Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 16:42

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë dialog me Serbinë, pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e zhvilluar deri më tani në Bruksel. Këto komente, Thaçi i bëri në mbledhjen e qeverisë, me ç’rast shprehu përkushtimin për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA dhe BE që të punohet më tepër për vazhdimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti sa i përket bashkëpunimit regjional dhe IBM si parakushte të nevojshme për të rimenduar vazhdimin e dialogut teknik mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha më tej se tashmë po afrohet data e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, për çka bëri të ditur se më 2 korrik, në Vjenë do të mblidhet Grupi Drejtues Ndërkombëtar, ku do të merret vendimi për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Kabineti qeveritar i dha mbështetje Projektligjit për shëndetësi, ndërsa ndau 20 mijë euro ndihmë për shtetin e Italisë pas dy tërmeteve që kanë goditur veriun e këtij vendi. (LajmeShqip.com)