Lajme Shqip Friday, 27 September 2013 13:31

Në vazhdën e diskutimeve për ligjin e “statusit të nënpunësit civil”, zbulohet se mbi 60 për qind e stafit të presidencës, është larguar nga detyra.

Nuk bëhet fjalë vetëm për stafin politik, atë të këshilltarëve, që është në të drejtën e presidentit për ta zgjedhur. Bëhet fjalë për stafin e administratës, të cilët, në mënyrë permanente, president pas presidenti, kanë qenë të angazhuar në punët e presidencës së republikës.

Stafi politik i një presidenti është normale që duhet të largohet me largimin nga detyra të një presidenti. Dhe, për këshilltarët politikë të ish- presidentit Topi kështu ka ndodhur. Në administratën e presidentit Nishani mbeti vetëm Çlirim Çepani, i cili ishte edhe në stafin e Topit.

Ndërkohë, që ditën e parë që mori detyrën, presidenti Nishani shkarkoi gjithë këshilltarët e ish- presidentit Topi. Duhet theksuar se stafi i ri politik i Bujar Nishanit, është më i madh në numër sesa stafi i Topit, Moisiut, Meidanit etj.

Nga 47 punonjësit me statusin e nënpunësit civil, 25 prej tyre u shkarkuan, ose u detyruan të jepnin dorëheqjen. Duke mos përfshirë në listë shoferët ose sanitaret, nga 36 punonjës me statusin e nënpunësit civilë, u hoqën menjëherë ose më vonë nga Presidenca 23 prej tyre, ose 68-70 përqind e stafit civil.

Ata u zëvendësuan me persona pa status civil, pra jashtë rregullave të parashikuara nga Ligji për Nëpunësit Civil. Nga të hequrit 20% e tyre ishin aty në punë që nga koha e presidentit Meidani dhe Moisiu.

 
Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 10:26

Tel Aviv – Në ditën e dytë të qëndrimit në Izrael, presidenti i Republikës së Shqipërisë e mbylli vizitën me takimin me Komunitetin Shqiptaro-Hebre të qytetit Karmiel, të cilët i ofruan një pritje të përzemërt. Në takim ishte i pranishëm e edhe kryetari i Bashkisë së Karmiel, Adi Eldar. 

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Bashkisë Eldar në emër të komunitetit Shqiptaro-Hebre dhe qytetarëve të Karmielit, shprehu kënaqësinë për praninë e Presidentit Nishani dhe delegacionit që e shoqëron në këtë qytet dhe, ndër të tjera, u shpreh se shqiptarët me origjinë hebreje janë nga ambasadorët më të vlefshëm të Shqipërisë në Izrael. 

Presidenti Nishani, në fjalën e tij, falenderoi bashkinë e Karmielit dhe kryetarin e saj Eldar për pritjen e shkëlqyer për `qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombas tuaj` duke shtuar se ata janë gjithashtu një urë e fortë në miqësinë tradicionale dhe të sprovuar mes dy popujve dhe vendeve tona dhe promovuesit më të aftë të imazhit të Shqipërisë në Izrael. 

Më tej, Kreu i Shtetit informoi të pranishmit për zhvillimet e gjithanshme, në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në fushën ekonomike dhe politike në Shqipëri, për të ardhmen e saj evropiane dhe rolin konstruktiv në rajon.

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 17:11

Tel Aviv – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në vijim të vizitës zyrtare në Izrael, u prit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. 

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, në këtë takim kreu i shtetit shqiptar u shpreh se “bazuar në frymën e një miqësie tradicionale dhe të fortë ndërmjet dy popujve dhe duke marrë parasysh mundësitë që ofron tashmë vendi ynë, ka ende shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.” 
Kryeministri Netanyahu vuri në dukje se Izraeli mund të jetë shumë i pranishëm me investime, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi dhe theksoi se bashkëpunimi mes vendeve tona mund të shtrihet në ekonomi, kulturë, e deri në fushën e sigurisë, raporton BW.
Presidenti Nishani u shpreh se, Ballkani ka hapur një kapitull të ri dhe mund të konsiderohet tashmë rajon i mundësive të mëdha dhe shtoi se shqiptarët, me tolerancën e mirëkuptimin e tyre, kanë dhënë një shembull të shkëlqyer për rajonin dhe më gjerë, si edhe kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për paqen dhe stabilitetin në rajon. 
Netanyahu e vlerësoi situatën në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si shumë të brishtë nga pikëpamja e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa çmoi lart qëndrimet e Shqipërisë për zhvillimet në këtë rajon. 
Në përgjigje, Kreu i Shtetit Nishani e garantoi Kryeministrin Izraelit, Netanyahu se ky qëndrim do të mbetet i pandryshueshëm, sepse bazohet mbi parime të shëndosha dhe vlerësime objektive për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. 

 
Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 12:30

Tiranë -Kreu i PS akuzon kreun e shtetit se ka fyer Vlorën dhe Tiranën duke lejuar fjalimin e kreut të PPE. “Nuk jeni në gjendje të silleni si kryetar i shtetit as për qoka”. Kreu i PS: As Enveri nuk lejonte partitë marksiste.Incidentet në pritje, Rama kundërshtoi fjalën e kreut të PPE.

Përgjigjet kreu i shtetit: Kreu i PPE, mik i shqiptarëve, jo i PD.“Kryetarët e shteteve të PPE lobojnë për Shqipërinë në BE”. Presidenti: Kam ndërtuar kandidaturat e mundshme për prokuror.

Kryetari i PS i shkruan Presidentit pas incidentit në pritjen në Pallatin e Brigadave, ku i pari e mori fjalën kreu i Partive të Djathta Europiane, Martens. Rama: “S’jeni në gjendje të silleni si kryetar shteti as për qoka”. Reagon Presidenti: “Martens dhe kryetarët e shteteve të PPE kanë lobuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Çfarë ndodhi në Pallatin e Brigadave natën e pritjes për 28 Nëntorin.

Në një letër drejtuar Presidentit të Republikës, kryesocialistit Rama e akuzon atë se nuk përmbushi detyrimet që i takojnë kreut të shtetit, duke krijuar kështu veprime të paprecedenta. Që në fillim të letrës, Edi Rama e quan Bujar Nishanin asgjë më shumë se një funksionar partiak, duke i kujtuar atij se më 28 Nëntor ka fyer popullin e Vlorës duke braktisur drekën zyrtare të shtruar nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Por, sipas Ramës, më e rëndë shkelja e Protokollit, por dhe e detyrës së kreut të shtetit, u evidentua gjatë pritjes shtetërore që organizoi në Pallatin e Brigadave mbrëmjen e 28 Nëntorit. Sipas tij, në mënyrë të pakuptimtë, ndryshe nga paraardhësit e tij, në vend që ai të ishte folësi i vetëm sipas Protokollit, e braktisi atë duke ia lënë hapjen e ceremonisë një të huaji, që kishte lidhje vetëm me PD.(P.O)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 08:00

TIRANE – Presidenti i Republikes Bujar Nishani ka njohur partitë parlamentare me vendimin për të emëruar Prokurorin e ri të përgjithshëm në 22 nëntor.

Pas konsultimeve me krerët e grupeve parlamentare me kreun e shtetit, Presidenca zbardhi detajet e takimeve ku theksohet qëndrimi i Presidenti gjatë takimeve të kryera paraditen e sotme. 

“Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij. Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj”,- thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. 

Gjatë konsultave që ka zhvilluar me krerët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e partive politike kryesore në vend, kreu i shteti ka diskutuar me ta kriteret që duhet të përmbushe kreu i ri i organit të akuzës por jo emra te përvecshëm. 

RUCI LETËR NISHANIT: PO SHKARKONI INA RAMËN KUNDRA LIGJIT
Ora 20:00 Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Rucit i bën apel presidentit Bujar Nishani që të mos shkelë Kushtetutën me “konsultimet” e ndërmarra për zgjedhjet e kryeprokurorit të ri të vendit. 

“Cdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të kryeprokurores Ina Rama, do ishte i kundërligjshëm. Ky do ishte de facto një shkarkim! Por, për një hap të tillë ju dhe mazhoranca duhet të faktoni shkeljet në Kushtetutë”, thuhet në letrën e Rucit. 

“Asnjë lloj doktrine Kushtetuese nuk e njeh apriori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përvecse ku vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së tranzitore pas ndryshimeve Kushtetuese më 2008, por ende nuk e ka bërë deri më sot. Norma Kushtetuese që kufizoi mandatin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet, i fillon efektet jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual, (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës së re kushtetuese në fuqi, pra më 23 Maj 2013”,- thuhet ndër të tejra në letrën e Rucit.

NISHANI KONSULTOHET ME PARTITË, ATO SHFAQIN QËNDRIME KUNDËR
Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. Ky veprim i presidentit u ka dhënë fund polemikave për përfundimin e mandatit të kryeprokurores Ina Rama.

Pas takimeve në Presidencë me kreun e shtetit palët politike shfaqën qëndrimet e kundërta për këtë çështje, të parashtruara dhe më parë, dhe që lidhen me afatin e qëndrimit në detyrë të kreut të organit të akuzës. 

Maxhoranca i qëndron mendimit se mandati i Ina Ramës përfundon në 22 nëntor 2012, pikërisht ditën kur ajo u zgjodh nga Kuvendi më 22 nëntor 2007, ndërsa opozita e majtë shprehet për qëndrimin e saj në detyrë deri më 23 maj 2013, kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit. 

Në takimin e sotëm me Kreun e shtetit, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi propozoi që kandidati për këtë post të jetë i fushës së drejtësisë, të ketë integritet moral dhe profesional. 

Kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi përfundoi takimin me Presidentin Nishani duke u shprehur se për PS-në mandati i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama përfundon në 23 maj 2013 dhe jo më 22 nëntor 2012, siç pretendon maxhoranca qeverisëse dhe vetë Kreu i shtetit, tha ai. 

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes kreut të grupit parlamentar, Lefter Koka i propozoi Presidentit të përcaktojë kriteret që duhet të gëzojë kandidatura për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që kjo figurë të ketë integritet moral, profesional, të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të ketë eksperiencë në drejtësi.

NISHANI TAKON IDRIZIN: DUAM PROKUROR JO PARTIAK
Ora 15:30 Presidenti Bujar Nishani përfundoi takimin edhe me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi, duke mbyllur kështu axhendën e takimeve me krerët kryesore të grupeve parlamentare. Rreth orës 15:00 Idrizi iu drejtua Presidencës ku u takua me kreun e shtetit, për të shprehur propozimin e partisë PDIU për cështjen e kreut të ri të organit të akuzës. 

Pas takimit Idrizi deklaroi se Prokurori i ri duhet të ketë integritet te lartë moral e profesional. PDIU kërkon një kryeprokuror të ri që nuk bën pjesë në asnjë forcë politike, ndërkohë që kërkoi që ai të marrë përgjegjësitë e duhuara.

PERFUNDON TAKIMI I NISHANIT ME DULEN E MEDIUN
Ora 14:00
– Presidenti Nishani përfundoi takimet me pjesën më të madhe të krerëve të grupeve parlamentare, përveç kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi, që pritet të mbërrijë në Presidencë në orën 15:00. Rreth orës 14:00 përfunduan edhe takimet me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe me përfaqësuesin e Republikanëve, Fatmir Mediu.

Pas takimit, kryetari i PBDNJ-së theksoi rëndësinë që klasa politike të maturohet dhe të gjejë konsensus edhe për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

LSI: VENDOSIN FORUMET NËSE MANDATI MBARON NË MAJ APO NË NËNTOR
Ora: 12:40 -Edhe takimi i Presidentit me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka ka zgjatur rreth 40 minuta. Pasi theksoi rëndësinë që kandidatura e re të ketë integritet moral dhe profesional, Koka komentoi edhe çështjen e përfundimit të mandatit të kryeprokurores aktuale, duke nënvizuar se vendosim forumet nëse mandati mbaron në muajin maj apo në nëntor. 

LEFTER KOKA NE PRESIDENCE
Ora 12:00- Sapo Gramoz Ruçi ka dalë nga selia e Presdiencës, kreu i shtetit priti kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka. Pak minuta më parë, LSI-ja bëri të ditur se në këtë takim, zoti Koka do nënvizonte rëndësinë e kritereve që duhet të ketë kryeprokurori i ri. Sipas LSI-së, kandidatura e re duhet të ketë integritet moral dhe profesional, eksperiencë në drejtësi dhe të mos ketë prapavijë politike dhe as implikime në të shkuarën.

RUÇI: PO SHKELET LIGJI, MANDATI I INA RAMËS MBARON NË MAJ
Ora 12:00 –
Pas takimit me Presidentin Nishani, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, dha një deklaratë të shkurtër për mediat, ku bëri të ditur qëndrimin e socialistëve për zgjidhjen e kryeprokurorit të ri. Sipas Ruçit, emërimi i prokurorit të ri në nëntor, siç kërkon mazhoranca, përbën shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, në bazë të së cilës mandati i kryeprokurores aktuale mbaron në muajin maj të vitit 2013-të.

“Respektuam ftesën e presidentit për kryeprokurorin e përgjithshëm. Dhe ajo që na ndan është pikëpamja që ne kemi lidhur me kushtetueshmërinë e mandatit të prokurores aktuale. Lidhur me zbatueshmërinë e amendimit të ndryshimit të Kushtetutës që ka të bëjë me mandatin e kufizuar të prokurorit të përgjithshëm. PS ka pikëpamjen se mandati i prokurores nuk mbaron në 22 nëntor, por në 23 maj të 2013-ës, pikërisht në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm”,- u shpreh Ruçi. Sipas tij, edhe presidenti ka pikëpamjen se mandati i kryeprokurorit mbaron më 22 nëntor.

RUÇI MBËRRIN NË PRESIDENCË
Ora 11:00 – Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka mbërritur në selinë e Presidencës në orën 11:00, në përputhje me axhendën e kreut të shtetit.

PËRFUNDON TAKIMI, PATOZI: ME RENDESI KRITERET, JO EMRI 
Ora 10:45 – Ka zgjatur rreth 41 minuta takimi konsultativ mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, në selinë e Presidencës. Sipas Patozit, demokratët nuk i kanë propozuar kreut të shtetit ndonjë emër konkret, për postin e kryeprokurorit të ri të vendit, pasi sipas tyre, me rëndësi është që kryeprokurori i ri të ketë integritet moral dhe përvojë në sistemin e drejtësisë. Patozi nënvizoi se për demokratët është thelbësore që kreu i organit të akuzës të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të emërohet brenda nëntorit.
Ndërkohë takimi i ardhshëm i presidentit është me kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i parashikuar për në orën 11:00.
NISHANI NIS TAKIMET, PATOZI NË PRESIDENCË
Ora 10:00- Ashtu siç e parashikon axhenda e kryetarit të shtetit, Presidenti Nishani e ka nisur turin e konsultimeve për kryeprokurorin e ri të Republikës, me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka mbërritur i përpiktë në Presidencë rreth orës 10:00.

AXHENDA E TAKIMEVE
Ora: 07:10 –
Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi sot axhendën e takimeve të kryetarit të shtetit, në kuadër të turit të konsultimeve që pritet të zhvillojë sot për emrin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

“Presidenti Nishani, ditën e martë, dt. 20 nëntor 2012, do të organizojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ora 10:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z. Astrit Patozi
Ora 11:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Gramoz Ruçi
Ora 12:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Z. Lefter Koka
Ora 13:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu
Ora 14:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Z. Vangjel Dule
Ora 15:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi

Takimet me përfaqësuesit partiak do të zhvillohen në mjediset e Presidencës, dhe vijnë vetëm pak ditë pasi kreu i shtetit u konsultua me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve të ardhshme.(B.W/LajmeShqip.com))

 
Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 12:51

Tiranë – Presidenti Bujar Nishani i jep fund debatit politik mbi mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke e konsideruar atë të përfunduar më 22 nëntor. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje se në fillim të javës së ardhshme Nishani do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e partive parlamentare për të evidentuar, si thuhet në njoftim, vlera që kryeprokurori i ri duhet të ketë.

“Ju njoftojmë se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ditën e martë, datë 20 nëntor 2012, do të zhvillojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të Përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Takimet do të zhvillohen në mjediset e Presidencës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti nuk ishte shprehur asnjëherë më parë qartë se në çfarë momenti i përfundonte mandati kryeprokurores. Maxhoranca ka deklaruar se mandati i Ina Ramës mbaron më 22 nëntor, ndërsa për opozitën, përfundimi i mandatit është në maj 2013, kohë kur pesë vite më parë është bërë edhe ligji i Prokurorisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka qëndruar larg këtij debati, duke u shprehur se ka besim te Presidenti lidhur me këtë çështje.

“E kam theksuar se në Kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë e ekskluzive e Presidentit të Republikës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bindjen se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet apo personalitete me integritet, me eksperiencë, dhe natyrisht, të fushës së pushtetit gjyqësor. Po të ishte për mua, unë do të kisha bërë zgjedhjet e mia. Unë jam Kryeministër. Nuk më përket mua ajo”, ka deklaruar Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 November 2012 17:15

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur ditën e hënë një tryezë të rrumbullakët me një serë drejtuesish të institucioneve kryesore, pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, në këtë tryezë do të diskutohet mbi reformën në sistemin gjyqësor, si dhe mbi sfidat që burojnë nga rekomandimet në Raport Progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012.

Javën e kaluar Presidenti Nishani zhvilloi takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë këtij takimi u hodh në tryezë data 23 qershor, si më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Megjithatë kreu i shtetit nuk e ka dekretuar ende datën e zgjedhjeve të vitit 2013. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 14:46

Tiranë – Presidenti shqiptar Bujar Nishani, zgjedhjet presidenciale në SHBA i ka vlerësuar si model të cilin duhet ta ndjekë edhe politika shqiptare, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Tirana.

“Zgjedhjet dhe mesazhet e dhëna pas tyre, janë një leksion demokratik. Palët politike atje kanë vërtetuar se janë në shërbim të vendit”, deklaroi Nishani gjatë aktiviteteve të organizuara nga dhoma tregtare amerikane “Amerikan elekshën najt”.

Ai apeloi deri te politika shqiptare të mësojë nga SHBA-ja që të  zbatojë zgjedhje të tilla.

“Të ndërtojmë edhe ne fushatë zgjedhore në mënyrë të tillë, me etikë dhe komunikim, të bashkohemi dhe ta respektojmë rregullativën zgjedhore”, porositi Nishani.

Kryeministri Sali Berisha, në  seancën e Qeverisë fitoren e Barak Obamës e vlerësoi si tërësisht të merituar, duke theksuar pjesë nga arritjet e SHBA-së në katër vitet e kaluara: përballjen me krizën ekonomike, luftën në Irak dhe Afganistan, vrasjen e Bin Ladenit dhe pranverën arabe.

Ai e theksoi përcaktimin Qeverisë së tij për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me aleatin më strategjik të shqiptarëve, SHBA-në.

“Në emër të Qeverisë dërgoj urimet më të sinqerta deri te presidenti Obama, dhe e tregoj përcaktimin e Qeverisë sime për bashkëpunim të ngushtë me aleatin më strategjik të shqiptarëve. Shfaq falënderim për përkrahjen e madhe të cilën ky vend-mik dhe presidenti Obama ia kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve” deklaroi Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 11:05

Tiranë (PLOTESUAR 05 NENTOR ORA 17:00)- Presidenti i Republikes Bujar Nishani është takuar për herë të parë me të gjithë krerët e grupeve parlamentare, në nisjen e turit të konsultimeve, për të vendosur datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Permes nje axhende te mirepercaktuar, kreu i shtetit ka pritur ne Presidence me radhe te gjithe perfaqesuesit politike, ne nje diference nga njeri-tjetri prej 60 minutash.

Takimi i pare ka qene me kryetarin e grupit parlamentar te mazhorances Astrit Patozi, ndersa 60 minuta me pas me ate te socialisteve Gramoz Ruçi. Me pas ka qene radha e Lefter Kokes nga LSI, Fatmir Mediut nga PR, Vangjel Dules te PBDNJ dhe ne fund radha e Shpetim Idrizit, i Partise per Drejtesi Integrim dhe Unitet.

E vetmja parti parlamentare qe nuk ishte ftuar ne takim, ishte Fryma e Re Demokratike, qe u krijua kete vit dhe qe perfaqesohet ne Kuvend nga Gazmend Oketa.

Perveç buzeqeshjeve zyrtare dhe shtrengimit te duarve perpara kamerave, nga te pranishmit nuk ka patur deklarata zyrtare per brendine e takimeve. Nga burime te besueshme mesohet se per daten e zgjedhjeve, dy partite e medha, PD dhe PS kane te njejtin qendrim. Ne baze te Kushtetutes, jane dy datat e mundshme kur mund te mbahen zgjedhjet e pergjithshme, data 23 qershor dhe data 30 qershor.

Qofte demokratet, qofte socialistet por edhe Levizja Socialiste per Integrim jane pro vendosjes se dates 23 qershor, si dita kur do te mbahen zgjedhjet. Per socialistet kjo date eshte me e favorshme per te siguruar nje pjesemarrje sa me te madhe ne votime dhe kane kerkuar qe kreu i shtetit ta shpalle diten e zgjedhjeve sa me shpejt ne menyre qe KQZ te kete kohen e mjaftueshme per pergatitjen e infrastruktures zgjedhore. Duke qene se partite e medha tashme jane dakord per 23 qershorin, qe mbeshtetet edhe nga OSBE, te pakten parimisht, shpallja e saj nga Presidenti nuk do te kundershtohet edhe nga forcat e tjera politike.

Nderkohe Presidenti i Republikes ka mbyllur serine e takimeve me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi.(LajmeShqip.com)

************************************************************

Tiranë – Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani pritet të zhvillojë sot konsultime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme. Presidenti Nishani duhet të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 7 dhjetorit të ardhshëm. Ai do të ketë takime të vecanta me përfaqësuesit e cdo partie.

Konsultimet do të hapen me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe më pas do të vazhdojnë me kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci, atë të Lëvizjes socialiste për integrim Lefter Koka dhe kryetarin e partisë republikane Fatmir Mediu, asaj për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule dhe të partisë Drejtësië, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi. Në konsultime nuk është thirrur deputeti Gazmend Oketa i Frymës së re demokratike, forca më e re politike në vend.

Sipas përcaktimit të Kushtetutës dhe kodit elektoral, zgjedhjet e ardhshme do të duhet të mbahen në gysmën e dytë të qershorit 2013 dhe presidentit do t’i duhet të zgjedhë mes dy të dielave të kësaj periudhe. Organizatat e specializuara në fushën e zgjedhjeve i kanë kërkuar presidentit që ai të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve për t’i hapur rrugë përgatitjes së shpejtë të infrastrukturës zgjedhore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 13:13

TIRANE (PLOTESUAR 12 TETOR, 21:10)- Ish-të përdjekurit politikë të cilët prej 21 ditësh vijojnë grevën e urisë në dy cadra të improvizuara në zonën e Komunës së Parisit, shpallën pasditen e sotme grevën e vdekjes.

Grevistët marrin kështu aktin ekstrem të mohimit edhe të ujit të pijshëm, ndërkohë që theksojnë se vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. Ata fajësojnë palën negociatore që ka qënë në takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani pasi nuk solli rezultatin e dëshiruar, por nxitën tensionet mes koordinatorëve të grevës dhe uniformave blu që mbikëqyrin grevën.

Ish-të burgosurit politikë kanë hyrë sot në ditën e 21-të të grevës së urisë. Me kalimin e ditëve është rënduar edhe gjendja e tyre shëndetësore, por sot duket se situata ka ndryshuar, pasi ata u ulën në bisedime me kreun më të lartë të shtetit, Buajr Nishani. Grevistët takim edhe me dy zv.ambasadorë të SHBA e Francës. Mbështeten edhe nga shoqata e ish-të përndjekurve në Korçë.

NJË GREVIST RËNDË, REFUZON SPITALIN
Ora 19:40
-Një nga grevistët refuzon të shoqërohet në spital. Gjendja e Ramazan Spahiut, 75 vjeç është rënduar së tepërmi pas ditëve në grevën e urisë. Mjekët kanë kërkuar ta shoqërojnë në spital, por ish-i dënuari politik ka refuzuar.
“Policia na ka hequr dhe ilaçet që ne pinim”, thanë grevistët.

Kukan: Greva, situatë tragjike

Ora 19:30- Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan deklaroi për Top Channel se greva e ish-të përndjekurve politikë është një stutatë shumë tragkike. “Kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa ndërmarrin aktin e vetëflijimit, kjo është shumë e dimbshme”, tha Kukan, i cili deklaroi se beson që qeveria do ta zgjidhë situatën e kompensimit financiar të tyre.

TAKIMI ME ARVIZU: U TREGUAM INCIDENTET, NA PREMTUAN NDIHMË
Ora 18:35-Skënder Tufa së bashku me një përfaqësues tjetër vizituan sot ambasadën amerikane në Tiranë ku dhanë shpjegime para ambasadorit Arvizu rreth situatës së krijuar.  “Ne morëm kontakte dhe treguam të gjitha ato që pamë bashkarisht. I treguam dhe sjelljen e policisë ndaj nesh, dhe një urdhër nga policia që unë dhe Skënder Tufa mos t’i afrohemi çadrës për një arsye që nuk e dimë. Kemi 21 ditë pa bukë, tani lamë dhe ujin. Ata na premtuan se do merren me telefonata, me mundësitë që kemi, se nuk mund t’i japim urdhër një shtetit”, thanë TVNeës24, koordinatorët e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë.

GREVISTËT: LARGONI POLICINË NGA GREVA
Ora 18:30-Ish-të burgosurit politikë, grevistët e urisë kanë bërë të ditur se policia po pengon zhvillimin e mëtejshëm të grevës së urisë. Ata i bëjnë thirrje policisë të largohet nga ambientet e grevës së urisë. Në një deklaratë në formë letre të hapur ata i drejtohen Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm që të ndihmojnë ti jepet fund këtij trajtimi c’njerëzor që po i bëhet kësaj klase, ndërsa përsërisin që kërkojnë dëmshpërblim.

Grevistët deklaratë urgjente:
“I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, Nëse akoma vazhdon të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve që mbas takimit me të prisnim një vijimësi dialogu dhe një barrier anti-njerëzore.  z. President edhe në Burgun e Spacit dhe të Qafës së Barit ku shumica jone ka vuajtur dënimin na lejoheshin të na vizitonin gratë dhe fëmijët. Rrethimi jonë nga policia është i turpshëm dhe i antinjerëzor. z. President si President i të gjithëve shqiptarëve pavarësisht preferencave tuaja, Ju bëjmë thirrje të silleni si i tillë.
z. Kryeministër ti ndalosh në grevën e urisë në ditën e 21 që grevistët të marrin ujë dhe çaj është sikur t’i kesh vrarë vet me dorën tende. Si mjek e di fare mirë që trupi ynë i raskapitur në mungese të lëngjeve do të japi shpirt.

Po të bëjmë thirrje Kryeministër se ne nuk dalim nga këto gardhe dhe kurthe policesh që na ke ngritur. Shpresojmë të na marrësh seriozisht sepse e kemi treguar deri tani që jemi të tillë. Nëse na ndërpret lëngjet dhe mjekimet ne do të rrimë këtu deri sa të vdes secili nga ne. Dhe të gjithë, ne, jemi në ndërgjegjen tënde. Le të shërbejë kjo thirrje e sotme si testament ligjor për këdo qoftë, Prokuror i Përgjithshëm. Ne po na lenë të vdesim me ndërgjegje të plotë veç për ego të semurë të një drejtuesi që tashmë ka humbur lidhjen me realitetin, vendin dhe qytetarët e tij. 

I bëjme thirrje Trupit të huaj diplomatik në Tiranë që të garantojnë lirinë dhe të drejtën të kushtetuese të tubimit, protestës dhe grevës së Urisë. I bëjmë thirrje për të ushtruar të gjithë presionin e tyre pozitiv përkundrejt këtyre njerëzve që po na çojnë me vetëdije drejt vdekjes. I bëjmë një thirrje të fundit edhe Ministrit të Brendshëm. Tërhiqe policin z.Ministër, se nuk jemi në Korenë e Veriut. Këtu jemi në mes të Tiranës. Zotrote nuk duam të na politizoni deklaratën tonë, por ne nuk kërkojmë, shtëpi nga liqeni e nga Gjiri i Lalzit, as ‘Range Rovera’ nga ato që ju Zotrote keni siguruar me “djersen e ballit”. Tërhiqi policet dhe sillu si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, sillu si qytetar dhe si ministër. Sjelljet prej tepisti veç do legjitimojnë më shumë kauzën tonë.

Ne duam lekët e dhimbjeve që Komunizmi na ka shkaktuar e duam vetëm të hamë pak bukë e t’u vemë fëmijeve një strehë mbi kokë. Sa më shumë të na lini të vuajmë aq më shumë si në poezitë e Majakovskit do të gdhendi mitin tuaj të diktatorit dhe të të papërgjegjshmit.  Kërkojmë nga të gjithe shqiptarët e ndershëm, të vuajtur e familjar të vinë të jenë pranë nesh për të na mbështetur e garantuar të mos dhunohemi nga Policia”.

SKËNDER TUFA NË AMBASADËN E SHBA PËR INCIDENTET
Ora 17:50-Ndërkohë Skënder Tufa ndodhet në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ku po jep deklaratën e tij për incidentet me grevistët që tentojnë vetëflijimin duke i vetëdjegur.

BIBERAJ: QYTETARË BASHKOHUNI ME ISH-TË BURGOSURIT POLITIKE
Ora 17:40-Përfaqësuesi i FRD, Aleksandër Biberaj u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen me kërkesat e ish-të burgosurve politikë që ndodhen në grevë prej disa ditësh. Biberaj tha se qeveria tregoi qartë se ka urrejtje klasore ndaj kësaj shtrese sepse në krye të saj qëndron një ish-sekretar partie. “Këta qytetarë nuk mund të lihen sot të vdesin këtu. Kërkesat e tyre janë legjitime, të mirëfillta ekonomike”, tha Biberaj.

MBËRRIN NË AEROPORTIN E RINASIT LIRAK BEJKO
Ora 15:10 Mbërrin në aeroportin e Rinasit Lirak Bejko, i vetëdjeguri i dytë i grevës së urisë. Lirak Bejko pritet të niset për në Itali, shoqërohet nga bashkëshortja.
Në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko, ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë. Si pasojë e flakëve 47-vjecari pësoi djegie në 50% te trupit dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në pavionin e djegieve. (LajmeShqip.com)

LAMAJ: PRESIDENTI I GATSHËM TË NA VIJË NË NDIHMË
Ora 13:10- Pas takimit me Presidentin Nishani, njëri nga grevistët Fatmir Lamaj deklaroi për News 24 se ai ishte i gatshëm t’ju vinte në ndihmë.
“Presidenti Nishani u tregua i vëmendshëm. Pamë nga ana e tij gatishmërinë për të na ardhur në ndihmë. Nishani i mbajti shënim kërkesat, la të hapur shtegun e bisedimeve”, tha grevisti.

Lamaj sqaroi më tej se greva e tyre do vazhdojë me deri në zgjidhjen e situatës.
“Greva jonë do vijojë me të njëjtin përkushtim deri në zgjidhje. Kuptuam se ishim të përfaqësuar nga Presidenti Nishani. Jemi të kënaqur për gatishmërinë që shfaqi”, shtoi ai.

PËRFUNDON TAKIMI I GREVISTËVE ME NISHANIN
Ora 12:21- Ka përfunduar pas 1 ore takimi i përfaqësuesve të grevës së ish- të përndjekurve me Presidentin Bujar Nishani. Njëri prej tyre, Fatmir Lloci ka deklaruar se i kanë parashtruar presidentit kërkesat e tyre. Nuk dihet ende se çfarë përgjigje iu ka dhënë presidenti grevistëve, ndërsa ata janë shoqëruar nga një makinë e Ambasadës Amerikane.

GREVISTËT TAKOJNË NISHANIN
Ora 10:50- Kështu rreth orës 10:40, 3 përfaqësuesit e ish-të përndjekurve kanë hyrë në Presidencë për të takur Bujar Nishanin, me të cilin d të diskutojnë edhe arsyet e ngujimit në grevën e urisë, por edhe të akteve të rënda që dy prej tyre kanë ndërmarra.

SHOQATA E ISH-TË PËRNDJEKURVE POLITIKË NË KORÇË PËRKRAH GREVËN
Ora 10:19 Shoqata e ish-të përndjekurve politikë në qytetin e Korçës është solidarizuar me grevën që një grup ish-të burgosurish politikë po ndjekin prej 21 ditësh në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sekretarja e shoqatës së ish-të përndjekurve, Shpresa Merdani është shprehur për mediat se mbështesin dhimbjen dhe kërkesat e grevistëve në Tiranë. “Jemi kundër heshtjes së qeverisë ndaj një grupi ish-të burgosurish. Për t’i përkrahur janë nisur një grup ish-të dënuarish nga Korça. Një pjesë e tyre mund t’i bashkohet grevës”,- tha Merdani.

Ndërkohë, duke bërë thirrje që qeveria të ulet e të dialogojë me to, ato shprehen se janë kundër akteve sublime që ato kanë marrë. “Greva nuk është politik,por është vetëm ekonomike”,- tha ish-e përndjekura politike Vaske Orgocka. 

TUFA: NISIM NEGOCIATAT
Ora 08:40- Skënder Tufa, kordinatori i kësaj greve sqaroi sot për News 24 se për grevistët tashmë është hapur një dritë jeshile, pasi kanë nisur negociatat.
Ai u shpreh se përfaqësues të grevës janë takuar me zv.ambasadorin e SHBA-ve, ndërsa tre prej tyre pritet të takojnë Presidentin Bujar Nishani.

Me ish-të përndjekurit grevistë është takuar sot edhe zëvendës ambasadori i Francës, i cili është interesuar në vecanti për gjendjen e shqiptaro-francezit Lavdosh Beqo 81-vjec. Mësohet se Lavdosh Beqo, hyri në grevë pas vetëdjegies të Gjergj Ndrecës. 

GREVA
Ish- të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit në dy çadra pranë zonës “Komuna e Parisit” një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish- të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën. 

GJERGJ NDRECA 
Ish i përndjekuri, Gjergj Ndreca më 8 tetor tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë, ndërkohë që grevisti Llazi Koçi, humbi ndjenjat në përpjekje për t’i shuar flakët mikut të tij. Ndërkohë, sot në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë.

LIRAK BEJKO
Pas Gjergj Ndrecës, shoku i tij, ish i burgosuri politik, Lirak Bejko 47 vjeç, nga Skrapari ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes. (LajmeShqip.com)