Lajme Shqip Friday, 25 October 2013 16:21

Bashkia spastron Urën e Dajlanit nga 17 ndërtime pa leje. Në një njoftim të 25 tetorit 2013 të bashkisë thuhet se inspektorati ndërtimor i saj ka nisur prishjen e ndërtimeve pa leje në kryqëzimin te mbikalimi i urës së Dajlanit. 17 ndërtime të llojeve të ndryshme, si lavazhe, kioska, njësi tregtare etj, janë prishur për të pastruar të gjithë zonën.

 

Drejtori i inspektoriatit ndërtimor të Bashkisë Durrës Artur Çela tha se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim dhe do të shemben të gjitha ndërtimet që gjenden përreth mbikalimit të Urës së Dajlanit dhe në drejtim të zonës së Shkozetit. Aksioni në fjalë është mbështetur nga efektiva të policisë së rendit. Fadromat kanë shembur edhe billbordet që gjendeshin në të dyja anët e rrugës që hyn në zonën e Plazhit. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 10:53

Një tjetër ndërtim pa leje do të ketë fatin e godinës pesëkatëshe që u shemb të dielën pranë Fakultetit Ekonomik. Bëhet fjalë për një pallat shtatëkatësh në Vlorë, për të cilin Bashkia thotë se prish planin rregullues të qytetit. Siç shkruan “Panorama”, pallati i papërfunduar ende gjendet në zonën e Skelës dhe pas paralajmërimit për shembjen, pronarët nuk kanë reaguar.

Forcat e xhenios kanë nisur tashmë punën për hapjen e vrimave, në të cilat do të vendoset materiali eksploziv, për të realizuar shembjen me anë të shpërthimit të kontrolluar.

 
Lajme Shqip Saturday, 24 August 2013 09:54

Tiranë- Pas Prokurorisë së Tiranës dhe Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, tashmë është Prokuroria e Përgjithshme e cila ka vendosur që të shpenzojë një shumë të konsiderueshme për të ndërtuar një restorant mbi tarracë.

Që në ditët e para të publikimit të nismës “Stoprrënimit. com” nga Partia Socialiste janë të shumtë qytetarët të cilët denoncuan ngritjen e shtesave apo të objekteve. Nga objektet e denoncuara nga qytetarët, është edhe shtesa e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila i ka bllokuar pamjen e kateve të sipërme të një prej pallateve pas saj.
Të kontaktuar në telefon nhga “Shekulli”, zyrtarët e Prokurorisë shprehen se kanë marrë leje.
Nga këqyrja e dokumentacionit, rezulton se shtesa e ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme është planifikuar jo për zyra, por për një restorant.
Madje, nga hartat që kanë marrë pjesëmarrësit në tender, rezultojnë se është për-caktuar edhe numri i tavolinave dhe i gjithë sistemi i ndriçimit dhe ai audio.
Në total kostoja e shtesës ka kushtuar rreth 5 milionë lekë të reja.
“Fondi limit: 4 997 548 lekë. Burimi i Financimit: Buxheti i Shtet-it. Objekti i kontratës: Shtesë kati me konstruksion metalik i kombinuar të Prokurorisë së Përgjithshme, për vitin 2013, me prokurim elektronik”, thuhet në dosjen e tenderit të zhvilluar nga ky institucion.
Ende nuk bëhet e ditur nëse Organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka marrë leje në Bashkinë e Tiranës për shtesë kati,pasi ndërtimi i saj nisi në periudhën parazgjedhore, kur nuk ka pasur mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Tiranë.

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 17:40

Prishtinë – Inspektorati i ndërtimit i Komunës së Prishtinës sot ka bërë rrënimin e dy garazhave të ndërtuara pa leje në oborrin e selisë së PDK-së, në Prishtinë.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, ka thënë se objektet kanë filluar të ndërtohen pa leje të organit kompetent, kurse inspektorati në këtë rast si edhe herëve të tjera ka reaguar sipas procedurave ligjore dhe sot ka bërë rrënimin e këtyre objekteve.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve e gjithashtu edhe subjekteve politike që të respektojnë ligjin dhe për çdo ndërtim të kërkojnë leje në Drejtorin e Urbanizmit.

Ndryshe, zyrtarë të Komunës së Prishtinës, kanë treguar se më parë kanë ekzistuar tri objekte në këtë oborr, por për t’u liruar hapësira, kanë ndërruar kahjen e tyre dhe gjithashtu i kanë rindërtuar dy të tjera.

Sipas tyre, poseduesi i objektit nuk ka pasur informata se duhet leje për rindërtim të objekteve, prandaj ka filluar të punoj.

Gjithashtu, punëtorët të cilët ishin duke e bërë ndërtimin e këtyre garazhave, kanë rrezikuar, që të hyjnë e t’i marrin disa materiale punuese para rrënimit të objektit.

Rrënimi është kryer nga kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, në asistencë të Policisë së Kosovës.