Lajme Shqip Friday, 21 September 2012 17:00

Prishtinë – Pas vdekjes së një paciente, para dy ditësh nga Virusi i Nilit Perëndimor, sot janë shfaqur edhe tre raste tjera të prekur nga ky virus. Sipas drejtuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pas analizave të bëra në laboratorët e IKSHP-së, është konfirmuar se tek tre persona kanë rezultuar pozitiv, me VNP-në.

Të njëjtit janë dërguar në Klinikën Infektive dhe që aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore, pos njërit që është në gjendej të rëndë klinike.

Drejtori i Klinikës Infektive, Prof.dr. Shemsedin Dreshaj, ka bërë të ditur se personat e infektuar janë të moshës së shtyrë dhe vijnë nga Prishtina, Gjilani dhe Prizreni.

Ndërsa, sipas drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadanit situata epidemiologjike është regjistruar në 6 qendra të Kosovës dhe shkaku i vetëm është pickimi i mushkonjave dhe bartja përmes tyre. Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruhen nga pickimi i mushkonjave dhe në rastet kur pickohet të lajmërohen menjëherë tek qendrat familjare.

Ramadani ka thënë se IKSHP-ja, Klinika Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marr masat e duhura për të parandaluar ndonjë epidemi me shkallë të gjerë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 18:52

Shkup – Një grua sot ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup si pasojë e infektimit nga virusi i njohur i ashtuquajtur i Nilit Perëndimor.

Kjo është viktima e parë në Maqedoni që ka ndërruar jetë nga ky virus, i cili ka përfshirë edhe dy pacientë të tjerë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.   Gruaja që ka ndërruar jetë është e moshës 53 vjeçare dhe se bëhet fjalë për pacient me shëndet të rrezikuar që vuante nga diabeti, hipertensioni dhe pesha e rëndë. Pacientja që ndërroi jetë është pranuar në Klinikën Infektive nga 11 shtatori i këtij viti dhe se rezultat e para rezultuan pozitive sa i përket infektimit të saj nga virusi i Nilit Perëndimor. 

Drejtori i Klinikës Infektive, Zvonko Milenkoviq deklaroi se janë ndërmarrë masat për të përballur fluksin e mundshëm të pacientëve që mund të jenë viktima të infektimit nga ky virus vdekjeprurës. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se janë dërguar në Institutin e specializuar Robert Koh në Berlin disa mostra nga analizat e bëra për të vërtetuar se për cilin lloj të virusit bëhet fjalë dhe për ndërmarrjen e masave për parandalimin e tij. Vitin e kaluar janë evidentuar katër raste të infektuara me këtë virus, mirëpo ato pas terapive dhe trajtimit mjekësor janë shëruar me sukses. Virusi i Nilit Perëndimor është sëmundje infektive që përcillet tek njeriu nga kafshimi nga insektet dhe më pas mund të shkaktojnë sëmundje të rënda vdekjeprurëse. 

Virusi i Nilit Perëndimor është i pranishëm së fundi edhe në Greqi, Serbi, Kroaci, si dhe Rumani, Rusi, Itali dhe SHBA, etj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 18:15

Prishtinë – Pacientja N.H. nga Drenasi është viktima e parë në Kosovë, e shkaktuar nga virusi i ashtuquajtur Virusi i Nilit Perëndimor. Viktima ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, e cila ishte transferuar nga Klinika e Neurologjisë në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije, mirëpo në ora 12 e 30 të së mërkurës ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka konfirmuar për Kosovapress, drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik, Naser Ramadani, i cili ka thënë se janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për shpëtimin e pacientes, por ka qenë e pamundur të shpëtohet.

“Në laboratorët e IKSHP-së, sot me datë 19 shtator 2012, në ora 12 e 30 është dedektuar prania e antitrupave të klasit IGM kundër virusit të Nilit perëndimor te pacientja N.H. e hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, e cila është transferuar prej Klinikës së Neurologjisë në gjendje të rëndë fizike, pa vetëdije, temperaturë dhe e intokësionuar, janë bërë të gjitha përpjekjet për shpëtim, por fatkeqësisht pacientja ka përfunduar me vdekje.”, ka thënë Ramadani.
Sipas Ramadanit, IKSHP-ja ka gjetur edhe dy raste me infeksione të virusit të Nilit Perëndimor të hospitalizuar në Klinikën Infektive, por në aspektin diagnostik nuk ka arrit të rezultati përfundimtarë për arsye se mostrat adekuate nuk janë marrë në Klinikën Infektive.
“IKSHP-ja është në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit dhe ka shtuar masat parandaluese dhe se për momentin nuk ka raste tjera me këtë virus”, ka shtuar Ramadani.
Ethet e Nilit Perëndimor zhvillohen në 20 për qind të njerëzve të infektuar me VNP. Simptomat përfshijnë temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.

 
Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 09:42

Shkup – Regjistrohet rasti i parë i të sëmurëve nga ethet e Nilit perëndimor, të cilat barten përmes pickimit të mushkonjave, që  shpeshherë janë të pranishme në afërsi të sipërfaqeve të moçaleve, kanaleve dhe të ngjashme.

Bëhet fjalë për një fëmijë 6-vjeçar nga Shkupi, i cili po mjekohet në Klinikën për sëmundje infektuese dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Fëmija nuk ka qëndruar jashtë Maqedonisë, por me siguri është kafshuar nga ndonjë mushkonjë, e cila ka ardhur nga ndonjë vend i ngrohtë ku është i pranishëm virusi.

“Kjo është hera e parë që në Republikën e Maqedonisë të regjistrohet një rast i personit të sëmurë nga ethet e Nilit-perëndimor. Megjithatë, mund të thuhet se është pritur paraqitja e këtij virusi edhe në shtetin tonë, duke u nisur nga fakti se në mjedisin e afërt gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar janë regjistruar një numër i madh i rasteve të reja nga kjo sëmundje në Greqi, Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Ministri siguroi se institucionet mjekësore disponojnë me terapi të nevojshme për mjekim në këtë sëmundje dhe se janë siguruar reagente të nevojshme për dëshmi laboratorike të këtij virusi.

Duke shprehur shpresë se ky do të jetë rast i izoluar, ministri tha se informacion pozitiv është ai se rezultatet e para nga analizat që janë bërë me marrjen e shembujve nga mushkonjat në Shkup, tregojnë se lloj të tillë të mushkonjave nuk ka, por se me siguri do të mund të thuhet nëse bëhet fjalë për mushkonja të cilat veçmë janë në Maqedoni ose për mushkonja nga ndonjë vend i ngrohtë, ku është i pranishëm ky virus.

Virusi mund të kalojë edhe pa treguar ndonjë simptomë, ndërsa një nga 150 rastet ka simptome të fuqishme nga ky virus. Ata, siç sqaroi drejtori i Klinikës Infektive, Zvonko Milenkoviq, paraqiten me dy forma. E para është me ngritje të temperaturës dhe simptoma tjera të përgjithshme, të cilat ngjajnë me gripin dhe, tjetra, më e rëndë në të cilën paraqiten ndezjet e trurit. Vdekshmëria është më e vogël se një për qind, njëjtë sikur se është te gripi dhe disa sëmundje të tjera infektuese akute.

Rekomandimi i Komisionit për sëmundje infektuese është që të kryhet konfirmimi i detyrueshëm etiologjik i virusit të West Nile te të gjithë pacientët me temperaturë të lartë, me përfshirje të sistemit qendror nervor dhe manifestime të tjera neurologjike.

Në drejtim të  parandalimit me kohë të kësaj sëmundjeje, Komisioni për sëmundje infektuese i rekomandoi popullsisë zbatim të mjeteve për mbrojtje nga kafshimi i mushkonjave, vendosje të rrjeteve mbrojtëse në dyer dhe dritare dhe shmangie të ekspozitimit më të gjatë në mjedis të hapur në periudhë të aktivitetit më të madh të mushkonjave në agim dhe në perëndim të diellit.

Vetëqeverisja lokale megjithatë, është e obliguar nga Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor të ketë qasje ndaj tharjes së të gjitha sipërfaqeve moçaleve dhe të zbatojnë dezinfektim aero-teristik të sipërfaqeve publike në pajtim me legjislacionin me qëllim të shkatërrimit të mushkonjave.

Në Shkup ku është konstatuar ky rast me kohë dhe në pajtim me të gjitha standardet është kryer dezinfektimi në ajër edhe në tokë katër herë, ndërsa është bërë edhe dezinfektimi i moçaleve. (LajmeShqip.com)