Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 13:20

Mund të duket qesharake, por festimet e titullit të dytë kampion radhazi në NBA nga skuadra e Majemit për pak i kanë kushtuar jetën LeBron Xhejms dhe pjesës tjetër të skuadrës. Ekipi ka bërë paradë nëpër qytet me trofeun e fituar, por duket se shoferi i autobusit nuk i kishte bërë llogaritë mirë me itinerarin e zgjedhur. Ai ka kaluar poshtë dy urave duke rrezikuar seriozisht jetën e lojtarëve që gjendeshin sipër autobusit. (LajmeShqip.com)  

 
Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 13:46

Majemi ka festuar në mënyrë të jashtëzakonshme titullin e dytë kampion radhazi në NBA. Pjesa më e madhe e lojtarëve përfunduan pas ndeshjes në lokalin e famshëm “Story Nightclub & LIV”, ku nuk i kursyen vetes asgjë, duke shpenzuar 100 mijë dollarë vetëm në shampanjë Dom Perinjon apo pije të tjera.

Një faturë e tillë është lehtësisht e përballueshme nga miliarderi Arison, pronari i Majemi Hit, por ashtu si një vit më parë, askush nuk ka futur dorën në xhep për ta paguar atë, në ndryshim nga Dallas Maveriks që paguan 90 mijë dollarë për pijet e konsumuar në vitin 2011 në të njëjtin lokal.

David Grutman, pronari i lokalit, është një tifoz i çmendur i Majemit dhe bëri të qartë se kjo skuadër nuk kishte pse të paguante për sa kohë që fitonte. “Ajo faturë nuk do të përfundojë kurrë në duart e skuadrës”, tha ai, duke treguar se skuadra e Majemit kishte konsumuar 100 shishe me shampanjë Dom Perinjon, me vlerën 8500 dollarë secila si dhe tre shishe prej tre litrash shampanjë të quajtura Zherobams, me vlerën 5 mijë dollarë secila.

Ndërkohë, Mark Kuban, në këtë lokal pagoi 90 mijë dollarë për shishen e shampanjës prej 15 litrash të markës Arno Brinjak, të njohur ndryshe edhe si “Asi Maç”. Pronari i Dallas Maveriks nuk u tremb nga çmimi, aq sa la një bakshish prej 22% për kamerierin që i shërbeu ekipit të tij dy vite më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 09:48

“Unë jam LeBron Xhejms nga Akron, Ohaio, një qytezë e vogël. Unë as që duhej të isha këtu. Ndaj çfarë thuhet për mua jashtë fushës së lojës, seriozisht nuk më shqetëson”. Me këto fjalë, LeBron Xhejms ka pranuar titullin kampion të NBA për të dytin vit radhazi, ashtu si edhe atë të MVP të finaleve, pasi ka udhëhequr skuadrën e Majemit në mbrojtjen e titullit kampion, duke mundur pas 7 ndeshjesh me rezultatin 4-3 San Antonion. 

Nëse teksanët i falën kampionët në fuqi në takimin e 6-të, Xhejms vendosi që të mos i linte hapësirë atyre ta tentonin një gjë të tillë në këtë takim të fundit. “Mbreti” shënoi 37 pikë e 12 topa në tabelë, duke realizuar edhe gjuajtje shumë të vështira që i kishin munguar gjatë serisë, ato nga distanca. Pasi pa se San Antonio nuk po e lejonte të depërtonte poshtë koshit, Xhejms u kthye në një makineri gjuajtjesh nga distanca, duke realizuar 5 për 3 pikë, për të vënë në vështirësi San Antonion. Megjithatë, teksanët duhet thënë se nuk u dorëzuan deri në sekondat e fundit, atëherë kur Tim Dankan humbi mundësinë për të barazuar rezultatin dhe vetëm një gjuajtje e Xhejms me 39 sekonda të mbetura vulosi këtë fitore për Majemin me suksesin 95-88.

Me fitoren e titullit, pas një prej finaleve më emocionuese të sezoneve të fundit, “Mbreti” ka arritur që në më pak se dy vite të mbushë dollapin e trofeve të tij me 2 tituj kampion, 2 MVP të sezonit, 2 MVP të finaleve dhe një medalje të artë në Lojërat Olimpike, duke bërë që me të drejtë askush të mos ketë më mundësinë ta cilësojë një humbës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 09:01

LeBron Xhejms ka treguar se sa shumë e dëshiron titullin e dytë kampion radhazi në karrierën e tij me një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen e 6-të të finales së NBA. Ai ka udhëhequr Majemin në suksesin 103-100 në kohën shtesë, për të barazuar në 3-3 serinë ndaj San Antonio dhe për të çuar titullin në takimin e shtatë dhe të fundit.

San Antonio i shkoi shumë pranë titullit kampion, pasi në periodën e tretë dhe të katërt ishte plotësisht në kontroll të ndeshjes. Por pastaj erdhi “koha e Xhejms”, pasi ylli i Majemit plotësoi një paraqitje mbresëlënëse, duke shënuar 32 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 pasime në këtë ndeshje. “Nëse do të eliminoheshim në këtë ndeshje, do ta bënim një gjë të tillë me mua duke dhënë çdo pikë energjie që më kishte mbetur në fushën e lojës”, ishin fjalët e lojtarit pas ndeshjes, ku tregoi plotësisht se e meritonte titullin MVP.

Në radhët e San Antonios, këtë herë mungoi kontributi i Manu Xhinobilit, i mbyllur me kujdes nga mbrojtja e Majemit. Të vetmit nga teksanët që arrinin të gjenin me vazhdimësi koshin ishin Tim Dankan (30 pikë, 17 topa në tabelë) dhe Kauhi Leonard (22 pikë, 11 topa në tabelë), “të mëdhenjtë” e San Antonios që tashmë duhet të bazohet më shumë te ata në ndeshjen e 7-të, e cila do të përcaktojë skuadrën kampione të NBA. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 07:59

Manu Xhinobili ka dërguar San Antonion vetëm një hap larg fitores së titullit kampion në NBA pasi argjentinasi me lojën e tij ka udhëhequr këtë skuadër në suksesin 114-104 ndaj Majemit, që çon rezultatin e përgjithshëm në 3-2 për ekipin e tij. 

Xhinobili ishte lëvizja surprizë e radhës e Greg Popoviç, i cili e aktivizoi për herë të parë si titullar në këtë sezon argjentinasin, që u përgjigj me ndeshjen më të mirë të këtij viti me 24 pikë e 10 pasime. 26 pikët e Toni Parker dhe 24 të tjera nga Deni Grin shërbyen për të mbajtur larg Majemin sa herë që provonte të kthehej në garë, ndërsa teksanëve tashmë u duhet një fitore në dy ndeshjet e mbetura për të kthyer përsëri titullin kampion në pronësinë e tyre.

Majemit nuk i mjaftoi një paraqitje e mirë e LeBron Xhejms dhe Duejn Uejd, të dy autorë të 25 pikëve, ndërsa nuk mjaftoi ai siguria në gjuajtje e Rei Alen që mbylli takimin me 21 pikë. Kampionët në fuqi të NBA nuk kanë arritur përsëri të fitojnë 2 ndeshje radhazi në këtë seri finale, por do të duhet të thyejnë këtë “mallkim” në dy sfidat e fundit në fushën e tyre, nëse duan të ruajnë titullin që fituan një vit më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 07:56

Një paraqitje e jashtëzakonshme e treshes së Majemit, Xhejms-Uejd-Bosh, solli si rezultat barazimin e serisë finale të NBA ndaj San Antonios në 2-2, pas suksesit të ekipit të Floridas me rezultatin 109-93 në fushën kundërshtare.

Zakonisht, gjatë gjithë playoff dhe sidomos në këtë seri, e gjithë barra e lojës së Majemit kishte rënë mbi LeBron Xhejms, ndërsa edhe ky i fundit nuk kishte qenë në formën e tij më të mirë duke realizuar statistika që për të janë nën mesataren. Por në takimin e mbrëmshëm, të luajtur në fushën kundërshtare dhe me ndërgjegjen se San Antonio mund të shkëputej për të fituar titullin, Xhejms i është kthyer paraqitjeve të tij mbresëlënëse me 33 pikë dhe 11 topa në tabelë, ndërsa teksanët e kishin thuajse të pamundur të kontrollonin yllin e Floridas.

Këtë radhë ai mori një ndihmë të madhe nga dy shokët e tij, pasi Duejn Uejd realizoi 32 pikë, 6 topa në tabelë e 6 vjedhje, ndërsa Kris Bosh shtoi 20 pikë e 13 topa në tabelë. Treshja e Majemit ishte në formën e vet më të mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, ku i mbylli rrugën San Antonios për t’u kthyer në ndeshje sa herë që teksanët provonin të arrinin kampionët në fuqi.

Ndeshja e radhës është të dielën në darke, përsëri në fushën e San Antonios, ndërsa dy takimet e fundit të serisë zhvillohen në Majemi. Fakti që të dy skuadrat kanë arritur të fitojnë në fushën kundërshtare gjatë kësaj finaleje, tregon qartësisht se kjo është një nga seritë më të paparashikueshme të viteve të fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 11:57

Xhezon Kid ka vendosur të mos shkëputet nga basketbolli, pasi tani nuk do të jetë më një lojtar, por një trajner. Ish-organizatori është kthyer te “dashuria e vjetër”, skuadra e Nets, të cilën do ta drejtojë që nga fillimi i sezonit të ardhshëm.

Lëvizja e Bruklin Nets për të nënshkruar një kontratë me Kid erdhi si surprizë, pasi paraardhësi i tij, Brajan Shou, kishte bërë një punë relativisht të mirë. Prezantimi i trajnerit të ri do të bëhet gjatë kësaj jave dhe ai do të fillojë në moshën 40 vjeçare në këtë karrierë të re.

“Emërimit si trajner i Bruklin Nets është një mundësi e mirë të cilën e kam ndjekur që në periudhën kur isha lojtar. Shpresoj të ndërtoj një ekip kampion”, ishte deklarata e parë e Kid që në maj vendosi të largohet nga fusha si lojtar, për t’u kthyer pak muaj më vonë si trajner.

Ish-organizatori kaloi 19 sezone në NBA, me një karrierë të suksesshme në skuadra si Dallas, Feniks, Nju Xhersi e së fundmi Nju Jork. Ai është i dyti në renditjen historike të pasime në NBA me 12091 të tilla dhe vjedhje me 2684 të tilla, i kaluar vetëm nga Xhon Stokton (respektivisht 15806 asiste e 3265 vjedhje). Kid është i vetmi lojtar që ka mbyllur karrierën me të paktën 15000 pikë, 10000 pasime e 7000 topa në tabelë. Ka fituar vetëm një titull kampion në vitin 2011 me Dallas, ndërsa ka marrë pjesë në 10 “All Star Game”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 08:13

San Antonio i ka dhënë një leksion historik kampionëve në fuqi të NBA, Majemit, në ndeshjen e tretë finale, duke kryesuar tashmë serinë 2-1 pas suksesit 113-77. Gjithçka është bazuar në një mbrojtje hermetike, thuajse të pakalueshme, si dhe gjuajtjeve për tre pikë, ku teksanët shënuan 16 të tilla, duke vendosur rekordin për një ndeshje finale të NBA. 

Deni Grin shënoi 7 gjuajtje për tre pikë dhe e mbylli ndeshjen me 27 pikë, ndërsa Geri Nill realizoi 6 të tilla, duke mbyllur ndeshjen me 24 pikë. Këta dy lojtarë ishin protagonistë absolut të kësaj fitoreje përballë Majemit, që gjithsesi u shfaq shumë larg niveleve të zakonshme.

LeBron Xhejms përjetoi një prej mbrëmjeve më zhgënjyese të karrierës së tij. I mbuluar rreptësisht nga Kauhi Leonard, ai arriti të realizonte vetëm 7 nga 21 tentativat nga fusha, për një total prej 15 pikësh në këtë ndeshje, shumë poshtë standardit të tij. Për të kuptuar se sa zhgënjyes ishte Majemi në këtë sfidë, mjafton të shohësh se pikëshënuesi më i mirë ishte Duejn Uejd me 16 pikë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 08:15

Majemi ka arritur më në fund të tregojë edhe ndaj San Antonios llojin e basketbollit që e bëri atë skuadrën më të mirë në NBA në këtë sezon, duke i siguruar 66 fitore. Kampionët në fuqi të NBA kanë triumfuar me rezultatin 103-84 pas një periode të tretë dhe të katërt ku kanë dominuar plotësisht për të mbyllur këtë ndeshje. 

Deri në fundin e periodës së tretë, ndeshja ishte shumë e luftuar dhe për më tepër, Majemi e pa veten shpesh të ndiqte San Antonion. Por pastaj një rezultati i pjesshëm 33-5 shkatërroi plotësisht teksanët dhe i dha Majemit këtë fitore shumë të rëndësishme që barazon serinë finale të NBA para se ajo të zhvendoset në fushën e San Antonios.

Këtë radhë, LeBron Xhejms ndau detyrat me shokët e skuadrës, pasi ylli i Majemit shënoi 17 pikë, 8 topa në tabelë e 7 pasime, një paraqitje poshtë standardeve po të shohësh mesataret e tij sezonale. Por në fakt ai punoi më shumë për t’i krijuar hapësira shokëve, sidomos në gjuajtjet nga distanca, me Miller e Alen që realizuan nga 3 të tilla.

Në radhët e San Antonios, lojtari më i dalluar në këtë ndeshje ishte Deni Grin, që shënoi 17 pikë, falë 5 gjuajtjeve të sakta për 3 pikë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 08:03

San Antonio ka filluar në mënyrë më të mirë të mundshme finalen e NBA duke arritur të fitojë takimin e parë në fushën e Majemit me rezultatin 92-88, për të treguar se nuk do të dorëzohen përballë kampioneve në fuqi, por do të kërkojnë një tjetër titull. 

Ekipi teksan i besoi ofensivën Tim Dankan, i cili shënoi 20 pikë e 14 topa në tabelë në këtë sfidë, duke vërtetuar se është pa diskutim një nga qendrat më të mira të historisë së këtij turneu. Edhe Toni Parker dha një kontribut të rëndësishëm me 21 pikë e 6 pasime në këtë ndeshje, kurse Manu Xhinobili shënoi një kosh në sirenë në sekondat e fundit për të mbajtur ekipin para dhe për të marrë këtë sukses që i jep tashmë avantazhin e fushës.

Nga ana tjetër, LeBron Xhejms ishte protagonist në çdo veprim të Majemit, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, duke mbyllur takimin me 18 pikë, 18 topa në tabelë dhe 10 pasime. Por ai vazhdon të jetë përsëri krejtësisht i vetëm në skuadrën e tij, pasi pjesa tjetër e “treshes”, Duejn Uejd (17 pikë) dhe Kris Bosh (13 pikë), thuajse nuk po arrijnë më të bëhen faktor ndikues dhe nuk janë aq efektivë poshtë koshit. (LajmeShqip.com)