Tag Archives: NBA
|

Ashtu si çdo vit, edhe këtë radhë Barak Obama ka pritur kampionët e NBA në Shtëpinë e Bardhë, duke treguar se është një tifoz i basketbollit. Presidenti amerikan nuk ka ngurruar të përgëzojë Dallas Maveriks për titullin, ndërsa ka lëshuar disa batuta të këndshme.
“Ju e fituat titullin me një zemër sa e gjithë Teksasi. Ishte një ecuri e jashtëzakonshme, një fitore e madhe. Por më vjen keq për ju, sepse vitin tjetër do të pres këtu Çikago Bulls”, u shpreh ai me humor për ekipin e tij të zemrës.
Takimi tradicional me presidentin amerikan zhvillohet kur ekipi kampion udhëton drejt Uashington për të luajtur kundër Uizards. Por këtë radhë, meqë sezoni është shkurtuar, Dallas nuk do të luante në Uashington dhe ceremonia u organizua falë iniciativës personale të pronarit të ekipit teksan.
“Të gjithë ju e dini që është shumë e vështirë t’i thuhet jo Mark Kuban”, ishte batuta e Obama për pronarin e Dallas Maveriks. (LajmeShqip.com)
09.01.2012
Rezultatet
Minesota-Toronto 87-97
Indiana-Filadelfia 86-96
Sharlot-Nju Jork 87-91
Atlanta-Nju Xhersi 106-101
Detroit-Çikago 68-92
Nju Orlins-Denver 94-81
|

Kthimi në parket i LeBron Xhejms për ndeshjen ndaj Nju Xhersi ka treguar se si ylli i Majemi ka lënë pas plotësisht pas dëmtimin në kyçin e këmbës dhe se një ditë pushim i ka mjaftuar për të qenë përsëri i pandalshëm. Xhejms ka shënuar 32 pikë, 7 topa në tabelë dhe 9 pasime në suksesin 101-90, ndërsa shoku i tij i skuadrës Duejn Uejd ka qenë përsëri spektator.
Në ndeshjet e tjera të NBA, bie në sy përmirësimi i dukshëm i LA Klipërs, të cilët falë afrimit të organizatorëve Pol dhe Billaps gjatë merkatos, janë kthyer në një skuadër spektakolare që po fiton ndeshje pas ndeshje. Viktima e radhës ka qenë Miluoki që është mundur 92-86 falë zhytjeve të njëpasnjëshme të Bleik Grifin. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
07.01.2012
Çikago-Atlanta 94-109
Sharlot-Indiana 77-99
Nju Jork-Detroit 103-80
Majemi-Nju Xhersi 101-90
Oklahoma-Hjuston 98-95
Toronto-Filadelfia 62-97
Denver-San Antonio 117-121
Nju Orlins-Dallas 81-96
Utah-G. Steit 88-87
Miluoki-LA Klipërs 86-92
|

Ndeshjet e para të sezonit të NBA kanë sjellë në plan të parë disa skuadra të cilat gjatë viteve të fundit kanë menduar si të rindërtohen me lojtarë të rinj dhe tani po marrin frytet e punës së tyre. Dy prej tyre janë Indiana Peisërs dhe Denver Naxhets, të cilat aktualisht e shohin veten mes skuadrave më të mira.
Indiana ka treguar se mund të jetë një prej liderëve në Konferencën e Lindjes duke mundur lehtësisht Boston Sëlltiks me rezultatin 87-74, falë një prove të shkëlqyer në mbrojtje. Ndërkohë, Denver Naxhets janë në vendin e parë në Konferencën e Perëndimit pas suksesit kundër Nju Orlins me rezultatin 96-88. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
06.01.2012
Atlanta-Sharlot 102-96
Detroit-Filadelfia 73-96
Nju Jork-Uashington 99-96
Nju Xhersi-Toronto 97-85
Indiana-Boston 87-74
Çikago-Orlando 97-83
Hjuston-Oklahoma 94-109
Kliveland-Minesota 98-87
Denver-Nju Orlins 96-88
Memfis-Utah 85-94
Portland-Feniks 77-102
G. Steit-LA Leikërs 90-97
|

Skuadra e Majemi Hit ka arritur të mundë Atlanta Hoks me rezultatin 116-109, pas 3 kohëve shtesë, ndonëse nuk ka patur në gjirin e saj LeBron Xhejms dhe Duejn Uejd, të dy të dëmtuar. Kryesuesit e Konferencës së Lindjes janë hakmarrë për humbjen e vetme të këtij sezoni, të pësuar katër ditë më parë, ndërsa protagonist i sfidës ka qenë Kris Bosh me 33 pikë, 14 topa në tabelë dhe 5 pasime.
Pas shumë sezonesh si një nga ekipet më të forta në NBA, duket se ka ardhur koha që edhe LA Leikërs të dorëzohen dhe të mendojnë për ndryshimin e gjeneratave. Pavarësisht 30 pikëve e 8 topave në tabelë për Kobi Brajant, kalifornianët janë mundur nga Portland që për momentin mban vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Me këtë disfatë, Leikërs e çojnë në 4 numrin e humbjeve në 8 ndeshje të zhvilluara këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
05.01.2012
Majemi-Atlanta 116-109
Dallas-San Antonio 71-93
Miluoki-Sakramento 100-103
LA Leikërs-Portland 96-107
|

Një dëmtim në pjesë e tretë të ndeshjes nuk ka ndaluar LeBron Xhejms që të shkatërrojë Indiana Peisërs. Ylli i Majemi Hit shënoi 33 pikë, 8 topa në tabelë dhe 13 pasime, në një mbrëmje ku nënkampionët fituan 118-83 ndërsa në radhët e tyre mungonte Duejn Ueid i dëmtuar.
Majemi vazhdon të mbajë rekordin më të mirë në NBA, 6 fitore e vetëm 1 humbje, së bashku me Çikago Bulls të cilët triumfuan përballë Detroit Pistons 99-83. Fitorja e 5-të radhazi për pretendentët e Konferencës së Lindjes erdhi falë të zakonshmit Derrik Roz, i cili shënoi 17 pikë e 10 pasime. Ndërkohë, edhe Boston Sëlltiks kanë realizuar fitoren e 4-t radhazi, duke mundur Nju Xhersin 89-70. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
04.02.2012
Kliveland-Toronto 77-92
Uashington-Orlando 85-103
Sharlot-Nju Jork 118-110
Nju Xhersi-Boston 70-89
Çikago-Detroit 99-83
Indiana-Majemi 83-118
Memfis-Minesota 90-86
G. Steit-San Antonio 95-101
Feniks-Dallas 89-98
Sakramento-Denver 93-110
Hjuston-LA Klipërs 89-117
|

Majemi Hit duket i pandalshëm në këto ndeshje të para të sezonit të NBA. Edhe në momentet kur skuadra duket në vështirësi, mjafton një magji e dyshes Xhejms-Uejd për të zgjidhur gjithçka, ashtu siç ka ndodhur në ndeshjen kundër Minesota Timbërulfs, të fituar me rezultatin 103-101 falë një aksioni spektakolar kur kishin mbetur vetëm pak sekonda nga fundi i takimit…
Në ndeshjet e tjera, Dallas Maveriks kanë arritur më në fund të fitojnë ndeshjen e parë për sezonin 2011-2012, pas tre humbjeve radhazi, duke mundur Toronto Reptors me rezultatin 99-86. Falë kësaj fitoreje, kampionët në fuqi janë larguar nga vendi i fundit në renditjen e Konferencës së Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
30.12.2011
Klivlend-Indiana 91-98
Orlando-Sharlot 100-79
Detroit-Boston 85-96
Nju Xhersi-Atlanta 98-105
Feniks-Nju Orlins 93-78
Hjuston-Memfis 93-113
Majemi-Minesota 103-101
Toronto-Dallas 86-99
Uashington-Miluoki 81-102
Filadelfia-Utah 99-102
Çikago-LA Klipërs 114-101
|

Kevin Durant, pikëshënuesi më i mirë në NBA në dy sezonet e fundit, ka arritur t’i sigurojë një tjetër fitore Oklahoma Siti Thandër falë gjuajtjeve të tij. Por këtë radhë, suksesi ka qenë i dyfishtë pasi jo vetëm Thandër mundën kampionët e Dallas Maveriks, por arritën të triumfonin 104-102 falë gjuajtjes spektakolare për 3 pikë të Durant në sekondën e fundit të takimit, si tregohet në videon e mëposhtme….
Ndërkohë, në takimet e tjera, për t’u veçuar është fitorja e LA Leikërs ndaj Nju Jork Niks me rezultatin 99-82. Kobi Brajant, pavarësisht dëmtimit në kyçin e dorës, vazhdon të paraqitet në një formë të shkëlqyer dhe 28 pikët e tij i mjaftuan Leikërs për të siguruar suksesin e dytë radhazi. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
29.12.2011
Nju Xhersi-Orlando 78-94
Dallas-Oklahoma 102-104
San Antonio-Hjuston 85-105
Çikago-Sakramento 108-98
Denver-Portland 102-111
Nju Jork-LA Leikërs 82-99
|

Majemi Hit nuk dëshiron të lërë t’i ikë nga duart një tjetër titull kampion dhe këtë e ka bërë të qartë që në dy ndeshjet e para të sezonit ku ka mundur lehtësisht Dallas Maveriks dhe Boston Sëlltiks. Këta të fundit mendohet të jenë një prej pretendentëve më të fortë në Konferencën e Lindjes, por e kanë patur thuajse të pamundur të rivalizonin me Hit, të cilët kanë gjetur një tjetër “yll”, për t’ia bashkuar treshes Xhejms-Uejd-Bosh.
Bëhet fjalë për Norris Kol, i cili në ndeshjen e tij të dytë në NBA, arriti të shënonte 20 pikë duke vulosur fitoren 115-107 ndaj Boston. Ndërkohë, Xhejms dhe Uejd kanë vazhduar të shkëlqejnë, duke shënuar respektivisht 26 dhe 24 pikë në këtë sfidë.
Ndeshjet e djeshme kanë kthyer buzëqeshjen e LA Leikërs. Skuadra e Kobi Brajant ka fituar 96-71 përballë Utah Xhaz, duke gjetur sukesin e parë pas dy humbjeve radhazi. Ylli i Leikërsave i është kthyer paraqitjeve të tij të zakonshme duke regjistruar 26 pikë, 8 topa në tabelë dhe 5 pasime, ndërsa një ndihmë e madhe i ka ardhur nga Pol Gasol, i cili shënoi 22 pikë dhe 9 topa në tabelë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
27.12.2011
Atlanta-Nju Xhërsi 106-70
Boston-Majemi 107-115
Minesota-Miluoki 95-98
Sakramento-Portland 79-101
|

Ndeshjet e ditës së dytë të NBA kanë konfirmuar krizën e dy skuadrave, Los Anxhelos Leikërs dhe Dallas Maveriks. Ekipi i Kobi Brajant është mundur nga Sakramento Kings me rezultatin 100-91, duke bërë që në fillim të vështirë një sezon ku pritshmëria e tifozëve ishte e madhe. Lamtumira e trajnerit Fil Xhekson dhe transferimi i rezervës Lamar Odom mund të bëjnë që Leikërs tashmë të mos shihen si një skuadër pretendente.
Si për ironi të fatit, skuadra tjetër që në dy ndeshje ka regjistruar 2 humbje është Dallas Maveriks. Kampionët në fuqi janë mundur përsëri lehtësisht 115-93, këtë radhë nga Denver Naxhets. Dallas është dorëzuar që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në pjesën e dytë, trajneri Rik Karlajl ka vendosur të aktivizojë rezervat duke parë se titullarët po zhgënjenin krejtësisht.
Ndërkohë, skuadra e vetme me 2 fitore në po aq ndeshje është Oklahoma Siti Thandër, e cila falë 33 pikëve të Kevin Durant ka mundur 104-100 Minesota Timbërulfs. Ndeshja më interesante e ditës së sotme do të jetë ajo mes Majemi dhe Boston, që mund të përcaktojë menjëherë se kush do të jetë ekipi më i favorizuar për triumfin në Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
26.12.2011
Detroit-Indiana 79-91
Nju Xhersi-Uashington 90-84
Hjuston-Orlando 95-104
Miluoki-Sharlot 95-96
Toronto-Kliveland 104-96
Oklahoma Siti-Minesota 104-100
Denver-Dallas 115-93
Memfis-San Antonio 82-95
Nju Orlins-Feniks 85-84
Filadelfia-Portland 103-107
LA Leikërs-Sakramento 91-100
Çikago-Golden Steit 91-99