha fushat”, thuhet në note, njofton MPJ

Në letër, autoritetet e Jemenit shprehin besimin e tyre se Republika e Kosovës do të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri i komunitetit ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë e stabilitetit në Ballkan dhe në botë.

Në notën verbale të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme i Jemenit Dr. Abu Bekr Abdullah al-Qirbi, shprehen urimet e Qeverisë së Republikës së Jemenit për vazhdimin e progresit e përparimit të Kosovës, si dhe urimet personale për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj, me 28 prill 2013, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Jemen, ku ishte pritur nga homologu jemenas, Abu Bekr Abdullah al-Qirbi.


 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 16:04

Prishtinë- Jemeni ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Një njohje e tillë, ishte paralajmëruar gjatë ditës nga mediat ndërkohë lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Jemenit.

“Jemeni njeh Kosovën si shtet i pavarur”, ka shkruar në Twitter Marëan Ali Noman, sekretar i parë në Zyrën e MPJ të Jemenit.

Ndërkohë edhe ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, ka shkruar në Tëitte se ka marrë konfirmimin e MPJ të Jemenit për këtë njohje.

“Po sa bisedova me Ministrin e Jashtem te Jemenit, Abu-Bakr Al-Qirbi, i cili me konfirmoi vendimin e ketij shteti per njohjen e Republikes se Kosoves”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Kjo është njohja e 100-të e shtetësisë së Kosovës.

 
Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 17:25

Kuala Lumpur – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua në kuadër të Samitit Global të Gruas, që po mbahet në Kuala Lumpur të Malajzisë, me zëvendëspresidenten e Vietnamit, Nguyen Thi Doan.

Presidentja Jahjaga dhe zëvendëspresidentja Doan biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, për procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, si dhe për njohjen e saj nga Vietnami.

Presidentja Jahjaga e njoftoi zëvendëspresidenten Doan për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe theksoi se njohja nga Vietnami do të ndihmonte konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do ta nxiste bashkëpunimin mes dy vendeve. Ajo tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe është një promotor i fqinjësisë së mirë.

Zëvendëspresidentja e Vietnamit, Nguyen Thi Doan, theksoi se vendi i saj po ndjek nga afër zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në Kosovë, si dhe proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Zëvendëspresidentja Doan tha se Vietnami është i interesuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit dhe se është i interesuar që të shohë përparimin e mëtejmë të Kosovës. Ajo theksoi se vendi i saj po e vlerëson dhe po e shqyrton edhe çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.  

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 20:00

Prishtinë- Ka arritur edhe nota verbale nga Republika e Tanzanisë për njohjen e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Paoclli.

Sipas njoftimit të kësaj zyre, Pacolli gjatë ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e punëve të jashtme të Tanzanisë, Bernard Membe, me të cilin ka diskutuar për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqen, në funksion të lidhjes së marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 19:39

Bukuresht – Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, ka thënë se është në favor të njohjes më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, transmeton rel. 
Ponta dhe ministri i tij i Jashtëm janë takuar sot me dy komisionet kryesore parlamentare, për të diskutuar nëse Rumania duhet të ndryshojë pozicionin e saj dhe të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.
Ponta ka thënë se personalisht konsideron se Rumania duhet të përputhë qëndrimin e saj ndaj statusit të Kosovës me partnerët evropianë, marrë parasysh se 22 anëtare të BE-së tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se do të formohet një grup pune, i përbërë nga përfaqësues të diplomacisë rumune dhe deputetë, për të shqyrtuar zhvillimet e reja që lidhen me statusin e Kosovës, raporton B92.
“Nuk bëhet fjalë për asnjë vendim. Jemi pajtuar të formojmë një grup të punës, i cili do të merret me këtë çështje. Jemi pajtuar që kjo temë nuk është tabu, por duhet të merremi edhe me të”, ka thënë Ponta.
Në pyetjen nëse Rumania pret që Serbia të njohë e para Kosovën, Ponta ka thënë se “do të ishte pak qesharake po qe se Rumania mbetet prapa Serbisë”.
Rumania, ashtu si edhe katër anëtare të tjera të Bashkimit Evropian – Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 22:47

Përderisa Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, Spanja nuk do ta bëjë këtë.

Kështu thotë Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Garcia – Margallo gjatë një vizite në Bukuresht.

“Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm derisa Serbia nuk do ta bëjë këtë”, tha Margallo.Ai ka thënë se me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të njihej shkelja e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejta kushtetuese e Jugosllavisë.

Garcia Margallo ka pohuar se Spanja dëshiron të mbajë raporte me Beogradin dhe Prishtinën, në mënyrë që të dy palët të dakordohen për marrëdhëniet e tyre tregëtare dhe administrative, por duke mos kaluar linjat e kuqe të shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Titus Korlacean ka thënë se marrëveshja është e dobishme për rajonin e Ballkanit dhe të ardhmen europiane.

Një ditë më herët në Rumani ka qëndruar Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivan Mrkic, i cili ka falënderuar Bukureshtin që nuk po e njeh Kosovën.