12
 
Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 20:13

Shkup – Monumenti i Nënë Terezës do të ngrihet disa hapa më larg nga “Luftëtari mbi kalë” dhe do të jetë 32 metra e lartë. Projekti që tashëm është gati , do të fillojë të ndërtohet pas përfundimit të hotelit “Marriott”.

Investimi është dhuratë nga miliarderi indian dhe kryetar i grupit “Sahara India Parivar,” Subrata Roy, një biznesmen diskutueshëm emri i të cilit lidhet me afera të shumta financiare, njofton “Libertas”.

“Në këtë pikë unë do të ndërtojë shtëpi ku do të mbështetet kujtimi e kësaj gruaje të madhe. Kjo statujë, sugjeroj të quhet “Statuja e njerëzimit,” tha biznesmeni indian, në vendosjen e gur themelit, më 25 janar të këtij viti.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 26 January 2013 15:45

Shkup – Në Shkup dje u shpalos pllaka përkujtimore në sheshin e Shkupit, për ngritjen e përmendores gjigante të humanistes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.

Projekti i ngritjes së përmendores do të financohet nga biznesmeni indian Subrata Roj, kompania e të cilit “Sahara India” do të jep si donacion mjetet për ngritjen e përmendores.

Në ceremoninë e shënimit të fillimit të projektit kanë marrë pjesë kryeministri Nikolla Gruevski i shoqëruar nga biznesmeni indian Roj, ndërsa nuk ka qenë i pranishëm asnjë nga zyrtarët shqiptarë të Qeverisë së Maqedonisë dhe personalitete të tjera.

Gruevski dhe Roj kanë shpalosur pllakën përkujtimore të shënuar vetëm në maqedonisht dhe anglisht. (INALajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 10:15

TIRANE– Nënë Tereza është përkujtuar në Katedralen më të famshme në Londër, atë “Westminster”, nëpërmjet një meshe të posaçme.

Ceremonia “In memoriam”, e organizuar nga Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza” dhe presidentja e tij, zonja Liri Berisha, kishte si qëllim transmetimin dhe promovimin e vlerave të Nënë Terezës.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Lordi Watson i Richmondit, i cili u shpreh se Nënë Tereza duhet vlerësuar më së shumti për vlerat njerëzore.

“Nënë Tereza, e cila e ktheu ne profesion dashurinë, ishte Shenjëtorja e kohërave moderne. Ajo lindi dhe u rrit në një familje shqiptare në Ballkanin e trazuar të fillimit të shek. XIX. Nënë Tereza i përket kulturës, traditave e virtyteve shqiptare, ajo u rrit e u edukua nga familja e saj me mikpritjen ndaj miqve, me kulturën e ndihmës për ata që kanë nevojë, me ndjenjën e sakrificës për njerëzit”, tha Liri Berisha, presidente e fondacionit kulturor “Nënë Tereza”.

“Nënë Tereza i shërbeu botës duke parë tek çdo qenie njerëzore fytyrpn e Zotit, pa marrë parasysh sa të varfër, të sëmurë apo të lënduar ishin. Ajo kishte gjak shqiptar dhe i ka sherbyer atij vendi jo duke punuar për të, por duke na mundesuar neve ta shohim njerëzimin në një mënyrë tjetër”, tha Lordi Watson i Richmondit.

Fondacioni kulturor “Nënë Tereza” u ka shpërndarë të pranishmëve në “Westminster Abbey” nga një album fotografik “Nënë Tereza”. Vajza me emrin “Gonxhe”, ku nëpërmjet objekteve etnografike dhe fotografive të kohës, dëshmohet pasuria kulturore e origjinës së saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 14:34

Prishtinë – Për fyerjet publike që i ka bërë ndaj Nënë Terezës disa vite më parë, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, të martën, dy orë radhazi është përgjigjur në pyetjet e prokurorit komunal të Prishtinës, Valdet Gashit. Shefqet Krasniqi ka pranuar se ka komentuar në lidhje me Gonxhe Bojagjiun para xhematit në Xhaminë e Madhe, por thotë se nuk e ka fyer Nënë Terezën siç pretendohet në kallëzimin penal.

Mohimet se ka fyer Nënë Terezën, Krasniqi i ka bërë në kuadër të hetimeve që po bëhen që më shumë se tri vjet nga ushtrimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Komunale nga shkrimtari Qerim Ujkani, avokatët Bajram Krasniqi e Zef Prenaj, si dhe Adem Nimani.

Katër qytetarët në kallëzimin penal pretendojnë se imami i Xhamisë së Madhe me deklarimet publike në xhami e në gazeta ditore, ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, veprën penale të fyerjes si dhe veprën penale të shpifjes.

“Ai ka ofenduar shqiptarizmin dhe tërë popujt e botës duke thënë se: Nënë Tereza e ka vendin në ferr, ku të lumturën – Nobelisten Nënën Terezë, Gonxhe Bojagjiun e quan prostitutë, cila ka ndërruar shumë meshkuj dhe ka ngrënë e ka pirë pa para”, thuhet mes tjerash në kallëzimin penal, një kopje të të cilit e posedon gazeta.

Duke u përgjigjur në këto pretendime të kallëzimit penal, imami Krasniqi thotë se ka folur për Nënë Terezën qysh në vitin 2004 në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe atë pas një pyetje të bërë nga një besimtar gjatë ligjëratave të mbrëmjes që i ka mbajtur në xhaminë që drejton, çdo të mërkurë, shkruan sot “Zëri” .

“Një ndër ato pyetje ka ardhur se çka mendoni ju për Nënën Terezën e cila iu ka ndihmuar shumë të varfërve, shumë jetimëve por megjithatë ka qenë jomyslimane?”, ka cituar Krasniqi pyetjen që i ishte bërë nga besimtari.

“Midis xhehnemi, thellë midis xhehnemit e ka vendin ajo, sepse s’e ka besuar Allahun, s’e ka besuar pejgamberin, s’e ka besuar Kur’anin. Edhe nëse e ka besuar Allahun e ka besuar me të meta, jo të plotë… Tereza e ka pasur derën çel ku ka dashur të shkojë, pa para krejt dynjanë, të hajë çka të dojë, të pijë çka të dojë, burra cilin do ta ndërrojë, ka pasur të mira në këtë dynja plot ajo”, ka thënë Krasniqi në deklaratën, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta.

Në pyetjen e prokurorit se çka ka dashur të thotë vetë Krasniqi me “burra cilin do ta ndërrojë”, imami i Xhamisë së Madhe ka thënë se “është rregull i përgjithshëm i të mirave të cilat i ka bërë një person jomysliman në këtë dynja, e Allahu ia kthen të mirat në atë dynja, ia hap dyert e dëfrimit, kënaqësisë, plotësimit të dëshirave etj”.

“Këtë e kam thënë në kontest të përgjithshëm, përndryshe kjo nuk do të duhej të vlente për të (Nënë Terezën), sepse ajo e ka të ndaluar martesën me fe të saj e lëre më amoralitetin. Andaj nuk është e vërtetë që e kam akuzuar për moral, për xhehenem po, për amoralitet jo”, ka thënë Krasniqi.

Pas publikimit të këtyre deklaratave që ai i kishte dhënë fillimisht në xhami e më pas edhe ishin publikuar nga mediat, Krasniqi ka thënë se i ka kërkuar falje Kishës Katolike, ngase, siç ka thënë ai, ka ndjerë obligim moral nëse ata janë ndier të fyer. Për këtë çështje Krasniqi kishte dhënë përgjigje edhe në Bashkësinë Islame.

Megjithëse ndaj tij është ngritur kallëzimi penal, Krasniqi thotë se nuk ka gabuar për çkado që ka deklaruar edhe në 2004-ën edhe më vonë. Deklaratat e tij ai ka thënë se burojnë nga Ajetet Kuranore.

Dokumentet mbi të cilat Krasniqi i ka bazuar deklaratat e tij para xhematit, Krasniqi ka thënë se është në gjendje t’ia dorëzojë Prokurorisë Komunale. Kjo e fundit është duke vazhduar hetimet.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 October 2012 14:57

Prishtinë- Emri i Nënës Terezë i është vënë edhe një sheshi, kësaj radhe në kryeqytetin hungarez. Bashkë me emërtimin e sheshit, në distriktin XII të Budapestit është vënë edhe një shtatore e saj. Zbulimin e kanë bërë bashkë, zonja e parë e Hungarisë Anita Herczegh dhe Liri Berisha, bashkëshorte e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, njëherësh themeluese e fondacionit kulturor “Nënë Tereza”.

Mediat shqiptare njoftuan se gjatë fjalës së saj, Liri Berisha ka sjellë para të pranishmëve momente të rëndësishme të marrëdhënies së Nënë Terezës me Shqipërinë, të cilin pavarësisht qëndrimit të diktaturës komuniste, nuk e harroi dhe as nuk e braktisi asnjëherë. Ceremonia u përshëndet edhe nga Nunsi Apostolik i Vatikanit, i cili bëri një përshkrim të jetës së Nënë Terezës, si dhe nderoi figurën e humanistes për veprën e saj.

Prej aty, Berisha dhe Herczegh kanë vizituar qendrën e misionareve të Nënë Terezës në Budapest, që kujdesen për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.

Ceremonia është përmbyllur me një meshë që u organizua për nder të nobelistes shqiptare, në Bazilikën e Budapestit nga Nunsi Apostolik i Vatikanit, Kryepeshkopi Alberto Bottari de Castello dhe nga Kardinali i Hungarisë Peter Erdo. Ngjarja është organizuar për nder të përvjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 19 October 2012 11:34

Tiranë-Shënohen sot 9 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës, bamirëses së madhe shqiptare, simboli boteror i ndihmës për të varfrit, të cilëve ajo i kushtoi gjithë jetën. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, cka i hapi rrugë shënjtërimit të saj. Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi në Shkup më 1910, nga prindër shqiptarë.

Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri dhe motra Agnes bëhet Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj te murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.

Në vitin 1952, takimi me një grua të braktisur që po jepte shpirt mbi një trotuar në rrugët e Kalkutës, e bëri atë të ndëmerrte një nga detyrat për të cilat u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt. Pas këtij rasti kritikoi ashpër autoritetet e Kalkutës dhe arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të XIX, pranë tempullit Kali, ku do të priste të gjithë ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizanteria, ose tetanozi, të cilët nuk i pranonin spitalet. Për 40 vjet, më se 30 000 persona vdiqën atje. Krahas kësaj, misioni i saj punonte në ndihmë të strehimit të fëmijëve të braktisur në gjithë botën, kurimit të leprozëve dhe në ndihmë të viktimave të Sidës.

E veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, Nënë Tereza e kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”.  Nene Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën pasi thoshte se gjithshka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshte pa pasuri.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore. “Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Tashme ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 17:39

TIRANË – “Nënë Tereza ka zhdukur kufijtë duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin”, tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë përurimit të Kopshtit Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza” në Cleveland, SHBA.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, ceremonia u zhvillua në Kopshtin multikulturor “Rockefeller”, pjesë e të cilit është edhe Kopshti Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”.

Presidenti Nishani, gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast vlerësoi shenjtoren si dritën e shpresës dhe respektit. Kreu i Shtetit theksoi se me përmendoren e Nënë Terezës, Kopshti Kulturor Shqiptar e nderon humanisten e shquar shqiptare, e cila mbetet frymëzim për vlerat më të larta njerëzore dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Cleveland.

Presidenti Nishani uroi gjithashtu që Kopshti Kulturor “Nënë Tereza” të shndërrohet në një vend pelegrinazhi i Clevelandit, dhe shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për popullin mik amerikan dhe kontributin e tij të rëndësishëm për Shqipërinë.

Në këtë veprimtari të organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Clevelandit merrnin pjesë ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilbert Galanxhi, Kryetari i Bashkisë së Clevelandit, Frank Jackson, kreu i Shoqatës Adem Meta, këshilltarja bashkiake dhe presidentja e shoqatës Dona Brady, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe qindra qytëtarë të Clevelandit dhe rrethinave.

Në fund të ceremonisë, Presidenti Nishani zbuloi shtatoren kushtuar “Nënë Terezës”, akt ky që shënoi çeljen e Kopshtit Kulturor Shqiptar, i cili do të pasurohet më tej me shtatore të personaliteteve të tjerë të kulturës shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Cleveland, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Clevelandit me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, për punën e palodhur në promovimin e kulturës dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Cleveland. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 14:10

Tiranë – “Kombi në këtë 100 vjetor pa Nënë Terezën do të ishte jetim, sot duke nderuar atë është krenar për vajzën, gruan, nënën që i dha mbarë njerëzit”, tha Kryeministri Sali Berisha në seancën homazh të 15 vjetorit të vdekjes të humanistes së shquar shqiptare, Nënë Tereza, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Pas Shën Marisë, Nënë Tereza është dhe mbetet gruaja më e njohur, më e dashur, më njerëzore, më fisnike  e krishtërimit dhe njerëzimit. Ndaj dhe falenderimi i parë  është për Zotin që i dha kombit dhe njerëzimit në shekullin e 20, një simbol kaq të fuqishëm të moralit njerëzor, të përkushtimit njerëzor, të dashurisë njerëzore”, u shpreh Berisha.
Kryeministri u shpreh se në këtë 15 vjetor të ndarjes së saj nga jeta dhe kalimit në përjetësi, çdo shqiptar përulet para saj me nderimin më të madh.

“Kur hedh sytë në 100 vitet e fundit, por dhe në shumë shekuj, gjen dritën e saj, gjen nderin e madh që ajo i bëri nënës shqiptare, motrës shqiptare, që i bëri njeriut dhe njerëzimit në tërësi. Ndaj dhe le t’i themi asaj me gjithë zemër: faleminderit Nënë Tereza. Na dhe nder kur vuanim për të, kur nuk e kishim, kur në botë nga një regjim barbar përcillnim lajmet më të përçudnuara, më poshtëruese, kur në një histeri të paparë rrënonim kisha e tempuj e libra të shenjta, t’i qëndrojë si dëshmitare  e shpirtit të këtij kombi, i vlerave shpirtërore të mëdha të këtij kombi”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi se Nënë Tereza nuk e mohoi kurrë vendin e saj, por “në çdo minutë, në çdo orë, çdo ditë, kudo shfaqeshe krenare me nënën tënde, me familjen tënde, babin tënd, kombin tend”. 

Berisha u ndal në veprimtarinë humane të Nënë Terezës në Kalkutë, duke u shprehur se “Nënë Tereza nuk mund të ishte askund në planet. Siç ua çoi Zoti shqiptarëve për t’u bërë simbol i shpirtit të tyre, e çoi atë në Kalkuta për t’u përballur në vendin më të vështirë me dhimbjen, sakrificën njerëzore”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 August 2012 14:04

Maqedoni – Sot është 102 vjetori i lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Në Maqedoni sot janë organizuar aktivitete me rastin e shënimit të këtij përvjetori të lindjes së shqiptares së mirënjohur Gonxhe Bojaxhiu.

Në amfiteatrin e shtëpisë përkujtimore “Nëna Terezë” në mbrëmje do të shfaqet premiera e filmit “Duke jetuar me Nënë Terezën” nga regjisori japonez dhe presidenti i Akademisë Japoneze të Filmit, Shigeki Çiba. Filmi ishte xhiruar në  vitin 2010 dhe ishte shfaqur nëpër qendrat botërore me rastin e 100 vjetorit të humanistes shqiptare, ndërsa sonte për herë të parë shfaqet si premierë në Shkup.

Në Shtëpinë e Armatës sot do të ndahet çmimi shtetëror “Nënë Tereza”, mirëpo kësaj radhe ky çmim që jepet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë, nuk i është ndarë asnjë personaliteti apo shoqate shqiptare.

Humanistja dhe nobelistja shqiptare është lindur më 26 gusht 1910 në Shkup në familjen e mirënjohur Bojaxhiu.. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 21:12

Tiranë – Muzeu Historik Kombëtar ka çelur në një nga pavionet e tij një ekpozitë të përhershme, në kuadër të tetëvjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.

Ekspozita përmban një set fotografish të bamirëses me mbishkrime të sajat dhe ç’kanë thënë personalitete të ndryshme për Nënë Terezën. Gjithashtu aty janë ekspozuar edhe disa prej objekteve personale të saj si kryqi i mbajtur nga Nënë Tereza, dhuratë nga Papa Gjon Pali i II, peshqiri që ajo ka përdorur në vizitën e saj në Shqipëri, në vitin 1991, ruzaret e saj, ujëbekorja, etj.

Për herë të parë në këtë ekspozitë Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë publike një dokument të vitit 1970 lidhur me përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare pas kërkesës së bërë në vitin 1969 nga ambasada franceze lidhur me strehimin e nënës dhe motrës së Nënë Terezës pranë Caritas-it.

Pjesë e këtij këndi, është edhe një dokumentar i vitit 2010 “Ikona e dashurisë”, një realizim i Muzeut Kombëtar dhe RTSH-së, me skenar të Luan Malltezit dhe regji të Ilir Harshovës.

Sot shënohen tetë vjet nga Lumturimi i Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobël për Paqen. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shenjtërimit të saj.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

“Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.

12