Tag Archives: Nikolic-serbet e veriut
|

Qeveria e Serbisë miratoi mbrëmë planin e zbatimit të marrëveshjës së arritur në Bruksel dhe një ditë më vonë serbët e veriut paralajmëronë themelimin e Kuvendit Krahinor në Kosovë. Kryetar i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiq ka thënë se deri në fund të javës do të formohet Kuvendi i Krahinës autonome të Kosovës.
“Deri në fund të kësaj jave, do të formojmë Kuvendin e Krahinës autonome të Kosovës dhe në të do t’i bartim përgjegjësitë e shtetit te Serbisë. Kjo është e drejta jonë kushtetuese”, ka thënë Jakshiq, për mediat serbe, transmeton Kosovapress..
Ky veprim sipas tij bëhet pasi që serbët e veriut janë kundër marrëveshjës së arritur në Bruksel. “Kështu më nuk ka dhe për këtë, besojë që me këtë vlerësim pajtohen shumica e serbëve të Kosovës se marrëveshja e Brukselit është e papranueshme si dhe vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë. Midis nesh nuk do të mund të gjejnë serbë të cilët do të pranojnë marrëveshjen dhe planin e zbatimit të saj”, ka thënë Jakshiq.
|

Qëndrimi i serbëve të veriut ndaj marrëveshjes së Brukselit është ende i njëjti. Kundërshtues. Kështu kanë deklaruar kryesuesit e serbëve të veriut, pas takimit me zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vuçic. Por, ata kanë theksuar që megjithatë, ende janë duke pritur që t’I shohin detajet e planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit të arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq.
Radenko Nedeljkovic, përfaqësuesi i serbëve të veriut, pas takimit të liderëve serbë të veriut të Kosovës me Vuçicin, si pjesëmarrës i këtij takimi ka thënë se qështja e marrëveshjes së Brukselit, nuk ka qenë aspak temë e bisedës në këtë takim.
“Nuk është biseduar fare për marrëveshjen e Brukselit. Kemi biseduar për gjendjen momentale në veriun e Kosovës, si dhe për problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët. Kështu që, për marrëveshjen e Brukselit do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, theksoi Nedeljkovic.
Kurse, lideri tjetër i serbëve të veriut, Milan Ivanovic nga Këshilli Kombëtar Serb, gjithashtu pjesëmarrës në takimin e fundit me Vuçicin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë takim është biseduar për të gjitha temat.
Sipas tij, qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen e Brukselit, por edhe qëndrimi i Beogradit zyrtarë, nuk kanë ndryshuar.
“Qëndrimet tona janë të njohura për marrëveshjen. Të njohura janë edhe qëndrimet e qeverisë së Beogradit. Por, diferencat që i kemi dhe që njihen, nuk janë thelluar. Kryeministri Daçiq dhe bashkëbiseduesi kryesor janë në Bruksel për të biseduar për planin e zbatimit të marrëveshjes. Dihet mendimi ynë për këtë dhe interesat tona, kështu që diçka që është e papranueshme për ne, nuk mund të pritet se do ta pranojmë dhe nënshkruajmë. Jemi marrë vesh me autoritetet e Beogradit që të flasim edhe më tej për marrëveshjen dhe për planin e zbatimit, por nuk i kemi detajet e tij, kështu që nuk kemi mundur të flasim më thukët për të. Do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, u shpreh Ivanovic.
Kundërshtimi i marrëveshjes së Brukselit nga serbët e veriut të Kosovës, kishte tensionuar raportet e tyre me Beogradin zyrtarë, duke krijuar një hendek mes tyre, të cilin përmes takimeve janë përpjekur që ta ngushtojnë.
Por, Nedeljkovic ka theksuar se qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen është i qartë dhe i pandryshuar deri më tani.
“Edhe më tutje konsiderojmë se marrëveshja e Brukselit është e dëmshme dhe se ajo nuk i garanton as parakushtet minimale për një jetë kualitative dhe mbijetesë të serbëve në Kosovë. Kështu që, qëndrimi ynë është i pandryshuar”, tha Nedeljkovic.
Edhe Ivanovic ka vlerësuar se serbët e veriut nuk mund ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe as zbatimin e saj, sepse, sipas tij, kjo do t’i rrezikonte interesat e tyre.
Por, megjithatë, siç thotë ai, duhet pasur kujdes që hendeku i krijuar me Beogradin të mos thellohet.
“Ne nuk dëshirojmë që ta thellojmë hendekun me autoritetet në Beograd, të cilët e gëzojnë mbështetjen e shumicës. E kuptojmë situatën e vështirë edhe në Kosovë, por edhe në Serbi. Megjithatë, ne kemi disa qëndrime dhe vija të kuqe tona, përtej të cilave nuk mund të kalojmë. Ne, pavarësisht dallimeve që kemi në interpretimin e marrëveshjes, ne duhet, duam dhe mundemi të punojmë me Beogradin dhe institucionet tona”, tha Ivanovic.
Ndryshe, liderët serbë të veriut të Kosovës kanë dhënë për të kuptuar se nuk do të pajtohen me marrëveshjen e Brukselit edhe kur plani për zbatimin e saj do të bëhet i ditur në detaje.
|

Ky i fundit është akuzuar rëndë nga bashkëpartiaku i tij, Petroviq, lideri i partisë së pavarur serbe (SLS), për tradhti ndaj serbëve, ndaj institucioneve të Kosovës, për komplote dhe për pengesë ndaj proceseve pozitive të vendit.
Në ndërkohë që, Rashiq thotë se Petroviq nuk komunikon me gjysmën e liderëve serbë të Kosovës, ka përçarë politikanët serbë mes vete, ka pamundësuar integrimin e serbëve të veriut në institucione të Kosovës, ka punuar për interesa të veta e aspak për komunitetin serb dhe sot vazhdon të jetë njeriu kyç i bllokimit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Sipas tij, kjo qasje e Petroviqit ka bërë që gjysma e deputetëve pjesë e grupit parlamentar të Kosovës të largohen nga SLS, dhe të formojnë grupin parlamentar të ri të quajtur “E ardhmja e përbashkët”, në krye të së cilit është vetë ministri Rashiq.
Të gjitha këto ndryshime, kanë bërë që vetë Petroviq të kërkojë nga kryeministri Thaçi, shkarkimin e Nenad Rashiqit nga posti i ministrit. Jo më mirë kanë mbetur edhe deputetët që kanë lëshuar SLS-së, të cilët po ballafaqohen me presione e kërcënime. Kjo përçarje ka bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare.
Siç ka mësuar “Zëri”, edhe vetë kryeministri Thaçi mban krahun e Petroviqit, kjo për shkak të së kaluarës së përbashkët që kanë pasur në procese të ndryshme që ka kaluar Kosova.
Zëvendëskryeministri Petroviq nuk ka pranuar të flasë për “Zërin”, por i cituar nga RTK, ai thotë se tashmë ka kërkuar nga kryeministri Thaçi largimin e ministrit Rashiq.
“Në mbledhjen e fundi të partisë njëzëri është miratuar vendimi për largimin e Rashiqit nga ky subjekt. Ne sot ia kemi dërguar një shkresë kryeministrit dhe presim që ditët e ardhshme të kemi një emër të ri për pozitën e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Petroviq, i cili ndër tjerash ka mohuar se SLS është përçarë.
Por, Rashiq beson se përkundër presioneve të Petroviqit, iniciativa e grupit të ri serb do të ketë sukses. Ai tregon se në kundërshtim me statusin e partisë, Petroviq e ka larguar atë nga mbledhja e partisë javën e kaluar.
“Jo vetëm mua, por Petroviq po përdor variante të ndryshme si presione dhe kërcënime edhe ndaj deputetëve që kanë lëshuar SLS-në”, tha ai.
Sidoqoftë, sipas tij, interesi i kësaj iniciative nuk është që të prishet Qeveria Thaçi, por përkundrazi që të ndihmojë këtë qeveri të ecë përpara në proceset që gjendet, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
“‘E ardhmja e Përbashkët’ ka për qëllim që të punojë në interes të komunitetit serb, ndërkohë që Petroviq ka punuar që liderët serbë në qendër të Kosovës të mos flasin mes vete, që serbët e veriut t’u frikësohen institucioneve të Kosovës, që zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi të mos nisë me shumë dëme e probleme tjera”, tha Rashiq.
Ai shtoi se ditët në vijim do të kërkojë takim me kryeministrin Thaçi dhe siç tha ai, mundësia që të kërkojë një koalicion të ri mbetet e hapur.
“Ne nuk duam prishje të Qeverisë, përkundrazi ne mbesim pjesë e kësaj Qeverie e politikave të saj, por mundësia që të ketë ndryshime pozitash mbetet e hapur”, tha Rashiq.
Këto përplasje kanë bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Ambasada e SHBA-ve në Kosovë. Gazeta ka kuptuar se Ambasada Amerikane anon kah politikat e Nenad Rashiqit, megjithëse ajo nuk është e pajtimit që në këtë kohë, në këtë moment të ketë ndryshime në qeverisjen Thaçi.
“Prioriteti i bashkësisë ndërkombëtare për momentin është nisja e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ata nuk duan që të humbet kohë tani me procese të brendshme të koalicionit qeverisës, dhe të humbet koncentrimi karshi marrëveshjes”, tha një zyrtar ndërkombëtar.
Ndryshe emrat e katër deputetëve që janë larguar nga SLS janë: Biserka Kostiç, Goran Marinkoviq, Boban Todoroviq dhe Milivoje Stojanoviq.
Këtij grupi të ri, fillimisht me katër deputetë të SLS-së, i është bashkangjitur edhe një deputet nga lista e bashkuar serbe (JSL), një nga Partia Demokratike Serbe (PG) dhe një nga komuniteti Ashkali, duke e çuar numrin në 7 deputetë. Ndërsa grupi parlamentar i SLS-së, ka mbetur me 6 deputetë, prej tyre katër të SLS-së, një nga JSL dhe një goran.
|

Në kishën e fshatit Drenovc i Epërm të Ranillugut ka ndodhur një vjedhje. Pas hetimeve të kryera në lidhje me rastin është identifikuar e dyshuara femër serbe e cila gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën penale vjedhje që kishte ndodhur brenda objektit të Kishës, njoftoj Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Ndersa , Arben Ismajli prokuror në departamentin e përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Gjilanit tha për Rajoni Press se e dyshuara është Snezhana Stankoviq.
Ismajli tha se Stankoviq është ndaluar në 48 orë sepse ajo është recidiviste dhe ka pranuar se ka kryer edhe vjedhje të mëhershme.
|

Beograd – Pas takimit me serbët e Kosovës, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi qartë se nuk do të ketë referendum për Marrëveshjen e arritur në Bruksel, më 19 prill.
“Ne nuk kemi kohë të merremi me muaj me këtë çështje, sepse kjo e fut Serbinë në situatë të rëndë të mos mund e zbatojë marrëveshjen që e kemi pranuar”, tha para gazetarëve në Beograd Daçiq
Sipas tij referendumi nuk do të kishte kuptim, meqë serbët e Kosovës shihet qartë se nuk do ta pranonin rezultatin e shumicës.
Siç transmeton Koha.net njoftimet e medieve të Beogradit nga konferenca me gazetarët e kryeministrit serb, Daçiq ka thënë se të gjitha hulumtimet e opinionit publik tregojnë se marrëveshja mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës mbështetet nga shumica e qytetarëve të Serbisë.
“Nëse është ashtu, askush s’mund ta shtyjë Serbinë drejtë shkatërrimit të mëtejshëm”, ka thënë kryeministri serb, duke shtuar se marrëveshja duhet të zbatohet.
Daçiq ka shtuar se Qeveria e Serbisë i ka të gjitha mekanizmat për ta zbatuar Marrëveshjen, porse nuk dëshiron t’i aplikojë.
“Mekanizmi është i thjeshtë: heq pagat, mbyll vendet e punës dhe ja kështu zgjidhet problemi i institucioneve paralele”, citon Koha.net Daçiqin, i cili shton se këtë nuk dëshiron ta bëjë dhe prandaj vazhdon të bisedojë me serbët e pjesës veriore të Kosovës.
Ai ka porositur serbët e Kosovës se duhet “të merren me Prishtinën dhe jo me Beogradin”.
“A kujton vërtet ndokush se ne jemi të marrë, ata duhet të merren me Prishtinën dhe jo me Beogradin… Ngatërresa me tërë botën s’është zgjidhje, sikundër as ngatërresa me Beogradin”, ka thënë Daçiq. (LajmeShqip.com)
|

Beograd – Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i serbëve të veriut të Kosovës me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq.
Serbët kanë kërkuar nga zyrtarët në Beograd që të vlerësohet kushtetutshmëria e Marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj të mbahet referendum, transmeton Rel.
Pritjet kanë qenë që serbët e veriut të deklarohen nëse përkrahin mbajtjen e referendumit rreth Marrëveshjes me Kosovën dhe nëse do të pranojnë zbatimin e saj, po qe se referendumi del pozitiv.
Takimi i radhës është caktuar për 7 maj, raportojnë mediat serbe.
Në takimin e sotëm nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në jug të Lumit Ibër. (LajmeShqip.com)
|

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i pyetur rreth mundësisë së mbajtjes së një referendumi nga Serbia edhe në territorin e Kosovës ka thënë se një gjë e tillë është antikushtetuese.
“Edhe në rast se mbahet nuk do të duhej të pranoheshin rezultatet e atij referendumi”, ka thënë ai.
Krasniqi këto komente i ka bërë pas takimit të sotëm të kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (K.P/LajmeShqip.com)
|

Prishtinë – Deputetja e Listës së Bashkuar Serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq ka thënë se me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit në veri të Kosovës asgjë nuk do të ndryshojë në raport me atë çka momentalisht kanë serbët.
“Tani të gjithë bashkërisht duhet të bëjmë përpjekje që me pranimin e kësaj marrëveshjeje popullata mos të drejtohet kah shpërnguljet, që me ndonjë zhurmë në Beograd, popullata të mos frikohet edhe më shumë dhe të mos fillojë të shpërngulet, dhe pas kësaj kur të stabilizohemi duhet ngadalë të punojmë në projektin e kthimit”, ka thënë Trajkoviq, raportojnë mediat serbe.
Sipas saj, liderët serbë nga veriu i Kosovës duan që me një fushatë sa më të fuqishme të punojnë në destabilizimin e Serbisë, sepse mendojnë se Serbia e destabilizuar nuk do të punonte në zbatimin e marrëveshjes.
“Ata llogarisin se do të mbetet status kuoja sa i përket veriut. Kjo praktikisht do të thotë se shkojnë në projektin e realizimit të ndarjes së Kosovës dhe të përgatitjeve për zgjidhje e cila në esencë duhet të jetë ndarja e Kosovës. Ata tërësisht eliminojnë serbët poshtë Ibrit, e do të thosha edhe serbët në Serbinë Qendrore, sepse pas kësaj do të pasonte kriza e tmerrshme politike dhe ekonomike e Serbisë”, ka theksuar ajo.(LajmeShqip.com)
|

Mitrovicë – (E plotesuar) Aleksandar Vucic nuk ka arritur ti bindë serbët e Veriut që të bëhen pjesë e implementimit të marrëveshjes, por ka treguar se veriorët kanë kërkuar shpalljen e referendumit në Serbi për marrëveshjen.
Vucic ka lënë të kuptohet se serbët kanë afat deri të martën e kaluar për të prezantuar kërkesat e tyre.
“Në rast se serbët e Kosovës dhe Metohisë thonë të martën se kjo është kërkesa e tyre, referendumi do të mbahet brenda 15 ditësh” ka thënë Vucic.
Por sipas tij serbët do të duhej të pranonin rezultatin e referendumit.
Ristic: Nuk marrim pjesë në implementim
Përfaqëues të serbëve të Veriut i kanë thënë Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic dhe Zëvendësit të tij Aleksandar Vucic se nuk do të marrin pjesë në implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Kryetari ilegal i Zubin Potokut Slavisa Ristic ka thënë se plani i Brukselit është i papranueshëm sepse në atë plan nuk ka Serbi, por integrim në Kosovën e pavarur.
Ristic ka thënë se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në implementimin e marrëveshjes dhe se nëse insistohet që plani të zbatohet duhet të organizohet një referendum.
****************************************************
Mitrovicë – (E plotesuar) Përfaqësues të serbëve të Veriut, pas takimeve në Patrikanën e Beogradit, kanë deklaruar se do të kërkojnë udhëheqësit serbë që ta hedhin poshtë marrëveshjen me Kosovën.
Sipas tyre, Kisha Ortodokse e Serbisë i mbështet serbët e Veriut.“ KOS dhe Patriarku Irinej, janë 100 përqind me popullin e Kosovës dhe Metohisë. Patriarku ynë mbështet çdo luftë tonën paqësore dhe rezistencë paqësore për realizimin e e synimit tonë parësor – që të mbesim në Kosovë dhe Metohi” ka thënë Slavisa Ristic. (LajmeShqip.com)
******************************************************
Mitrovicë – Përfaqësues të serbëve të Veriut, po qëndrojnë sot në Beograd ku po zhvillojnë takime me Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic dhe Zëvendëskryeministrin Aleksandar Vucic rreth marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Siç njoftojnë mediat e Beogradit në takim po marrin pjesë Kryetari i Zveçanit Dragisa Milovic, Slavisa Ristic i Zubin Potokut shefi i Qarkut të Kosovës dhe Mitrovicës Radenko Nedeljkovic, zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Krstimir Pantic, Kryetari i Mitrovicës Dragisa Vlaskovic.
Të gjithë këta, aktualisht konsiderohen përfaqësues ilegalë nga Qeveria e Kosovës.
Paraprakisht ata kanë takuar edhe Patriarkun Irinej.
Bashkëpunimi i serbëve të Veriut konsiderohet kyc për implementimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Kjo marrëveshja është hedhur poshtë nga ata gjatë një proteste të hënën në pjesën veriore ku kanë kërkuar mbajtjen e referendumit nëpërmjet të cilit do të deklaroheshin qytetarët e Serbisë rreth marrëveshjes.
Për rezultatet e takimit pritet të prononcohet Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic.
Ndërkohë grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit janë duke zhvilluar takime sot në Bruksel në përpjekje për të dakorduar planin e implementimit të marrëveshjes.(LajmeShqip.com)