Lajme Shqip Sunday, 06 October 2013 17:14

Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron shtyrjen e ligjit të nëpunësit civil, një atentat të rëndë që i është bërë konsensusit të 30 majit. Ai deklaroi se opozita është në dialog të vazhdueshëm me qytetarët për rrezikun që i kanoset me shkelmimin e konsensusit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me deklaratat e një dite më parë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zoti Basha tha se deklaratat për dialog dhe bashkëpunim s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë i mazhorancës është prishja e konsensusit unanim. 

“Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim. Këtë e di çdo kush, uroj ta dijë edhe kryetari i Kuvendit, që akti normativ o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Në këtë kuptim, opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, pikë së pari, si një vlerë të kulturës europiane të politikëbërjes dhe pikë së dyti, si një garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci dhe sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira”, – u shpreh Basha. 

Kreu i PD-së, Basha ka theksuar se opozita është në dialog të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë atentat që sipas tij, po  i bëhet konsensusit, por edhe marrëdhënies me mazhorancën e re. /bw/